Sixhadeja me portretin e Demo Eminit në fondet e Muzeut Historik Kombëtar

October 5, 2019 15:47

Sixhadeja me portretin e Demo Eminit në fondet e Muzeut Historik Kombëtar

Dr. Dorian Koçi

Në Muzeun Historik Kombëtar është një sixhade e përdorur nga Demo Emini. Sixhadja ka përmasat 1630 x 1270 cm dhe numër inventari Nr. 561. Ajo ka qenë pronë e familjes Nivica dhe më 03.12.1982 i është dorëzuar Muzeut Historik Kombëtar nga koleksionisti Novruz Shehu nga Memaliaj. Në këtë sixhade është punuar portreti i patriotit Adem bej Nivica, i cili njihet me emrin Demo Emini. Sixhadja është punuar në vitin 1913 dhe mesa thuhet është portreti i fundit i Demo Eminit para vdekjes. Sixhadeja është përdorur si element dekorativ i varur në mur nga të afërmit e tij. Në të dyja anët e saj ajo është e dekoruar me motive floreale por në mmes të tyre gjejmë dy shqiponja dykrenore çka e bëjnë atë të veçantë. Sjellim ndërmend se flamuri i Skënderbeut dhe ai kombëtar i miratuar në Kuvendin e Vlorës në në 28 nëntor 1912 ende nuk njiheshin mirë nga e gjithë popullsia shqiptare. Në sixhade gjithashtu mbizotërojnë ngjyrat kuq e zi të flamurit kombëtar çka përforcon idenë se endësit e kësaj sixhadeje i njihnin mirë simbolet kombëtare. Ky është një nga objektet e radha që ka në koleksionin e vet Muzeu Historik Kombëtar që i dihet saktësisht origjina dhe që dëshmon në të njëjtën kohë përveçse një figurë historike edhe punim të lartë artistik me tezgjah në  krahinën e Labërisë. Po kush ishte Demo Emini? Përshkrimin më të mirë të aktivitetit të tij patriotik e jep Namik Delvina në artikullin kushtuar kësaj figure patriotike botuar në Revistën “Minerva” në vitet 30’.

Luftëtar dhe trim i shquar historik në luftëra të ndryshme të  Karadagut në kohërat e vjetëra të Turqisë, dhe më vonë kryengritës bashkë me Gjonlekën e Çelo Picari,Hodo bej Nivica nga Kurveleshi ka qenë nga ata burra të lartë e kurajoz, si dhe të rrallë. Një anekdot i tij ja vërteton këto cilësira. Anekdoti është  ky: Myshiri i famshëm i Turqisë Dervish Pasha kishin mbledhur ushtërin’ e tij në Shkodër për të sulmuar Malin e Zi. Hodo beu me njerzit e tij, bënte piesë të fuqisë së Dervish Pashës. Duke matur fuqin’ e tij Dervish Pasha e pyeti Hodo benë në i kish të tërë ushtarët prej një mijë-e-pesëqindë vetësh. Hodo beu i u përgjegj se ka vetëm pesëqind burra,dhe kur e pa se Myshiri mbeti fare i pa-kënaqur i tha se ai qe në rregullë përsa i përket fuqisë së tij, pse vetëhen e tij e kish peshuar për pesqindë vetë dhe kalin e tij të bardhë Dervishin për pesëqind të tjerë. Kështu me pesëqindë vetë që paraqiti Hodo beu,e rregulloi hesapin e tija dhe Dervish Pashën s’ju kundërshtua më as-pak këti problemi të mrekulluarshëm.Demo Emini rjedh prej këti brezi e trashëgimi trimnor. Në kohërat e fundit të rezhimit turk, para lirisë konstitusionale, kemi bashkë-punuar me të për rënjosjen e lirisë s’onë kombëtare, dhe si veprim i parë qe shkelja e Sarandës prej çetave shqiptare që ishin nënë kryesinë e tij. Më pastaj Demo Emini u-bashkua në Teqen’ e Melshanit me Çerciz Topullin dhe së bashku me Niazi bej Resnën ju vërsul Manastirit, gjersa u shpall liria ottomane. Andej shkoi në Selenik dhe bashkë me shokët që thamë sipër mori pjesë n’ushtrërin’ e Mahmud Shevqet Pashës që marshoi në Stamboll kundër përgatitjes së famshme reaksionare të 31 marsit 1909, që plasi atje. Ky qe Demo Emini, por s’mundet t’a lë në haresë edhe vllan’ e tij trim levend, Hiton, që e kam patur bashkëpunues në kryengritjen e 1910-ës që u shpall në jugun e Shqipërisë, për trimëritë, shërbimet e sakrificat që kish rrëfyer rreth kësaj lëvizjes së parë kombëtare. [1]

***
Të dhënat që na jep në shkrimin e vet me kujtime patrioti Namik Delvina plotësohen edhe nga shkrimet e mëvonshme të studiuesve për periudha të ndryshme të jetës së patriotit Demo Emini. Është një fakt i mirënjohur historik se në nëntor të vitit 1905, u krijua në Manastir Komiteti i Fshehtë “Per Lirinë e Shqipërisë” i cili drejtohej nga Bajo Topulli. Ky Komitet vendosi krijimine çetave të armatosura, të cilat do tu kundërviheshin autoriteteve turke, dhe do të propagandonin në popull idenë e lirisë. Çeta e parë u krijua në pranverë të vitit 1906, dhe udhëhiqej nga vetë Bajo Topulli . Kjo thirrje e këtij Komiteti, u prit me një entuziazëm shumë të madh në të gjithë krahinën. Ata duke qënë përherë të gatshëm për tu ngritur kundër pushtuesve ngritën menjëherë çetat e tyre ose edhe u bashkuan me çetat e tjera që vepronin në Jug. Një nga çetat para patriotike para hyrietit apo revolucionit xhonturk që vepronin në Shqipëri ishte çeta e Demo Eminit. Një autorë i kohës thotë se“Para Hyrjetit, çetat shqiptare, që e mbanin të gjallë zjarrin e kryengritjes shqiptare, ishin nëshumicë nga Kurveleshi dhe nën komandën e patriotëve të Kurveleshit”.  Më e njohura nga këto çeta, që vepronte në krahinën e Labërisë, ishte çeta e Demo Eminit, nga Nivica e Kurveleshit të Sipërm. Kjo çetë kishte në gjirin e saj rreth 70 luftëtarë, ku pjesa më e madhë e tyre ishin po prej këtij fshati.[2] Po kështu egziston foto e njohur e Demo Eminit bashkë me  Çerçiz Topullin në Manastir që tregon hyrjen e çetave patriotike ditën që triumfoi Hyrieti apo revolucioni xhonturk në Perandorinë Osmane. Kjo foto dëshmon për rolin e rëndësishëm që luajti çeta e Demo Eminit përkrah çetës së Çerçiz Topullit në triumfin e ideve liberale në Perandorinë Osmane.

Punimi në tezgjah i qilimit me portretin e Demo Eminit dëshmon për një traditë të konsoliduar të përpunimit artizana të produktit blegtoral të leshit në Kurvelesh. Të zotëruarit e tufave të mëdha të dhenve në Kurvelesh bënte të mundur që zhvillohej dhe përpunimi i ekonomisë shtëpiake të përpunimit të leshit që përdorej për të prodhuar  ndresa e qilima me elementë dekorativë për tu varur në mur. Gjykojmë që sixhadeja me portretin e Demo Eminit është një sixhade dekoruese e varur në mur për të përjetësuar kujtimin e kësaj figure të rëndësishme patriotike të Kurveleshit e gjithë Labërisë.  Gjurmimi dhe nxjerrja në pah artefakteve muzeore mund të plotësojë mozaikun e madh historiko-kulturore të Shqipërisë dhe trevave të veçanta siç është kjo sixhade që sjel një plotësim të të dhënave historike për figurën patriotike të Demo Eminit dhe gjithë historisë së Labërisë.

 

Bibliografi:

  • Namik Delvina. Demo Emini. Revista Minerva
  • Fondi i Muzeut Historik Kombëtar. Kartela Sixhadeja e Demo Eminit, nr inventari 561
  • Jaho Canaj. Institucioni i kuvendit sipas së drejtës zakonore labe”. Doktoratura on line., fq 128

[1] Namik Delvina. Demo Emini. Revista “Minerva”

[2] Jaho Canaj. Institucioni i kuvendit sipas së drejtës zakonore labe”. Doktoratura on line., fq 128

 

October 5, 2019 15:47
Komento

3 Komente

  1. demo October 5, 18:09

    Pse ja keni prere koken fotografise,o mavri?

    Reply to this comment
  2. FIloeuropiani October 5, 23:13

    Faleminderit po sikur te ishte edhe fotoja e sixhadese nuk do te ishte keq. Me i plote si artikull…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*