Si të përballemi me pasojat e rënda të rënies së sheqerit në gjak

 Pranvera Kola June 30, 2014 15:11

Si të përballemi me pasojat e rënda të rënies së sheqerit në gjak

Ulja e nivelit të sheqerit në gjak shoqërohet me probleme të shumta shëndetësore, të cilat nuk shfaqen vetëm tek pacientët që vuajnë nga diabeti apo sëmundje të tjera, por edhe tek njerëzit e shëndoshë. Mund të shfaqet në çdo kohë dhe moshë. Sipas bluzave të bardha kjo sëmundje ndodh në rastet kur niveli i sheqerit në gjak është shumë i ulët për të siguruar energjinë e mjaftueshme që i duhet trupit tonë për të kryer aktivitetet e përditshmërisë. Në shumë raste sëmundja shfaqet tek pacientët diabetikë të cilët nuk respektojnë sasinë dhe kohën e marrjes së insulinave apo medikamenteve të tjera me anë të cilave trajtohen. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekja Ilda Xhelili tregon se cilat janë ndërlikimet më të shpeshta që shfaqen, si dhe kujdesin që duhet të kemi për të shmangur pasojat e rënda në shëndet. Kjo sidomos gjatë sezonit të verës, ku shanset për uljen e nivelit të sheqerit në gjak janë edhe më të shumta.

 

Çfarë kuptojmë me hypoglicemi?

Hypoglicemia përbën një urgjencë mjekësore që ka të bëjë me nivelin e ulët të glukozës (sheqerit) në gjak nën normat e lejuara. Hypoglycemia mund të prezantohet me një shumëllojshmëri shenjash klinike, por problemet kryesore kanë të bëjnë me furnizimin e  pamjaftueshëm të trurit me glukozë, gjë e cila çon në dëmtim të funksionit të tij (neuroglykopenia). Situata mund të degradojë deri në gjendje të fikëti, humbje ndjenjash dhe rrallë deri në dëmtim të përhershëm të trurit ose edhe vdekje. Zakonisht hypoglicemia rrjedh si një komplikacion (ndërlikim) i pacientëve me diabet sheqeri (diabetus mellitus) që trajtohen me insulina, apo edhe me terapi medikamentoze nga goja. Në personat jo diabetikë, hypoglicemia është më pak e zakonshme dhe mund të ndodhë në çdo moshë. Nivelet e ulëta të glukozës në gjak për të përcaktuar hypogliceminë janë të ndryshme për persona të ndryshëm dhe në rrethana të ndryshme.

 

Cilët janë shkaktarë më të shpeshtë të hypoglicemisë?

Siç e thamë edhe më sipër personat më të predispozuar janë diabetikët. Prandaj shkaktarë mund të jenë përdorimi jo i saktë i insulinave apo i medikamenteve antidiabetikë, mosrespektimi i kohës së marrjes dhe sasisë së duhur. Gjithashtu ka të bëjë me konstruktin fizik të pacientit, me mënyrën e ushqyerjes, por edhe me historinë familjare për këtë çrregullim. Edhe sëmundje të tjera mund të japin hypogliceminë, sidomos ato malinje. Prandaj, në këto raste duhet trajtimi fillimisht i sëmundjes primare.

 

Cilat janë shenjat më të shpeshta klinike?

Shenjat klinike mund të jenë nga më të butat e deri më të rënda. Zakonisht hypoglicemia paraprihet nga gjendje ankthi, nervozizmi, takikardia (rrahje të shpeshta të zemrës), djersitja, ndjesia e ngrohjes së trupit dhe pastaj e ftohjes, zbehje, zgjerimi i bebes së syve (mydriasis), parehati e barkut, të përziera, e të vjella. Ndërsa ulja e sheqerit në gjak përparon, shenjat e mësipërme thellohen, por kemi edhe gjendje depresioni (qajnë pa shkak), çrregullime gjykimi, mpirje ose shpime si gjemba i gjymtyrëve, paqëndrueshmëri emocionale, dobësi e përgjithshme, apati, marrje mendsh, pastaj fillojnë çrregullimet e pamjes (paqartësi, vizion i dyfishtë). Këto pasqyrojnë çrregullimet e furnizimit më glukozë të trurit që mund të shkojë deri në paraliza, çrregullime të aktit të frymëmarrjes, gjendje kome, çrregullime të kujtesës. Manifestime të veçanta mund të ndryshojnë sipas moshës, ashpërsisë së hypoglicemisë si edhe shpejtësisë së rënies së sheqerit në gjak.

 

Si shfaqet sëmundja tek fëmijët?

Për shembull në fëmijët e rritur (kryesisht adoleshentët) çrregullimet e sjelljes nga hypoglycemia ngjajnë me ato te drogës, të dehjes nga alkooli apo edhe me sëmundjet mendore. Tek të porsalindurit mund të kemi irritabilitet të gjendjes së përgjithshme, cianozë (nxirje e buzëve dhe anësive), shpeshtim të frymëmarrjes, refuzim të ushqyerjes, djersitje, hipotermi (temperatura të ulëta të trupit).

 

Po tek të moshuarit çfarë ndodh ?

Tek të moshuarit hypoglicemia mund të prodhojë efektet e një rraskapitjeje të thellë ose si një goditje shokante. Edhe tek i njëjti person klinika ndryshon nga episodi në episod (kur kemi përsëritje të episodeve hypoglicemike). Në të shumtën e rasteve shenjat klinike ngjajnë me ato të gjendjeve asfiktike ose të sëmundjeve të zemrës. Kur ndodh tek diabetikët, ata marrin menjëherë masa sapo shfaqen shenjat e para. Si të thuash, janë mësuar me këto situata dhe fusin shpejt diçka të ëmbël në gojë. Përgjithësisht diabetikëve (edhe pse karakterizohen nga nivele të rritura të sheqerit në gjak) u thuhet të mos dalin pa pasur në xhep dy biskota apo një bustinë sheqeri. Hypogilcemia mund të ndodhë gjithashtu edhe kur jemi duke fjetur. Familjarët vënë re shtratin dhe çarçafët e lagur me djersë. Pasi  individi zgjohet ndihet i lodhur, i hutuar ose edhe i nervozuar. Në rastet kur hypoglycemia është e thellë, ajo mund të shkaktojë humbje ndjenjash dhe deri në dëmtime të pakthyeshme të trurit. Përsa i përket dëmeve afatgjata, si rezultat i hypoglicemive të shpeshta, rreziku më i lartë është për sëmundjet kardiovaskulare (zemra dhe enët e gjakut).

Si trajtohen hypoglicemitë?

Siç e thashë edhe më sipër hypoglicemia përbën një urgjencë mjekësore dhe situata duhet zgjidhur menjëherë. Personat që vuajnë nga diabeti janë të ambientuar me këto situata. Rehabilitimi synon ngritjen e sheqerit në gjak në vlerat normale përmes gëlltitjes së karbohidrateve që mund të jenë në formën e sheqerit ose të lëngjeve të frutave (për shembull rreth 150 ml lëng rrushi ose portokalli). Situata fillon të përmirësohet brenda pesë minutave por përmirësimi i plotë arrihet pas 20 minutash. Pastaj duhet një kontroll i plotë i organizmit për të përcaktuar shkakun e vërtetë të hypoglicemisë (sidomos në personat që shfaqet për herë të pare). Konsultat me mjekun endokrinolog do të përcaktojnë edhe mënyrën e ushqyerjes si edhe aktivitetin fizik të domosdoshëm.

 

Krizat e hypoglicemisë

Kriza e hypoglicemisë paraprihet nga një dobësi e papritur, me djersë dhe marramendje. Por, ajo mund të shfaqet dhe me zverdhje në fytyrë, dhimbje koke dhe paaftësi për t’u përqendruar. Arsyeja gjithnjë është po ajo, mungesa e sheqerit në gjak. Sheqeri përbën karburantin kryesor në organizëm. E marrë nëpërmjet ushqimit, ai është i nevojshëm për funksionimin e mirë te qelizave, veçanërisht ato të trurit. Ja pse ka një rënie të energjisë dhe një ndjesi se nuk ndjehesh mirë kur kemi mungesë sheqeri në gjak. Përqendrimi i sheqerit në gjak rregullohet vazhdimisht nëpërmjet dy hormoneve: “glukagon” dhe insulina.

 

Shkaktarët

Marrja e më shumë sasie insulinë po tableta të tjera.

Mosndjekja e orareve të rregullta të ngrënies, ose marrjes së ilaçeve.

Ngrënia me vonesë ose mosngrënia e vakteve siç duhet.

Marrja e ushqimeve të pamjaftueshme, sidomos karbohidrateve.

Kryerja e aktiviteteve të paplanifikuara, ose sfilitëse.

Konsumimi i tepërt i alkoolit, ose konsumimi i tij pa ushqim.

Ndonjëherë nuk ka ndonjë shkak të dukshëm.

 

Simptomat më të shpeshta

Në shumë raste pacientët kanë shenja paralajmëruese kur bie niveli i sheqerit

Ndihen të uritur

Dridhen dhe lëkunden

Humbje ekuilibri, të vjella

Djersitje e vazhdueshme

Kanë ankth dhe irritim

Zbehje, zgjerimi i bebes së syve

Shfaqet ndjesia e ngrohjes së trupit dhe pastaj e ftohjes

Kanë puls ose rrahje zemre të shpejta

Shfaqet me pickim të buzës dhe shikim të turbullt

Vështirësi në përqendrim, sjellje irrituese

Ndjehen të turbullt dhe konfuz, etj

 

Kur sëmundja ndodh teksa jemi në gjumë

Ndonëse në raste më të pakta rënia  nivelit të sheqerit në gjak mund të ndodhë edhe gjatë natës teksa ne jemi në gjumë. Në të tilla raste ndërlikimet janë më të lehta dhe shpesh herë kalojnë me një lodhje të përgjithshme të cilën e ndjejmë kur zgjohemi. “ Mund të ndodhë që hypoglicemia t’ju zgjojë, por nëse nuk ndodh ka mundësi që kur të zgjoheni të ndiheni shumë i lodhur, me dhimbje koke ose me një ndjenjë sikur keni pirë një natë më parë”, sqarohet nga mjekët. Megjithatë në rastet kur ndodh kjo është mirë që të hani diçka gjatë orëve të natës në mënyrë që të balancohet edhe niveli i sheqerit në gjak.

 

Alkooli i tepërt pakon sasinë e sheqerit në gjak

Gjithashtu edhe konsumi i shumtë i alkoolit ose pirja me stomakun bosh, ka shumë të ngjarë të shkaktojë hypoglicemi. Shenjat në këtë rast janë shumë të ngjashme me ato të qenurit i dehur. Gjithnjë merrni diçka për të ngrënë, nëse po pini alkool.

 

 Pranvera Kola June 30, 2014 15:11
Komento

5 Komente

  1. Stela plaku September 12, 20:35

    A mund ta dij a ka ilaçe per kurimin e uljes se sheqerit ne gjak? Ju lutem te me ktheni nje pergjigje . Ju faleminderit!

    Reply to this comment
  2. anaa October 24, 22:07

    Mami im plus qe i ka Kto te gjitha shenjat qe permendet tani ka vene re se kur zgjohet ne mengjes e ka gojen me gjak.. ju lutem a mund te me ktheni prgj cfare mund te kete

    Reply to this comment
    • Anila Canaj December 15, 15:27

      Ju lutem un i kam keto shenja . Jam 45vjeçe Kam probleme me tensionin . Kam coartacion aorte . para nje biti bera analizat dhe rezultati : urina me shume kripera . / gjaku munges sheqeri . Tani ka filluar ti kem keto shenja marrje mendsh dhimbje koke mpirje te dores dhe kembes me keputen gjunjet dhe kjo me dodh disa her ne dit . Ju lutem doja nje pergjigje çfare duhet te perdor . Me respekt Anila Canaj / Ala

      Reply to this comment
  3. Mili June 11, 11:39

    Te gjitha kto simptome i ka Nëna ime :maramendje,temperatur,ethe,vjedhje,dhimbje barku,e zbeht dej maximum por dhe ka pasur nje kriz mendore e cila na ka qmend
    Por mjeket thojn se ka te ulet shiqerin ngjak
    Cfar mund te bejm ju lutem na ndihmoni
    Ju lutem pasi mjeket vetm parat -leket i interesojn asgje me shum.
    I provuam tgjitha nfund pa diagnoz pa terapi

    Reply to this comment
    • korce92 March 22, 02:30

      babai im ka 15 vjet me kte semundje ju keshilloj te hani me shpesh ,,, dhe nese e shohni nje familjarin tuaj ne ate gjendje gjera e pare eshte ti jepni nje gote sherbet *uje me sheqer *

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*