Si u çminua Kanali i Korfuzit

July 11, 2016 09:21

Si u çminua Kanali i Korfuzit

 

Nga Seit Jonuzaj

Lidhur me shkrimin e z. Alqi Koçiko “Si e ndamë detin me Greqinë”, botuar në DITA të datës 4 korrik 2016, dëshiroj të sqaroj dhe të saktësoj disa gjëra.

Nga detyra që kisha në atë kohë si shef i lundrimit në komandën e Forcës detare dhe si një nga specialistët kryesorë në përgatitjen dhe kryerjen e operacionit çminues të ngushticës së Korfuzit, duke  qenë pastaj edhe anëtar i delegacionit qeveritar të RP të Shqipërisë për bisedimet me palën greke, jam dëshmitar dhe aktor që nga fillimi e deri në mbarim të çminimit të asaj ngushtice.

Ngushtica e Korfuzit për shkak të minave qëndronte e bllokuar për lundrimin e anijeve që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe ky çminim ndërmerrej me kërkesën e qeverisë greke, e interesuar për hapjen e kësaj rruge detare, si rrugë më e shkurtër për trafikun detar në ujërat veriperëndimore të saj. Pra, çminimi nuk ndërmerrej “në bazë të detyrimeve ndërkombëtare”, por në bazë të nevojave greke. Mirëpo ujërat e ngushticës së Korfuzit janë të përbashkëta sepse lagin edhe brigjet tona në atë zonë, prandaj Greqia nuk mund të ndërmerrte veprime të njëanshme pa u marrë vesh me vendin tonë. Por për shkak të qëndrimit tejet armiqësor ndaj vendit tonë të qarqeve qeveritare greke të pasluftës, jo vetëm që nuk ekzistonin  marrëdhënie diplomatike midis dy vendeve tona, por edhe situata ishte e rënduar për shkak të provokimeve të herëpashershme kufitare dhe pretendimeve territoriale ndaj vendit tonë nga ana e Greqisë. Në këto rrethana, qeveria greke në vitin 1957 i kërkoi ndihmë kryeministrit sovjetik, Nikita Hrushovit, që të ndërhynte pranë qeverisë shqiptare për ta lejuar Greqinë të çminonte ngushticën e Korfuzit. Ndërhyrjes së Hrushovit qeveria shqiptare iu përgjigj se për problemin që kanë grekët le të na drejtohen neve vetë. Deshi-s’deshi, Greqia u detyrua me ambasadorin e saj në Moskë t’i drejtohej ambasadorit shqiptar atje.

Kështu zunë fill bisedimet për problemin e çminimit të ngushticës së Korfuzit. Nëpërmjet këtyre bisedimeve midis ambasadorëve u arrit që të bihej dakord të caktoheshin delegacione të posaçme nga qeveritë e të dyja vendeve për bisedime konkrete. U ra dakord që si vend i zhvillimit të këtyre bisedimeve të ishte Korfuzi. Në pritje të finalizimit të bisedimeve mes ambasadorëve, me orientim të qeverisë Forca detare shqiptare nisi përgatitjet e duhura tekniko-organizative për operacionin që do të ndërmerrej. Aty nga fundi i vitit 1957 – fillimi i 1958, me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes Popullore u krijua grupi i posaçëm i çminimit të ngushticës i përbërë nga dy anije minaheqëse bashkëkohore dhe një motoskaf shenjavënës dhe për shërbime ndihmëse. Në këtë strukturë organizative, komandant grupi u caktua oficeri Selam Qejvanaj, i cili njëkohësisht ishte edhe komandant i minaheqëses së kreut, ndërsa komandant i minaheqëses së dytë ishte oficeri Vangjel Nano. Kurse motoskafi shenjavënës komandohej nga oficeri Beqar Demko.  Në këtë strukturë të posaçme bënin pjesë edhe grupet e specialistëve që do drejtonin punimet çminuese: grupi i navigatorëve prej tre oficerësh specialistë të lundrimit të kryesuar nga kryespecialisti i lundrimit të Forcës detare Seit Jonuzaj dhe i përbërë nga oficerët Petrit Myftiu e Sadik Kërxhaliu dhe nje grup detarësh të stërvitur; Grupi i specialistëve të armëve të nënujshme  që kryesohej nga kryespecialisti i armëve të nënujshme të Forcës detare Xhelo Banushaj, ku bënin pjesë edhe dy oficerë e një grup detarësh minatorë. Anën teknike dhe të furnizimit e mbulonte inxh. Piro Tushi i Degës së Marinës pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Këta ishin kuadrot dhe specialistët që realizuan me sukses detyrën për çminimin e ngushticës.

Ndërkohë, gjatë përgatitjeve për detyrën e çminimit u caktua edhe delegacioni që do të shkonte në Korfuz më 3 shkurt 1958. Ai përbëhej nga kapiteni i rangut I Abdi Mati- kryetar, n/kol. Dhimitër Noka-nënkryetar dhe anëtarët Jovan Andoni – përfaqësues i Ministrisë së Jashtme. Kapiten-lejtnant Seit Jonuzaj, kapiten Perlat Molla, kapiten-lejtenant Vangjel Nano dhe kapiten Taqo Kovaçi. Përkthyes i anglishtes i delegacionit tonë ishte kapiten Vangjel Gorana. Pra, kjo ishte përbërja e delegacionit tonë i pajisur me letër-kredenciale të firmosur nga Ministri i Jashtëm, Behar Shtylla.

Delegacioni shqiptar mbërriti rreth orës 10 në portin e Korfuzit. ku u prit nga delegacioni grek i kryesuar nga Dhimotaqis-kryetar, Lakonikas-n/kryetar dhe oficerët e tjerë të marinës greke-anëtarë të delegacionit. Pritja ishte shumë miqësore. Grekëve u tërhoqi vëmendjen dhe e shprehën kënaqësinë e madhe për manovrën e bukur që realizoi gjatë futjes në port komandanti i minaheqëses shqiptare Selam Qejvanaj që çoi delegacionin tonë. Po ashtu, rregulli, pastërtia dhe pamja e jashtme e anijes dhe e detarëve shqiptarë. Ndërkohë, mbërritjen e anijes shqiptare e ndiqnin qindra qytetarë të Korfuzit që kishin mbushur sheshet, rrugët e ballkonet e shtëpive. Ishte e para anije shqiptare që futej në Korfuz dhe kishte kureshtje të madhe. Kjo edhe për shkak të propagandës keqdashëse që bëhej në shtetin fqinj në atë kohë, duke e paraqitur vendin tonë gogol dhe njerëzit egërsira.

Pas sistemimit të delegacionit në Hotel “Astir”, pasdreke nisi seanca e parë e bisedimeve midis dy delegacioneve. Pas prezantimit dhe vendosjes që ato të vazhdonin me dy seanca në ditë, paradite e pasdite, ndodhi një ngërç. Delegacioni ynë paraqiti letër-kredencialet e firmosura nga ministri i jashtëm Behar Shtylla, ndërsa delegacioni grek, në vend të letërkredencialeve qeveritare, na paraqiti një autorizim të shefit të Shtabit të Marinës greke. Pala jonë nuk e pranoi këtë dokument, sepse kjo kishte një domethënie të qëllimshme. Nuk donte qeveria greke që ky takim delegacionesh të ishte i nivelit qeveritar, por të quhej si një takim midis dy marinave. Pra, i përmbaheshin statusit të mosnjohjes së qeverisë shqiptare. Pala jonë nguli këmbë në tre seanca radhazi që bisedimet të nisnin kur të dy delegacionet të ishin me status të barabartë qeveritar.  Kjo kërkesë e palës tonë e detyroi delegacionin grek t’i drejtohej Athinës, e cila dërgoi letër-kredencialet me firmën e ministrit të jashtëm Averof dhe kështu nisën për së mbari bisedimet. Delegacioni grek kishte sjellë përkthyes të greqishtes në shqip  një shqiptar nga Himara i arratisur në Korfuz, por pala jonë nuk e pranoi me argumentin se bisedimet do zhvilloheshin anglisht dhe ne e kishim përkthyesin. Kështu që, pala greke e largoi përkthyesin e saj.  Bisedimet  nisën dhe përfunduan në një atmosferë të ngrohtë dhe me mirëkuptim të plotë. Dy gjëra dolën mirë në pah që në nisje: kryetari i delegacionit grek vuri mbi tavolinë një dosje dokumentesh të një organizmi të Kombeve të Bashkuara, IRRA që merrej me hapjen e rrugëve detare dhe tha se në bazë të këtyre dokumenteve, kjo zonë ujore është minuar nga gjermanët në verën e vitit 1944. Pra nuk tha, siç llomotisin politikanët tanë të tranzicionit apo të huaj, se minimi është bërë nga Shqipëria pas luftës.  Ne grekët e kemi shumë të nevojshme çminimin, vazhdoi kryetari grek, duke shtuar edhe pyetjen: keni mjete e forca ju ta bëjmë bashkë çminimin, apo do na lejoni neve ta bëjmë çminimin e tërë kësaj zone. Përgjigjja jonë ishte se i kishim të gjitha mundësitë për ta bërë së bashku. Dhe gjëja tjetër ishte që kufiri detar njihej e pranohej nga delegacioni grek sipas rregullave detare ndërkombëtare që i ndanin ujërat në mënyrë të barabartë. Pra, delegacioni grek nuk kishte asnjë pretendim për kufirin detar. U vendos që secila palë të çminonte ujrat e saja, por me mirëkuptim, u vendos futja në ujërat e njeri tjetrit për efekt mbulimi sigurie një milje detare (rreth 2 km.), ndërsa zonat e ngushta që vështirësonin manovrimin e minaheqëseve brenda ujërave të veta, u vendos të çminoheshin nga të dyja palët nga bregu në breg.  Në fund të bisedimeve u nënshkrua Protokolli përkatës dhe delegacioni shqiptar më 8 shkurt u kthye në Sarandë.

Pas përfundimit të përgatitjeve gjeodeziko-topografike e hidrografike të zonës sonë bregdetare, më 15 mars 1958 nisi puna për çminimin e ngushticës që përfundoi më 7 korrik për zonën e përfshirë në Protokoll. Çminimi u krye me çminues mekanik (me prerëse të litarit) për minat me spirancë, me çminues magnetikë për minat magnetike dhe me çminues akustikë për minat akustike. Por dinamika e detit dhe kalimi i viteve kishin bërë punën e tyre. Vetëm aty-këtu u gjetën disa mina me spirancë të shkëputura prej saj dhe të nxjerra nga deti në afërsi të bregdetit dhe të ngecura në rërë. Kuptohet, të dala jashtë përdorimit. Ato u shpërthyen me dinamit nga minatorët e anijeve tona.

Gjatë kohës kur punohej për çminimin e ngushticës, mediat e Korfuzit shkruan e dhanë disa emisione kushtuar punës heroike, siç e vlerësonin, të detarëve grekë e shqiptarë.

Në bazë të marrëveshjes, me përfundimin e çminimit, takimi i delegacioneve u bë në qytetin e Sarandës, ku delegacioni grek mbërriti me një anije-kanoniere. Delegacioni dhe detarët e anijes greke u pritën tepër miqësisht nga pala shqiptare dhe populli i Sarandës. Ata u lanë të lirë të lëviznin nëpër qytet pa asnjë kufizim. Delegacionit i ishte bashkuar edhe oficeri madhor i Marinës greke, himarjoti Spiro Milo. Ai pretendonte se kishte ardhur për të shkuar në Himarë të takonte nënën e tij të moshuar. Mirëpo, për shkaqe të qëndrimit armiqësor dhe propagandës antishqiptare ndaj vendit tonë, si dhe dhe për ndikimin që kishte në Himarë, nuk iu dha mundësia të shkonte atje, por iu tha t’ia sillnim nënën në Sarandë ta takonte dhe po të donte, ta merrte me vete në Greqi. Por ai nuk pranoi as t’i sillej nëna në Sarandë dhe as ta merrte me vete. Pra Spiro Milo nuk bënte pjesë në përbërje të delegacionit grek, por kishte ardhur për qëllime të tjera.

Në takimin e Sarandës, secila palë informoi për punën e kryer, duke e konsideruar të përfunduar me sukses çminimin e ngushticës së Korfuzit në përputhje me Protokoll-marrëveshjen dhe nënshkruan deklaratën përkatëse për hapjen e ngushticës për lundrimin e anijeve mbiujëse.

July 11, 2016 09:21
Komento

1 Koment

  1. Ish ushtaraku i forcave ajrore luftarake te RPSSH July 11, 22:10

    Faleminderit zoti ose shoku Jonuzaj.
    Faleminderit per keto fakte per vetmohimin dhe heroizmin tuaj dhe te shokeve tuaj, per sanrificat e bera ne mbrojtje te Atdheut tone te dashur.

    Nuk e di , po shpresoj qe kocikua t’ju takoje per tu informuar me mire. Se burimet e informa ionit te tij jane paksa te dyshimta dhe une do te thosha pasqyrojne nje konflikt interesi. ..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*