Sinopse artistike

March 14, 2019 12:30

Sinopse artistike

Moikom Zeqo

Fytyrat tona të ashpra, naive, autoritare dalëngadalë treten në vite ashtu si aroma e një parfumi të një femre që kaloi dikur – e panë të gjithë, – s’ktheu kokën, iku dhe s’u kthye më !

PATKONJ ARI

A mundet t’i gozhdoj ëndërrat e Martin Luter Kingut si patkonj ari në Pegasin e vetë Homerit të harruar?

KU JENI URBANISTË?

Ku jeni urbanistë që skiconi kanalizime për ujërat e zeza në trurin e botës?

NDRIÇIMI PËR LEXIM

Nga nëndheu, nga thellësirat pa zë shkëlqen fosforeshenca e eshtrave të stërgjyshërve Ah, eshtrat e Florimontit dhe Skënderbeut, e Buzukut dhe Barletit! Kjo fosforeshencë e pavdekshme na ndriçon mjaftueshëm, misteriozisht për të parë dhe për të lexuar në terr të kujtesës.

PARAJSAT E HUMBURA

Si mundet trumcaku i vetëvrarë i Migjenit të arrijë tek Parajsat e Humbura?

DETET BOSA

Gjeneza (2,17): mos hani nga Pema e Njohjes të së Mirës dhe të Keqes, se po të hani prej saj me siguri do të vdisni.” Krishti na fton në një peshkim të mrekullueshëm edhe mbi detet bosh!

THIRRJET E ILIRËVE

Si t’i zhvarros nga gjaku im tërë thirrjet e ilirëve të vdekur? Një ujk i vetmuar lëpin gjak yjesh bjeshkatare. Sa simbole shfaqen dhe lëvizin mes Testamentit të Vjetër – prej tyre mund të shkruhen mijëra Testamente të Rinj të ngjashëm dhe të ndryshëm. Ah, ilirët e vjetër pa Mesi!

SHPRESA SI FALLSIFIKIM

Historia shpesh është Antihistori.

Shpresa, kjo falsifikatore e madhe e së Vërtetës!

Kudo lëviz, shfaqet këmbëpalarë Miss Mosmirënjohja!

PRARIMI I PRITJEVE

Në udhëtimin e dikurshëm të Dantes tani lëviz shpura e të verbërve.

Dhe mua një dritë e munguar m’i praron tërë pritjet!

EMRI IM SI SHËNJAT E GISHTËRINJVE

 Le të mbetet emri im, si shenjat e gishtërinjve mbi dorezën e portës së Poezisë, që e hapin të gjithë, por pak, shumë pak janë ata, që hyjnë brenda.

JETA SËPRAPTHI

Orët ikin sëprapthi, kam lindur në shekullin XX, martohem në shekullin XIX, lind fëmijë bashkohës me Marin Barletin, ndërkohë i kam botuar librat në Tipografinë e Padovës në një vit me Pjetër Bogdanin, më pas i moshuar rri i vetmuar dhe lexoj Danten dhe mbyll sytë dhe vdes diku nga shekulli XII.

Kjo është alternativa B e jetës time.

 Alternativa A është më pak interesante!

AMEN! AJME!

Pazëshmëria ime shumëfishohet nga sendet.

Del koka e kësaj dite nga kafkulli prej breshke i Historisë.

Të vdekurit mund të ngjallen.

Amen!

Por të gjallët mund të vdesin vetëm njëherë.

 Ajme!

QUMËSHTI QIELLOR

Nga Kashta e Kumtrit ende rrjedh qumështi mitik i ujkonjës së lashtë romake.

Pik, pik, mbi planet, qumështi që i rriti jetimët e braktisur – Romin dhe Romulin, tashmë të harruar përgjithmonë.

Pik, pik, qumështi që s’e ditën fëmijët e varfër të botës, lypësit dhe foshnjat gjithashtu të braktisur.

Ah, sa shumë të braktisur!

Ah, qumështi që mungon!

TETOR

Tetori i bakërzon tërë gjethet, peizazhet e bashkë me to edhe flladet dhe koralet e Currilave.

Guaskat janë jehona të burgosura.

Shirat e beftë!

Ç’muzikë në pentagrame ylberesh!

Tetori i farkëton, i bën më të purpurt muzgjet, Hënën dhe netët plot yje të vetëflijuar!

TOKA DHE LETRA

Toka është si pa formë. Por nën të fshihen mozaikë të mistershëm.

O, letra e pashkruar ende!

Fsheh botët alfabetike të shpirtit tim!

Toka dhe letra jonë e njëjta metaforë.

GJYMTYRË GJEOGRAFIE

Këtu jam i shtrirë me fytyrën lart, me gjymtyrët në gjeografi, por ju s’e dini, s’e dini!

Shqiponjat më vërtiten mbi vetullat, luginat e muzgjetë janë sqetullat e mia!

KALORËSI BLU, APOKALIPSI I GJELBËR

Kalorësi Blu i Kandinskit po i fryn trumbetës së Apokalipsit të Gjelbër!

QIRIRI I NAIMIT

Edhe në terrin më të madh vetëm me qiririn e Naim Frashërit shqiptarët i shpikin agimet e mëdha!

PËRJASHTA, PËRBRENDA

Ti je Hënë nga përjashta dhe pyll i pafund gjelbërimesh e ujërash përbrenda!

IDETË E MISTERSHME

Besomëni, do të mbart me fshehtësi si murgjërit bizantinë që sollën krimbat e mëndafshit që nga Kina, brenda shkopinjve të zgavruar, për në Perëndim, do të mbart kështu idetë e mistershme të shpirtit tim rebel!

PIKASO, A E DI?

Trupat tanë janë telajo për të pikturuar mbi to ëndërrat! Pikaso, a e di këtë?

PULËBARDHA RREGJISTRUESE

Tek shkëmbejtë e Currilave lëviz i vetëm.

Stina e magjishme më frymëzon!

Vetëm një pulëbardhë më rri mbas shpatullave e më regjistron fjalët që them ashtu si Prohori për shën Gjonin ungjilltar!

Vetëm një pulëbardhë!

GOJËT E ZAMBAKËVE

Çfarë fshihet brenda (përtej) fjalëve?

Sëmundja e dekoratives?

Historia është si rëra, që lëviz dhe fshin tërë gjurmët e mëdha.

Imazhet që shpërthejnë janë shatrivanët e etjes së engjëjve. Po ku është poetika e mrekullueshme e sendeve flurore?

Gojët e zambakëve thonë emrat e humbur.

LUANË GURI ME SY NJERIU

Fryn era e keqe e viteve të kalbëzuar, që deformohen brenda meje.

Dheu prej silici ndriçon thembrat e mia akiliane. Do të shkoj deri në fund të shkretëtirës aty nuk ka luanë guri me sy të gjallë njeriu!

KËPUCËT E VAN GOGUT

Këpucët e Van Gogut janë për këmbët e një poeti marsian. Po a ka vallë një poet të tillë?

Tërë poetët e tjerë kanë si alter ego statujat e rreme.

Ah, të vdes këmbëzbathur duke parë si fluturojnë në qiej këpucët e Van Gogut!

ABSOLUTJA SI VETMI DHE SI LIRI

O hyjni femërore, që kurrë s’më zvetënuat !

Nuk ka revolucion pa dashuri !

Nuk ka vizion pa materializim !

Tani muskujt e mi ua dhashë kuajve të egër që vrapojnë në përjetësi.

Aty ku absolutja është vetmia dhe liria ime!

KALIGRAFI GJETHESH

Gjethe që vërtiten, gjethe që rrotullohen.

Askush s’i ve veshin muzikës ajrore.

Kaligrafi gjethesh të hungrijnë të humbur.

Kaligrafi sublime, por pa subjekt, pa autor!

KONSERVA AMËSHIMI

Ah, Amshimi!

Ah, të paketosh amshimin si konserva supermarketi e t’i dërgosh në kryeqytetin Luçiferrium të Ferrit!

VETMIA, OBELISK EGJIPTIAN

Vetmi e lartësuar si një obelisk egjiptian.

I rrëmbyer nga Egjipti i një planeti tjetër.

Ajo që është jashtë nesh është edhe brenda nesh.

DRURËT ME VOLTAZH TË VERDHË

Shoh drurët se si ndrisin në muzgun e Currilave.

Drurët me një voltazh misterioz, të verdhë.

KOPSHTET E MUZGUT

Poeti krasit yjet me kopshtet fantazmagorike të muzgut.

DETI

Deti ka mbështetur kokën e tij prej Guliveri, flokët e tij të kaltër plot zbokth kripe në bregdet.

Duket sikur fle.

Por në të vërtetë nuk fle.

PREZANTIMI

Librat janë mumiet tona, që ua tregojmë vizitorëve të shekujve.

Apo ne jemi mumie që na prezantojnë në kohë dhe në hapësirë vetë librat?

KUSHTETUTA E ARTIT

Arti është më shpesh një kushtetutë universale e shkruar me gabime të çuditshme e të pakorrigjueshme dot.

MARGARITARËT E HESHTJES

Çdo sferë është përsosmëria absolute.

Po Hëna ka zënë myk si orendi e vjetër në skaj.

Truri im është Sioni, ku profetët s’vijnë kurrë.

Po deti im vetjak është plot peshq-ide, të kaltër.

Veç heshtja mbush me margaritarë gojën e të vdekurit.

GJYGJI I MBRAMË PA AVOKATË

Të vdekurit kanë kartëvizita radiografitë e tyre.

Por në Gjyqin e Mbramë s’ka avokatë mbrojtës!

HOROSKOPËT E BABILONISË

Shpesh fjala është vetmi e kulluar dhe abstrakte.

Thyhen klepsidrat!

Alfa dhe Omega janë si dy Kryeëngjëj të Infinitit.

Njeriu sheh horoskopët e Babilonisë në tavanin e tij!

TË VDEKURIT

Lëvizin erërat në kontinente.

Gjëmojnë erërat mbi metropole.

S’janë erërat, por të vdekurit që shkojnë edhe vijnë pa gjetur qetësi.

GJETHJA PITER PAN

Një gjethe si Piter Pani fluturon mbi përrallën time të Fëminisë.

ILAÇE NGA FERRI

Sëmundja e të majmurit i rëndon tërë të zgjedhurit e Parajsës dhe ato ëndërrojnë ilaçe nga Ferri për të ruajtur linjën elegante.

RINIA E POETIT

Poeti i thinjur rininë e freskët plot vesë të ndritshme e ka përhapur në lule, drurë, në krifat e kuajve dhe në dete.

NJERIU I MADH

Kur njeriu i madh vdes ne jemi akoma më të gjallë edhe për hir të vdekjes së tij.

SHOH

Shoh si qesh në erë shën Maria e Zambakëve.

Zogjtë janë aureola e saj.

STUHITË

Stuhitë janë si dhjetë virgjëreshat e ungjillit me llamba të pashuara në duar të ndezura nga zjarri i ngjyrave të Onufrit.

UNGJILLI I KASHTËS SË KUMTRIT

Bima është liria që del nga burgosja e farës.

Mbase për këtë diçka thotë Ungjilli i Kashtës së Kumtrit.

QUMËSHTI I NJERËZIMIT

Femra ka diçka më shumë se mashkulli.

Ka në trup edhe gjak edhe qumësht.

Ah, qumështi që mëkon njerëzimin!

SUBSTANCAT E MBARSURA

Të lumtur janë ata që kanë çliruar imazhet nga vetvetja për të tjerët.

Të gjitha substancat janë të mbarsura.

Njeriu vdes por jo bashkë me Gjithësinë!

FRAKU NË BALLON E HIJEVE

Një lakuriq nate i huazon trumcakut frakun e tij për ballon e hijeve.

TMERRI

Tmerri më i madh është kur të gjallët kanë zili të vdekurit.

KUJTESA

Kujtesa flakëron, lëviz si një sulm i pandalur manushaqesh apo jargavanësh në muret e një kështjelle të lashtë dhe të braktisur.

DORA E AROMËS

Zgjatet dora e aromës që nga lulet të na pikturojë idetë!

LISI TIMON

Lisi i mbetur në majën e malit ngjan si timoni i anijes fantastike të erërave.

S’E DINI

Ah, kam ngrirë në kohërat e rubinit.

Ah, jam kristalizuar më mijëvjeçarët e diamantit.

Dhe ju s’e dini, s’e dini!

RINGJALLJA

Poetin e ringjall edhe një trëndafil mes pluhurit.

KTHIMI NË FËMINI

Si të kthehem tek ty Fëmini ?

Është si të hapësh sirtare të vjetër e të gjesh plot letra të papostuara kurrë.

LULËZIMET E ARDHJES

S’po të pres vetëm unë e dashur.

Po të pret edhe ky kopsht në erë.

Sepse kopshti i mirëpret lulëzimet e ardhjes tënde.

GJENERALËT E ÇMENDUR

Ushtari Shvejk!

Ushtari Shvejk!

Pse tërë gjeneralët janë çmendur në këtë botë?

 

March 14, 2019 12:30
Komento

2 Komente

  1. Rrespekt ...I NDERUAR MOIKOM March 14, 20:51

    Eshte kenaqsi te lexosh kte Blog ,

    te duket sikur mbas asaj lodhje te gjate

    udhetimesh rreth Botes ,

    i cfilitur / mbyll syt

    leshohesh krahhapur mbi kte kopeshte magjike

    lulesh shumengjyreshe ,

    sikur te kishe perpara kopeshtin e Parajses

    e mbasi je mbushur thelle me fryme ,

    nga thellesia e gjoksit

    leshon nji pasthirme ;

    Ohhh c’Bote e bukur …c’ Arome !

    Reply to this comment
  2. demo March 14, 20:52

    Ah k.s.Spiri,,..k.s. Spiri!
    O xha Gaqo!Je ti autori,nuk jam une!
    Ti nje,Niko Nikolla dy dhe Dritero Agolli tre,jeni tallur kot me k.s. Spirin!
    Do t`i dergoj parate e navllos nga Amerika,por vetem botoje dhe njehere ate numurin e revistes Hosteni me karikaturen:E KA NJE DERRASE MANGUT.
    Se 1984,se 1985,nuk me kujtohet tamam viti.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*