Sinopse dhe skica arkeologjike (II)

June 19, 2017 10:36

Sinopse dhe skica arkeologjike (II)

Vijon nga numri i kaluar

 

Nga Moikom Zeqo

Mbi pikturën shkëmbore në Spile të Trenit

Moikom Zeqo

Studiuesi Djurdje Boskovič nga Beogradi, specialist i pikturave rupestre (shkëmbore) mori pjesë në Kuvendin I të Studimeve Ilire, që u mbajt në Tiranë 15-20 shtator 1972. Duke qenë i pranishëm e mbaj mend shumë mirë interesimin e madh që ngjalli diskutimi i tij.

Bazuar në studimin e Myzafer Korkutit “Le pitture rupestri di Treni (Albania)” “Bulletino di Centro Communo di Studi Preistorici”, IV, 1969 si dhe në “Studime historike” 2, 1969 dhe në “Studia albanica” 1, 1972, pa harruar dhe fotografitë shumë të mira në “Shqipëria arkeologjike”, Tiranë, 1971, Boskoviči bëri parashtrimet e tij kundërshtuese, duke i klasifikuar pikturat shkëmbore të Trenit jo si prehistorike, por si mesjetare.

Boskoviči ve në dukje se: “Nuk ka shumë kohë që shkenca u pasurua me njohjen e një dokumenti jashtëzakonisht interesant, me pikturat cinegjetike të paraqitura në shkëmbin e Spilesë, afër fshatit të Tenit, në Shqipërinë e Jugut. Ne tani e njohim fare mirë atë, në sajë të studimit të kolegut tonë Myzafer Korkutit.

Është fjala për një skenë gjahu drerësh, që ndiqen nga gjahtarë, të hipur në kuaj dhe nga qen.

M.Korkuti ka vënë në dukje, që në fillim fare mirë, se në Ballkan mund të gjenden ngjashmëri me këtë skenë vetëm në një kompozim të punuar në të njëjtën mënyrë me një shkëmb shumë të pjerrët në Lipci, në grykën e Kotorit.

Duke u mbështetur në sa është thënë për këtë kompozim nga autorë të ndryshëm, si dhe në ngjashmëritë me disa skena të të njëjtit lloj të vizatuara në shkëmbinjtë e Val Kamonikës, në Alpet Jugore, autori mendon ta caktojë si datë për këtë kompozim mbarimin e mijëvjeçarit II të erës së vjetër.

Pikërisht kësaj epoke i përket shtresa parahistorike që është zbuluar në shpellën e Trenit, 500 metra larg shkëmbit të Spilesë.

Mirëpo unë kam pasur rastin të studioj edhe kompozimin e Lipcit dhe përfundimet që kam nxjerrë si për këtë monument ashtu edhe për pikturat e Spilesë sot, janë pak ndryshe.

Pikë së pari, në Lipci nuk është fjala vetëm për paraqitjen e një tufe drerësh dhe drenushës, siç e kemi parë më parë, por edhe për një kompozim të gjahut të drerëve që ndiqen nga dy gjahtarë të hipur në kuaj. Është e vërtetë se këta kalorës nga përpjesëtimet janë paraqitur në mënyrë shumë më të thjeshtë dhe më skematike se sa ata të Spilesë. Ka gjithashtu rëndësi të vihet në dukje se kompozimi i Lipcit përmban edhe dy kryqe të thyera të paraqitura me një formë të posaçme.

Nga ana tjetër, në krahinat prapa Grykës së Kotorit, në Mal të Zi, po sidomos në Hercegovinë, në Bosnjë dhe madje në Serbinë perëndimore dhe në Dalmaci, gjenden aurë varri, – stecakë, – që janë me mijëra, një numër i madh të cilëve janë zbukuruar me relieve, midis të cilëve ka një numër mjaft të madh kompozimesh gjahu drerësh. Ajo që ka rëndësi të madhe është se në shumë kompozime me skena gjahu janë vënë edhe kryqe të thyera, midis të cilave ka forma krejt si ato të Lipcit. Të gjithë këta gurë varri janë të shekullit XIII dhe të gjysmës së parë të shekullit XIV dhe arrijnë fazën më të lartë në shekujt XIV dhe XV.

Ngjashmëria midis kompozimit të Lipcit dhe atyre që gjejmë mbi stecakët, si nga pikëpamja e temës ashtu dhe nga fryma e forma është aq e qartë sa që nuk mund t’i përkasë veçse së njëjtës epokë, sidomos për arsye se ndodhet tanimë në skajin e të njëjtit territor.

Po ta studiojmë tani kompozimin e Spilesë do të gjejmë edhe disa elementë që na çojnë, për sa i përket datimit, në të njëjtin përfundim.

Pikë së pari si tema ashtu edhe teknika e punimit, – viza me gëlqere të vendosura në shtresa mjaft të trasha, – janë pothuaj krejt të njëllojta me ato të Lipcit. Edhe format e drerëve janë mjaft të ngjashme megjithëse ato të kalorësve ndryshojnë mjaft.

Nga ana tjetër, në Lipci nuk ka qen dhe në Spile nuk ka kryqe të thyera. Mirëpo fryma e përgjithshme, dhe së bashku me të me sa duket edhe funksioni – ndoshta me qëllim kulti, – që duhej të kryenin të dy kompozimet, janë krejt të njëllojtë. Le të theksojmë edhe se të dy kompozimet, ai i Lipcit dhe ai i Spilesë, ndodhen në ambiente, në peizazhe për çudi të ngjashme.

Duke ju afruar edhe ca kompozimit të Spilesë ne do të mund të vinim re edhe aty hollësira që mund t’i përkasin vetëm Mesjetës.

Kështu të dy kalorësit e radhës së poshtme i mbajnë heshtat në gatishmëri; horizontalisht sipas mënyrës së kalorësve të Mesjetës. Maja e heshtës së kalorësit të mesit është zbukuruar me një flamur të vogël. Po ky kalorës mban një përkrenare me majë.

Të tre kuajt që janë ruajtur mirë edhe sot kanë frerë të dyfishtë. Kalorësi i pjesës së sipërme të kompozimit mban në dorën e djathtë të përthyer te bërryli, një zog – ndoshta një fajkua. Ka të ngjarë edhe një fajkua në fluturim të jetë paraqitur sipas majës së heshtës së kalorësit të qendrës.

Qentë marrin pjesë në gjah si ndihmës të stërvitur të njeriut.

Për të gjitha këto elementë ne gjejmë në relievet e stecakëve ngjashmëri pak a shumë të drejtpërdrejta. Unë po zgjedh këtu, me qëllim krahasimi, vetëm disa nga më karakteristiket.

Këto konstatime na çojnë në përfundime me një rëndësi të pakundërshtueshme.

Edhe unë vetë jam i detyruar t’i ndryshoj përfundimet e mia të para në lidhje me kompozimin e Lipcit. Në fillim fare mendoja se ky kompozim i përket krejt kompleksit të artit të stecakëve. Po nuk mund të jetë aspak kështu kur është fjala për kompozimin e Spilesë. Ai është shumë larg nga krahina e stecakëve, kështu që duhen kërkuar shpjegime të tjera për lindjen e tij.”

Boskoviči i afrohet të vërtetës.

Për mendimin tim duhet të artikulonte më shumë disa shpjegime më kuptimore në rrafshin e artit.

  1. Arti pikturik në gur nuk është bërë vetëm në prehistori por edhe në mesjetë. Kjo është pikë e fortë arsyetimi dhe krahasimi.
  2. Ikonografia e shkencës së gjahut me kalorës që përdorin fajkua, heshta dhe mbi kuaj që mbajnë frerë hekuri për të gjuajtur drerët flet për një semantikë mesjetare të gjahut të një bashkësie kalorësish, që parakuptojnë një rang shoqëror deri diku një shkallë hierarkike të feudalizmit.

Frerët, heshtat prej hekuri të çojnë në ekzistencën e punishteve të farkëtarëve, gjë e pakuptueshme në mijëvjeçarin e dytë para erës sonë kur Korkuti e daton pikturën e Trenit. Stërvitja e fatkojve tregon gjithashtu një cilësi për praktikat e gjahut në mesjetë.

  1. Në kompozimin e Trenit bien në sy edhe elementë të tjerë: njëri nga kalorësit mban një përkrenare me majë, maja e heshtës së kalorësit të mesit ka një flamur të vogël. Qentë duken se veprojnë të stërvitur si në një formacion.

Pra kultura e organizimit të gjahut nuk është spontane, as kuturu.

  1. Teza e Boskovičit se stili dhe nomenklatura e pikturave shkëmbore të Trenit (Spilesë) dhe Lipcit mund të lidhen me artin e stecakëve (steçkave) të bogomileve duket jo e sigurtë, ambiguide.

Mendimi im është se kjo lidhje është më e natyrshmja dhe më e shpjegueshmja.

Herezia e bogomileve qe shumë e madhe në zonën e fushës së Korçës.

Prej shumë kohësh unë e kam botuar një studim ku e kundërshtoj tezën e Korkutit se piktura e Spilesë në Tren është prehistorike.

Dr. Petrika Lera në artikullin e tij “Një element i ri në pikturën shkëmbore të Spilesë në Tren”, Tempulli, 1998, f. 18-21 shkruan: “Sipas M.Korkutit piktura e Spilesë është një vepër prehistorike e realizuar nga ilirët aty nga fundi i periudhës së bronzit të vonë. Në përcaktimin e kësaj moshe ai u mbështet në të dhënat arkeologjike të zbuluara në shpellën e Trenit që gjendet shumë pranë pikturës së Spilesë, si dhe në ngjashmërinë që paraqet kjo pikturë si në aspektin teknik, ashtu dhe atë tematik me ato të zbuluara në vise të tjera të Ballkanit dhe jashtë tij.

Në kundërshtim me këtë vlerësim B. Boskoviç është i mendimit se piktura shkëmbore e Spilesë – ndonëse siç vëren M. Korkuti ofron shumë si në aspektin tematik, teknik dhe peizazhit me atë të Lipcit në Mal të Zi dhe të Val Camonica pranë Breshias (Brescia) në Italinë e veriut, – kurrsesi nuk është prehistorike, por mesjetare. Një provë e sigurtë për këtë janë gurët e varreve – stecake të zbuluara me mijëra në Mal të Zi, Hercegovinë, Bosnjë dhe Dalmaci, të cilat janë zbukuruar me relieve, një pjesë e mirë e të cilave paraqesin kompozime gjahu, drerësh, njëlloj si ato të Spilesë.

Ngjashmëria midis pikturës së Spilesë dhe relieveve të stecakëve, siç provon B. Boskoviç, nuk qëndron vetëm tek tematika, por edhe tek shumë elementë të tjerë, që kanë të bëjnë me paraqitjen e figurave dhe të elementëve që i shoqërojnë ato, si flamuri, zogu etj

Relievet e stecakëve si për nga tematika dhe figura botëkuptimore religjioze janë të shekullit XIII dhe të gjysmës së parë të shekullit XIV dhe arrijnë fazën më të lartë në shekujt XIV – XV.

Pra, siç shihet midis pikëpamjes së M. Korkutit dhe B. Boskoviç ekziston një diferencë kohore e gjatë prej afro 2600 vjetësh. Në të mirë të sqarimit të mëtejshëm të përkatësisë kohore të pikturës shkëmbore të Spilesë, do të donim të jepnim ndihmesën modeste, nisur nga një zbulim i ri, i bërë kohët e fundit në këtë vend.

Është fjala për një element të përfaqësuar nga një figurë Kryqi, i cili ndonëse i vetëm ka një rëndësi të madhe në saktësimin e moshës së pikturës së Spilesë.

Zbulimi i figurës së Kryqit u bë i mundur gjatë organizimit të një ekspedite të përbashkët vëzhguese në disa nga pikat arkeologjike të rrethit të Korçës, me kolegët gjermanë të kryesuar nga Prof. B. Mënsel.

Figura e Kryqit gjendet rreth 12 km më poshtë në faqen lindore të shkëmbit, që lartësohet i shkëputur në formën e një shtylle masive njohur me skena gjahu.

Kryqi është pikturuar në një lartësi prej afro 2,70 m nga rrëza e shkëmbit, por mund të arrihet dhe soditet më nga afër në sajë të një blloku shkëmbor që gjendet poshtë tij. Materiali me të cilin është bërë pikturimi i Kryqit është i njëjtë me atë të skenave të gjahut.

Ai përfaqëson një pastë gëlqereje, me ngjyrë bezhë të çelët në të verdhë, sot në gjendje të petrifikuar (ngurtësuar) dhe të lidhur fort me faqen shkëmbore.

Pasta e përdorur për pikturimin ka qenë në gjendje brumi të trashë, gjë që duket nga relievi pak a shumë i ngritur i figurave.

Figura e Kryqit nuk është plotësisht e ruajtur. Nga krahët e tij janë shkëputur copa pikture, ku më të mëdha e ku më të vogla, por megjithëkëtë leximi i tij është i qartë për këdo që e shikon, ndonëse zbukurimi ka qenë një shans i bukur, mbasi faqja shkëmbore ka të njëjtën ngjyrë me atë të pastës, që ka sot piktura.

Kufijtë ekstremë të krahëve të Kryqit janë të qartë dhe kjo bën të mundur njohjen e përmasave të tij. Kështu krahu vertikal është i gjatë 33,5 cm, ndërsa ai horizontal 23 cm. Në të katër hapësirat e Kryqit ruhen mbetje germash.

Ndonëse germat nuk ruhen në mënyrë të kënaqshme, nuk është e vështirë të kuptohet se ato përfaqësojnë inicialet  e një firme tani të njohur në botën ortodokse bizantine dhe pasbizantine, siç është ajo e Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit.

Kështu në dy hapësirat e sipërme të Kryqit, mbetjet e germave do t’u përkisnin inicialeve IC/XC, kurse në dy hapësirat e poshtme, inicialet NI/KA. Ky Kryq me këto iniciale në liturgjinë ortodokse gjendet në pjesën qendrore të meshanikut dhe simbolizon në tërësinë e vet qengjin, i cili personifikon Krishtin.

Në leximin e inicialeve të Kryqit të Spilesë mund të veçojmë dy pjesë, të sipërmen dhe të poshtmen.

Në të sipërmen inicialet përfaqësojnë emrin e Birit të Perëndisë Jezu Krisht, kurse në të poshtmen bekimin “Fiton”. Pra, në tërësinë e vet Kryqi i Spilesë simbolizon bekimin e Birit të Perëndisë, në mundjen e kundërshtarit dhe sigurimin e fitores.

Tani bëhet fare e qartë, pse piktorët e Spilesë së Trenit zgjodhën dhe pikturuan pikërisht këtë Kryq, që i paraprin kompozimit të tyre në ndeshjen me drerët.

Nga e djathta: Arkeologu i shquar Frano (Ҫesk) Prendi, Aleks Buda, Moikom Zeqo, Neritan Ceka dhe Afrim Hoti.

 

Prania e figurës së Kryqit në Spilenë e Trenit, me simbolet karakteristike mesjetare, realizuar me të njëjtin material dhe me të njëjtën teknikë, ashtu sikurse dhe kompozimi me skena gjahu, dëshmon qartë se kjo e fundit nuk mund të mbahet më, sikundër mendohet nga M. Korkuti, si një vepër e artit prehistorik.

Dëshirat lidhur me këtë vlerësim janë shprehur me kohë prej B. Boskoviç, ndonëse ai atëherë nuk ishte në dijeni të pranisë së figurës së Kryqit në pikturën e Spilesë së Trenit. Në sajë të veçorive stilistike dhe përngjasimeve me ato të vendgjetjeve të tjera të Ballkanit B. Boskoviç e vlerësoi kompozimin piktural të Spilesë, si një vepër mesjetare të shekullit XIV – XV. Ky vlerësim tani, me zbukurim në Spilenë e Trenit të figurës së Kryqit, gjen një konfirmim edhe më të plotë lidhur me përkatësinë mesjetare të kompozimit pikturor me skena gjahu.

Krahas Kryqit në afërsi të kompozimit piktural të Spilesë u gjetën edhe disa fragmente qeramike kryesisht parete dhe vegja, enësh karakteristike për kohën e mesme.

Ndër to më shprehëse janë vegjët vertikale të bardhakëve me seksin petashuq, zakonisht të zbukuruara në kurriz me nga një të thelluar, të realizuar me incizim, tipike për shek. X  – XI. Prania e kësaj qeramike sugjeron një datë mbase më të hershme se shek. XIV – XV për realizimin e kompozimit pikturor të Spilesë.

Me datimin e pikturës shkëmbore të Spilesë së Trenit në Mesjetë, trashëgimisë ortodokse shumë të pasur të trevës së Korçës i shtohet një vepër e re, në një gjini të re, të panjohur më parë, siç është piktura shkëmbore.”

Faktet e mësipërme plotësojnë.

Por unë kam një kontestim. Kryqi me simbolin NIKA nuk ka lidhje me semantikën religjioze të pikturës shkëmbore të Spilesë, ndonëse është afërsisht i një kohe.

Ky kryq është një kundërvënie, dmth një simbol i triumfit të ortodoksisë bizantine ndaj skenës ku mungon kryqi të Spilesë së Trenit.

Siç e kam shprehur në një studim të mëparshëm piktura e Spilesë është një subjekt i artit të bogomileve. Shpreh persekutimin e tyre simbolik.

Gjahtarët gjuajnë drerët, në këtë rast drerët janë heretikët.

Aleksi I Komnen, perandori i Bizantit në shekullin XI i persekutoi egërsisht bogomilet, e dogji dhe prijësin e tyre.

Por gjatë sulmit të normanëve kundër Durrësit në 1081 perandori Aleks i mobilizoi disa mijra bogomilë në ushtrinë e tij për mbrojtjen e Durrësit.

Këtë e dëshmon bija e tij, princesha Ana Komnena në librin e saj “Aleksiada”.

Një nga qendrat e bogomileve qe fusha e Devollit.

Ka mundësi që bogomilet të kenë pikturuar skenën në shkëmbin e Spilesë si një dëshmi historike.

Më pas kundërshtarët e tyre e kanë bërë kryqin me simbolin NIKA. Besoj se kështu ka ndodhur.

Skenat e gjahtarëve me drerët janë edhe në stacaket e bogomileve në Bosnje. Djurdje Boskovič e thekson këtë. Por ai e ka një dilemë.

Ai arsyeton në mëdyshje kështu:

“Përveç kësaj të dy kompozimet, ai i Spilesë dhe ai i Lipcit janë shumë më afër njëri-tjetrit si nga tema dhe fryma ashtu dhe nga teknika, se sa ai i Lipcit me stecakët, – megjithëse që të dy, siç e kemi vënë re më parë, kanë pa tjetër lidhje edhe me artin e këtyre të fundit.

Këtej jemi të detyruar të nxjerrim përfundimin se të dy komplekset, ai i Spile-Lipcit dhe ai i stecakëve, rrjedhin pak a shumë në mënyrë të pavarur nga të njëjtat burime.

Është diskutuar për një kohë të gjatë për lindjen e artit të stecakëve.

Nga ana ideologjike është menduar për bogumilizmin, gjë që nuk mund të pranohet për shkak të përdorimit të kryqeve, megjithëse në raste mjaft të rralla dhe pastaj sepse, sipas dokumentave historike dihet se, nën disa stecakë, janë varrosur të krishterët siç është rasti i anëtarëve të familjes së Miloradoviçëve në krahinën e Stolacit në Hercegovinë. – Nga pikëpamja e temave dhe e formave është menduar dhe për traditat e lashta sa edhe për ndikimet gotike, – që nuk mund të mohohen krejtësisht, po që nuk u japin stecakëve karakteristikën e tyre fillestare.

Me Spilenë dhe me Lipcin përpara nesh hapet perspektiva e kërkimeve të reja. Këtu është fjala për mundësinë e një tradite të gjatë autoktone të vënë tashmë në dukje, e cila, në kohën e feudalizmit të vendit, mori një hov të ri.

Kjo traditë, që ishte mbytur mjaft për një farë kohe, duke marrë parasysh trevën e mbuluar nga stecakët, si dhe nga Lipci dhe Spileja, mund të ishte një fill që mund të na çonte drejtpërdrejtë në epokën dhe në kulturën ilire.

Kjo është një hipotezë tërheqëse, por që ende ka nevojë të provohet.

Në këtë rast Spileja do të ishte njëri nga dokumentet më interesante të lidhjes të traditës së vjetër ilire me lindjen e kulturës së re shqiptare.

Nga ana tjetër, ne vëmë re edhe një zgjerim të ri të kësaj tradite jo vetëm në Shqipëri po edhe në pjesën qendrore e perëndimore të Ballkanit, që pikërisht, dikur ishin të mbuluara nga kultura ilire.

Në këtë drejtim ende pritet të bëhen kërkime të pasionuara.”

Dilema e tij është në përdorimin e kryqeve që bogomilet nuk i përdorshin, madje i refuzonin.

Herezia e bogomileve është herezia më e madhe e mesjetës në Ballkan.

Shqiptarët morën pjesë në këtë herezi.

Boskovič nuk bën dallimin midis pikturave shkëmbore bogomile dhe vendosjeve mbi to të kryqeve si një simbolikë triumfuese të ortodoksizmit Bizantin.

Kjo e zgjidh enigmën.

  1. Unë e kam kundërshtuar tezën e Hammondit që pikturën shkëmbore të Spilesë në Tren e quan një krijim të kryqtarëve europianë.

Kjo pikturë është dëshmi e bogomileve vendas në Devoll, që dihet se ka qenë qendër aktive e fuqishme e herezisë së bogomulizmit mesjetar.

  1. Përsa i përket datimit të pikturës së Spilesë së Trenit nuk mendoj se është periudha e shekujve XII-XIV, por pikërisht shekulli XI, kur perandori Aleksi I Komnen i Bizantit persekutoi egërsisht bogomilet e Devollit.

Kjo përbën një terminus ante quem për datimin e pikturës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

June 19, 2017 10:36
Komento

1 Koment

  1. demo June 19, 22:28

    Ne driten e depistimeve gjenetike,zbuluesi i kultures se shpellave te Trenit,duhej te kishte korigjuar veten.Paleolitin Europian e zoteronte ende tipi R1b i kromozomit Y mbledhes dhe gjuetar.Ky eshte njeriu i shpellave qe ka gjetur Myzafer Korkuti ne Tren..2000 vjet para eres sone kali nuk ishte zbutur ne Europe dhe jo me te kishte frere,Eshte ne nder te Moikom Zeqos qe korigjon veten,por kete duhet ta beje edhe Myzaferi.Ky udhehoqi nje ekip arkeologesh qe e bene tabele qitjesh Cabeun e madh ne 1967-68,se nuk po tregonte vemendje ndaj zbulimeve te Muzafer Korkutit ne shpellen e Trenit,per paleolitin,mezolitin,neolitin,eneolitin,protoiliret.Ja,ku doli fiasko.Vizatimet ne shpellat e Trenit nuk qenkan 4000 vjecare,por mesjetare,te viteve1100-1300 te Eres sone..Cabeu paska pasur te drejte.E hengri ate flete rrufene kot.Kjo histori me kujton zbulimet e bujshme te konsullit freng Degrand ne kalane e Dalmaces,qe Degrandi i pershkruan si mbeturina te nje fisi pellazgjik te arratisur nga Greqia,;Teodor Ippen i percaktoi mbishkrime ilire,Prehistoriani Traeger i percaktoi te ngjashme me kulturen prehistorike te Bosnjes,;Luigi Ugolini i quajti mbishkrimet e unazave te Komanit;,mbishkrime pa kuptim te shek.III te e.s.,derisa ne vitin 1949,arkeologu shqiptar i shkolles gjermane Hasan Ceka, i percaktoi mbishkrimet si FORMULE URIMI BIZANTINE (mesjetare), KUSHTUAR PERANDORESHES ANA KOMNENA..
    duke dhene edhe tekstin e plote historik te formules,te gjetur ne monedhat bizantine te Mihalit I.Keshtu u cfryne tollumbacet pellasgjike,prehistorike,ilirike,romanike te kultures se komanit,por fituam te verteten historike.Vazhdimesine iliro-shqiptare te kultures se Komanit.Sepse objektet zbukurimore te asaj tradite i perdoren malesoret deri ne fillim shek.e XX..E verteta nuk eshte turp.Turp eshte te mbrosh mashtrimin deri ne fund.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*