Sinopse historike dhe kulturore

February 18, 2018 11:00

Sinopse historike dhe kulturore

Moikom Zeqo

1.SHËNIME PËR VEPRA ARTI

Statuja e famshme e Herkulit qëndron gjithëpushtetshëm mbi një piedestal në hollën kryesor të Galerisë së Arteve  të Bonit.

Biri i Zeusit me muskujt e tij të fuqishëm tregon se ai shumë shpejt do ta plotësojë misionin që i është ngarkuar. Natyrisht statuja kolosale prej mermeri e cila është pjesë e Koleksionit të Muzeut Kombëtar Arkeologjik të Napolit nuk mund të transportohet.

Skulptura është një kopje romake prej bronzi punuar nga Lysipi, një artist grek i shekullit të 4-t.

Pra ajo që është aktualisht e ekspozuar në Bon është një riprodhim allçie bërë me rastin e hapjes së kësaj ekspozite.

Ky gjysëm-hyjni tre metra i lartë përbën një hyrje impresionuese për këtë ekspozitë spektakolare me titull “Nën Vullkanin”.

Në ekspozim janë 130 vepra kryesore të Muzeut të Napolit, i cili ka një nga koleksionet më të pasura kushtuar antikitetit klasik me një numër të përgjithshëm prej 200.000 objektesh.

Disa nga objektet (veprat) e kësaj ekspozite shfaqen për herë të parë për publikun.

Një nga këto është një fresko, pjesë e një varri gjetur në Nola, e cila është zbuluar vetëm 18 vjet më parë.

Ajo është bërë nga një anonim, i cili jep portretin e vet. Mendohet të jetë fundi i shekullit të 4-t.

E veçantë është dhe një harkëtar së bashku me kalin e tij të plagosur.

Gjithashtu për herë të parë ekspozohet dhe një bust argjendi i Perandorit Galba, i cili ishte pasuesi i Neronit.

Galba qëndroi si Perandor vetëm disa muaj në fund të vitit 69 e.s.

Ky objekt është gjetur 120 vjet më parë në Herkulaneum në disa fragmente, të cilat u mblodhën dhe u lidhën së bashku.

Restorautorët e famshëm  e zbërthyen para pak kohësh përsëri në fragmentet e dikurshme dhe i lidhën përsëri me një teknikë tepër moderne, e cila e ndihmoi Perandorin Galba të rifitojë pushtetin e dikurshëm pavarësisht nga koha e shkurtër e pushtetit të tij.

Ekspozita në hapësirat e bollshme të Galerisë  të Arteve u përgatit nga G. Maki, L.Altringer dhe P. Marteloti dhe përqendrohet në tre tematika kryesore të koleksionit të Muzeut Arkeologjik të Napolit.

Vëmendje të veçantë i është kushtuar territorit të Magna Graeca (Greqia e Madhe) veçanërisht zbulimeve në zonën e Kapanjës).

P.sh. nga pallati i Baiaes vinë dy Dioskuret, Kastori dhe Poluksi, të cilët për një kohë të gjatë ishin mbajtur në dy qytete të ndryshme, i pari në Romë dhe tjetri në Napoli.

Vetëm kohët e fundit këto dy statuja mermeri mbi tre metra të larta u bashkuan.

 Në njërën prej tyre janë gjurmë të bojës së kuqe, e cila na kujton se skulpturat klasike fillimisht kanë qenë të ngjyrosura, ndryshe nga ideja e sotshme e cila e shpjegon atë me shkëlqimin e mermerit.

Seksioni i dytë i ekspozitës i kushtohet koleksionit të Rilindjes që ndodhet në Muzeun e Napolit, duke përfshirë këtu dhe koleksionin e Farnezes, të cilin Karli III Burbon, themeluesi i Muzeut mbretëror të qytetit, e trashëgoi nga nëna e tij.

Nga ky koleksion vinë dhe Herkuli fitimtar dhe gjithashtu një statujë e “Artemisit të Efesit” një vepër në alabastër ku koka, këmbët dhe duart e së cilës janë prej bronzi.

Gjokset madhështore në formë konike ,që ndodhen në këtë statujë mbeten një mister.

A janë këto gjinjtë e një femre apo sisët e një lope të bërë kurban?

Të dyja mundësitë personifikojnë simbolin e Pjellorisë.

Gjithashtu në këtë seksion është dhe një kokë kali monumentale nga koleksioni i Diomed Kareifës.

  1. Vasari beson se kjo është një falsifikim i një vepre të antikitetit dhe se bërësi i saj është Donatelo.

Studimet moderne të këtyre teknikave duket se e mbështesin tezën e Vasarit, e cila do të ilustronte në fakt lidhjen jetësore e të qëndrueshme midis Rilindjes dhe antikitetit klasik.

2.EKSODI BIBLIK, METAFORA DHE ARKEOLOGJIA

Iliada homerike është mit i letrarizuar. Poetikë e kujtesës. Fuqi e fosilizuar.

Por arkeologjia e vërtetoi që në shekullin XIX se Ilioni-Troja ekziston, ka ekzistuar si substancë historike. Po si qëndron e vërteta për mite të tjera të mëdha të botës?

A ballafaqohet miti me shkencën?

Ç’thotë arkeologjia, dëshmitë që vërtetojnë pamëdyshje? Një numër në rritje arkeologësh e studiuesish izraelitë kërkojnë sot të venë në dyshim se Eksodi hebre nuk ka ndodhur kurrë. Sipas disave është fjala për një mit, i krijuar disa qindra vjet mbas, për të kapërcyer rivalitete të ashpra, midis 12 fiseve të Izraelit.

Të tjerë vënë në dukje se qoftë e vërtetë, apo e trilluar, “Metafora e Eksodit” është zëvendësuar në raste të ndryshme nga reformatorë socialë, e kështu ka fituar një vend të dukshëm në kulturën perëndimore.

Ndër ata që janë të prirë të pranojnë se largimi i hebrenjve nga Egjipti është një mit është Benjamin Mazar, një jetë kushtuar arkeologjisë, me një autoritet absolut në fushën historike. “Eksodi është si Iliada – thotë profesor Mazari, 86 vjeç, në një intervistë dhënë së përdyjavshmes “Jerusalem Riport” – që të dy janë mite që i referohen eksodeve që kanë ndodhur 600, 700 apo 800 vjet më parë. Askush nuk e ka ditur se kush ka lëvizur apo ku ndodhet mali Sinai.

Në fakt, duke bërë kërkime arkeologjike në gadishullin e Sinait në vitet e pushtimit ushtarak (1967-1982), studiuesit izraelitë nuk kanë arritur të gjejnë “prova konkrete” që të vërtetojnë thënien biblike: nomadët, dihet, lënë pak gjurmë.

Oqeanografi Natan Paldor ka treguar se në Gjirin e Suezit, dhjetë orë erë pa ndërprerje bëjnë që ujrat të sprapsen rreth një milje. Dhe arkeologu Jitzhak Bei-Arjeh ka gjetur në Sinai një pemë që “bën fruta të ngjashme me dëborën”, që mund të jetë fruti i manit.

Por është shumë pak për të bindur historianët: “Historia e Eksodit – përfundon arkeologu David Ilan – u përpunua në epokën e mbretërve, për t’i bërë fiset një komb”.

“Eksodi i hebrenjve – thekson nga ana tjetër profesori amerikan Majkël Uolcer në librin e tij “Dalja e Egjiptit”, që u botua kohët e fundit në Izrael – është një metaforë e ndryshimit shoqëror.

Jo rastësisht është marrë si shembull nga Savonarola dhe disa të tjerë, dhe është cituar edhe nga Benjamin Frenklin dhe Karl Marksi.

Kohët e fundit ka frymëzuar edhe lëvizjet antisegregacioniste në “Jugun e thellë” të Shteteve të Bashkuara.

Në një intervistë dhënë së përditshmes “Harec”, Uolcer ka vënë në dukje se pashka hebraishte është sinjifikative edhe për palestinezët e territoreve” sepse përmban një mesazh emocionesh sociale”. “Çdo vend – afirmon ai është pak Egjipt. Edhe Izraeli është, në një farë mënyre, një Egjipt tjetër.”

Ç’ka thamë më sipër është orientuese, ve në spikamë dyshimin si formë hulumtimi të shkencës.

Dimë nga Platoni një tjetër legjendë enigmatike: Atlantidën.

Deri më sot nuk ka arkeologji vërtetuese për Atlantidën. Atlantida duket si një tjetër Iliadë, por pa Shlimanin.

Atlantida është gati e barazvlefshme si Përmbytja e Noes. Të dyja janë të përafërta, një çift metaforash madhështore, të ndërlikuara dhe me tepër dukuri të katastrofave që kanë krijuar edhe një futurologji të profetizuar: Apokalipsin.

Arkeologjia e vërtetoi Kullën e Babilonisë, qytetet e Nirvanës dhe Urit, por ende jo Atlantidën.

Ka gjithmonë një limit.

 

February 18, 2018 11:00
Komento

1 Koment

  1. ziguri February 21, 13:45

    Profesori i arkeologjise eshte i pranuar ne media me artikujt e tij. Qemtoj ne artikuj per te gjetur vleresimet per mitologjine e me shume, por pres te lexoj debatin e tij me studjues shqiptar lidhur me sa ne thellesi shkon shkrimi shqip. Profesori ka lexuar me greqishten e vjeter shkrimin ne Mozaikun e Mesaplikut “Aparkeas”. Studjues shqiptar e kundershtojne e thone se eshte shkrim shqip “A pak ke ac”, nje shkrim i shekullit te 6-te. Heshtja shkon per perkrahesit e greqishtes!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*