Skandal, 85% e shqiptarëve s’dinë lëvizjet e himnit kombëtar

May 29, 2016 18:41

Skandal, 85% e shqiptarëve s’dinë lëvizjet e himnit kombëtar

 

 

Studimi: Koreografia e dikurshme është harruar nga brezat e rinj

 

Ka parë dritën e botimit studimi i bujshëm i Akademisë së Shkencave me rastin e pjesëmarrjes historike të kombëtares shqiptare të futbollit në kompeticionin europian. Është një krenari sportive që nuk mund të mendohet pa himnin e flamurit që do këndohet çdo fillim ndeshjeje. Por pikërisht për këtë të fundit, himnin, Gojët e Liga mësojnë se të dhënat janë të frikshme, e ndër to bie në sy ajo më kryesorja: Mbi 85% e shqiptarëve nuk i njohin aspak lëvizjet e vallëzimit që duhet të shoqëronin këndimin e himnit kombëtar. Vallëzimi rutinë që dikur mësohej edhe në klasat e ulëta, që herë pas here mund të shijohej nëpër ngjarjet sportive, e që ishte stimulues i ndjenjës patriotike të bashkëkombasve sa herë këndohej himni “Rreth flamurit të përbashkuar”, është pothuajse zhdukur nga ndërgjegja publike gjatë dekadave të fundit.

“Nga një këndvështrim historik, është shokuese që gati nëntë në dhjetë shqiptarë nuk mbajnë mend më shumë se një lëvizje që shoqëron himnin tonë drithërues”, pohoi bashkëautori i studimit, prof. Avdall Tunxhi, “sigurisht, shumica e njerëzve e dinë mend që me notat e para të himnit, menjëherë vendoset dora e djathtë në zemër. Por po t’i pyesësh se cila është lëvizja e rradhës, ata hutohen dhe nuk u kujtohet asgjë”.

Në vijim, profesor Tunxhi bëri një historik të shkurtër, duke sjellë në mendje sesi kolona zanore e një kënge patriotike rumune, të cilën në fakt e ata kishin huazuar nga gjermanët, u përshtat mjeshtërisht me vargjet e poetit tonë Aleksandër Stavri Drenova, Asdreni, që në fakt ishin vargje gjithashtu rumune të shqipëruara, dhe formuan kështu një këngë patriotike që u hyri aq shumë në zemër shqiptarëve sa e bënë himnin e tyre.

“Sa fillon vargu i parë dhe vihet dora në zemër, koreografia vijon pastaj me gishtin tregues lart, për të ilustruar ‘me një dëshirë, me një qëllim’, besoj e mbani mend”, tha Tunxhi. Në vazhdim, ai kujtoi lëvizjet e tjera, si p.sh. rrotullimi i pëllëmbës së majtë të shtrirë për të ilustruar vargun ‘Por vdes, por vdes si një dëshmor’, një seri hapjesh të gjymtyrëve, kërcime së larti, sparkata e gjysmërrotullime të trupit në vend, si dhe nje salto finale, të gjitha këto elemente që janë harruar në mjegullën e viteve.

Studimi shpreh gjithashtu edhe skepticizmin që disa përpjekje të vakëta për të rikujtuar koreografinë e himnit nga këngëtarë të rinj, kanë degjeneruar në lëvizje tipike hip-hopi dhe rrepi, ku vargjet shqip nuk mungojnë të shoqërohen me pasthirrma metropolitane si “c’mon yo”, ose “yeah baby”. “Megjithë respektin për rrymat e reja muzikore, himni duhet kënduar e kërcyer në mënyrë tradicionale”, theksoi prof Avdall Tunxhi. Gjithsesi, ai kishte dhe fjalë të mira për ata të rinj të talentuar që, edhe pse me stilin e tyre, kujtohen që kolonën zanore të kombit ta shoqërojnë me vallëzim.

“Po të mendosh se sot 56% e shqiptarëve nuk mbajnë mend mirë as fjalët e jo më muzikën, duhen lavdëruar ata rreperë e hip-hopistë që me mënyrën e tyre, i shtojnë lëvizje himnit. Prandaj unë u them atyre, peace brothers!”, përfundoi prof. Tunxhi.

 

***

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Ngjarjet dhe personazhet e përmendura nuk janë të vërteta.

May 29, 2016 18:41
Komento

10 Komente

  1. Akademiku May 30, 14:09

    Skandal – futja kot. Asnjehere, dhe nga askush nuk eshte permendur ndonjehere qe ekzistoka nje koreografi per himinin. Akademia e Shkencave (pika qe su bie) paska zbuluar Skandal. Nderkohe qe keta pseudo-shkenctare e pseudo-akademike nuk jane shprehur kurre deri me sot per Skandale te verteta dhe te bujshme qe kane ndodhur kete vend. Te gjendet Kola ne pune I thone kesaj…

    Reply to this comment
  2. sabriu May 30, 14:46

    ca jane keto brockulla more ku e keni pare e degjuar te kercehet hymni kombetar,jo mo mos eshte gje si valle pogonisho…..

    Reply to this comment
  3. Shahisti May 30, 20:11

    Ore ju te DITAs mos e hiqni ate shenimin shpetimtar nga rubrika Gojet e Liga se e moret miletin ne qafe. Shih c’thote ky Akademiku qe e merr seriozisht ket te shkruaren tuaj.

    Reply to this comment
  4. Vezhguesi May 31, 00:40

    Vendosja e dores ne zemer eshte shpikur tani ,ne demokraci ,pasi me pare kur kendohej hymni njerezit nuk benin asnje vepri . Ngriheshin ne kembe e kendonin ne qendrim gatitu. Tani po e degjojme jo dora ne zemer e jo gishti i lart……..

    Reply to this comment
  5. Kola May 31, 06:35

    Ore po ka shume qe s’dine as himnin, por ama jane aq patriot, sa te argumentojne perse Aleksandri i madh eshte shqiptar, si e shkroi Homeri vepren e tij ne shqip, Bonaporti shqiptar e plot te tjera gomarlliqe te tilla. “Patriotet” tane jane karikaturat me te medha te kohes.

    Reply to this comment
  6. normali May 31, 11:02

    Po ky Tunxhi ku e ka gjetur qe Himni Kombtar edhe vallezohet e ku ta di une, turp i madh . Kush jane ata akdemike qe kane bere koreografine e himnit. Bo, booo ku u katandisem si popull, si komb e si njerez te mbitokes! Te pakten, ju te gazetes, mos u a botoni se ket qenka te mbaruar fare.

    Reply to this comment
  7. Shaqja June 1, 17:58

    O llahtaaaare! Tani i lexova komentusit qe protestojne se himni nuk ka levizje: Ore jeni njerez normale apo copa mishi? Nuk e shifni qe esht humor o pika qe su bie, o zot i madh!!!! dita botojeni

    Reply to this comment
  8. Flamur June 2, 23:27

    Himni dhe Flamuri Kombetar ka qene lene ne harrese per qellime ideologjike dhe të “pompimit” të EH dhe PPSh dhe natyrisht per komunistet ceshtja kombetare ka qene e tejkaluar sepse s perputhejme Internacionalizmin
    Asnjere të pakten nga viti 1953 qe kam filluar klases e pare fillore Himni nuk eshte mesuar e le pastaj “koreografia”

    Reply to this comment
  9. sabriu June 4, 00:11

    o Shaqja sa i zgjuar qe je more si e kuptove qe ishte humor mos ke qene gje me estraden e leskovikut?apo do te mbulosh halete e ketyre gazetareve te paafte…

    Reply to this comment
  10. Shaqja June 4, 18:10

    Dmth o Sabri kapsolla, ti e kuptove qe ishte humor, po prap thua “ca jane keto brockulla more ku e keni pare e degjuar te kercehet hymni kombetar”? Pse se pranon qe qeke nje gur peshoreje e Sabri, dhe bi n’paqe me veten?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

FOTO E DITËS