Klinikat private ‘fshehin’ abortet, zv/ministri i Shëndetësisë e pranon: U nxituam me vendimin për…​

June 16, 2017 10:51

Klinikat private ‘fshehin’ abortet, zv/ministri i Shëndetësisë e pranon: U nxituam me vendimin për…​

Pas vitit 2014 ka një mungesë totale informacioni në lidhje me të dhënat e sakta për numrin e aborteve, ndërkohë që kjo situatë është krijuar si pasojë e një vendimi të Ministrisë së Shëndetësisë, i vitit 2013 për të deleguar abortet drejt materniteteve shtetërore”.

Shqetësimi u ngrit nga UNFPA dhe organizata “Infinit Plus”, gjatë një tryeze ku të pranishëm ishin zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe gazetarë të fushës. Gjatë prezantimit theksi u vu te fakti se ky vendim ka sjellë një nënraportim të rasteve të aborteve nga klinikat private. “Evitimi i këtyre klinikave erdhi në atë kohë si pasojë e një sërë ngjarjesh me humbje jete pas abortit.

Por, kjo dukshëm nuk ka ndodhur, pasi sipas raportimeve, vetëm 10% e aborteve janë bërë në sektorin privat. Kjo tregon se ka fshehje të të dhënave nga klinikat private edhe si kërkesë e adoleshentëve apo familjeve të tyre për të ruajtur anonimatin. Ndaj të miturat japin moshë dhe emër të ndryshëm kur regjistrohen në klinika”, – vlerëson UNFPA.

I pyetur në lidhje me këtë situatë, zëvendësministri Rjepaj pranoi se vendimi i atëhershëm ishte një masë e nxituar dhe nuk u mor në bashkërendim me institucionet e tjera, që do të mundësonin zbatimin e tij. “Marrja e këtij vendimi erdhi në të njëjtën kohë me krijimin e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor. Praktikisht ISHSH është një institucion i ri dhe nuk i ka kapacitetet e nevojshme për të ushtruar kontrolle, por edhe përvojën e njohuritë e duhura për ta bërë këtë”, – shtoi Rjepaj.

Kontraceptivët
Ndërkaq, gjatë takimit theksi u vu edhe te përdorimi i ulët i metodave të kontracepsionit, si një mënyrë për të shmangur shtatzënitë e padëshirueshme, që më pas detyrojnë shumë gra e vajza të shkojnë drejt abortit. “Vetëm 10.6% e grave të martuara kanë përdorur një metodë moderne kontraceptive, kundrejt 58.7% që kanë përdorur një metodë tradicionale. Kjo shifër nënkupton një rritje të vogël të shkallës mbizotëruese të kontraceptivëve modernë me 8% në krahasim me vitin 2002”, – vlerëson UNFPA.

Nga ana tjetër, kjo organizatë thekson se aksesi i adoleshentëve në metoda moderne kontraceptive nga sektori publik paraqet vështirësi, sepse ky grup nuk i frekuenton këto shërbime për arsye se ato ofrohen nga klinika dhe maternitete dhe akoma më pak në qendrat shëndetësore në zonat rurale.

Sa i takon planifikimit familjar rezulton se në rajonin europian nevojat e paplotësuara luhaten nga 5-23%, ndërsa në Shqipëri, 13% e femrave të martuara kanë një nevojë të paplotësuar për planifikim familjar, 3% për distancim të lindjeve dhe 9% për kufizim të lindjeve.

Martesat e hershme
Një tjetër shqetësim i ngritur gjatë tryezës ishin edhe martesat në moshë të hershme, ku sipas një studimi të realizuar nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve në Korçë, Pogradec dhe Vlorë rezulton se ato janë prezente. “Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë dhe Pogradec, gjatë periudhës 2011-2016 janë paraqitur 34 kërkesa për ‘lejim lidhje të martesës nën moshë’, nga të cilat 85.3% e kërkesave janë pranuar (29 kërkesa) dhe 14.7% e kërkesave janë pushuar (5 kërkesa)”, -rezultoi nga studimi.

Po ashtu, në 76% të rasteve të pranuara, pretendentët për bashkëshort të ardhshëm jetojnë në Shqipëri. Ndërsa janë 7 raste ose 24% e rasteve të pranuara pranë gjykatave, në të cilat pretendentët për bashkëshort të ardhshëm jetojnë jashtë Shqipërisë. /GSH.al

 

June 16, 2017 10:51
Komento

1 Koment

  1. Bogonica June 17, 20:23

    PO si ta kuptoj shprehjen : “Ndaj të miturat japin moshë dhe emër të ndryshëm kur regjistrohen në klinika”, – vlerëson UNFPA.”.Ne rast se kerkon nje sherbim duhet te keshe ne dore nje ID (dokument identifikimi me fotografi),ne te kundert nuk merr sherbim.Ne se ne nje Klinike private,tjeter njeri merr sherbim dhe tjeter regjistrohet, ky perben veprim i denushem penalisht ,dhe Pronari ,apo shefi Klinikes shkon ne burg.Mirpo keto nuk ndodhin se institucionet e kontrollit te ngarkuara me ligj nuk funksionojne,sepse nuk kontrollohen kontrolluesit s’ka kerkese llogarie,keshtu veprohet ne shtetet rrumapalle.Tani,hajde shaje shtetin e diktatures !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*