Skandal në burgje: Ja pse ka ardhur koha për një “reformë penitenciare”

January 3, 2017 12:59

Skandal në burgje: Ja pse ka ardhur koha për një “reformë penitenciare”

 

Një ekip psikologësh elitarë të institucioneve tona të vuajtjes së dënimit, ndryshe hapsanave, kanë ngritur këto ditë dyshime që rrezikojnë edhe vetë themelet e shkencës së bihejviorizmit penitenciar, thonë Gojët e Liga.

Sigurisht, jo pa baza: Një epidemi masive devijacionesh të sjelljes ka pllakosur në këto institucione, duke lënë pa fjalë psikologët: Të dënuarit, apo siç njihen ndryshe burgaxhinjtë, sapo marrin leje për sjellje të mirë nga autoritetet, për të shkuar disa ditë në shtëpi, ndryshojnë menjëherë dhe sillen…keq!

Për këtë çështje foli para shtypit psikologu i njohur i hapsanave të Arnautllëkut, prof. Nervo Pulsi.

“Nuk është një, as dy, as tre raste”, theksoi prof. Pulsi, “por gati të gjithë të dënuarit, pasi kanë bërë të pamundurën për t’u sjellë mirë gjatë gjithë vitit; pasi kanë larë, shplarë, gatuar, qëndisur, thurrur çentro për veten dhe shokët; pasi janë gdhirë e errur duke thënë faleminderit dhe të lutem e kështu me rradhë; pra pasi kanë bërë të gjitha këto, kanë marrë me të drejtë lejen e shtëpisë, për sjellje të mirë. Çfarë bëjnë pas kësaj, thua ti? Jua them unë: Pushojnë në çast së sjelluri mirë, zhduken nga shtëpia dhe qyteti, duke bërë me zemër drejtorët e shkretë”.

Në vijim, prof. Pulsi shtjelloi tezën e tij, se do të mjaftonte ngulitja e inercisë së sjelljes së mirë, që një i dënuar normal të sillej mirë në vazhdimësi.

“Por ndryshe ndodh këtu tek ne, mor zotëri: Sa më mirë të sillen në burg, aq më keq sillen jashtë tij. Pra, funksionon e kundërta. Jam i bindur se ka ardhur koha për një reformë penitenciare: Duhet t’u japim leje eksplicite për të vjedhur dhe grabitur një javë jashtë, harbutërve e sherrxhinjve të burgut. Ma hiq kokën mua, po nuk erdhën të larë e të hekurosur në krye të javës!”

January 3, 2017 12:59
Komento

1 Koment

  1. dani March 7, 14:05

    E tmerrshme, te burgosurit genjejne? Ky esht fundi botes

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*