Simboli i universalizmit të kulturës europiane

August 30, 2018 18:20

Simboli i universalizmit të kulturës europiane

 

Dr. Dorian Koçi

Përvjetori i lindjes së Goethes, këtij vigani të mendimit Europian është gjithmonë një  përvjetor që të shtyn të kërkosh lidhjet e krijimtarisë së tij me kulturën e vendit apo të rajonit. Kjo gjë në fakt është kurthi që bien të gjithë studiuesit pasi kur përpiqen të nxjerrin në pah të veçantat, ata gjejnë universalitetin e dijeve të tij. Goethe ishte shumë i apasionuar nga kultura e lashtë dhe e re e Ballkanit, por ai simbolizonte dhe shpirtin racional gjerman. “Im Anfang war die Tat”-“Në fillim ishte vepra ” , një përkthim i lirë versës së parë të ungjillit sipas Gjonit, (1: 1), “në fillim ishte fjala” që Goethe e vendos në gojën e Faustit, kur e vë këtë të fundit në dramën “Faust”të përkthejë Ungjillin sipas Gjonit(Vargu. 1237). Kjo frazë u kthye në moto e filozofisë së tij që në fakt shkundi Gjermaninë e shekullit të XVIII dhe gjithë Europën.

Goethe i njohu tërthorazi shqiptarët nëpërmjet krijimtarisë së Lord Byron-it, të cilin ai e admironte dhe kishte korrespodencë të rregullt më të. Goethe e kondideronte Byron-in si një nga poetët që do i mbijetonte gjithmonë kohrave. Goethe adhuronte talentin poetik të Byron-it për të cilin shkruante  se kur krijonte ai arrinte gjithçka dhe mund të thuhet me bindje se frymëzimi atij i zëvendësonte të menduarit thellë. Ai ndjente vazhdimisht nevojën për të krijuar dhe gjithçka që krijonte, gjithçka që buronte prej zemrës së tij ishte e mrekullueshme. Ai i krijonte veprat si gratë që krijojnë fëmijët e bukur: pa menduar dhe pa ditur qysh. Ai është talent i madh i lindur, dhe nuk di njeri tjetër me fuqi poetike më të madhe. Për perceptimin e së jashtmes dhe për aftësinë e depërtimit në të kaluarën ai është po aq i madh sa edhe Shekspiri.(Gëte, Vepra të zgjedhura , Volumi 4). Goethe  i kish përpirë të gjitha veprat e Byron-i dhe në bisedë me sekretarin e vet Ekerman, ai pranonte se përshkrimet poetike të tij ishin shumë afër realitetit.

–           Edhe tek Bajroni – thashë unë – gjej shpesh pjesë krejtësisht të drejtpërdrejta, të cilat na japin vetëm pasqyrimin e sendit dhe na zgjojnë ndjenjat e brendëshme sikundër bën pikërisht dhe vizatimi i një piktori të mirë, veçanërisht i pasur me pjesë të tilla është “Don Zhuani”.

–           Po – pranoi Gëtja – atje Bajroni është me të vërtetë i madh, herë – herë jeta reale jepet prej tij me një lehtësi që të duket si improvizim. Tek “Don Zhuani” këto pjesë nuk më kujtohen, por tek poemat e tjera ato kanë mbetur në mend, veçanërisht skenat detare, ku kohë më kohë një valë vezullon tej; aq mirë është bërë kjo, sa të duket se po nuhat edhe ti ajrin e detit.(Gëte, Vepra të zgjedhura , Volumi 4). Një nga poemat e tjera ku ka skena të mrekullueshme të përshkrimit të detit është  dhe “The Pilgrimages of Childe Harold”, poema e cila e bëri të famshëm Byron-in në 1812. Sigurisht përveçse pjesëve të përshkrimeve detare, Goethe kish lexuar edhe 160 vargjet e Kantos II, ku përmes një ligjërimi orientalist flitet për shqiptarët. Adhurimi i tij për Byronin ishte një adhurim intelektual dhe pa komplekse kur ndër të tjera do të shprehej.  M’u desh një përfaqësues i kohëve të reja poetike – tha Gëtja – dhe kush mund të ishte tjetër veç tij që pa dyshim duhet parë si talenti më i madh i shekullit? Për më tepër Bajroni nuk është as ithtar i antikitetit, as i romantizmit, ai është mishërimi i kohës sonë. Një i tillë m’u desh, dhe për synimin tim artistik më shkonte si jo më mirë natyra e tij gjithmonë e pakënaqur dhe karkateri i tij luftarak, që edhe e çoi të vdesë në Mesolongji. Të shkruash një monografi për Bajronin nuk është aspak një punë e volitshme dhe e këshillueshme; por ta nderosh në ndonjë rast dhe të tregosh meritat e tij të shumta, kjo është një gjë që unë do të vazhdoj ta bëj gjithmonë.(Gëte, Vepra të zgjedhura , Volumi 4). Kjo lloj modestie dhe inkurajimi për shkrimtarët e tjerë është shumë e radhë në kohën sepse Goethe si shkruajti për Byron-in me të njëjtin adhurim shkruajti dhe për Volterin dhe Shilerin.

Vet Goethe shquhej për një modesti në trajtimin e hierarkive kulturore në Europë duke dëshmuar që ai mbi të gjitha ishte një intelektual kozmopolit dhe qytetar i “polisit” të mendimit. Ja si shprehej ai për kulturën gjermanike të kohës së vet dhe vendin e saj në lidhje me kulturën antike. “ Ne [d.m.th., gjermanët] me të vërtetë kemi arritur në thuajse këto njëqind vjetët e fundit të lëvrojmë siç duhet kulturën tonë; e megjithatë, duhen edhe ja dy tre shekuj që kultura jonë kaq shumë e lëvruar të arrijë të bëhet kulturë e të gjithëve; deri përpara këtij çasti, të gjithë do të jenë thjesht barbarë”.

Goethe ishte mendjehapur edhe ndaj kulturës lindore dhe formave të ndryshme poetike të lëvrimit të kësaj kulture. Ai njihte mirë Rumiun dhe Sadiun dhe Hafizin  dhe vet nën ndikimin e poezisë orientale shkruajti një Divan Perëndimoro- Oriental (1819-1827). Goethe e admironte shumë Hafizin, i cili ishte edhe një simbol i shpeshtë humanizmi në poezinë e tij. Në poezinë “Ribashkimi” për Hafizin,  Goethe shkruan:

‘Hafiz, me ty të jem kam mall,

Në garë! Gaz e dhimbje mal

Të shkulen, ne u bëjmë ballë!

Të dua e të pi ngaherë

Si ti, se ç’krenari e rrallë.”(Halil Ibrahimi, Gëte, Islami dhe poezia)

Në këtë mënyrë ai ishte bashkëkohës në mendim me  Bajronin që shkruajti “Oriental Tales” në 1816 dhe Pushkinin që shkruajti për “Baçevasarajin” në Krime në 1821-1823.Orientalizmi si rrymë e mendimit  në Evropë fillon ndoshta që  në kohën e kryqëzatave dhe romancave mesjetare. Në periudha të ndryshme ka patur interesa dhe qëndrime të ndryshme ndaj Orientit dhe Orientalizmit, por ai u bë i njohur gjatë Romanticismit sepse Orienti ishte formë sublime e tij.Romantizmi gjerman ka konfliktin e jetës së përbrendëshme të individit, dramën e njeriut kundrejt mjedisit. Gëtja i madh, duke mbështetur filozofinë e Herderit për kulturat popullore si një vllazëri universale, shpiku termin “Letërsia botërore”, ku përkatësia etnike e poetëve nuk kishte rëndësi absolute. Gëtja, që admiroi Bajronin, megjithatë qe ai që tha “klasike unë quaj të shëndoshën, romantike të sëmurën”. Në të vërtetë Fausti, i Gëtes është i ravizuar si një kryehero romantik.(Moikom Zeqo: Bajroni dhe shqiptaret.)

Shkrimtari egjiptian Taha Husein, disa herë kandidad për çmimin Nobel në letërsi thotë: ‘Divani nuk është thjeshtë një ngjarje e rëndësishme në historinë letrare të Gëtes së madh; ajo është një ngjarje me rëndësi në historinë e letërsisë europiane’.( Halil Ibrahimi, Gëte, Islami dhe poezia). Përcaktimi i Husein është nga më të saktit përreth lidhjeve të Goethes me qytetërimin lindor. Për këtë çështje është debatuar shumë ku admirimi i Goethe-s për letërsinë lindore i është veshur dhe dëshira e tij për të njohur me detaje Islamin. Në fakt kjo dëshirë shkonte deri në kufijtë e njohjes dhe subjektet e tij orientaliste ishin më tepër në frymën e relativizmit kulturor që mbizotëronte si diskurs në krahasimet Lindje-Perëndim në Europën e asaj kohe.Prej esesë së njohur tëMichel de Montaigne “Kanibalët” në Europë ishte krijuar një diskurs që admironte qytetërimet e tjera jashtë kontinentit duke kritikuar vet qytetërimin europian si shkatërrues dhe të mbizotëruar nga lufta. Kështu p.sh dhe Volteri ka shkruar për qytetërimin kinez me fjalët më të mira duke vlerësuar strukturën sociale, arritjet e hershme në teknologji dhe përkushtimin e tyre ndaj filozofëve, Konfucizmit. Gjithësesi në këto tekste të frymëzuara nga të famshmet “Letrat Jezuite”, nuk ishin gjithmonë për Kinën. Nëse ne shikojmë me kujdes në aspektet e kulturës që ai lavdëron, mund të shikojmë se ai i zgjodhi ato saktësisht për të evidentuar problemet  në këto fusha në vendin e vet, në  Francë. Nuk mund ti shpëtojë syrit të thjeshtë të lexuesit aluzioni se Kina është e zhvilluar sepse respekton filozofët, një respekt dhe admirim që Volteri dëshironte ta shikone dhe në Francë. Po kështu dhe Montesque ku shkruajti “Letrat Persiane”në 1721 për të krahasuar ligjet dhe sistemin e drejtësisë në Francë e kërkoi nëpërmjet satirës në mendimin e dy të huajve dhe vendin ideal të parimeve universale të drejtësisë e gjeti jashtë kontinentit të vet.

Goethe nuk ishte nënvlerësues ndaj traditës. Një nga shkrimtarët që ai adhuronte ishte Shekspiri. Në bashkëbisedimin me sekretarin e tij Ekerman ai do të shprehej: -“Makbethi”, është për mendimin tim pjesa më e mirë e Shekspirit në kuptimin e plotësimit të kërkesave të skenës. Por nëse doni të njihni shpirtin e tij të lirë merrni e lexoni “Troilin dhe Kresidën”, ku ai ka trajtuar sipas mënyrës së vet subjektin e “Iliadës”.(Gëte, Vepra të zgjedhura , Volumi 4).Një moment tjetër Goethe do të shprehej për veprën e Shekspirit, se ai na shërben mollë të arta me tabaka argjendi. Duke studiuar veprat e tij edhe ne bëhemi me tabaka të argjenda, por e keqja është se mund të vemë në të vetëm patate.(Gëte, Vepra të zgjedhura , Volumi 4)Kjo modesti për veprën e vet letrare, në fakt është e tepruar sepse ai na ka dhuruar vepra-mollë që mund të rrinë shumë mirë në tabakatë e argjendta të Shekspirit.

Vitin që vjen do të jetë 270 vjetori i lindjes së Goethes, një përvjetor që do të shënohet në gjithë botën. Influenca e Goethe-s në mendimin shqiptar ka qenë e pamat, pasi me veprën e tij janë marrë një sërë figura të shquara të kulturës sonë si: Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Hilë Mosi, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Skënder Luarasi, Sejfulla Malëshova, Krist Maloki, Lazër Shantoja, Zef Simoni, Vangjel Koça, Branko Merxhani, Shevki Selenica, Aleks Buda, Hasan Mekuli, Klara Kodra, Shpëtim Çuçka, Pertef Kruja, Fatos Arapi, Petraq Kolevica, Pashko Gjeçi, Arshi Pipa, Petro Zheji, Bujar Doko, Robert Shvarc, Perikli Jorgoni, Aristidh Ristani, Visar Zhiti, Vehbi Bala, Jorgo Bllaci, Anila Omari etj. Kohët e fundit në Prishtinëështë botuar një libër i studiueses dhe pedagoges së gjermanistikës në Universitetin e Prishtinës Albuelena Blakaj, “Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare”, shkurt 2018. Sipas saj ky libër e ka zanafillën nga eseja që  titull fillestar  kishte “Gëte shqiptar”. Ky titull shprehte dëshirën time të përvetësimit të plotë letrar e kulturor, por jo edhe realitetin. Megjithatë, duhet të jemi të gëzuar që shkrimtari i madh, universal, shkrimtari i Njeriut të emancipuar, është edhe i shqiptarëve, ashtu siç është i tërë botës së civilizuar, i kulturave që e kanë kapërcyer gardhin e ngushtë nacional dhe janë bërë pasuri e të gjithëve.(Koha.net.Gëte, edhe i shqiptarëve).Ky konstatim i shkon më tepër për shtat krijimtarisë dhe personalitetit të Goethe-s , pasi asnjë më tepër se Goethe nuk e plotëson figurën intelektualit kozmopolit të përbotshëm që mbizotëroi me krijimtarinë e vet në mendimin europian në fund të shekullit të XVIII dhe në fillim të shekullit të XIX në Europë. Kjo veprimtari shumë e larmishme e personaliteteve të kulturës sonë për sa i përket figurës së Goethe-s, sidomos gjatë periudhës së letërsisë së Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe në vitet 50’-60’ të shekullit të shkuar duhet analizuar në përvjetorin e ardhëm sesa ka shërbyer për të kumtuar tharmin e veprës së Goethe-s por edhe për të përqasur vlerat universale të qytetërimit europian në atë shqiptar.

August 30, 2018 18:20
Komento

1 Koment

  1. Mehmet Metaj August 31, 21:14

    Bën mirë që shkruan Z. Koçi, dhe evokon përvjetorin e lindje së të madhin Gëte (ndërsa mua me duket dhe si rekuem për medhenjtë tanë të kulturës që s’i përmend kush, ose përmenden rrallë e për mallë, siç janë ata të hershëm, si Marin Barleti, Gjon Buzuku, Onufri, Konstandin Shapatarkau, Frang Bardhi, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Konstandin Kristofoiridhi, Vangjel Meksi, Shtjefen Gjeçovi, Naim Frashëri Pashko Vasa,, Sami Frashëri, Fan Noli, Faik Konica, Hil Mosi, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Migjeni, Zef Mala, etj, por mqse jeni dhe si përfaqësuesi i një institucioni kulture, duhet bërë më shumë kujdes kur shkruajmë për njerëz të mëdhenjë dhe gjenialë siç janë gjermanët e shkruante Noli ynë, në kllapa (Johann Wolfgang von Goethe, 28 August, 1749 – 22 March 1832) dhe jo Goethe në shqip..se kështu s’e kupton njeri se për kë e keni fjalën (?!).
    Dhe e dyta kur përmendni-referojmë figura të shquara të kulturës sonë ato nuk janë: Ndre’ Mjeda, Fishta e Noli, etj siç i keni listuar ju, por duhen përmendur në mënyre integrale, kronologjike dhe me sira’ të terë ata që kan spikatur dhe kan krijuar apo kan lënë gjurmë të pashlyera në memorien e kombit tonë siç janë korifejtë e artit dhe kulturës sonë: Marin Barleti, Gjon Buzuku, Onufri, Frang Bardhi, , Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Konstandin Kristofoiridhi, Vangjel Meksi, Teodor Voskopojari, Kostandin Shpataraku-Kavalioti, David Selenica, Kolë Idromeno, Elena Gjika(Dora d’Istria), Dhaskal Todri, Naun Veqilharxhi, Mihal Grameno, Koto Hoxhi, Papa Kristo Ndgovani, Pandeli Sotiri, Jani Vreto, Babëe Dudë Karbunara, Ibrahim Karbunara, Kristo Dako, Nuçi Naçi, Qamil Panariti, Shtjefën Gjeçovi, Asdreni, Petro Nini Luarasi, dhe Naim Frashëri, Sami Frashëri, Migjeni, Ndre’ Mjeda, Andon Zako Çajupi, Luigj Gurakuqi, Jani Minga, Gjergj Fishta, Hilë Mosi, Fan Noli, Faik Konica, Sejfulla Malëshova, Xhevat Korça, Hafëz Ali Korça, Sevasti, Parashqevi dhe Gjerasim Qiriazi, dhe më tej ata të kohës sonë si: Zef Mala, Aleksandër Xhuvani, Lasgush Poradeci, Vexhi Buharaja, Isuf Vrioni, Skënder Luarasi, Krist Maloki, Lazër Shantoja, Zef Simoni, Vangjel Koça, Branko Merxhani, Shevki Selenica, Teki Selenica, Aleks Buda, Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Musfa Demiri, Ilia Mitrushi, Hasan Mekuli, Klara Kodra, Shpëtim Çuçka, Pertef Kruja, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Kasëm Trebeshina, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Kujtim Spahivogli, Mitrush Kuteli, Kole Jakova, Petraq Kolevica, Pashko Gjeçi, Arshi Pipa, Petro Zheji, Sotri Kolea, Ali Asllani, Riza Dani, Hasan Ceka, Moikom Zeqo, Sander Prosi, Kadri Roshi, Bujar Doko, Robert Shvarc, Jorgjie Kruja, Vaçe Zela,…. Tefta Tashko Koço, Lekë Kaçaj, Perikli Jorgoni, Aristidh Ristani, Visar Zhiti, Vehbi Bala, Jorgo Bllaci,.etj.

    Dhe së treti kur flasim për Bajronin, nuk themi-shkruajmë Byron se dhe ky emër na duket çudi, por Bajron, siç jemi mësuar ta shohim dhe në kllapa sqarojmë lexuesin (George Gordon Byron, 1788-1824), , dhe së pari nga veprat përmendim Çajd Haroldin(1812) e tij të famshëm..Ndërsa unë pos sjell këtu një thënie-postulat që ai ka lënë për shqiptarët, se “vetitë bujve të shqipes s’ju mungojnë por ah sikur të ishin më të arrira”..Nuk dua t’ju mësoj se si shkruhet në shqip por shohim apo lexojmë shpesh në shtyp nga shumëkush emra të huaj, dhe sidomos njerëzve të mëdhnje te shtremeberuar, emri ne origjinal mbiemri në shqip ose e kundërta, dhe ata duhen shkruajtur ose në origjinal dhe në kllapa se si i lexojmë-themi në shqip, ose më mirë në shqip dhe në kllapa në origjinal, duke sqaruar-saktësuar se kush janë dhe datëlindjet-vdekjet e tyre siç na kan mësuar Konica dhe Noli ynë dhe siç bëjnë autorët dhe shtypi serioz i botës.
    Dhe së fundi mqse përmendni dhe rajtoni paksa gjuhën shqipe, unë nuk jam lingiust, por nuk shkrujamë “ravizuar” por “ravijëzuar”, dhe nuk thuhet konfucizmi, por konfucianizmi etj, se ju jeni përfaqesues i një institucioni kulture apo jo ?!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*