Sinopse kulturore dhe historike

January 13, 2018 15:10

Sinopse kulturore dhe historike

Moikom Zeqo

 MOISIU RECITON SI VENTRILOK

Franc Kafka e ka njohur dhe ka qenë adhurues i aktorit Aleksandër Moisiu.

“Ditarin e tij” Kafka flet për Moisiun për përshtypjet e një takimi në 28 shkurt 1912:

“3 Mars. Më 28 shkurt isha tek Moisiu.

Ka një paraqitje jo të natyrshme. Rrinte ulur dhe në dukje dukej i qetë; vetëm duart i mbante zakonisht të bashkuara përmbi gjunj, sytë ia ngulte librit dhe lëshonte zërin e tij që i ngjasonte atij të një njeriu që është duke vrapuar.

Salla kishte akustikë të mirë.

Nuk humbiste asnjë fjalë edhe po të ishte vetëm pëshpërimë! Gjithçka zgjerohej pak nga pak sikur vijonte jehona e zërit e cila bashkohej me të tjera gjëra dhe na mbyllte edhe ne në qarkun e saj.

Në këtë rast mund të vësh re mundësitë që ka zëri.

Ashtu si salla punon për zërin e Moisiut, ashtu edhe zëri i tij punon për ne.

Ka në të artifise vulgare dhe befasime që na detyrojnë të shohim përtokë po ne nuk vepronim në atë mënyrë; kështu ndodhte p.sh. që në vargjet e para “Flej, Miriam, vajza ime”; kur zëri endet nëpër melodi; tek shqiptimi i shpejtë i Këngës së Majit, ku ngjasonte sikur në mes të fjalëve ishte futur vetëm maja e gjuhës; tek ndarja e fjalëve tek poezia “Era e nëntorit” në mënyrë që era të shtyhej në fillim poshtë e më pas të vërshëllente lart.

Ai që ngre sytë nga tavani i sallës e ndjen veten të lartësuar nga vargjet.

Poezitë e Gëtes nuk janë arritur nga recituesi po ama s’gjen dot asnjë gabim tek recitimet e tia dhe aty gjithçka ndikon për t’ia arritur qëllimit.

Përftoi efekt të madh kur ai shtoi në program “Këngën e shiut” të Shekspirit dhe brofi në këmbë, u çlirua nga teksti duke nderë dhe tutluar shaminë në mes të duarve dhe nxirrte vetëtima nga sytë.

Mollëzat i ka të rrumbullakta po fytyrën eshtake.

Flokët i ka të buta, dhe i shtron pareshtur me lëvizje të ngadalta të dorës.

Për të kishim lexuar artikuj entuziastë; këto i shërbejnë deri sa e dëgjojmë për herë të parë, më pas ai pështjellohet dhe nuk mund të përftoj një mbresë të kulluar.

Mënyra si reciton i ulur me librin përpara, të kujton paksa një ventrilok.

Artisti, i ftohtë nga ana e jashtme, ulej para meje në mënyrë që thuajse nuk dallojmë dot fytyrën e përkulur, lëvizjet e buzëve dhe në vend që të flasë ai, duket se flasin vargjet përmbi kokën e tij.

Megjithëse dëgjoheshin melodi të ndryshme dhe zëri rrëshqiste si një barkë përmbi ujëra, nuk dëgjohesh melodia e vërtetë e vargjeve.

Disa fjalë shpërbëheshin nga zëri; ato ishin rrokur në mënyrë të brishtë dhe lulëzonin dhe s’kishin asgjë të përbashkët me zërin e njeriut derisa zëri shqiptonte fort ndonjë bashkëtingëllore të ashpër, e mbështeste fjalën në tokë dhe i jepte fund recitimit.

Franc Kafka jep kështu përshtypjet e tij me një veprimtari recitimi të drejtpërdrejtë me Aleksandër Moisiun.

Nuk është një dëshmi e dëgjuar nga të tjerët, por është dëshmi autentike e vetvetes.

Kafka e përshkruan talentin recitues dhe interpretues të Moisiut si atë të një vetriloku!

Kjo më duket e çuditëshme, por edhe e pranueshme.

Ventrilokut i vjen zëri nga thellësia e brendshme e barkut dhe pa i lëvizur buzët.

Ky është një shpjegim mjeshtërie!

Dhe Moisiu ishte vërtet një mjeshtër.

LAMTUMIRA E ARKEOLOGES SË PARË SHQIPTARE

Në datën 10 gusht 2005 u përcoll në banesën e përjetshme, një dijetare e shquar e Shqipërisë, Aleksandra Mano.

Mund të thuhet se vdiq në një vetmi, që është bërë kaq familjare por dhe paradoksale për tërë racën e intelektualëve, që kanë lënë emër të pashlyeshëm në tempullin e shkencës.

Funerali është një koncentrim i kujtesës për të gjithë, befas mandata e vdekjes qe një goditje apo rrufe në kujtesë, për të gjithë ata që e kishin njohur. E përcollëm, trupi i saj në varr u bë epiqendra e një vëmendjeje të thekshme, plot dritësim nga brenda.

Mbylli sytë përgjithmonë një nga femrat më të rralla, më të ditura, më fisnike dhe më me dinjitet, që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.

Unë që e kam njohur prej vitesh, kur punoja në arkeologji Aleksandra Manon, kam ngulç në fyt më krijon vështirësi për t’i artikuluar idetë, apo fjalët, pikërisht ato shprehje që do të mund të përafronin sadopak, zbehtë dhe thjesht në mënyrë analogjike, të vërtetën e jetës dhe të veprës së saj shkencore.

Aleksandra Mano pati fatin e çuditshëm, krejtësisht të rrallë dhe ekskluziv në jetë, që të bëhej arkeologia e parë shqiptare.

Askush para saj, asnjë femër, sado e guximshme dhe ambicioze, sado sfiduese dhe vetëkërkuese nuk kishte hyrë në botën e madhe, të jashtëzakonshme dhe të pafund të arkeologjisë.

Duke qenë e para, Aleksandra solli kështu një kuptim të ri për femrën shqiptare në përgjithësi.

Duke qenë e para, ajo shpalosi kuptimshmërinë e lartë të shëmbëlltyrës.

Ajo nuk qe vetëm e para, por arriti dhe një nivel sipëror dhe u bë tashmë një emër historik dhe i patjetërsueshëm në kalendarin tempor të arkeologjisë…

***

Aleksandra Mano lindi në 1924 në Postenan të Leskovikut.

Në rininë e saj, sidomos kur ishte nxënëse në Normalen e Elbasanit, kishte një shpirt të hapur për idetë përparimtare dhe atdhetare.

Në vitin1 942 ajo qe një nga femrat e para që rrëmbeu armën dhe u rreshtua në çetën e Çermenikës dhe në batalionin me të njëjtin emër. Aleksandra është burgosur dy herë nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë.

Ka duruar torturat dhe privacionet.

Tërë familja e saj dha kontribut pa kursyer asgjë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

I ati i saj Pandeli Mano dhe njëra nga motrat, u internuan në kampin fashist të Porto Romanos në Durrës.

Kam në duart e mia disa fotografi të vitit 1943, ku ajo është një partizane e re, e bukur, e hijshme dhe ballëndritur, me armë në duar, me një vështrim të menduar të syve.

Padyshim që ajo ka pasur shumë shpresa rilindëse, ajo dashuroi si askush diturinë si një koncept naimian i zhvillimit.

***

Në 1955 ajo kreu studimet e larta në Fakultetin Histori-Gjeografi dhe menjëherë nisi punën si punonjëse shkencore në Institutin e Shkencave në Sektorin e Arkeologjisë.

Ajo punoi me pasion dhe përkushtim, mori pjesë në ekspeditat e para kërkimore arkeologjike, duke u thelluar në punën studimore për kualifikimin e saj profesional.

Aleksandra Mano u specializua sidomos me njohjen e qeramikës antike (ilire, greke dhe romake).

Ajo u lartësua dhe zuri një pozitë qendrore në arkeologjinë e re shqiptare.

Ajo drejtoi një numër të madh ekspeditash arkeologjike, por nuk do të harrohet dhe si udhëheqëse e mjaft dizertantëve për kualifikimin pasuniversitar.

Ajo ka drejtuar gërmime substanciale në qendra të rëndësishme në rrafsh kombëtar si: në Apoloni, Durrës, Dimal, Bubunjë, Maliq, por edhe në Fier, Lushnjë, Vlorë. Gjeografia e gërmimeve të saj i ka zbulimet nga brenda, nga nëntoka.

Ajo shkroi një numër punimesh shkencore me nivel të lartë brenda dhe jashtë vendit, ka marrë pjesë aktive në kuvende dhe simpoziume arkeologjike me rëndësi të veçantë në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare.

***

Ajo ka kryer me përgjegjësi të thellë detyra drejtuese, si Përgjegjëse e Sektorit të Arkeologjisë, pranë Institutit të Historisë në 1975, kurse në vitin 1976 qe drejtorja e parë e Qendrës së Kërkimeve Arkeologjike deri sa doli në pension.

Ka qenë anëtare e Këshillit Shkencor të Institutit të Historisë, e redaksisë së revistës “Iliria”, etj.

Në 1980 merr titullin “Bashkëpunëtore e Vjetër Shkencore”, në 1993 fiton gradën “Doktor” në 1996 titullin “Profesor”.

***

Sjell ndërmend bibliografinë e shkrimeve të Aleksandrës.

Studimi i saj i parë i madh qe për shenjat simbolike mbi drahmet prej argjendi të Dyrakionit dhe të Apolonisë, botuar në vitet ’50 të shekullit XX.

Për herë të parë, një studim i tillë me një informacion të habitshëm, fliste për krijimtarinë monetare të lashtësisë në Shqipëri në këto dy qendra, dhe sidomos hollësisht për miniaturat figurative të monedhave, të shenjave simbolike, të lidhura me kultet mitologjike, për shenjat simbolike të lidhura me shtetarët, prytanët, veprimtaritë ekonomike, etj.

Kaq e madhe është pasuria e kësaj simbolike, sa mund ta kuptosh se miniatura pasuron mrekullisht botën, duke mbushur plotësisht boshllëqet që kanë kronikat.

Akoma dhe sot ky studim i Aleksandrës nuk e ka humbur freskinë, duke qenë një pikë e përhershme reference.

Një tjetër studim i saj i botuar në vitin 1965, bazohej në krahasueshmërinë dhe klasifikimin e qeramikës masive të qytetit të Apolonisë. Apolonia u bë poli magnetik i jetës, i punës i pasionit dhe botës shkencore të Aleksandra Manos.

Pas dekanit të arkeologjisë shqiptare Hasan Cekës, ajo mund të quhet arkeologia kryesore e Apolonisë, në gjysmën e dytë të shekullit XX. Shpeshherë kam qenë në gërmimet e saj në Apoloni, sidomos gjatë zbulimit të teatrit antik.

Përkushtimi i Aleksandrës qe prekës, përkujdesja e saj e papërsëritshme, modestia e saj e pazakontë.

Në një nga gjetjet, që qe shtati i një femre prej mermeri të skalitur veshur me himation, mungonte koka e statujës.

Për një trill apo për një rastësi jo aq të rastësishme, Aleksandra Mano shkoi mbrapa statujës së kësaj femre të mermertë dhe aty ku ishte qafa e këputur e statujës, vuri qafën e saj dhe kështu fotografi i ekspeditës i bëri një fotografi të paharrueshme.

Kur e shoh tani këtë fotografi, padyshim që tronditem, por edhe habitem, krijohet iluzioni që statuja e lashtë e shekullit IV para Krishtit, e kishte vërtet kokën e gjallë të Aleksandra Manos, kokën e dytë, pra të gjetur pas 24 shekujsh.

Kjo metaforë është njëkohësisht dhe sinteza e jetës dhe shkencës së Aleksandra Manos.

Kryevepra e saj shkencore është monografia për kërkimet arkeologjike në Apoloni, në nekropol.

Kjo monografi ndodhet në boca, është në procesin e botimit.

Ditët e fundit të jetës, Aleksandra Mano e ndjeu një ankth.

Ajo pyeste shpesh nëse do të botohej dhe do ta shihte vallë ende gjallë këtë libër të jetës së saj. Për fat të keq, libri do të dalë nga shtypi, por kjo dalje bëhet pas mbylljes nën dhe të trupit të saj, por në asnjë mënyrë të shpirtit.

Shpirti i Aleksandrës do të mbijetojë dhe do të kujtohet, sepse është një motiv tashmë i patjetërsueshëm edhe i arkeologjisë shqiptare. Përgjithësisht studimet e saj janë akribike dhe të sakta.

Është për t’u habitur se sa vizionarisht të qarta, pa asnjë lloj kompleksi, janë studimet e saj për kolonizimin helen në epokën arkaike në bregun detar të Shqipërisë, apo ideja e sinkretizmit të kulturave vendase dhe të ardhura, brenda koinesë së qytetërimit antik në Shqipëri.

Një jetë e tërë nuk mund të mbyllet, as të harrohet kështu papritur. Aleksandra qe një njeri i mrekullueshëm.

Kurrë nuk kam për ta harruar personalitetin e saj të qashtër, sjelljen dhe atributet e saj njerëzore.

Sëbashku me burrin e saj, gjithashtu arkeolog i shquar Burhan Dautaj, Aleksandra Mano qe një Mentor i arkeologëve të rinj të Shqipërisë.

Puna dhe vepra e saj do të dritësojnë përherë.

NDERIM CLAUDE LEVI-STRAUSS-IT

Antropologu dhe etnologu Claude Levi-Strauss ndërroi jetë natën e së dielës në Paris, (viti 2009)

Ai lindi në Belgjikë, më 28 nëntor të vitit 1908, dhe për pak ditë do të festonte ditëlindjen e 101.

Levi-Strauss lindi në një familje hebraike.

Lindi në Bruksel, por familja e tij u transferua shumë shpejt në Paris, ku ai punonte si piktor.

Formimin intelektual e mori në rrethet parisienë.

Studioi ligje dhe filozofi në Sorbonë.

Më pas, nisi të jepte mësim në një lice provincial.

Pozicionet e tij filozofike janë shumë kritike ndaj tendencave idealiste dhe spiritualiste të filozofisë franceze të periudhës midis dy luftërave.

Ai zbuloi që hershëm në shkencat njerëzore, veçanërisht në shkencën e sociologjisë dhe etnologjisë, mundësinë e krijimit të një dialogu më konkret dhe konstruktiv njerëzor.

Për të, të rëndësisë së dorës së parë ishin takimet me Paul Rivet dhe Marcel Mauss.

Në vitin 1935, iu dha mundësia për të dhënë mësim në shkencën e sociologjisë në San Paolo të Brazilit, ku një mision kulturor francez kishte për detyrë që të themelonte një universitet.

Për Strauss ishte rasti për të njohur një botë krejtësisht të ndryshme nga ajo europiane, por mbi të gjitha për të hyrë në kontakt me popullsinë indigjene të Brazilit, që më pas u shndërrua edhe në objekt të studimeve të tij.

***

Futja e tij në lëmin e studimeve të antropologjisë erdhi në mënyrë shumë të natyrshme.

Fillimisht, kur ishte i lirë nga impenjimet e mësimdhënies, bënte rrugëtime e vizita të shkurtra në thellësi të vendit.

Më pas, organizoi një ekspeditë në një fis të largët vendas që zgjati rreth një vit, në Mato Grosso dhe më pas në pyllin e Amazonës,ku takoi “të egrit” e vërtetë, pra popullsinë që ishin më pak e “kulturuar”, por më interesante, sipas tij.

Pasi u kthye në Francë, në vitin 1939, ai hyri në ushtri në prag të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, por në vitin 1941, për shkak të fillimit të persekutimeve ndaj hebrenjve, iku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Nju Jork, njohu dhe frekuentoi intelektualë të tjerë që kishin emigruar nga Europa për shkak të luftës dhe nisi të japë mësim në një shkollë të re që u hap për kërkimet në shkencat shoqërore dhe bashkë me disa të tjerë konsiderohet si “babai” i “Ecole Libre des Hautes Etudes”, një lloj universiteti në mërgim për akademikët francezë.

Që nga viti 1946 punoi edhe si atashe kulturor për ambasadën franceze në Amerikë.

Vitet që kaloi në Nju Jork ishin shumë të rëndësishëm për sa i përket informacionit që mori dhe lidhjet që krijoi me mendje të tjera të ndritura të kohës.

Kjo periudhë e ndihmoi për të kristalizuar idetë në lidhje me kërkimet mbi strukturizmin.

Së bashku me Franz Boas, Levi-Strauss konsiderohet si një nga eksponentët më të mëdhenj të antropologjisë amerikane.

Në vitin 1948 kthehet në Francë, në Paris dhe në të njëjtin vit ndjek studimet për doktoraturë në Sorbonë me një tezë të madhe dhe një të vogël, siç ishte tradita në Francën e atyre viteve.

Titulli ishte: “Familja dhe Jeta Shoqërore e Indianëve Nambikwarda”.

Kjo tezë u publikua një vit më pas dhe menjëherë u konsiderua një nga studimet antropologjike më të rëndësishme të realizuara deri në atë kohë në lidhje me marrëdhëniet prindërore.

Në vitet ’40 dhe ’50, Strauss vazhdoi me publikimet e tij gjithmonë duke shënuar suksese pas suksesesh.

***

Popullariteti i tij arriti kulmin me “Tropikë të Trishtë”, i publikuar në vitin 1955.

Pjesërisht ai është një libër autobiografik, pjesërisht ka të bëjë me refleksione filozofike në lidhje me udhëtimet e tij, dhe pjesërisht është një ditar sistematik i studimeve të tribuve primitive të Brazilit.

Në vitin 1959, bëhet titullar i katedrës së antropologjisë shoqërore të “College de France”.

Pas disa kohësh publikon “Antropologjia strukturore”, një përmbledhje me ese.

Ka të bëjë me veprën që konsiderohet si puna më e rëndësishme e Strauss, “Mendimi i egër”, në të cilën hidhet baza e teorisë së ndryshimit shoqëror.

Pjesa e dytë e këtij libri do ta përfshijë Strauss në një debat të zjarrtë me Jean-Paul Sartre për sa i përket kundërshtive që kishin për natyrën e lirisë njerëzore.

Tashmë shumë i famshëm, Strauss ia dedikon gjysmën e dytë të viteve ’60 realizimit të një projekti të madh studimor me titull: “Mythologiques”.

Në të, Strauss analizon të gjitha variacionet e grupeve të Amerikës së Veriut, lidhjet farefisnore mes elementëve të ndryshëm.

Volumi i fundit u publikua në vitin 1971.

January 13, 2018 15:10
Komento

1 Koment

  1. demo January 13, 15:54

    Me keto SINOPSET ja ke prish rradaken atij katunarit prej Puke,Agron Gjekmarkaj,.qe e vuri prap oren mbrapsh si i biri kryeministrit.Une i thashe: Mos bre malok,mos kopjo Moikomin,se SINOPSET nuk jane ato qe kujton ti.jane semundje trush,kur te hik kilometrazhi dhe motorri punon pa frena.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*