Skadon sot afati i regjistrimit të koalicioneve zgjedhore

Redaksia Online April 24, 2013 09:04

Skadon sot afati i regjistrimit të koalicioneve zgjedhore

Ora 18:00 e ditës së mërkurë shënon dhe skadimin e afatit ligjor për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.

Neni 65, pika 1 e kodit zgjedhor parashikon që dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, mund të regjistrohen si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

Dy kampet e mëdha politike PD dhe PS thuajse kanë përfunduar marrëveshjet me partitë e vogla dhe pritet që gjatë ditës së sotme të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve(KQZ) listat e plota të koalicioneve.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj zyrtarizuan dje koalicionin parazgjedhor nën emrin “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”. Kjo aleancë e drejtuar nga Partia Demokratike numëron 25 parti të djathta dhe të qendrës, duke premtuar vazhdimin e reformave dhe përmirësimin e jetës së vendit.

Partia Socialiste e ndërtoi koalicionin e saj “Aleanca për Shqipërinë Europiane” duke nënshkruar marrëveshje me mbi 35 parti politike, ku më e rëndësishmja është ajo me LSI-në, që shënon dhe një kapitull të ri bashkëpunimi mes dy forcave të majta.

Dy partitë e reja në skenën politike shqiptare Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca Kuq e Zi vendosën të konkurrojnë të vetme në zgjedhje, duke i ofruar kështu elektoratit shqiptar një alternativë të tretë.

Sistemi proporcional rajonal që aplikohet në Shqipëri favorizon aleancat e gjera dhe kjo u provua me zgjedhjet e 2009-s.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare (2009) konkuruan katër koalicione zgjedhore. “Aleanca e Ndryshimit” ishte formacioni më i madh i përbërë nga 10 parti të djathta; koalicioni i majtë “Bashkimi për ndryshim”, përbëhej nga 5 parti; ndërsa Aleanca “Poli i Lirisë” dhe “Aleanca Socialiste për Integrim”, grupuan secila nga 6 parti. (BW)

Redaksia Online April 24, 2013 09:04
Komento

1 Koment

  1. Genti April 25, 08:28

    Ora 18.00 ??? Edhe koalicioni i opozites edhe ai i maxhorances u regjistruan pas ores 18.00.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*