“Sjellje e keqe”, dënohet kryebashkiaku i Gramshit

Dritan Ikonomi November 7, 2012 14:31

“Sjellje e keqe”, dënohet kryebashkiaku i Gramshit

Nuk do të lejohet në stadiume deri në fund të sezonit për ofendim të gjyqtarit

 

Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit pezulloi deri në fund të sezonit, presidentin e skuadrës së Gramshit, njëherësh dhe kryebashkiaku i qytetit, për sjellje të keqe ndaj zyrtarëve të ndeshjes Partizani-Gramshi (1-0), takim i vlefshënm për javën e 10-të të Kategorisë së Parë. “Zyrtari i KF ‘Gramshi’, Dritan Bici, për sjellje të keqe ndaj zyrtarëve të ndeshjes dënohet deri në fund të sezonit futbollistik 2012-2013 të mos hyjë në ambientet sportive të futbollit si dhe gjobitet me 250.000 lekë  gjobë në bazë të neneve 49.2/a , 49.3 dhe 136 .1/a të Kodit të Drejtësisë Sportive”, thuhej në vendimin e Komisionit të Disiplinës.

 

Kryebashkiaku i Gramshit, Dritan Bici, njëherazi dhe presidenti i klubit, njihet për pasionin e tij të veçantë ndaj futbollit dhe kujdesin që skuadrës, të mos i mungojë asgjë. Madje para fillimit të kampionatit, ai ishte shperhur se do të ndërtonte ekipin më të mirë. Aktualisht, Gramshi ndodhet në vendin e 11-të (me 9 pikë), pra në “zonën e kuqe”, dhe nesë kampionati do të mbyllej sot ai do të binte në Kategorinë e Dytë. Edhe dy zyrtarët e Tërbunit (Kategoria e Parë), Bujar Mehja dhe Viktor Gjoni (trajner), u dënuan secili me nga 8 ndeshje pezullim nga aktiviteti për sjellje të keqe ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Pezullimit me dy ndeshje nuk i shpëtoi asi presidenti i Kamzës, Naim Qarri, për protesta ndaj vendimeve të gjyqtarit dhe futje të paautorizuar në fushën e lojës.

 

Incidenti

Në minutën e 87-të, kur futbollisti gramshak Lezi rrëzohet në zonën e Partizanit nga mbrojtësit e kuq dhe kryesori i takimit, duke qenë një moment i dyshimtë, nuk jep 11-metërsh. Në këto çaste përveç lojtarëve në fushë dhe stolit të Gramshit, që protestojnë te gjyqtari kryesor, proteston edhe kryebashkiaku i Gramshit, Dritan Bici, i cili është në tribunën qendrore dhe duket se nuk i përmban nervat. Me një fjalor aspak të hijshëm për një drejtues, Bici ofendon, madje kërcënon, kryesorin Latifi për mosakordimin e penalltisë, që duhet thënë se ishte e dyshimtë. Pas ofendimeve nga tribuna VIP ku ishte akomoduar kryebashkiaku, vjen edhe reagimi i uniformave blu, të cilat kërkojnë qetësimin e tij. Mirëpo këtë kërkesë Bici nuk e ka pritur aspak mirë, e për rrjedhojë ka ofenduar edhe policinë.

 

Por, këta të fundit duke parë shpërfilljen e Bicit e kanë shoqëruar atë jashtë stadiumit në Komisariatin numër 1, ku i është marrë deponimi. Të hënën, menjëherë pas ndeshjes me Partizanin dhe deri rreth orës 19:00 kryebashkiaku i Gramshit ka qenë në ambientet e policisë dhe vetëm pasi janë marrë edhe deponimet e vëzhguesit dhe delegatit të FSHF-së, meqenëse edhe këta të fundit janë ofenduar, ai është larguar nga ambientet e komisariatit. Bici fitoi dukshëm Bashkinë e Gramshit si kandidat i “Aleancës për të Ardhmen”, kundrejt kandidatit të mbështetur nga  “Aleanca për Qytetarin”, Kastriot Zere. Ky nuk është rasti i parë që një kryebashkiak, njëherësh dhe president i një klubi futbolli pezullohet nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së. Sezonin e kaluar, presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, u pezullua 8 ndeshje, ndërkohë që një dënimi të tillë nuk i shpëtoi as deputeti i Peqinit dhe një nga drejtuesit e Shkumbinit, Dashnor Sula, i pezulluar po me tetë ndeshje.

Dritan Ikonomi November 7, 2012 14:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*