Berlusconi i trishtuar për Milanin

December 24, 2013 23:05

Berlusconi i trishtuar për Milanin

Më 20 shkurt të vitit të ardhshëm mbushen plot 28 vjet që Silvio Berlusconi bleu Milanin, duke shpëtuar nga falimentimi një ndër klubet më të lavdishëm të futbollit italian, megjithatë asnjëherë gjatë mbretërimit të tij nuk kishte ndodhur që skuadra të binte në nivele të tilla. 77-vjecari milanez i cili aktualisht është president nderi i klubit kuqezi deklaroi në një lidhje telefonike se ndihet tepër i trishtuar për situatën e vështirë që po përjeton ekipi i tij i zemrës. Silvio Berlusconi gjatë një telefonate përshëndetëse për të uruar Festën e Krishtlindjes nuk humbi rastin për t’u hapur me fëmijët e Komunitetit Terapeutik të Trivigliano-s në Frosinone. Politikani dhe manjati i famshëm italian shprehu keqardhjen e tij për këtë moment të vështirë, duke shtuar se edhe vetë ish-lojtari i Milanit Giuseppe Incocciati ndihet tepër i dëshpëruar për pozicionin që mban aktualisht në renditje kjo skuadër. 50-vjecari Incocciati ka veshur fanellën e Milanit për katër sezone dhe sulmuesi asokohe u transferua te Ascoli vetëm pak kohë përpara se në ekip të mbërrinte Berlusconi.

Pronari i klubit uroi 150 fëmijët e këtij komuniteti, në Frusinate duke shfrytëzuar pikërisht rastin e festave të fundvitit dhe mes të pranishmëve ishin gjithashtu edhe një ndër themeluesit e këtij komuniteti At Matteo Tagliferri, komisari europian për cështjet e industrisë Antonio Tajani si dhe vetë Incocciati i cili shtoi nga ana e tij se shpreson shumë që presidenti të marrë menjëherë kontrollin e situatës dhe të ndryshojë këtë ecuri negative të kohëve të fundit. Priten ndryshime gjatë merkatos së dimrit dhe përvec lojtarëve që do të afrohen do të ketë edhe të tjerë që sigurisht nuk do të jenë më pjesë e skuadrës, ose të paktën do të largohen në formë huazimi, sidoqoftë pauza dimërore pritet t’i bëjë mirë kuqezinjve që përvecse humbën derbin me Interin pak ditë më parë pozicionohen në vendin e 13 në klasifikimin e Serie A, me plot 17 pikë diferencë kundrejt vendit të tretë që mbahet aktualisht nga Napoli.

December 24, 2013 23:05
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*