Sistemi bankar e mbyll vitin 2014 me fitim 11.1 miliardë lekë

March 4, 2015 13:20

Sistemi bankar e mbyll vitin 2014 me fitim 11.1 miliardë lekë

Bankat e nivelit të dytë kanë deklaruar një normë fitimi për vitin 2014 prej 11.1 miliardë lekësh. E dhënë kjo e publikuar dje nga Banka e Shqipërisë, referuar statistikave tremujore. Ky është fitimi më i lartë i deklaruar që nga viti 2007, kur sistemi bankar raportoi fitime prej 10.5 miliardë lekësh. Në raport me vitin 2013, fitimet e sistemit bankar pothuajse janë dyfishuar.

Tre shihen si arsyet kryesore të përmirësimit të ndjeshëm të rezultatit financiar i cili pas vitit 2008 kishte parë një rënie të ndjeshme të fitimeve, si rrjedhojë e rritjes së shpenzimeve për provigjione(shpenzimet që bankat lënë mënjanë për mbulimin e kredive me probleme). Së pari, të ardhurat neto nga interesat u rritën me 5 miliardë lekë, apo 12% me bazë vjetore në 2014-n.

Ulja e interesave të depozitave me ritme më të larta se të kredive, i ka ndihmuar bankat të përmirësojnë ndjeshëm këtë tregues, pavarësisht tendencës rënëse të interesave. Së dyti, shpenzimet për provigjione kanë ardhur në rënie në vitin 2014, duke u reduktuar me 4.2 miliardë lekë, apo 57%.

Shpenzimet e larta për provigjionet kishin parë një rritje të shpejtë që nga fundi i vitit 2008, kur sistemi bankar filloi të përballej me një rritje të shpejtë të huave me probleme, duke gërryer fitimet e bankave. Kreditë me probleme arritën në 22.8% në fund të dhjetorit 2014, në krahasim me 23.22% që ishte ky tregues në fund të vitit 2013.

Së treti, sistemi bankar ka raportuar të ardhura të jashtëzakonshme prej 1.5 miliardë lekë, si rrjedhojë e shitjes së pasurive të paluajtshme të lëna peng, nga një humbje prej rreth 780 milionë lekësh që ishte ky tregues një vit më parë. Por edhe pse treguesit janë pozitiv për këtë sektor të ekonomisë, ekspertët bankar mendojnë se fitimi nuk është aq sa është i deklaruar.

Kjo sipas tyre për shkak se në këtë fundvit një pjesë jo e vogël e bankave bënë “ulje të portofolit të kredisë së keqe” duke marrë kolateralet e lëna nga kredimarrësit si garanci të kredive. Në kontabilitet kjo është reflektuar si “ulje e provigjioneve” dhe futje e tyre në “të ardhura” dhe nga ana tjetër aseti i kolateralit klasifikohet si “reposesed asset” me vlerën të cilën kishte kredia (ose me një ulje në varësi të faktit, nëse banka e merr në ankandin e parë apo në atë të dytë).

Si rrjedhojë, banka bën fitim me “kthim të provigjoneve” dhe ka në asetet e saj një aset që nuk do ta ketë dhe për më tepër me shumë gjasa nuk e ka vlerën aq sa e ka shkruar Banka.

Rriten interesat e kredive në janar 2015

Nëse bankat për vitin 2014 kanë rezultuar me fitime të majme, nisja e vitit 2015 në kredidhënie ka shënuar rritje të interesave. Statistikat mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se interesi mesatar i ponderuar për kreditë e reja në muajin janar 2015 ishte 8.1%, duke shënuar rritje me 0.35 pikë përqindjeje në krahasim me muajin e mëparshëm.

Që nga shtatori i vitit 2011, institucioni monetar qendror ka reduktuar 13 herë normën bazë, me synimin uljen e kostos së lekut dhe nxitjen e kreditimit dhe investimeve në ekonomi. Ulja e fundit ishte në fund të janarit 2015, kur norma bazë zbriti në nivele historike minimale prej 2%. Për të njëjtën periudhë, interesat e kredive në lekë janë reduktuar me 3 pikë përqindjeje.

Por, segmenti që ka reflektuar më shumë këtë politikë ka qenë ai i interesave të depozitave, të cilat shënuan një tjetër rënie në janar, duke zbritur në 1.42% për depozitat 12 mujore, një rënie me 4.5 pikë përqindjeje në krahasim me shtatorin e vitit 2011.

Si rrjedhojë, diferenca mes interesave të kredive e depozitave shënoi rritje në janar, në 6.35% nga 5.49% në dhjetor 2014.

March 4, 2015 13:20
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*