Si të siguroni dozat e duhura të hekurit nëpërmjet ushqimeve

May 26, 2018 12:31

Si të siguroni dozat e duhura të hekurit nëpërmjet ushqimeve

Anemia nga mungesa e hekurit është ndër shqetësimet më të shpeshta shëndetësore, prej të cilës rrezikojnë të gjitha grupmoshat. Ndërlikimet bëhen mjaft të dukshme veçanërisht tek fëmijët. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, anemia përkufizohet si pakësim i përqendrimit të hemoglobinës, ose numrit të eritrociteve që sjell një aftësi më të pakët të gjakut për të transportuar oksigjen në indet e trupit. Një nga faktorët që ndikon më shumë në shfaqjen e anemisë, sikundër e përmendëm edhe më lart është mungesa e hekurit. Mangësia në hekur shkaktohet nga ushqyerja jo korrekte dhe nga mungesa të marrjes së mikro-elementëve dhe substancave të duhura ushqyese. “Anemia nga mungesa e hekurit është një nga çrregullimet më të shpeshta, sidomos tek fëmijët e moshës shkollore dhe vajzat në adoleshencë, madje edhe në shoqëritë më të përparuara. Mendohet se anemia nga mungesa e hekurit përfshin shumicën e rasteve të anemisë. Të dhënat e raportuara nga Organizata Botërore e Shëndetit tregojnë se anemia nga mangësia në hekur konsiderohet ndër dhjetë faktorët që ndikojnë mbi peshën globale të sëmundjeve në të gjithë botën. Po sipas OBSH-së, rreth 80 për qind e fëmijëve deri në moshën 18 vjeç në vendet në zhvillim vuajnë nga anemia në një moment të jetës tyre”, bëjnë me dije ekspertët e shëndetit publik.

Rreziku tek fëmijët dhe gratë shtatzëna

Anemia është një problem i përhapur i shëndetit publik e shoqëruar me një rrezik më të lartë për sëmundshmëri dhe vdekshmëri, veçanërisht tek gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël. “Pamjaftueshmëria me hekur mund të pengojë 40-60 për qind të fëmijëve në vendet me të ardhura të ulëta që të zhvillohen plotësisht nga ana mendore. Anemia ndikon mbi vdekshmërinë foshnjore dhe perinatale. Në shumë vende në zhvillim një në dy gra shtatzëna, dhe më shumë se një në çdo tre fëmijë parashkollor vlerësohet të jenë anemik.  Mangësia e hekurit llogaritet se zë rreth gjysmën e anemive në vendet në zhvillim, dhe gjysma tjetër mund të ketë si shkak të mungesën e bakrit, zinkut, foliate dhe vitaminave A, B2, B12, apo C”, bëjnë me dije specialistët e Institutit të shëndetit Publik.

Ndërlikimet

Ndërlikimet që mund të shfaqen në shëndet si shkak i anemisë së shkaktuar nga mungesa e hekurit janë nga më të ndryshmet. Sipas ekspertëve, tek të rriturit mungesa e hekurit pakëson performancën fizike dhe kjo është vënë në dukje sidomos tek forcat e punës, të cilat raportojnë produktivitet më të ulët. Tek kjo kategori mangësi të rënda të hekurit ulin aftësinë e një personi për të ruajtur temperaturën e trupit, në një mjedis të ftohtë. Pasojat janë mjaft të rënda edhe tek fëmijët. Tek të vegjlit shfaqet dëmtim i zhvillimit motor dhe koordinimit, dëmtim i zhvillimit të folurit dhe arritjeve shkollore, efekte biologjike dhe të sjelljes (mungesë vëmendje, lodhje, pasiguri, etj), pakësim i aktivitetit fizik. Ndërsa tek gratë shtatzëna shton riskun për lindje të fëmijëve me peshë të ulët, vdekshmëri më të lartë amtare dhe foshnjore, si dhe rëndim të sëmundjeve të tjera.

Marrja e hekurit me ushqime

Nevojat për hekur merren me ngrënien e ushqimeve të pasura me hekur. Hekuri në ushqime gjendet në ushqimet shtazore (mishi, shpezët, peshqit), si dhe në ushqimet bimore të tilla, si: drithëra, bishtajore, gruri, arra dhe perime. Por duhet të dini se vetëm një sasi e vogël e hekurit që merret me ushqime të ndryshme zakonisht thithet nga organizmi. Kjo sasi varet nga lloji i hekurit në ushqim. Disa ushqime me origjinë shtazore, si për shembull: mishi, mëlçia janë burim shumë i mirë për hekurin, i cili thithet lehtë. Ndërsa në disa ushqime me origjinë bimore, siç janë zarzavatet jeshile, drithërat, bishtajat, etj, hekuri gjendet në një formë që nuk thithet mirë nga organizmi. Ndaj, shtimi i perimeve dhe frutave që përmbajnë acid ascorbic (vitaminë C) mund të dyfishojë, apo trefishojë përthithjen e hekurit nga ushqimet me orgjinë bimore. Në këto raste çdo vakt preferohet të përmbajë të paktën 25 mg të acidit ascorbik, vitaminë C. Ndërkohë që në varësi të stadit të anemisë së identifikuar mjeku mund të kërkojë edhe përdorimin e suplementeve shtesë për sigurimin e dozave të duhura.

Nevojat për hekur:

Njerëzit normalisht kanë 40–50 mg hekur/kg peshë trupore, 73për qind e hekurit të trupit është në hemoglobinën në qelizat e kuqe qarkulluese dhe në mioglobinën e proteinës muskulore, pjesa e mbetur, 25 për qind janë depozita në hepar që përdoren sipas nevojave. Foshnjat lindin me rreth 500 miligram (mg) hekur në trupat e tyre. Kur ato arrijnë moshën e rritur duhet të kenë rreth 5,000 mg (5 gram). Fëmija ka nevojë të thithi hekur për ditë që të plotësoj nevojat e trupit në rritje. Fëmijët thithin vetëm rreth 10 për qind të hekurit që ata marrin me ushqime, prandaj duhet të marrin rreth 8-10 mg hekur në ditë shtesë për të plotësuar nevojat e duhura të trupit.

  p.k/dita

May 26, 2018 12:31
Komento

1 Koment

  1. kenga qe me mungon May 26, 19:04

    Mire kur mungon hekuri, por kur e ke me teprice dhe mbi normalen, çfare duhet te besh?! Keni ndonje pergjigje apo e plotesuat per sot?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*