Si të shpëtohet Breksit ?

October 23, 2017 19:15

Si të shpëtohet Breksit ?

Negociatat e divorcit mes Britanisë së Madhe dhe BE-së, kanë arritur ciklin e tyre thuajse 100 ditor dhe ende nuk ka një marrëveshje paraprake mes palëve. Samiti i fundit i krerëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare në Bruksel, në thelb nuk solli asgjë të re, mbi tërheqjen e britanikëve. Ndërsa në formë, arriti të hapë shtegun për të mundësuar në muajin dhjetor, daljen me konkluzione të arritjes së mjaftueshme të progresit, për të bërë të mundur skicimin e mëtejshëm të marrëdhënies së re me Londrën.

Kryeministrja britanike, nuk do të konfirmonte asgjë të re, që nuk njihet për palën evropiane dhe që për ta gjithsesi konsiderohet e pamjaftueshme. Dhe konkretisht janë tre pika të ndjeshme, që duhet të gjejnë zgjidhje, përpara se të skicohet marrëdhënia e ardhshme me Britaninë e Madhe: të drejtat e qytetarëve evropianë në Britaninë e Madhe, çështja e kufirit mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut dhe rregullimi i faturës financiare.

Çështja e qytetarëve, është dosja e vetme ku pas ngecjeve të fillimit për shkak të ngurrimit britanik, negociatat duket se kanë ecur mirë. Objektivi i përgjithshëm i BE-së, është që të gjithë këta qytetarë të ruajnë të njëjtat të drejta pas Breksit, si edhe më parë. Juridikisht, shqetësimi kryesor i BE-së është të sigurojë që marrëveshja e tërheqjes të ketë një efekt të drejtpërdrejtë juridik dhe që interpretimi i këtyre të drejtave të jetë koherent dhe i qëndrueshëm si në Britaninë e Madhe, po ashtu edhe në BE. Çka nënkupton përfshirjen e Gjykatës së Drejtësisë.

Gjykata e Drejtësisë është një prej pikave problematike mes BE-së dhe Britanisë së Madhe. Kjo pasi, Britania e ka deklaruar tashmë se pas mbylljes së procesit të Breksit, ajo nuk do të njohë më kompetencat e drejtpërdrejta të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian.

Po të rikthehemi në kohë, kjo ka qenë një prej kërkesave të mëdha dhe të vazhdueshme të përkrahësve të Breksit, pra marrja e kontrollit mbi të drejtën kombëtare, për të garantuar “sovranitetin” e shtetit. Në këtë optikë, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian e instaluar në Luksemburg, është shndërruar nga kritikët e sistemit, në simbolin e ndërhyrjes mbi kombëtare.

Në muajin janar të këtij viti, kryeministrja britanike, Tereza Mei do të deklaronte se: “Lënia e Unionit Evropian do të thotë se tashmë ligjet tona do të bëhen në Uestminster, në Edinburg, në Kardif dhe në Belfast. Dhe se, këta ligje nuk do të interpretohen më nga gjykatësit e Luksemburgut, por nga gjykatat e mbarë vendit. Pasi ne, nuk mund ta lemë realisht Bashkimin Evropian, nëse nuk kemi plotësisht kontrollin mbi ligjet tona.” 

Sot, toni ka ndryshuar. Sigurisht, qeveria britanike synon gjithmonë të rimarrë kontrollin e këtyre ligjeve, por nuk do ta mbyllë portën në mënyrë përfundimtare në përfshirjen e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, në Britaninë e Madhe, pas Breksit.

Në një dokument të publikuar vetëm pak kohë më parë, qeveria britanike saktësonte se “kompetenca e drejtpërdrejtë” e Gjykatës do të marrë fund me tërheqjen e vendit nga Bashkimi Evropian. Dhe se, duke insistuar mbi natyrën e kompetencës “së drejtpërdrejtë”, Londra lë të nënkuptohet se Gjykata e Drejtësisë mund të ruajë, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, një lloj influence.

Një lëvizje, që konsiderohet jo si një tërheqje nga pozicioni fillestar i Londrës, por si një njohje e nevojshme e realitetit, pasi të gjithë shtetet e tjera anëtare, si edhe institucionet e Bashkimit Evropian janë të lidhur me autoritetin e kësaj instance.

Pra, në një perspektivë, ku Britania e Madhe do të vazhdonte të përfitonte nga një marrëveshje e shkëmbimit të lirë dhe nga një bashkëpunim në fushën e sigurisë me Unionin, qeveria e Tereza Meit, do ta kishte të vështirë të refuzonte të gjithë autoritetin, që buron nga kjo instancë. Në dokumentin e sapo publikuar, janë pasqyruar shumë opsione mekanizmash për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të frymëzuar nga modele ekzistuese të përdorura për marrëveshjet me vendet e treta, ku Gjykata e Drejtësisë ndërhyn në mënyrë indirekte, siç do të jetë rasti edhe për marrëveshjen me Kanadanë (CETA).

Nëse, Britania e Madhe dëshiron të ruajë kontrollin mbi interpretimin e dispozitave në rast të një marrëveshje të re tregtare, ekspertë të së drejtës evropiane, vlerësojnë se Gjykata e Drejtësisë nuk do të pranonte kurrë që Bashkimi Evropian të angazhohej në një marrëveshje, ku do të rimerreshin dispozita të ngjashme me të drejtën evropiane, dhe ku do të lejoheshin interpretime të ndryshme. Pra, qëllimi detyrimisht duhet të jetë për të bërë të mundur gjetjen e një mekanizmi, që të mos ketë mospërputhje shumë të rëndësishme mes interpretimeve.

Për BE-në, Gjykata e Drejtësisë, duhet të ngelet kompetente mbi territorin britanik. Duke zbutur linjën e saj dhe duke tentuar të shfaqë një lloj elasticiteti dhe vetëm disa ditë para raundit të tretë të negocimeve me Brukselin, Londra do të arrinte të bënte më në fund hapin e parë.

Për t’u rikthyer në kohë, përkrahësit e Breksit, gjatë referendumit të qershorit 2016, kishin si lajtmotiv pikërisht këtë sferë “rimarrjen e kontrollit”. Koncept që u ri-përpunua më vonë nga kryeministrja britanike Tereza Mei, me një retorikë më të ashpër në drejtim të BE-së. Humbja e sovranitetit britanik, tashmë kishte si referencë simbolikën që përcillte jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian e shoqëruar me premtimet se, tashmë vendit do t’i rikthehej sovraniteti.

Etapa e parë e këtij procesi, do të ndodhte vetëm pak kohë më parë me publikimin e projektit të “ligjit të tërheqjes nga BE”. Një tekst, që pritet të hyjë në fuqi në momentin që Breksit do të mbyllet si proces. Ky tekst, synon të konvertojë në të drejtën britanike, legjislacionin e BE-së, por duke revokuar përparësinë e ligjeve evropiane, pra të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, që është edhe arbitër i saj. Proces, që në retorikën e politikës britanike shfaqet konkret, i thjeshtë dhe i realizueshëm, por se në optikën e ekspertëve të së drejtës evropiane, ky është një proces shumë i komplikuar, pasi ky autoritet duhet të jetë garanti i arbitrimit të ekzekutimit të marrëveshjes së daljes së Britanisë së Madhe nga BE, siç është ndër të tjera edhe rregullimi i të drejtave të qytetarëve evropianë, që jetojnë në tokën britanike. Mbi të gjitha, vështirësia apo komplikimi i kësaj situate vërehet tek nevoja për t’u mbikëqyrur Breksit si proces dhe se në mënyrë të pashmangshme legjislacioni evropian do të vazhdojë të shërbejë si referencë në Britaninë e Madhe në nivele të shumëfishta.

Irlanda

Mbi çështjen e Irlandës së Veriut, Londra kërkon të krijojë një lidhje të saj me unionin e ardhshëm doganor, duke imponuar një zgjidhje të bashkëngjitur. Ndërkohë që BE e shikon idenë e një unioni doganor, si një çështje teknike të një niveli logjistik, që mund të rregullohet edhe në një fazë të dytë negocimesh, edhe pse britanikët kërkojnë të imponohen duke kërkuar zgjidhje të tij paralelisht, pra në të njëjtën kohë me çështjen e Irlandës së Veriut.

Përgjatë muajit gusht, çështja e unionit doganor do të mbështetej edhe nga kryeministri i Irlandës së Veriut, Leo Varadkar. Qëllimi është i shumëfishtë, duke shkuar nga konfigurimi i elementit të paqes, pra frika e rikthimi të kufirit mes dy pjesëve të Irlandës, që shikohet si element i fundit që mund të trazojë paqen e vendosur, pas dhunës dhe trazirave që kanë përplasur republikanët dhe unionistët për më shumë se tre dekada, duke shkaktuar mijëra të vdekur dhe mijëra të plagosur, por edhe lidhja e pashmangshme me çështjen ekonomike, pasi një rrjet i gjerë prej mijëra të punësuarish, iu duhet të kalojnë në anën tjetër të kufirit në mënyrë të përditshme.

Por, duhet pritur për të parë se, në ç’masë BE do të shfaqet e gatshme, për të ofruar mirëkuptimin e nevojshëm në këtë pikë. Ndërkohë që në shtypin britanik ka kohë që qarkullon ideja se, tashmë Londra është gati të paguajë 40 miliardë euro, për të rregulluar çështjen evropiane, vetëm nëse BE do të ishte gati të fliste për një marrëveshje tregtare. Interesat e Londrës synojnë të mos nxjerrin vendin nga unioni doganor, të paktën jo në mënyrë të menjëhershme, teksa vendi po bëhet gati të lërë BE-në.

Ndaj edhe një marrëveshje e përkohshme doganore me BE-në, do të ishte shumë e leverdishme për Londrën. Britanikët, shpresojnë se mund të ruajnë sa më gjatë qëndrimin në unionin doganor, duke iu trembur vënies në jetë të kontrolleve të tyre, që përveç kostos financiare do të gjenerojnë në mënyrë të pashmangshme edhe vonesa.

Dhe asnjë prej vendeve anëtare të BE-së, nuk mundet të nënshkruajë marrëveshje dypalëshe me Britaninë e Madhe, pasi kjo është e pamundur nën kuadrin ligjor, që imponon e drejta evropiane. Ndaj edhe Britania ka deklaruar ambicien e saj në këtë fushë, duke bërë të ditur se do të nënshkruajë me vendet e treta në mbarë botën marrëveshje të reja ambicioze.

Por, Brukseli e ka ripërsëritur disa herë pozicionin e tij duke theksuar se, kjo çështje do të trajtohet pasi të përfundojë procesi i Breksit dhe kur të ketë siguri se është arritur progres i mjaftueshëm në procesin e divorcit.

Fatura financiare që Londra duhet t’i paguajë Brukselit, duhet të mbulojë të gjithë angazhimet financiare të ndërmarra prej saj, siç janë financimi i pensioneve të funksionarëve evropianë, apo të programeve të veçanta, siç është kosto e zhvendosjes së dy agjencive evropiane aktuale të instaluara në Londër, që kapin një vlerësim në shumën prej afro 582 milionë euro. Negociatorët evropianë kërkojnë të arrijnë një marrëveshje mbi mënyrën e llogaritjes të faturës së përgjithshme, përpara se negocimet të kalojnë në fazën vijuese, pasi kjo do të mundësojë të përcaktohet më qartë marrëdhënia e re, që do të krijohet mes palëve.

Pra, unioni doganor i përkohshëm, shikohet si një projekt, që është i vështirë të realizohet që në fazat e para të negocimit. Një sërë ekspertësh madje e konsiderojnë iluzion dhe thuajse të paimagjinueshme të arrihet një negociatë për krijimin e këtij unioni, para se të mbyllet procesi i divorcit me BE-në, i parashikuar për në fund të marsit të vitit 2019. Por, gjithsesi palët janë në të drejtën e tyre të shfaqin axhendat e tyre ambicioze, gjatë një procesi të vështirë divorci.

DITA

October 23, 2017 19:15