Siguria e pushuesve në bregdet, drejtuesit më të lartë të policisë zbresin në terren (VIDEO)

August 2, 2017 11:02

Siguria e pushuesve në bregdet, drejtuesit më të lartë të policisë zbresin në terren (VIDEO)

Krerët më të lartë të policisë kanë zbritur në terren për të inspektuar masat e sigurisë për bregdetin dhe ruajtjen e rendit.

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, së bashku me Drejtorin e Departamentit të Sigurisë, Drejtues i Lartë Altin Qato, Drejtorin e Policisë Rrugore, Drejtues Mitat Tola dhe Shefin e Sektorit për Kufirin detar, Drejtues Tomorr Duro, kanë monitoruar dhe inspektuar masat e marra nga bashkitë për krijimin e perimetrit të sigurisë për pushuesit, si dhe kanë inspektuar punën e strukturave të Policisë Vendore dhe asaj të Kufirit në Vlorë, Himarë e Sarandë.

Gjatë takimit të zhvilluar me stafin drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, asaj Kufitare dhe Delta Forcës, Drejtori i Departamentit të Sigurisë Altin Qato, ka theksuar se Vlora është qarku me shtrirjen më të madhe të vijës bregdetare.

“Janë rreth 307 forca policie të angazhuara në qarkun e Vlorës për sezonin turistik. Ndryshe nga viti i kaluar, sivjet kemi përzgjedhur punonjës policie të rinj, me performancë të mirë, duke i angazhuar në patrulla dyshe me biçikleta dhe motoçikleta. Njëkohësisht kemi angazhuar edhe grupet e FNSH-së e “Delta forcë-s”, por duke parë fluksin dhe ngarkesën e madhe, mendojmë që në Vlorë në fundjavë të shtojmë edhe një grup tjetër të FNSH-së”.

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z. Jaupi, ka vlerësuar punën e deritanishme të strukturave të policisë, që operojnë në qarkun Vlorë dhe u ka kërkuar atyre më shumë impenjim që megjithëse është muaj pushimi, për Policinë është muaj angazhimi e përkushtimi për të përmbushur me sukses prioritetin kombëtar, atë të parandalimit dhe të goditjes së kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike dhe disa prioritete të tjera.

“Muaji Gusht është muaj angazhimi dhe përkushtimi për Policinë e Shtetit. Nga nesër e gjithë Policia do të kalojë në shërbim 12 orësh, me qëllim përmbushjen e disa prioriteteve primare për Policinë e Shtetit.
Së pari, vijimi më me përkushtim i luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Menjëherë të fillojë përsëri rikontrolli i imtësishëm i gjithë territorit, i magazinave, ish magazinave e depove, e tuneleve, ish-reparteve e banesave të braktisura, më qëllim të dyfishë, edhe për të parandaluar dhe goditur kultivimin e bimëve narkotike, por edhe për të evidentuar e goditur magazinimin e lëndës narkotike që mund të jetë të prodhuar vitin e kaluar”, tha Jaupi.

Së dyti, ai kërkoi intensifikimin e masave për të rritur parametrat e sigurisë së pushuesve dhe të qytetarëve në përgjithësi.

“Nën drejtimin e Prefektit, vijoni kontrollet në të gjitha plazhet me qëllim që pushteti vendor të krijojë të gjitha kushtet e sigurisë nga mjetet lundruese për plazhistët. Asnjë hap prapa, asnjë tolerim përballë çdo presioni, për Policinë e Shtetit është primare siguria e jetës së qytetarëve dhe jo përfitimi i disave në kundërshtim me ligjin dhe duke u shndërruar në rrezik për jetën e të tjerëve. Policia Rrugore, kryesisht në fundjavë, por edhe gjatë javës, të intensifikojë masat për ndëshkimin e të gjithë atyre drejtueseve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, duke parakaluar në mënyrë të gabuar, duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit apo më keq akoma në gjendje të dehur, duke udhëtuar me shpejtësi tej normave të lejuara, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës”, tha Jaupi.

Po kështu ai kërkoi vlerësimin e njoftimeve në sallën operative të policisë. “Së treti, vlerësoni maksimalisht çdo telefonatë që vjen në sallën operative, vlerësoni dhe trajtoni me profesionalizëm çdo konflikt, sado i vogël që të jetë, pasi edhe konflikti më banal mund të përshkallëzohet deri në humbje jete. Ndaj reagoni në kohë, me profesionalizëm dhe në zbatim të plotë të ligjit. Së fundi por jo për nga rëndësia, goditja e grupeve kriminale, e elementëve me precedentë kriminalë, e atyre që qarkullojnë me makina të blinduara apo me armë zjarri pa leje. Nga ana juaj të evidentohen të gjithë këta persona, pasuritë e tyre të cilat nuk i justifikojnë, pasi ne po hartojmë një plan masash, dhe me rënien e fluksit të pushuesve, menjëherë do të fillojmë punën për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale”, deklaroi Jaupi.

Takim i ngjashëm është zhvilluar edhe në komisariatin e Policisë Sarandë me stafin drejtues të policisë vendore dhe asaj kufitare, ku të pranishëm ishin edhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Gentian Shehaj , si dhe Drejtori Rajonal i Kufirit Luan Hyseni.

Shefi i Policisë Kufitare, Përparim Xhaferi ka theksuar se po merren masat e nevojshme nga pushteti vendor si në Sarandë edhe në Ksamil, duke vendosur perimetrin e sigurisë sipas kërkesave të VKM-së.
Inspektimi nga ajri dhe toka ka vijuar nga Vlora deri në Ksamil.

August 2, 2017 11:02
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*