Sindromi i “supit të ngrirë”, këshillat si duhet trajtuar

July 31, 2018 17:54

Sindromi i “supit të ngrirë”, këshillat si duhet trajtuar

 

Pranvera Kola-DITA 

Ngrirja e supit është një ndër shqetësimet e shpeshta që shfaqet kryesisht tek moshat e rritura. Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita” se kujdesi për këtë sëmundje, e cila në gjuhën mjekësore njihet si: Sindromi i “supit të ngrirë”, kërkon kujdes të veçantë duke nisur me përcaktimin e saktë të diagnozës, e më pas me ndjekjen e trajtimit të duhur për lehtësimin e dhimbjeve. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara simptomat që shoqërojnë këtë sëmundje, fazat se si zhvillohet dhe masat që duhet të merrni për lehtësimin dhe trajtimin e dhimbjeve.

Çfarë është sindromi i “supit të ngrirë”?

Sindromi i “supit të ngrirë”, është një gjendje mjekësore në të cilën njëra nga shpatullat bëhet e ngurtë në lëvizje duke shkaktuar dhimbje të forta. Lëvizjet e shpatullave bëhen përgjithësisht të reduktuara dhe nganjëherë plotësisht të ngurta.

E gjithë kjo mendohet të ndodhë për shkak të formës së “dhëmbëzave” që formohen në kapsulën (mbështjellësen) e shpatullave. Në përgjithësi kjo problematikë me ngrirjen e supit mund të zgjasë nga dy deri në tre vjet.

Janë një sërë trajtimesh që mund të ndiqen për të lehtësuar dhimbjen dhe përmirësimin e lëvizjes së shpatullave. Megjithatë, në çdo rast duhet që të konsultoheni me mjekun specialist për të përcaktuar qartë masat që duhet të merrni për trajtimin dhe lehtësimin e këtyre dhimbjeve.

Cilat janë simptomat kryesore klinike të këtij sindromi?
Sikundër e theksuam edhe më lart, simptomat tipike të këtij sindromi janë dhimbja, ngurtësia në lëvizje e shpatullës, si dhe kufizimi i diapazonit të lëvizjeve të supit. Zakonisht shfaqja e dhimbjeve kalon në tre faza, të cilat po i detajojmë në vijim. Secila prej këtyre fazave shfaq karakteristikat e veta dalluese.

Faza e parë
Faza e parë është ajo e shfaqjes fillestare të dhimbjes. Në këtë rast dhimbja është simptoma e parë që tregon problemin e ngrirjes së supit, për të cilën duhet të vijojmë me kryerjen e ekzaminimeve përkatëse diagnostikuese. Në këtë fazë, zakonisht dhimbja është më e fortë dhe e bezdisshme gjatë natës, e veçanërisht kur shtrihemi në anën e prekur.

Faza e dytë
Faza e dytë përfshin stadin e ngrirjes. Në përgjithësi kjo fazë zgjat nga 4 deri në 12 muaj.

Dhimbjet në këtë fazë lehtësohen gradualisht, por ngurtësimi dhe kufizimi i lëvizjeve persistojnë akoma.

Megjithatë ka edhe raste në të cilat dhimbjet gjatë kësaj faze mund të përkeqësohen edhe më shumë dhe kërkojnë detyrimisht kujdes të specializuar mjekësor.

 

Faza e tretë
Faza e tretë ose “shkrirja“ është faza e rimëkëmbjes. Kjo fazë zgjat zakonisht një deri në tre vjet. Dhimbjet dhe ngurtësimi shkojnë gradualisht, po ashtu edhe lëvizjet kthehen gradualisht drejt normales. Simptomat klinike shpesh cenojnë aktivitetin e përditshëm jetësor të pacientit, si veshjen, ushqyerjen, ngarjen e makinës, apo edhe kryerjen e punë të ndryshme. Simptomat në përgjithësi zgjasin rreth 2-3 vjet dhe në një pakicë të rasteve mund të zgjasin edhe më shumë se sa kaq.

Cilët janë më të predispozuar për të zhvilluar këtë sindromë?
Sindromi i supit të “ngrirë” prek rreth 3 për qind të të rriturve në një fazë të jetës së tyre. Më së shpeshti ndodh rreth moshës 40-65 vjeç dhe është më e zakonshme te gratë, se sa te burrat.

Gjithashtu më të ndjeshëm janë personat që vuajnë nga diabeti, gjëndrat tiroide, apo edhe sëmundje të tjera kronike. Duhet theksuar se sindromi i supit të “ngrirë” nuk është shprehje e inflamacionit të supit (artritit) dhe gjatë kësaj kohe nuk preken nyje të tjera artikulare.

Nga se shkaktohet?
Shkaku se pse ndodh kjo sindromë nuk është ende qartësisht i përcaktuar. Dihet vetëm që në këto raste kemi të bëjmë me trashje të kapsulës artikulare. Kapsula është një ind i hollë që mbulon dhe mbron shpatullën. Arsye të ndryshme shkaktojnë trashjen e kapsulës duke u shoqëruar me kuadrin e plotë klinik të këtij sindromi, të cilin e përshkruam më lart.

Si vendoset diagnoza?
Në përcaktimin e diagnozës ka rëndësi përjashtimi i shkaqeve të tjera që kanë simptoma të ngjashme me gjendjen që ne përshkruam më lart. Për këtë mjeku mund të kërkojë kryerjen e një sërë ekzaminimeve klinike, laboratorike dhe radiologjike, sipas simptomave të paraqitura. Në varësi të përgjigjeve të dala nga këto teste, si dhe saktësimit të sindromit, mjeku përcakton edhe llojin e trajtimit që duhet të ndiqni, që nga kujdesi për stilin e jetesës, e deri tek medikamentet që duhet të përdorni për lehtësimin e dhimbjeve.

Sa i takon trajtimit që duhet të ndjekin pacientët me këtë sindromë, çfarë mund të themi?
Qëllimi i trajtimit të sindromit të “supit të ngrirë”, është të lehtësojë dhimbjet dhe ngurtësimin, si edhe të ruajë gamën e lëvizjeve të supit sa më mirë që të jetë e mundur, derisa gjendja të kalojë. Prandaj këshillohet përdorimi i analgjetikëve (qetësuesit e dhimbjeve).

Si fillim rekomandohet paracetamoli, por edhe ky duhet marrë vetëm sipas porosisë së mjekut. Kjo pasi në të kundërt duhet të dini se janë të shumta efektet toksike të paracetamolit mbi mëlçinë. Nëse dhimbjet janë më të forta përdoret kombinimi i qetësuesve të tjerë, si për shembull kodeina, ibuprofen, apo edhe preparatet kortizonike në varësi të gjendjes së pacientit, por edhe të situatës individuale shëndetësore (sëmundjet shoqëruese dhe terapitë përkatëse).

Po ushtrimet si ndikojnë në lehtësimin e dhimbjeve?
Në këto raste janë të këshilluara edhe ushtrimet që ndihmojnë lëvizjen e shpatullave. Qëllimi i këtyre ushtrimeve është ruajtja e shpatullave nga ngurtësimi (ose lehtësimi nëse është shfaqur) dhe ruajtja e lëvizjeve sa më të plota që të jetë e mundur. Është e rëndësishme që ushtrimet të kryhen rregullisht dhe të udhëzohen nga mjeku fizioterapist.

Po kirurgjia e gjen vend në reduktimin dhe trajtimin e dhimbjeve të shkaktuara nga ky sindrom?
Në jo pak raste është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale. Megjithatë duhet thënë se, ndonëse kirurgjia ka një shkalle të mirë suksesi, ajo nuk ndihmon në të gjitha rastet. Është e rëndësishme të përmendim se në jo pak raste, vetë pacientët tentojnë të kufizojnë lëvizjet e shpatullës duke e mbajtur atë të lidhur së bashku me parakrahun. Është me të vërtet e rëndësishme të dini se duhet të shmanget imobilizimi (pengimi i lëvizjeve). Kjo do ta bëjë më të vështirë rimëkëmbjen dhe do të duhet më shumë kohë për t’u përmirësuar.

Cila është ecuria e sëmundjes?
Sindromi i supit të “ngrirë”, siç e theksuam edhe më lart mund të vazhdojë 18 muaj deri në tre vjet. Megjithatë shumica dërrmuese e njerëzve shërohen deri në nivele normale të funksionimit dhe të lëvizjes për dy vjet, madje edhe pa ndonjë trajtim të veçantë.

 

p.k/dita 

July 31, 2018 17:54
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*