Sigurimet shoqërore, ligji i ri favorizon fermerët

August 16, 2014 13:50

Sigurimet shoqërore, ligji i ri favorizon fermerët

Fermerët e vetëpunësuar në bujqësi kanë qenë në vazhdimësi i favorizuar përsa i përket kuotave të pagesave të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore. Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili hyri në fuqi  në fillim të këtij muaji, lidhur me përqindjet, pagat minimale dhe kuotat e pagesës së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ruan favorizimin në pagesat e kontributeve nga të vetëpunësuarit në bujqësi. Më konkretisht, një i vetëpunësuar në qytet është i detyruar të sigurohet dhe të paguajë, kontributet e sigurimeve shoqërore, gjatë gjithë vitit 2014, gjithsej 53,034 lekë. Ndërkohë që një i vetëpunësuar në bujqësi, në zonat fushore, paguan vetëm 31,500 lekë ose 59 përqind të detyrimit kontributiv vjetor, pra 21,534 lekë më pak. Mjafton që i vetëpunësuari në bujqësi, në zonat fushore, të paguajë pjesën e tij dhe ai ka “fituar” 21,534 lekë, nëpërmjet subvencionit të buxhetit të shtetit, pagesa në llogarinë kontributive të tij, pranë sigurimeve shoqërore. Po kështu me një favorizim më të madh është i vetëpunësuari në bujqësi, në zonat malore. Ky i vetëpunësuar paguan vetëm 24,150 lekë ose 45 përqind  të detyrimit kontributiv vjetor, pra 28,884 lekë më pak. Mjafton që i vetëpunësuari në bujqësi, në zonat malore, të paguajë pjesën e tij dhe ai ka “fituar” 28,884 lekë, nëpërmjet subvencionit të buxhetit të shtetit, pagesa në llogarinë kontributive të tij, pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Gjithashtu të njëjtën gjë mund të theksojmë edhe për favoret në fushën e sigurimit shëndetësor të fermerëve që sigurohen si të vetëpunësuar në bujqësi. Duke qënë të siguruar për efekt të përfitime nga ligji i sigurimeve shëndetësore,  fermerët e regjistruar, në organet e sigurimeve shoqërore, të cilët kanë realizuar pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore së bashku me kontributet e sigurimeve shëndetësore, përfitojnë nga ligji i mësipërm paketën e shërbimeve të sigurimit të detyrueshëm si: vizitat, ekzaminimet dhe trajtimet mjekësore në qëndrat e kujdesit shëndetësor parësor publik dhe në spitalet publike; barnat kundrejt masës së mbulimit, sipas listës së barnave të rimbursueshme, etj. Një i vetëpunësuar në qytet është i detyruar të sigurohet dhe të paguajë, kontributet e sigurimeve shëndetësore, gjatë gjithë vitit 2014, gjithsej 15,684 lekë. Ndërkohë që një i vetëpunësuar në bujqësi paguan vetëm 3,600 lekë ose 23 përqind të detyrimit kontributiv vjetor. Pjesa tjetër prej 12,084 lekë ose 77 përqind mbetet subvencion i buxhetit të shtetit, në Fondin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.  Favorizim kane edhe  në blerjen e periudhave të sigurimit, cka do të thotë më konkretisht,  një qytetari për të blerë vullnetarisht periudha të kaluara, 1.1.1994 deri më 31.12.2013, pra 20 vite sigurimi do ti duhej të paguante 1 milion lekë ndërkohë që një fermer i zonës fushore të njëjtën periudhë do ta blejë me 205 mijë lekë dhe një fermer i zonës malore do ta blejë me 143 mijë lekë.

August 16, 2014 13:50
Komento

1 Koment

  1. Gent14 August 19, 10:03

    me ligjin e ri… nese ne do kemi fatin te jetojme ndonje dite pertej moshes se pensionit do te jete mrekulli… me tere keto hormone artificiale qe po marrim cdo dite, nu kdo e gezojme dot pensionin, ndaj nuk ia vlen te paguash asnje kacidhe.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*