Morali i sundimtarëve dhe viktimat e tij

Viktor Malaj March 11, 2015 11:21

Morali i sundimtarëve dhe viktimat e tij

Pushteti tërheq të korruptueshmit. Dysho tek të gjithë ata që e kërkojnë atë” / Frank Herbert

 

Dikur kemi pas mësuar në shkollë se moral dominues në një shoqëri, është morali i klasës sunduese. Këto 25 vjet nuk flitet për klasa, domethënë për grupe shoqërore që zënë pozita të ndryshme në hierarkinë ekonomike, politike dhe sociale. Kjo konsiderohet si terminologji e vjetër, marksiste etj, dhe vendin e saj e kanë zënë terma të tjerë politikë ku, padyshim, termat liri dhe demokraci radhiten të parat. Kaq shumë përdoren këto dy fjalë në jetën tonë të përditshme, saqë njeriu normal nuk mund të mos dyshojë në drejtësinë dhe qëllimet e përdorimit, shumëpërdorimit dhe keqpërdorimit të tyre. Ky dyshim bëhet edhe më i madh kur njeriu shikon se kush, cila kategori shoqërore, i përdor më së shumti fjalët liri dhe demokraci, duke krijuar një inflacion të ngjashëm me atë të monedhës së dikurshme të Jugosllavisë kur, me një çantë të mbushur me dinarë mund të blije vetëm ca mollë dhe disa karota.

Pyetja e parë që do të lindte është: Kush drejton dhe qeveris vendin? Cilët janë sundimtarët e vërtetë të Shqipërisë?

Nëse marrim si të mirëqenë pretendimin e politikanëve shqiptarë se “ne jetojmë në demokraci”, d.m.th. në një sistem politik të sundimit të popullit, atëherë na del se sundimtarët e vërtetë jemi ne, punëtorët, fshatarët, të papunët, nëpunësit e thjeshtë, pensionistët, studentët, ndërsa të sunduarit (sepse, ku ka sundimtarë do të ketë edhe të sunduar), “shërbëtorët” janë ata, ata që ne, si sundimtarë, i kemi zgjedhur me vullnetin tonë dhe me të drejtën që sapo të shohim se nuk na binden, do t’i heqim prej aty ku janë dhe do t’i rikthejmë në popull të thjeshtë, d.m.th. në sundimtarë. Tingëllon bukur, apo jo? Por, tepër e bukur për të qenë e vërtetë.

E vërteta është se sundimtarët janë ata “lart”, ata që janë vetëshpallur si “shërbëtorë” dhe që, çuditërisht, janë jo vetëm të kënaqur me këtë status por s’kanë lënë mjet pa përdorur për ta arritur dhe ruajtur këtë status. Po cilët janë këta? Këta janë ata individë dhe grupe individësh që nuk qëndrojnë mbi ne të tjerët për shkak të horizontit të gjerë kulturor dhe as për moralin e papërlyer nga veset, por ngaqë janë shumë larg nesh për shkak se zotërojnë një status shumë më të lartë pasuror. Një lexues i imi shkruante para disa kohësh se “ne nuk duhet të jemi kundër të pasurve sepse vetë i kemi pranuar…”.

Megjithëse nuk kam ndonjë simpati të madhe për të pasurit, më duhet të sqaroj se, në parim, nuk jam kundër tyre. Mungesën e simpatisë nuk e quaj mëkat. Për të mos u ndier mëkatar më ndihmon Bibla, që e çmon si mëkat zotërimin e pasurive të pafundme dhe zotëruesve u rezervon ferrin. Do isha kundër librave të Shenjtë në qoftë se do t’i simpatizoj ata që, me vullnetin dhe pasionin e tyre, përpiqen gjithë jetën të shkojnë në “ferr”. Për më tepër kur këta zotërues që bëjnë përpjekje të shkojnë në “ferr”, na propagandojnë ne varfanjakëve domosdoshmërinë e imitimit të Perëndimit, i cili, thonë ata, ka si busull orientuese Biblën.

Siç thashë, parimisht nuk jam kundër të pasurve, ngaqë mendoj se të jesh i pasur nuk do të thotë se je automatikisht edhe mëkatar. Por të vësh pasuri me rrugë dhe mjete të paligjshme, do të thotë se ke kryer krim. Ndërsa të jesh skajshmërisht i pasur në një shoqëri të varfër është më shumë se kriminale, është e pamoralshme dhe antinjerëzore.

Berisha me çiftin Kapo në Paris

Berisha me çiftin Kapo në Paris

Simpatia ime për pasanikët tanë (tek emërtimi pasanik nuk përfshij ata individë që me punë të ndershme dhe me përkushtim kanë mundur të sigurojnë një jetesë dinjitoze), zëvendësohet nga përbuzja, kur kam parasysh mënyrat dhe mjetet që ata kanë përdorur tash 25 vjet për të arritur aty ku janë. Sipas një studimi të USAID-it, 78% e të pasuruarve në Shqipëri deri në vitin 1998 e kishin vënë pasurinë me rrugë dhe mjete të paligjshme. Ndërsa Banka Botërore njoftonte në qershor 2014 se rreth 35% e ekonomisë shqiptare është informale. E thënë shqip dhe hapur, më e pakta, rreth gjysma e të pasuruarve të Shqipërisë janë hajdutë, pra kriminelë. Thënia që është përdorur herët dhe dëgjohet edhe sot, se “Nga i pasuri s’të vjen gjë e keqe”, nuk mund të vlerësohet e përputhur me realitetin. Vërtet e keqja nuk ka arsye të vijë nga ata që janë pasuruar ndershmërisht, por e keqja të vjen çdo ditë dhe pa rënë në sy nga vjedhësi i fondeve publike, nga kontrabandisti, spekulanti, fshehësi i taksave, nëpunësi i korruptuar, fituesi i pandershëm i tenderit etj.

Të pasurit, në mos qofshin drejtpërdrejt në poste drejtuese shtetërore, kanë dhe do të kenë atje përfaqësuesit e tyre, që u mbrojnë interesat. Dhe është e kuptueshme që me atë moral që kanë vënë pasurinë, me atë moral do të qeverisin edhe Shqipërinë. Pas disa brezash, ata do të përbëjnë elitën ekonomike, politike dhe “morale” të Shqipërisë (në fakt, kjo ka filluar qysh tani). Duke qenë të tillë, pasardhësit tanë në aspektin shoqëror (social), do t’i konsiderojnë ata si fisnikërinë e Shqipërisë, si njerëz, familje dhe fise “me gjak blu”. Ndërkohë që në rrënjë të “ndryshimit” të ngjyrës së gjakut të tyre qëndron hajnia dhe jo epërsia morale apo intelektuale përkundrejt pjesës tjetër të popullsisë. Jetën e tyre të drejtuar nga veset, mediat që zotërojnë duan ta përcjellin në vetëdijen tonë si moralisht sipërore ndaj nesh dhe, si e tillë, kërkon të nderohet nga pasardhësit tanë në një kohë që do meritonte përçmimin e tyre, ashtu siç meriton përçmimin tonë sot. Është e kuptueshme që pasardhësit e të pasuruarve të sotëm, përmes rrugëve të paligjshme nuk do të kenë nevojë të na zhvatin kaq brutalisht sa baballarët dhe gjyshërit e tyre. Ata do të jenë më “elegantë” në këtë aspekt, pasi do të mjaftohen thjesht me ndonjë shmangie nga pagimi i taksave apo me rritjen spekulative të çmimeve.

Berisha me hierarkun komunist, Simon Stefani

Berisha me hierarkun komunist, Simon Stefani

Për të na qetësuar dhe mbajtur me gënjeshtra, ata po na thonë përditë se “Ju jeni të lirë të mendoni e flisni çfarë të doni, të krijoni parti e të na konkurroni dhe madje të na rrëzoni me votë sa herë të doni…” etj. Formalisht kjo është e vërtetë, madje dhe shumë joshëse. Mirëpo, e vërteta jetësore është se ne jemi të lirë të dërdëllisim, por jo të veprojmë (sepse po vepruam shkelet rendi kushtetues, i vendosur prej vetë atyre); jemi të lirë të konkurrojmë, por të mos fitojmë asnjëherë (për shkak të epërsisë të tyre ekonomike, politike dhe mediatike, të krijuar kryesisht nëpërmjet hajnisë); jemi të lirë të rrëzojmë nga pushteti me votë Fylin (kur nuk na e falsifikojnë apo dhunojnë votën), për ta zëvendësuar me Bylin dhe kur edhe Byli të na bëhet barrë aq e rëndë sa të mos e mbajë dot shpina jonë, ne jemi sërish të lirë ta rrëzojmë këtë për të ringritur Fylin. Si Fyli, edhe Byli janë “kushërinj” dhe i përkasin fisit Qyli, i begatuar prej pushtetit si këpusha prej gjakut. Përfundimisht, fisi në fjalë do të jetë gjithnjë në pushtet. Po ne? Ne do të jemi “sundimtarët” e propaganduar, ndërsa sundimtari real do të jetë Qyli.

Dikush mund të thotë: Po ky është sistemi në të gjithë botën e civilizuar. Të drejtë ka dikush dhe shumëkush. Por këtu është fjala, në radhë të parë, se shoqëria jonë është shumë larg standardeve që ka arritur ky sistem në vendet më të zhvilluara dhe kjo sepse nuk respektohen rregullat e lojës. Në radhë të dytë, sistemi i quajtur demokratik ka shumë probleme që nuk i ka zgjidhur dhe nuk po i zgjidh dot, prandaj njerëzimi me mendjet më të ndritura të tij nuk ka reshtur dhe nuk do të reshti së kërkuar një sistem më të mirë.

Ne jemi dëshmitarë të sjelljeve të sundimtarëve realë ndaj nesh dhe atdheut tonë përgjatë të ashtuquajturit tranzicion. Pavarësisht dallimeve sipërfaqësore, kemi parë tek ata si të përbashkëta: Joshjen, mashtrimin, shpifjen, falsifikimin, propagandën trushplarëse për raportet mes nesh dhe atyre, zhvatjen e pasurive kombëtare, luftën e egër dhe të paparimtë ndërmjet tyre, kinse për të mirën tonë por në fakt për të mirën e tyre, keqardhjen dhe dashurinë false pas të cilave fshihet përçmimi dhe tallja ndaj nesh. Kur nuk iu bën punë karota, sundimtarët tanë kanë përdorur shkopin (dhunojnë votat tona, rrahin, burgosin dhe vrasin ata që iu cenojnë pushtetin nëpërmjet shtypit apo demonstrimeve). Sipas tyre, për aq kohë sa janë ata në pushtet, ne duhet të jemi të lumtur dhe mirënjohës ndaj tyre, sepse punët shkojnë shumë mirë, ndërsa, sapo kalojnë në opozitë nisin të na mbushin mendjen se gjithçka shkon keq dhe ne duhet “të ngrihemi” për të ndryshuar gjendjen (më së shumti atë gjendje në të cilën e kanë lënë ata Shqipërinë, kur lanë pushtetin). Karakteristikë e sundimtarëve është se, sipas tyre, përgjegjëse për të këqijat e sotme është gjithmonë e kaluara dhe kurrë ata vetë, më së shumti e kaluara komuniste dhe, po të besonin se iu ecën mashtrimi, edhe Skënderbeun do ta fajësonin. Përgjithësisht, sundimtarët tanë janë miklues me popullin gjatë fushatave zgjedhore dhe arrogantë gjatë kohës tjetër. Ata janë “kaposhë” me njëri-tjetrin dhe pula të lagura përpara të huajve, nihilistë të paskrupuj ndaj vendit të tyre dhe glorifikues të të huajve, sidomos perëndimorëve. Nuk i njohin vetes asnjë gabim apo faj, ndërsa kundërshtarin e paraqesin si “Kutinë e Pandorës” ku janë grumbulluar gjithë të këqijat.

Sundimtarët tanë rrethohen nga shumë lajkatarë dhe tellallë, si dhe kanë në dispozicion të tyre shumë media. Nuk bëjnë dot pa këto qendra makijazhi me të cilat përpiqen të shfaqen gjithmonë si “të rinj” dhe joshës. Nga ana tjetër, e përdorin pushtetin politik për t’i shpërblyer grimuesit e tyre, jo nga xhepi i vet por nga buxheti i popullit. Ata pranojnë paratë e të pasurve për t’i përdorur në fushata elektorale, për të na bindur se do të jenë avokatët tanë në përballjet tona me dhënësit e parave.

1993, Berisha me liderin malazez, Bullatoviç

1993, Berisha me liderin malazez, Bullatoviç

Si rezultat i këtyre sjelljeve dhe qëndrimeve të sundimtarëve tanë, ne kemi sot një sistem politiko-social ku e drejta blihet me para, ku shumica derdhin djersë gjithë ditën për dhjetë euro dhe pakica fshijnë djersët e qejfit me monedha 100 euroshe të fituara pa më të voglin mundim, ku vjedhësi apo dëmtuesi i treqind eurove përfundon në burg ndërsa dëmtuesi i 230 milion eurove ngrihet në pozitë, si “yll në ngjitje” (“Kush vjedh pak përfundon në burg, kush vjedh shumë bën karrierë” – thotë një shprehje italiane), ku shtesa e dhjetë eurove në rrogë apo pension konsiderohet reformë ndërsa dhënia e tenderëve me fitime dhjetëra milionësh për individët e pasur quhet investim. Është kuptimplotë rasti më i fundit kur bashkia e Tiranës tentoi t’iu jepte dy milionerëve (u tha dhe nuk u përgënjeshtrua se njëri prej tyre ishte kunati i kryetarit të bashkisë) administrimin dhe përfitimet nga parkimet e rrugëve të Tiranës. Ligjërisht, rrugët e Tiranës janë pronë e gjithë popullit shqiptar dhe si të tilla, arsyeja e shëndoshë të thotë se të ardhurat nga parkimet duhet të derdhen tek xhepi i përbashkët i popullit dhe prej aty të përdoren për shërbime të përbashkëta. Mirëpo sundimtarët tanë deshën të miratonin skemën “demokratike” që u mundësonte dy individëve marrjen e shumicës së këtyre të ardhurave.

Në këto kushte, popullit i kërkohet të jetë shumë më i pjekur dhe të udhëhiqet nga arsyeja dhe jo të tërhiqet zvarrë nga pasionet, të cilat i nxisin dhe i shfrytëzojnë sharlatanët politikë. I përdorin dhe i shfrytëzojnë këto pasione në shërbim të pushtetit të tyre politik e ekonomik dhe jo në të mirë të popullit.

Ashtu si individët pasionantë, edhe popujt që e braktisin gjykimin dhe arsyen, i ngrenë vetes pengesa dhe ia vështirësojnë përparimin vendit të tyre. Arsyeja të ndalon të ndjekësh të keqin, mashtruesin, demagogun, sidomos kur e ke provuar disa herë, ndërsa pasionet janë rryma që të shpien në greminë. I mençuri nuk ka nevojë të pendohet dy herë dhe pastaj të ankohet për marrëzitë e veta.

 

“Familja” si mishërim i moralit të sundimtarëve

 “Ligësia, e ngulitur tek njeriu prej natyrës, përhapet pa u vënë re kur zakoni i keqbërjes nuk ndëshkohet dhe atëherë njeriu vetë nuk i vë kurrfarë kufijsh pafytyrësisë së vet”/ Ciceroni

Ai që dëshiron të njohë mirë tiparet e sundimtarëve tanë mund t’i gjejë ato të mishëruara, më mirë se askund tjetër, tek “Familja Berisha & Co.”. Themi familja pasi është i vetmi rast në politikën shqiptare kur qysh nga mbesa adoleshente e deri tek gjyshi i kaluar në moshë, janë në ethe dhe vazhdimisht të angazhuar në politikë, me prononcime, fjalime, shkrime e demonstrime të përshkuara nga i njëjti moral, e njëjta gjuhë, e njëjta zjarrmi dhe, sigurisht, e njëjta pafytyrësi. Ata që më shumë se askush janë përgjegjës për mbrapshtitë, për katrahurat e djeshme të materializuara në degradimin e sotëm, ata që më shumë se askush duhej të heshtnin, ata janë borizanët e përditshëm që, me hipokrizinë dhe pashpirtësinë e tyre, nuk i lënë të qetë shqiptarët prej 25 vjetësh, duke u vjedhur edhe ditën e diel me spektaklet televizive ku nxjerrin gjithfarë hardhucash dhe zhapinjsh në rolet e avokatëve të të gjithë shkelësve të ligjit.

Kush dëshiron të njohë moralin e “familjes” dhe të oborrit të saj politik, duhet të marrë në konsideratë raportet që kishte kjo familje me ne të tjerët në prag të ndryshimit të sistemit dhe t’i krahasojë ato me raportet e tyre të sotme me shumicën dërmuese të shqiptarëve. Nga ky krahasim do të bëhen të qarta jo vetëm motivet e vërteta të “rebelimit” politik familjar por, sidomos, shkaqet e përpjekjeve të pareshtura dhe kriminale për kapjen e të gjitha pushteteve. Qëllimi u arrit. “Familja” u bë sundimtare mbi Shqipërinë dhe mbi shqiptarët. Krahasimet na tregojnë se ata që në 1990 kishin thuajse të njëjtin status ekonomik, politik dhe social me ne të tjerët sot janë milionerë dhe janë ende në kërkim të pushtetit politik. E duan të trashëgueshëm, pra të përjetshëm. Nuk druhen aspak për të vepruar hapur, duke “mbjellë” anëtarët e familjes në sferat më të larta drejtuese partiake për të siguruar kontrollin e Partisë dhe, në të ardhmen, edhe atë të shtetit dhe të gjithë vendit. Duket qartë se ata, jo vetëm nuk janë të penduar për krimet që kanë kryer, por kanë filluar të bindin veten se pushteti i tyre mbi ne duhet të jetë i përjetshëm.

Jamarbër dhe Argita Malltezi

Jamarbër dhe Argita Malltezi

Një gazetë e përditshme botonte disa ditë më parë një shkrim me titull “Ku ka mbërritur morali i shoqërisë tonë?” Në fillim mendova se shkruesi i tij duhet të jetë i shqetësuar për degradimin e institucionit të familjes shqiptare, për faktin se mbi dhjetë mijë femra shqiptare “patrullojnë” rrugët e Perëndimit si prostituta, se rreth 15 mijë shqiptarë ndodhen sot në burgjet shqiptare dhe ato evropiane, se mbi një mijë familje shqiptare ndodhen në hasmëri dhe të mbyllura brenda nga gjakmarrja, se mijëra shqiptarë janë pa punë dhe rreth dyzet mijë shqiptarë lënë vendin e tyre çdo vit për të jetuar diku tjetër, se mbi 60 mijë shqiptarë janë të evidentuar si përdorues droge, se korrupsioni moral është më i madh se askund në drejtësi e mjekësi, aty ku duhej të ishte më i vogël se gjetkë, se janë shtuar ndjeshëm dhe turpshëm krimet brenda familjes dhe fisit etj. Mirëpo jo! Autori i shkrimit vajtonte rastet e sjelljeve të disa policëve në Korçë e gjetkë (në fakt të dënueshme) dhe burgosjet e disa vjedhësve të energjisë elektrike. Në stilin e “kryefamiljarit” autori shtrembëronte të vërtetën sikur burgosjet ishin bërë për mospagim të energjisë dhe jo për vjedhjen e saj nëpërmjet lidhjeve të paligjshme. Pas këtij parashtrimi shtronte pyetjen: “A jemi vërtetë njerëz të lirë?”. Pastaj “denonconte” ndërhyrjet e kryeministrit në sistemin e drejtësisë për dënimin e vjedhësve të energjisë dhe thoshte: “…është ndërhyrje direkte në gjyqësor, gjë që s’kishte ndodhur në Shqipëri qysh në kohën e komunizmit. Kjo rrënon dhe e kthen në farsë konceptin e shtetit të së drejtës…”. Në fund autori i bën me turp të gjitha organet e shtetit shqiptar si dhe gjithë shoqërinë shqiptare që “nuk i bën përshtypje” çfarë po ndodh.

Autori i shkrimit nuk ishte as Nënë Tereza, as perëndesha e pafajësisë dhe qashtërsisë (Astrea e mitologjisë) dhe as perëndesha tjetër greke e drejtësisë dhe rendit moral (Dikea). Predikuesi i moralit ishte Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i një milionereje e cila, kur kishte babanë kryeministër të Shqipërisë, konsultonte milionerët e botës për investime në Shqipëri kundrejt tarifave milionëshe, gjithnjë nëse i ati i saj do t’i miratonte. Autori ishte dhe është dhëndri i Sali Berishës i cili, kur ka qenë president dhe kryeministër i vendit, ka falsifikuar e dhunuar zgjedhje; ka rrahur, burgosur e vrarë gazetarë dhe kundërshtarë politikë; ka hequr nga puna dhjetëra mijëra shqiptarë, ka hequr nga puna gjyqtarë dhe i ka zëvendësuar me mitingashë partie dhe kursantë 6-mujor drejtësie; ka dirigjuar, fshehtazi dhe haptazi, procese gjyqësore me rëndësi kombëtare, historike, politike dhe morale; ka lejuar dhe inkurajuar grabitjet e pronës dhe ndërtimet pa leje dhe pa plane urbanistike, ndërtimin e skemave piramidale të vjedhjes së popullit, kontrabandimin e naftës, të njerëzve dhe armëve, vjedhjet dhe shkatërrimet e pyjeve dhe minierave; ka urdhëruar mobilizimin e strukturave civile antikushtetuese për t’i angazhuar në luftë kundër “rebelimit komunist” në jug të Shqipërisë; ka urdhëruar përdorimin e aviacionit dhe Lëndëve Helmuese Luftarake kundër popullsisë civile në jug (1997); ka nxitur dhe drejtuar marrjen e pushtetit me dhunë në 14 shtator 1998; ka menaxhuar nënshkrimin e Marrëveshjes Antikombëtare të Detit me Greqinë; ka miratuar ndërtimin e fabrikës së demontimit të municioneve në qendër të banuar (Gërdec) ku u vranë 27 qytetarë dhe u plagosen 300 të tjerë dhe shumë akte të tjerë ligjërisht dhe moralisht të dënueshëm.

Ky zotëri (Malltezi) ka qenë dëshmitar i të gjitha këtyre akteve dhe e di se Perëndimi e pati cilësuar regjimin e Berishës së Parë si “regjim gangsterësh”, ndërsa Berishën opozitar si “një ordiner i rrezikshëm”. Me gjithë këto dijeni, ai kurrë më parë nuk e pati shtruar pyetjen rreth moralit të shoqërisë tonë. Pse? Sepse për të dhe për gjithë skotën e përfituesve nga pushteti i familjes biologjike dhe politike, të gjitha veprimet dhe sjelljet e mësipërme janë moralisht të pranueshme dhe ligjërisht të pandëshkueshme. I vetmi “gabim” që, ai dhe kupola “e re” drejtuese, i njohin udhëheqjes së mëparshme të Partisë është “qëndrimi larg popullit”. Po të kishin qëndruar më afër popullit, gjithçka do të kishte qenë organizativisht perfekte, politikisht korrekte dhe demokratikisht e pranueshme. Ndërsa “udhëheqësit legjendar”, vjehrrit, nuk i njohin asnjë gabim, mos o Zot faj. Ai është Zeusi dhe ata, të gjithë “i përkasin shkollës së tij”. Kaq shumë beson në dëlirësinë e vjehrrit zotëria, sa publikisht deklaron: “Jam krenar për vjehrrin”. Personalisht do i kujtoja z. Malltezi se nuk është në pozitën e mushkës që, sipas fabulës, i vjen turp që ka baba gomarin, por ndihet krenare që ka dajë kalin. Gjithashtu, do t’i sugjeroja të falënderojë Zotin ose rrethanat që morali i një pjese të popullit shqiptar është këtu ku është, sepse po të ishte ku duhet të jetë, atij dhe krejt “familjes” do iu dukej vrima e miut pesëqind grosh.

Familja Berisha

Familja Berisha

I mobilizuar politikisht është edhe Shkëlzen Berisha, djali “budalla” i Kryeplakut politik dhe ordiner të Shqipërisë. Duket e pabesueshme shkalla e errësimit të ndërgjegjes dhe e pafytyrësisë kur lexon gjykimet e këtij pinjolli milioner rreth çështjes Doshi. Pasi, ashtu si i ati, shtrembëron të vërtetën e mëtimeve publike të deputetit Doshi (i cili akuzoi vetëm Metën për komplot kundër tij), ky thotë se I. Meta dhe E. Rama kanë dashur të ekzekutojnë deputetin, dhe se kjo “është një akuzë shumë e rëndë por plotësisht e besueshme”. Dhe vazhdon në rolin e lektorit moralizues të demokracisë: “Në një vend ku krimi përdoret nga pushteti si armë ndaj kundërshtarëve nuk mund të ketë as demokraci, as drejtësi dhe as siguri”. A thua e ka seriozisht dhe të qartë se për kë flet? A nuk po na thotë ky i llastuar dhe përfitues i pushteteve të pamerituara dhe kriminale, se normat morale dhe rregullat shoqërore e juridike janë të detyrueshme për shumicën dhe fakultative për “Familjen” e sojin e sorollopin e saj? A beson ai vërtet se akuzat që i janë bërë të atit për krime duhen konsideruar nul, vetëm e vetëm pse ai ka qenë përfitues i drejtpërdrejtë i pushtetit të tij?

Ai i di të gjitha këto, por etja e pashuar për pushtet politik (si i ati) dhe ekonomik ia kanë errësuar aftësinë e gjykimit dhe nuk e lejojnë të bëjë aktin më minimal dhe më të lehtë: Të heshtë. Të heshtë sepse mbi të atin, dhe jo vetëm, rëndojnë dhjetëra akuza për krime të ndodhura dhe të provuara por të pandëshkuara për shkak të pushtetit dhe të rrethanave që ekzistonin dje dhe sot, por mund të mos ekzistojnë nesër. Qëllimi i tij del i qartë kur kërkon “të ndajmë të parin nga i dyti, Ramën nga kryeministri” që “të shpëtojmë Ramën nga pengmarrja e Tomës”. Dhe, kuptohet se kërkon t’i risjellim të atin në kryeministri që të përsërisë krimet që ka bërë më parë. Është ky pinjoll që në tetor 2014 shprehte dëshirën që kryeministri i Serbisë ta poshtëronte kryeministrin e Shqipërisë. Mirëpo, mbeti me gisht në gojë. Në të vërtetë pengmarrja më e madhe është marrja peng e Shqipërisë, të djeshmes dhe të sotmes së saj prej “Familjes”. Çlirimi nga kjo pengmarrje nuk do i zgjidhë gjithë hallet e shqiptarëve, por do t’i ndihmojë shumë ata të futen në rrugën e normalitetit.

Si gjithnjë, gjeneruesi dhe pasqyra e moralit të kësaj familjeje sunduese dhe përfituese mbetet Ai, ai që ka 25 vjet që e tërheq zvarrë këtë vend dhe që, me zhurmën dhe sharlatanizmin e tij, ua ka bërë jetën të padurueshme shumicës së shqiptarëve. Ka një çerek shekulli që nuk pushon një herë, në pushtet apo opozitë qoftë, duke shpifur, fyer, kërcënuar, përbaltur, intriguar, mashtruar, përçarë. Pse? Sepse kështu ka besuar dhe beson se arrihet dhe mbahet pushteti, por edhe sepse kështu ka besuar dhe beson se mund t’i shmanget ndëshkimit për të këqijat që ka bërë. Ky pra, Sali Berisha, jo vetëm nuk ndien kurrfarë brerje ndërgjegjeje për dëmet dhe krimet që ka bërë, por vazhdon ta kultivojë këtë të keqe dhe ta promovojë si modelin dhe shpëtimin e Shqipërisë.

Ai nuk flet, por çirret, nuk kritikon, por fyen dhe shpif, nuk ofron zgjidhje, por destabilizim dhe kaos. Ka 25 vjet që nuk e ka thënë një herë një fjalë të mirë që t’i shërbejë moralit, paqes, marrëveshjes dhe harmonisë midis shqiptarëve. Jo! Jetesa dhe mbijetesa e tij politike janë të mundura vetëm në kaos, grindje, zhurmë dhe mjegull sociale. Ai kërkon të na bëjë të harrojmë gjithçka ka bërë gjatë sundimeve të tij. Kërkon të thotë fjalën e fundit për gjithkënd dhe për gjithçka. Dëshiron dhe përpiqet të mashtrojë jo vetëm shqiptarët, por edhe të huajt. Pasi i lejon vetes rolin e kryeprokurorit dhe gjykatës supreme edhe për Rusinë, përcakton motivet dhe autorët e vrasjes së një politikani rus dhe heq paralele që të alarmojë opinionin e brendshëm dhe atë të jashtëm mbi kinse rrezikun që i kanoset kryetarit formal të opozitës në Shqipëri. Ky pra, vrasësi i protestuesve paqësorë dhe kanosës për vrasje i kryeopozitarit të djeshëm, Edi Ramës, e kritikon këtë të fundit se pse nuk ka dënuar kërcënimin me jetë (!) të rivalit të tij politik nga një bandit ordiner që i paska dërguar fjalë “të matet mirë kur të përmendë emrin tim”. Ky “fisnik” i xhunglës pyet me qesëndi: “A i ulëritet Presidentit?” dhe kërkon të na bëjë të harrojmë se ky dikur e quante Presidentin “horr bulevardi”.

4Duke shpresuar se mund të përfitojë nga tymnaja e “komplotit” teatral ndaj deputetit Doshi, pasi e fut edhe kryeministrin në listën e komplotuesve (gjë që s’e ka bërë vetë deputeti), ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë na thotë se kjo “është akuza më e rëndë publike në tërë historinë e pluralizmit shqiptar”. Hëm! A thua e ka seriozisht? A thua beson se ne nuk kemi qenë këtu apo se na ka lënë kujtesa? A është ky personi që pati akuzuar Fatos Nanon si vrasës të deputetit Azem Hajdari dhe pas dhjetë vjetësh u bë mik me Nanon? A është ky i akuzuari publik për djegie të redaksive të gazetave dhe vrasjen e demonstruesve? A është ky individi politik që vetëm para pak javësh u akuzua publikisht nga ish-truproja e tij se pati urdhëruar dikur vrasjen e Imamit dhe Gjinushit, si dhe për përgatitje të aktit terrorist ndaj ambasadës “së një shteti mik” (nënkupto SHBA)? Etj. etj.

Duke e pasur mendjen gjithnjë tek destabiliteti dhe dhuna, ky baba i intrigës dhe përfaqësues i të keqes, ky njeri që dikur digjte komisariate policie, institucione qendrore dhe pallatin e kulturës në kryeqytet dhe pastaj dilte e thoshte se “na kanë provokue”, tani na thotë se “…klika në pushtet projekton destabilizimin e Shqipërisë …”. Historia nuk është e pasur me raste kur ata që janë në pushtet projektojnë apo kërkojnë destabilizim. E kundërta është e vërtetë. Destabilizimin e synon dhe e përdor ai që kërkon pushtet, jo me votime në afatet e përcaktuara nga kushtetuta, por sa më shpejt dhe nëpërmjet kaosit. Pikërisht ashtu si e ka pasur zakon Sali Berisha në 1990-1992 apo 1998. Këto mashtrime dhe synime të tij i zbulon “pa dashje” vetë ai kur tha në parlament se “ose duhet të dorëhiqet kryetari i parlamentit ose do të ketë përballje të paparë ndonjëherë në Shqipëri”. Dhe kur thotë përballje, ai nuk e ka fjalën për përballje elektorale (sepse atë e provoi në 23 qershor), por përballje me dhunën e rrugës të cilën ai e njeh mirë se e ka zbatuar disa herë gjatë 25 vjetëve. E ka zbatuar dhe dëshiron ta zbatojë në shërbim të vetes dhe për të keqen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Jo më kot, çdo hartim të psikikës së tij të devijuar në fejsbuk (facebook) e mbyll me thirrjen: “Të ngrihemi për të shpëtuar vendin!”

Kur sheh dhe dëgjon njeriu, se kush përpiqet të marrë rolin e shpëtimtarit të popullit, nuk mund të mos mbetet i habitur nga shkalla e paimagjinueshme e pafytyrësisë së “shpëtimtarit”, por edhe nga shkalla e ulët e pjekurisë tonë politike, morale dhe shoqërore. Ai kërkon të marrë rolin e shpëtimtarit sepse nuk i është dhënë deri tani ajo që meriton, nuk është ndëshkuar ende për vargun e gjatë të krimeve të kryera. Gjithë karriera e tij politike ka qenë, në thelb, praktikimi i akteve kriminale dhe banditeske dhe, nga ana tjetër, paraqitja e vetes dhe e bandës politike të drejtuar prej tij si viktima që të ngjallin mëshirë dhe simpati. Nuk ka kurrfarë gjasash që të pranohet më në rolin e shpëtimtarit. Rrënimit të tij moral nuk do të mund t’i vijnë dot në ndihmë as mediat e sponsorizuara prej tij me paratë e popullit shqiptar, dhe as ndonjë gazetar me status drejtues opinionesh që ndaj kundërshtarëve politikë të “familjes” bën rolin e hetuesve të Koçi Xoxes.

Ajo që të habit është vullneti dhe gatishmëria e kryetarit formal të PD-së, Lulëzim Basha, për të imituar të vjetrën dhe të pamoralshmen, ndërkohë që hiqet si përfaqësues i së resë. Pa asnjë nevojë objektive dhe jashtë çdo këshille të arsyes së shëndoshë, ky zotëri ka marrë përsipër të ndjekë atë rrugë, atë sjellje dhe atë ideologji që partinë e tij e ka çuar disa herë në greminë dhe popullit shqiptar i ka sjellë aq shumë dëme dhe fatkeqësi. Ashtu si organizmi i sëmurë mund të pranojë vetëm transfuzionin e gjakut të të njëjtit grup, po ashtu edhe një mendje e sëmurë mund të pranojë “transfuzionin” e një morali të kalbur siç është morali që ka shpalosur berishizmi prej një çerek shekulli. Deri aty ka arritur puna sa, në mitingun e parashikuar për të enjten, dy individët që do të nxisin popullin për të kërkuar dorëheqjen e Kryetarit të Parlamentit për një krim që as nuk është provuar se ka ndodhur (ka shumë gjasa të jetë një sajesë intrigantësh të paskrupuj), janë akuzuar për krime që kanë ndodhur dhe që janë provuar, megjithëse S. Berisha dhe L. Basha, kanë bërë gjithçka duke fshehur dhe tjetërsuar provat.

Klasa aktuale politike shqiptare meriton një vlerësim dekurajues pasi shfaqet e padenjë, por “familja” në fjalë është shëmbëlltyra më e qartë e moralit tonë të degraduar politik, e papërgjegjësisë kombëtare, e pafytyrësisë njerëzore dhe e pangopësisë me pushtet dhe privilegje. Për këtë arsye, nëse shqiptarët duan të ecin përpara dhe të mos zvarriten duke vajtuar përditë se “ky vend nuk bëhet”, duhet, më së pari, të ndëshkojnë me përçmim dhe neveri “familjen”, biologjike dhe atë politike derisa të heqë dorë nga “shkolla e Sali Berishës”. Vetëm atëherë, kjo familje politike do të ketë të drejtë morale dhe politike të premtojë sadopak ndonjë kontribut në progresin shoqëror shqiptar. Rrënuesit e shtetit, prodhuesit e kaosit dhe kumarxhinjtë e sistemit politik duhen mbajtur larg pushtetit derisa të zënë mend. Ta harrojnë se shfaqja me pamje të re dhe me moral e sjellje të vjetër, do t’i kthejë në pushtet.

Viktor Malaj March 11, 2015 11:21
Komento

26 Komente

  1. Altin Gjata. March 10, 14:49

    Po kush ti rezoj ai popull torollak .ai popull jep dhe jeten per ti ngritur lart e me lart familjen famkeqe e krimimele berishjane .po te kish qen ndonje popull tjetr me te keqijat qe i ka ber familja famkeqe popullit do ikishin djegur te gjall e foshnjen ne bark familjes fam keqe kriminele berishjane.

    Reply to this comment
    • N.VJOSA March 10, 15:32

      I ke rëne rreth e rrotull o Viktor!
      Ajo qe po ndodh ne Shqiperi dhe ai realitet qe eshte ne vendet Perendimore, ndryshojne si Dita me Naten.
      Bota Perendimore vlereson Voten, Vullnetin e Sovranit.
      Ne Shqiperi Vullneti Sovranit manipulohet, zvetnohet, nuk respektohet!
      Ka Çerek Shekulli qe nje i Marre, nje Paranojak, nje Mashtrus, turbullon mbare Shqiperine!
      E mashtron ne emer te Demokracise!
      E mashtron me metoda populiste, fashiste!
      Kush i njeh sadopak metodat fashiste dhe i krahason me metodat e të ashtuquajtures Parti Demokratike Shqiptare, ato ngjajne si dy pika uji!…
      Partite Fashiste kane ne thelbin e ideologjise se tyre Vullnetin e Individit, ose sic quhet ndryshe V o l u n t a r i z m i n !…
      Hitleri perdori me sukses Genjeshten, mashtrimin, demagogjine, populizmin dhe arriti ta vere Popullin gjerman ne Rresht!…
      Partia Demokratike shqiptare ka te sajat te njejtat metoda, Genjeshteren, mashtrimin, demagogjine, populizmin dhe fillimisht arriti ti mashtronte shqiptaret!
      Vecse per hir te se Vertetes, duhet thene se per arsye te mundesive dhe potencialeve, PD -ja e Sali Berishes, ja pershtati taktikat e saj kushteve shqiptare dhe vuri si qellim te vetin P u s h t e t i n !….
      Çerek Shekulli qe shqiptaret rrenohen pa pushim nga taktikat dhe politikat e kesaj force regresive!…
      PD e Saliut nuk ka per qellim mireqenien e shqiptareve, por marrjen dhe perdorimin e Pushtetit per interesat e nje Familjeje.
      A mund te shpetoje Shqiperia nga kthetrat e kesaj Familje qe mban akoma nje pjese te Pushtetit politik ne Shqiperi?….
      Po, mundet, ne se shqiptaret ngrihen dhe kerkojne si popull denimin e kesaj Familjeje dhe perjashtimin e saj nga Politika.
      Por largimi i saj mund te arrihet edhe duke demokratizuar dhe i hequr kesaj Familje ate pjese te pushtetit politik qe ka ende ne dore: DREJTESINE, PRESIDENTIN, SHERBIMINE FSHEHTE DHE KRYEPROKURORIN….
      Keto pushtete kjo Familje i mban gjoja ne emer te pamvarsise se pushteteve, por de fakto as Presidenti, as Drejtesia, as Sherbimi i Fshehte as Kryeprokurori nuk jane pjese e nje pushteti te pamvarur!
      Por dhe segmente te caktuara te politikes nderkombetare, e sidomos nga fqinjt armiqsore dhe klane te caktuara ne SHBA, e ushqejne kete gjendje mizerabel te Demokracise shqiptare.
      Familja sunduese e Berishes mund te largohej nga pushteti edhe me nje Referendum Popullor, i cili ne pamje te pare mund te duket skeptik….por ne nje demokraci te vertete, kur punet ngecin, duhet thirrur Vullneti i Sovranit direkt…
      Shikoni çfare ndodh?
      Duke perfituar dhe shperdoruar Demokracine ,Sali Berisha, ne emer te nje Opozite qe e manipulon , destabilizon shtetin dhe shoqerine!…ushqen Konfliktualitetin, antishtetin dhe prish çdo dite P a q e n Sociale, aq te domosdoshme per Shqiperine!
      Ky Monster i politikes Shqiptare duhet larguar nje sahat e me pare nga Politika!
      Ata qe perkrahin Sali Fashistin dhe Bajraktarin e Politikes shqiptare nuk punojne per Shqiperine, per interesat e popullit te saj.

      Reply to this comment
  2. Kola March 10, 14:53

    Kto pamjet e gospodin Berishoviqit me udheheqesit e lavdishem komuniste shqiptare po me hutojne, bre. Un kerkoj te jem ne kopene e species demokrate kundra komuniste dhe kto pamje me trullosin, nuk di ka me shkue, nuk kush asht komunist e kush demikrat. Sepse tani nuk kane mbetun as komunista ma, jane ba te gjith kapitalista. Po speciet saliereve a jan demikrat apo kamunista?

    Reply to this comment
  3. ela March 10, 15:17

    Zoti Viktor Faleminderit per analizen.Nuk kemi cfar te shkruajme me .Jam dakort per gjithshka .Vetem nje gje ki parasysh kjo s’ishte demokracia qe kemi kerkuar.Vetem qe forcon iden qe ky popull e meriton te kete Sali (me gjith pjellen).Duke e krahasuar me nje djall qe egziston vetem ne Shqiperi,djalli qe malet e veriut e linden dhe e riten,gjirizat e tiranes e mesuan , edukuan,gruaja e shtepise helmin per kete vend i gatoi,femijet qe te behen si ai vete I mallkoi,helmin e gjarperit neper sofrat e sharlataneve gatoi, dhe sahanlepiresve ua dha ta provojne.Ky eshte Sali Ram Berisha.

    Reply to this comment
  4. Dardhari March 10, 15:21

    Nuk Kam te drejte te bej asnje vrejtje sepse i ke thene te gjitha
    Shkrim i plote per Familjen qe ne e dime kush eshte po nuk duam ta permbysim se ka shume Fufe dhe Doshe qe na pengojne

    Reply to this comment
  5. .............. March 10, 15:46

    Shkrimi me pelqen, eshte munduar te kapi rrenjet e problemit.
    Autori ka bere nje analize te plote te familjes berisha dhe menyres si ajo u pasurua dhe kerkon te vije perseri ne pushtet.
    Dua te shtoj dicka. Familja berisha Jo vetem beri grumbullimin fillestar te kapitalit dhe pasurimin ne menyre kriminale por me e renda eshte se ka qene gjithe kohen kunder interesave te shqiptareve. Kjo familje eshte ne lidhje dhe sherbim te serbeve dhe interesave ruse ne ballkan. Si mundet nje familje antishqiptare te mendoje per shqiptaret. CDO veprim dhe mosveprim ka qene kunder interesave shqiptare. Per kete ne shqiptaret duhet te jemi me vigjilent. Si ka mundesi qe ne Shqiperi serbet te jene kaq te fuqishem te kene ne dore nje njeri qe na ka udhehequr ne shqiptareve per 23 vjet dhe te mos I hyje nje gjemb ne kembe.
    Shqiptaret duhet te zgjohen nga gjumi dhe te behen zot te fateve te tyre.
    Zgjidhja e vetme eshte denimi I berishes dhe families se tij.
    PSE eshte kaq i veshtire ky denim. Ti behet presion I perditshem qeverise te nxjerri berishat para gjygjit. Te gjithe ne shtyp pershkruajne te keqiat e berishes dhe ne fund e lene pa rrugezgjidhje. Hiqni dore nga fataliteti, CDO gje e ka nje zgjidhje. Zgjidhja eshte berisha ne burg!!!!!!!

    Reply to this comment
  6. I.Troplini March 10, 15:54

    Sa me shume i afron lupen, zhvillimeve politike ne Shqiperi, protagonisteve te ketyre zhvillimeve dhe lidhjeve te tyre klanore, familjare e fisnore,,,aq me teper dalin ne pamje “karakteristikat e vecanta” te shoqerise shqiptare.
    Mundimi i bibles dhe i sistemit kapitalist, qe na paska ne baze te tijin fjalet e ungjillit, nuk kane doemos ndonje paralele me kete injorancen tone shqiptare qe nuk njeh as normat elementare te bashkejeteses ne komunitet. Do ishte nje genjeshter, te pretendosh se Shqiperia paska nje sistem ekonomik kapitalist. Gjithcka ne shohim dhe kemi perjetuar ne kete vend, eshte kaos dhe talibanizem. Me kete lloj sistemi, ne shqiptaret jemi te vetem dhe pa asnje “konkurence”, ne gadishullin ballkanik. Flasim per ballkanin, sepse Europen e civilizuar, e shohim vetem me dylbi ose si refugjate per nje kothere buke.
    Nje shoqeri e tulatur si jona, ku inteligjenca ka humbur nga syte kembet rrugeve te botes, ku perpjekjet per te ndalur te keqen shkojne drejt zeros dhe ku bashkepunimi me te, eshte i prenishem edhe sot,,,,,nuk meriton asgje me teper se nje Sali Berishe dhe hijenat e tij familjare e klanore. Ata jane te tille, sepse shqiptaret nuk njohin sakrificen personale per shoqerine, si institucion i funksionimit te nje kombi,,nuk shohin funksionimin e ligjit si e vetmja menyre e nje bashkejetese paqesore, por i bejne temena kockave te hedhura nen tavoline, nga “bajraktaret” e rinj te ketij vendi. Qe ato “kocka”, i jane vjedhur buxhetit te shtetit shqiptar,,,,,per gjera te tilla, ne shqiptaret nuk kemi kohe.
    Shoqeria shqiptare dhe mungesa totale e pergjegjesise karshi se perbashketes, jane “garancia” e sistemit taliban te Sali Berishes. Zoteria, nuk e solli dhe nuk e shpiku kete sistem. Atij iu mundesua dhe e gjeti kete rrumpalle tek injoranca shqiptare dhe mosreagimi i forcave pozitive, qe cdo shoqeri duhet te kete ne radhet e saj, nese kerkon te mbijetoje si komb.
    Te qenit PARI e ketij vendi, eshte tema tjeter ku nuk jam i te njejtit mendim si Z.Malaj.
    Shqiperia jone, eshte nje vend i vogel. Me teper se gjysma e ketij populli jeton tashme ne Europe dhe SHBA e Kanada apo gjetke tjeter.
    Xeni i Saliut, mund te mburret nder fshataret e Bathores, me bemat e tij incestuale dhe te qenit djale i Saliut, qe zbriti me valixhe druri ne Tirane,,,,dhe me vone u be mbret i Bathoreve dixhitale,,,,,por ai kurrsesi nuk do jete kurre PARI e dickaje kombetare. Ata mund te vene pasuri te vjedhur dhe tu duket vetja se jane pronare te ketij vendi por e verteta do jete dhe eshte,,,,se ajo pjese e civilizuar e shoqerise shqiptare, qe nuk e ka te nevojshme te behet bashkepunetore ne krim me Saliun,,,,,ndjen vetem neveri per sharlatane dhe gomere te tille.
    Eshte koha e duhur, qe perfaqesues te kesaj shtrese, te marrin ne dore drejtimin e vendit,,,,nese duam te mbijetojme si komb.

    Reply to this comment
  7. Shkerdhzeni March 10, 16:07

    Autori ishte dhe është dhëndri i Sali Berishës i cili, kur ka qenë president dhe kryeministër i vendit, ka falsifikuar e dhunuar zgjedhje; ka rrahur, burgosur e vrarë gazetarë dhe kundërshtarë politikë; ka hequr nga puna dhjetëra mijëra shqiptarë, ka hequr nga puna gjyqtarë dhe i ka zëvendësuar me mitingashë partie dhe kursantë 6-mujor drejtësie; ka dirigjuar, fshehtazi dhe haptazi, procese gjyqësore me rëndësi kombëtare, historike, politike dhe morale; ka lejuar dhe inkurajuar grabitjet e pronës dhe ndërtimet pa leje dhe pa plane urbanistike, ndërtimin e skemave piramidale të vjedhjes së popullit, kontrabandimin e naftës, të njerëzve dhe armëve, vjedhjet dhe shkatërrimet e pyjeve dhe minierave; ka urdhëruar mobilizimin e strukturave civile antikushtetuese për t’i angazhuar në luftë kundër “rebelimit komunist” në jug të Shqipërisë; ka urdhëruar përdorimin e aviacionit dhe Lëndëve Helmuese Luftarake kundër popullsisë civile në jug (1997); ka nxitur dhe drejtuar marrjen e pushtetit me dhunë në 14 shtator 1998; ka menaxhuar nënshkrimin e Marrëveshjes Antikombëtare të Detit me Greqinë; ka miratuar ndërtimin e fabrikës së demontimit të municioneve në qendër të banuar (Gërdec) ku u vranë 27 qytetarë dhe u plagosen 300 të tjerë dhe shumë akte të tjerë ligjërisht dhe moralisht të dënueshëm.

    Reply to this comment
  8. leonard March 10, 16:09

    Zoteri dua t’ju falenderoj nga zemra jo vetem per permbajtjen e shkrimit tuaj me te cilin jam 100% dakort por edhe per menyren e bukur te te shprehurit dhe te shkruarit shqip.
    Bravo,bravo sinqerisht!!

    Reply to this comment
  9. ana.tirana March 10, 16:22

    Ku me zhduket komentin?
    Gjithnje shkruani se u kap koment i perseritur!
    O Zot!
    Lereni tjetrin te shprehet!

    Reply to this comment
  10. ada March 10, 16:31

    Shoqeria shqiptare nuk mund ti shpetoje dot pengmarrjes nga politika.
    Familja Berisha e pati marr peng kete vend, por tashme vendin ja ka zene familja e madhe e Rilindjes RMVTK:
    RAMA, META, VELIAJ, TAHIRI, KOKEDHIMA. Keta jane padrinot aktuale ku perfundojne te gjitha fondet publike. Keta jane ata qe therrasin ne zyre kryeprokurorin ne vend te ndodhe e kunderta. Keta jane ata qe luajne fijet e shtetit sipas oreksit te tyre.
    Keta jane ata qe na bejne per budallenj cdo dite duke thirrur UJKU UJKU per Berishen, nderkohe qe vete jane CAKENJ.
    Berisha eshte akoma i lire, e jo ne burg ku e ka vendin, sepse keshtu duan keta. Lojrat qe bejne para kamerave sikur kundershtojne njeri tjetrin i hane vetem kalamajte e kopshtit.
    Nuk e di nese edhe FERRI do ti pranoje kur ti vije koha te shkojne ne boten tjeter. Djalli para ketyre eshte sorkadhe.

    Reply to this comment
  11. demo March 10, 16:56

    Ka njemije menyra per te cuar para drejtesise familjen kriminale.problemi eshte;,Cfare e ben partine socialiste nje parti eunukesh?,Ka 25 vjet qe nuk nxjerr nje lider qe te ndeshkoje hajnine!Neqoftese Kryeministri ka ndermend te ndeshkoje krimin dhe korrupsionin ne origjine,pra familjen Vicidolase,separi mos terhiqet nga reforma ne drejtesi dhe ketu del guri qe i ka vene Vicidoli,qe eshte Jari.Problemi eshte Jari,qe po luan rolin e shejtan budallait dhe duke u qare po i merr kompetencat kryeministrit,por edhe parlamentit me shumice absolute.Keto qe i kuptojme ne si popull i thjeshte,nuk i kupton shumica me 1 miljon vota?Veshtire te besohet.

    Reply to this comment
  12. 23 Qershori 2013 March 10, 17:17

    Analize perfekte dhe e sakte.
    Mendoj qe tritolvenesit do te kishin shpetuar me kohe kete vend ne rast se do ta kishin vene ate (tritolin) ne themelin e kesaj familjeje mafioze.

    Reply to this comment
  13. Agim Anastasi March 10, 17:26

    Zoti Malaj,une gjithnje ndjek shkrimet e tua dhe me pelqejne. Por kete rradhe diçka dua te theme. Pikerishte kur thua se nuk ka klasa dhe permende dhe Marksin. Eshte pak e tepruar dhe jo aktuele ne nje kohe qe Marksi ekonomisht po kthehet ne shkolla ,ne keto kohra te veshtira . Sa per klasat , pa medyshje po te theme se ekzistojne e i sheh dhe nje njeri naiv. Kur flitet per demokraci , ne sistemin kazino ku ne mjerishte jetojme, jo ne Shqiperi, por kudo nuk ekziston per shoqerine. Kjo sepse demokracia eshte si gjithshka ,nje malle e qe ta konsumosh duhen para. Kudo ,ne ç’do hape qe te besh thote populli do futesh doren ne xhep. Por ata qe jane me meditje,qe jane mbi 90%te shoqerise ,,megjithe se punojne,jane ne kufirin e varferise. Sistemi kazino ne Globalizmin e sotem,ka shkateruar te gjitha vlerat e dikurshme.

    Reply to this comment
  14. tradita March 10, 17:28

    Shkurt. Kur Berisha eshte ne pushetet Shqiperia behet anetare e Keshillit te Evropes, hyn ne Nato liberalizohen vizat. rritet mireqenia, njihet pavaresia e Kosoves, pergatitet statusi i vendit kandidat. me te fitojne shumica. kur vini ne pushetet ju majtistet fillon varferia e skajshme arrihet deri atje se SHBA shkeput marredheniet me Parlamentin.

    Reply to this comment
  15. sali berishi March 10, 17:31

    Pse na e prish diten sot me kete emer moj gazete?Pupupu me keto fytyra qe na thithin gjakun si kepushe!Vendi i tyre duhet te jete qelia.

    Reply to this comment
  16. skifteri March 10, 18:12

    Sali futi ne bythe ato dy gishta!o mjeran ne ferre do veshe.

    Reply to this comment
  17. toni March 10, 20:29

    Zoti Malaj shkrimi fort i bukur dhe juve bashke me Bazen jeni sot dy analistat me te mire qe kemi. Por nuk jam dakort 100% me fundin e shkrimit. Koha ka tregu se Saliu ja ka marr pushtetin bythecave socialista sa her qe e ka pas qellim. Dasht Zoti skam te drejt po mendia ma marr se Doshi nuk e ka ber vidjon ne kok te vet po me dakortsin e Sales prandaj ka per te pas rremuja. Dhe po pat rremuja Rama e dorzon karriken per nji minut. Respekte.

    Reply to this comment
  18. Bocari March 10, 21:09

    Zoti Malaj me pelqen per mendimin e tij, por fatkeqesisht kur e lexoj me provokon nje irritim dhe me ben ti therras; PERSE KAQ VONE!
    Analisti dhe gazetari duhen te paraprijne situatat me analizen e tyre. Ka 25 vjet qe kjo kategori njerezish pa moral, shkaterruan jeten tone, na shkelin me kembe dhe na kane vene brire me genjeshtra dhe mashtrime. Une i bej apel Malajt dhe te gjithe njerezve shqiptardashes, jetedashes, drejtesidashes; Mjaft me analiza te se kaluares, keto nuk sjellin asgje! Eshte detyra jone si njerez te lire te veprojme. Zgjedhjet jane para nesh. Bojkoti i te zgjedhurve te partive eshte detyra jone imediate. Sikur secili nga ne qe e kemi kuptuar se kush eshte politika shqiptare te bindi 10-20 te rrethit te tij te mos votoje kandidatet partiake e ka kryer detyren ndaj vetvehtes dhe atdheut, pa le sikur te beje me shume. Do isha e desheruar qe nje nga keto figura te shtypit tone te shkruaje per te ardhmen. Vetem te demtuarit nga truri nuk e dine sot se kush eshte Saliu dhe politikanet shqiptare dhe fatkeqesisht ata jane akoma shume. Me ketoanaliza te se shkuares dhe ushtrine popullore te kastruar nga llogjika nuk ka asnje shprese per ndryshim.

    Reply to this comment
  19. Perashiani March 10, 21:31

    Kam nje propozim.Meqenese hajnat jane ne nivele tronditese le te zbatojme teorine e seleksionimit natyral.Kjo nenkupton luften shkaterruese brenda llojit.Vetem keshtu mund te vendosim deri diku ekuilibrin shpirteror.Ne kete kontekst ka ardhur koha qe ushtaraket te krijojne partine e tyre.Si periudha komuniste edhe kjo postkomuniste vertetuan qe komuniteti I ushtarakeve eshte moralisht i qendrueshem.

    Reply to this comment
  20. padrino March 10, 23:58

    Z Viktor, Analizat e tua janë të sakta, e të goditura meriton komplimente. Edhe pse shumica e shqiptareve, e ka rrëzuar dy herë salijën, njëherë me revolta në 97tën, dhe me votë në 2013tën , por prapë kanë ngelur të zhgënjyer , sepse drejtusit socialistë që kanë ardhë në pushtet, së në 97tën, dhe në 2013tën, ska qenë të zotë, apo kanë pasë frikë ta çojnë saliun para drejtësisë .

    Reply to this comment
  21. Socialisti bythpambuk March 11, 05:24

    Z , Viktor .
    Per sa ke shkruar , shume mire i ke shkruar , por dhe pa i shkruar , populli shqiptar i di po aq mire sa Ju . Ne fund te shkrimit lind natyrshem pyetja :Kush eshte zgjidhja , kur do te ndeshkohet “Familja” dhe te tjeret qe kane vrare , vjedhur ,shkateruar, shitur Atdheun dhe pasurine e ketij populli ?
    Une do te kisha kete pergjigje: Te largohet nje ore e me pare Ai qe i mbron , EDI RAMA .
    Edi Rama vetem qe nuk eshte vrases , por eshte po aq i korruptuar ( ne 11 vjet ne Bashkine e Tiranes ), madje dhe me shume se Sali Berisha e kompani .
    Kjo eshte e vetmja arsye qe Ai i mbron , qe kur e therret Sandri i KLANIT shkon si “qen i rrahur” para Fevziut . Pse eshte i korruptuar , prandaj nuk bene reformen ne drejtesi , .
    Z , Viktor , nqs nuk jepni nje zgjidhje per cka shkruani,me mire mos shkruani hartime sepse jemi te tejngopur .

    Reply to this comment
  22. komunalja March 11, 08:58

    Une nuk jam besimtar, por nuk do te ishte keq sikur te ekzistonte ferri! Vendi per çunin e Sheqeres, kesaj kurve te bordellit te çetnikëve, ka vite qe i eshte prenotuar!

    Reply to this comment
  23. Pipi March 11, 13:00

    Nje analize e perkryer dhe teper e sakte. Shkrimi me i mire qe kam lexuar deri tani ne faqet e “Dites”. Te lumte, z.Viktor Malaj.

    Reply to this comment
  24. As Poet, As Analist March 13, 14:07

    Ŕrrrrrrrrr

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim