Megaskandali / FSDKSH, afera me farmacitë, 14 mln euro vetëm dy familje!

November 13, 2018 11:00

Megaskandali / FSDKSH, afera me farmacitë, 14 mln euro vetëm dy familje!

Një grusht farmacish nën pronësinë e familjarëve të zyrtarëve të Fondit të Kujdesit Shëndetësor, të hetuara për mashtrim me subvencionet, përfituan dhjetëra milionë euro në rimbursime barnash nga viti 2010 deri në vitin 2018, pavarësisht dyshimeve për përfitime të paligjshme, konflikt interesi dhe favorizim nga drejtuesit e FSDKSH-së.

 

Në fund të korrikut 2014, duke folur në një konferencë përpara mjekëve të shërbimit parësor në Tiranë, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj denoncoi një numër farmacish dhe mjekësh, që sipas tij manipulonin skemën e rimbursimit të barnave.

“Ky është mjeku B.T në Shkozë, 80% e recetave të tij përfundojnë tek farmacia Geni&Lori. Shkoza ka 10 farmaci, por njëra prej tyre, Geni&Lori merr 4/5 e recetave që rimbursohen,” tha Beqaj në prani të ish drejtorit të FSDKSH, Astrit Beci, duke nënvizuar se kjo skemë mashtrimi ishte e shpërndarë në të gjithë Shqipërinë.

Një vit më vonë, në qershor 2015, bazuar në një raport të iniciuar nga Njësia e Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit në Kryeministri, Prokuroria e Tiranës procedoi penalisht 9 persona – përfshirë ish drejtorin e Fondit për Tiranën, Pjerin Xhuvani, të akuzuar për favorizimin e 4 farmacive, që nëpërmjet recetave të falsifikuara kishin përfituar në mënyrë të paligjshme 56 milionë lekë.

Skandali çoi në dorëheqjen e kreut të Fondit, Astrit Beci, por farmacia Geni&Lori në pronësi të kunatës së ish- nëndrejtorit të FSDKSH-së në atë periudhë, Sokol Skura, nuk u penalizua.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se farmacia Geni&Lori nuk ishte e vetmja farmaci në pronësi të familjarëve të Skurës dhe Skura nuk ishte i vetmi zyrtar i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH, familjarët e të cilit kanë në pronësi farmaci që përfitojnë shuma marramendëse rimbursimi çdo vit.

Pesë farmaci të tjera, të lidhura me dy kompani në pronësi të ish- kontrollorit të Fondit,  Gazmend Aliaj, njëherazi kunati i drejtorit të Politikave në FSDKSH, Aleksandër Haxhi, kryesojnë listën e përfituesve gjatë dekadës së fundit.

Të dhënat e rimbursimit të barnave të analizuara nga BIRN tregojnë se nga vitit 2010 deri në vitin 2018, vetëm farmacitë në pronësi të familjeve Aliaj dhe Skura kanë siguruar rimbursime që janë disafish më të larta se mesatarja dhe kapin në total një vlerë prej 13.9 milionë eurosh.

Këto farmaci janë denoncuar disa herë në Prokurori për “mashtrim me subvencionet”, por hetimet janë mbyllur pa nxjerrë përgjegjësi penale. Në anën tjetër, shkeljet e konstatuara nuk e kanë penguar Fondin që të rilidhë vit pas viti kontrata për rimbursimin e barnave me këto subjekte, megjithë shqetësimet e vazhdueshme të ngritura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Farmacitë në pronësi të familjeve Skura dhe Aliaj nuk janë të vetmet që përfitojnë vlera të larta rimbursimi nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjatë dekadës së fundit, dy duzina farmacish nga një listë prej gati 850 subjektesh në kontratë me Fondin, kanë përfituar vlera rimbursimi disa herë mbi mesataren.

Së bashku, 24 farmacitë kryesuese përfituan 36.6 milionë euro nga viti 2010 deri në prill 2018; ose 9.4 për qind të vlerës totale të rimbursimeve.

Vlera e lartë e rimbursimit nuk do të thotë automatikisht që këto subjekte kanë shkelur ligjin. Por auditet e vazhdueshme të ndërmarra KLSH kanë zbuluar se kontrolli që Fondi ushtron ndaj farmacive me rimbursim më të lartë se 2 milionë lekë në muaj ka qenë i papërshtatshëm dhe në shkelje të rregulloreve të institucionit.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor nuk iu përgjigj pyetjeve të detajuara të BIRN. Ish kontrollori i Fondit, Gazmend Aliaj gjithashtu nuk i përgjigj një kërkese për intervistë, ndërsa kunati i tij Aleksandër Haxhi nuk ishte i arritshëm për koment. Ndryshe nga Aliaj, ish- nëndrejtori i Fondit, Sokol Skura i tha BIRN se ai ishte hetuar nga disa institucione publike, por në fund kishte dalë i pastër.

“Të ardhurat relativisht te mira të dy farmacive të mia justifikohen nga furnizimi i mirë me barna, për të cilat unë tatohem dhe jap të gjitha të dhënat çdo muaj pranë institucioneve përkatëse,” tha Skura. “Jam hetuar nga ILDKPKI, nga hetimi tatimor, nga Fondi kam pasur një kontroll të plotë dhe kam dalë i pastër,” shtoi ai.

Skura kundërshtoi gjithashtu akuzat e ish-ministrit Ilir Beqaj, duke e përshkruar këtë të fundit si të keq-informuar.

“Unë kam qenë prezent në sallë gjatë deklaratës së ish- ministrit Ilir Beqaj dhe mendoj se nuk ka pasur dijeni që ka qenë farmacia e vëllait tim,” tha Skura duke iu referuar mbledhjes së korrikut 2014.

“Atë ditë jam bërë tym, me pak fjalë jam mërzitur shumë. Të jem realist deri në atë kohë nuk kisha dëgjuar ndonjëherë një ministër të merrej me receta pacientësh, por me politika të larta në zhvillim të sistemit shëndetësor,” shtoi ai.

Rrjeti familjar i farmacive  

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u themelua në vitin 1995 si një institucion që kishte për qëllim financimin e shërbimeve shëndetësore në formën e një skeme publike. Njëzet vjet më vonë, kjo skemë e financuar nga një tarifë e barabartë me 3.4% të pagës të çdo punëmarrësi në vend, financon shërbimet shëndetësore në nivele të ndryshme nga ofrues publike dhe privatë.

Në vitin 2017, Fondi kishte një buxhet prej 39.4 miliardë lekësh, nga të cilat 11.3 miliardë lekë erdhën nga kontributet e sigurimeve shëndetësore dhe 28 miliardë lekë nga buxheti i shtetit. Nga ky buxhet, 20 miliardë lekë u shpenzuan për shërbimin e kujdesit spitalor, 8 miliardë lekë për shërbimin shëndetësor parësor dhe 10 miliardë lekë për rimbursimin e barnave.

Lista e barnave të rimbursueshme është një nga paketat më të rëndësishme që financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor. Ky rimbursim realizohet në bazë të kontratave që Fondi lidh çdo vit me subjektet farmaceutike në vend.  Gjatë vitit 2017, Fondi kishte kontrata me 848 farmaci, 74 agjenci farmaceutike, 14 spitale dhe 19 burgje. Gjatë këtij viti, Fondi shpenzoi 3.7 miliardë lekë për rimbursimin e farmacive spitalore dhe 6.7 miliardë lekë për rimbursimin e rrjetit të hapur të farmacive private.

Fondi publikon në bazë mujore vlerën e rimbursimit të përfituar nga çdo subjekt farmaceutik privat me të cilin ka kontratë. Këto të dhëna statistikore janë të publikuara në faqen në internet të Fondit për një periudhë që fillon nga viti 2010 deri në prill të vitit 2018 [mungojnë vetëm vlerat e rimbursimit për periudhën janar –mars 2015].

Me qëllim analizimin dhe identifikimin e përfituesve më të mëdhenj të skemës së rimbursimit të barnave, BIRN i hodhi të dhënat e publikuara nga Fondi në një bazë të dhënash. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se nga viti 2010 deri në prill të vitit 2018, FSDKSH shpenzoi 48.8 miliardë lekë [390.8 milionë euro] për rimbursimin e ilaçeve, fond nga i cili përfituan rreth 850 subjekte farmaceutike.

Nga kjo listë, një grup prej 24 subjektesh, që përbëjnë 2.8 % të farmacive me kontratë në vend kanë përfituar 9.4 % të fondit ose 36.6 milionë euro nga viti 2010 deri në prill 2018.

Lista e subjekteve përfituese udhëhiqet nga një grusht farmacish të lidhura me drejtorin e politikave në Fond, Aleksandër Haxhi dhe kunatin e tij Gazmend Aliaj, si dhe ish- nëndrejtorin e FSDKSH-së, Sokol Skura. Përpara se të bëheshin pronarë farmacish, Skura dhe Aliaj kanë punuar si kontrollorë në drejtorinë e Fondit për Tiranën.

Të dhënat e Fondit listojnë 5 farmaci, të cilat janë ose kanë qenë në pronësi të Gazmend Aliajt dhe bashkëshortes së tij, Iris Aliaj. Gjatë dekadës së fundit, bashkëshortët Aliaj nëpërmjet farmacive Nikol 1, Nikol 2, Nikol 2 –IRA, Bio Plus dhe Medigreen kanë qenë farmacistët me rekordin më të lartë të rimbursimeve, duke arkëtuar 974 milionë lekë [7.75 milionë euro] nga FSDKSH.

Farmacitë e lidhura me ish- nëndrejtorin e fondit, Sokol Skura renditen në vend të dytë.

I rritur në Librazhd, Skura i tha BIRN se ishte diplomuar për Farmaci në vitin 2002, duke ndjekur profesionin e të atit. Ai ka punuar si kontrollor i Fondit për 4 vjet, përpara se të hapte farmacinë e tij të parë Coli’s në vitin 2007, në afërsi të ambulancës numër 9, tek lagjia e njohur si ish-Parku i Autobusëve në Tiranë.

Sipas Skurës, biznesi është rritur vit pas viti “duke punuar me përkushtim”. Paralelisht me biznesin farmaceutik, Skura ka ndjekur dhe ambiciet e tij politike.

I mbështetur edhe nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, me të cilin kishte miqësi që nga koha e gjimnazit në Librazhd, ai u zgjodh anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS në vitin 2011 dhe në vitin 2013 kandidoi për një vend në Parlament si përfaqësues i zonës së Librazhdit. Skura nuk u zgjodh deputet, por pas zgjedhjeve u emërua zv.drejtor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Përveç farmacisë Geni&Lori, që është në pronësi të kunatës së tij, Loranda Skura, Sokol Skura ka në pronësi farmacitë Coli’s dhe Eurofam2.

Në regjistrin tregtar gjenden dy shoqëri me emër tregtar Coli’s me pronar Skurën. Një subjekt i regjistruar në 2007 në formën e personit fizik, i cili është çregjistruar në vitin 2013 dhe një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e quajtur gjithashtu Coli’s. Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar ‘Coli’s’ është regjistruar në vitin 2013 me pronare znj. Elga Gogu, bashkëshortja e  Sokol Skurës. Në janar 2014, aksionet e kësaj shoqërie i janë transferuar Elida Gogut, vjehrrës së z.Skura, me vlerë nominale prej 100 mijë lekë. Në vitin 2015, vjehrra e Z. Skuraj ia transferon aksionet z.Erdis Alikajt përsëri për vlerën e tyre nominale prej 100 mijë lekësh.

Në 29 qershor 2017, shoqëria Coli’s sh.p.k ka përthithur farmacinë Eurofam2, e regjistruar gjithashtu në emër të Erdis Alikaj. Shoqëria e krijuar nga bashkimi, me emër tregtar ‘Coli’s, Eurofam2, Pharmalider,’ është shitur në vitin 2018 nga Erdis Alikaj tek Sokol Skura për vlerën nominale të aksioneve prej 200 mijë lekësh.

Transaksionet e shumta brenda familjes të aksioneve të farmacisë Coli’s ngrenë dyshime se mund të kenë pasur si qëllim maskimin e marrëdhënies së z.Skura me këtë shoqëri gjatë periudhës që ai mbante postin e zv.drejtorit të Fondit. Në total gjatë 8 viteve të fundit, tre farmacitë në pronësi të familjes Skura – Geni&Lori, Eurofam2 dhe Coli’s kanë përfituar 765 milionë [6 milionë euro] lekë rimbursime nga FSDKSH.

Në një intervistë me BIRN, Skura mohoi të ketë favorizuar farmacitë në pronësi të tij apo të familjarëve gjatë periudhës që ai ka punuar si zv.drejtor i FSDKSH-së. Ai tha BIRN që gjatë kësaj periudhe, farmacia Coli’s “ka qenë dhe është biznes familjar’, dhe para se të fillonte detyrën ia ka transferuar në fillim vjehrrës dhe pastaj djalit të hallës, Erdis Alikaj, duke shmangur konfliktin e interesit.

“Sipas ILDKPKI, e cila e ka hetuar pronësinë e farmacive, në qoftëse farmacia ishte në pronësinë e djalit të hallës nuk përbënte konflikt interesi. Edhe kur ishte në emër të vjehrrës, konflikti i interesit gjykohej rast pas rasti,” tha Skura.

“Nuk ka pasur konflikt interesi sepse unë në detyrën time kurrë dhe asnjëherë nuk kam ndikuar apo bllokuar kontrolle ndaj subjektit, ose personave në lidhje gjaku me mua, të cilat janë bërë objekt kontrolli nga drejtoritë përkatëse,” shtoi ai.

Kontrolle selektive

 

Në 18 mars 2015, kryeministri Edi Rama firmosi një urdhër të brendshëm që autorizonte kontrollin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, lidhur me zbatimin e procedurave ligjore në përzgjedhjen e distributorëve farmaceutikë, lidhjen e kontratave dhe zbatimin e tyre.

Tre muaj më vonë, me 5 qershor 2015, Prokuroria e Tiranës arrestoi nëntë persona, mes të cilëve edhe drejtorin e FSDKSH së Tiranës, Pjerin Xhuvani për abuzime me fondin e ilaçeve të rimbursueshme. Skema për të cilën u procedua Xhuvani përfshinte katër farmaci dhe një vlerë të paligjshme rimbursimi prej 56 milionë lekësh. Skandali çoi në dorëheqjen e ish drejtorit të FSDKSH-së, Astrit Beci.

Raporti i akt-kontrollit të NJKBA-së, një kopje e të cilit u sigurua nga BIRN, përmend një numër më të lartë farmacish dhe një dëm financiar ndaj Fondit tre herë më të lartë se skandali i zbuluar nga Prokuroria. Ky raport evidenton një dëm që e kalon vlerën e 150 milionë lekëve, ndërsa në skemën e dyshuar të ‘mashtrimit’ përfshinte shtatë farmaci të tjera.

Sipas vendimit të Këshillit Administrativ të Fondit me nr.101, datë 22 nëntor 2014, Drejtoria e Kontrollit Parësor dhe Farmaceutik, DKPF, duhet të kontrollojë në mënyrë periodike subjektet me vlerë rimbursimi më të madhe ose të barabartë me 2 milionë lekë, ose ato subjekte që regjistrojnë luhatje në vlerat mujore të rimbursimit.

Por sipas raportit të NJKBA-së, DKPF nuk e ka zbatuar udhëzimin e Këshillit Administrativ dhe ka ndërmarrë kontrolle subjektive ndaj farmacive të rregullta, ndërkohë që ka anashkaluar kontrollet ndaj farmacive që kanë pasur luhatje të vlerave të rimbursimit, të cilat dyshohej se ishin pjesë e mashtrimit.

Ish ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, e cila zëvendësoi Astrit Becin në korrik 2015  duke u emëruar si drejtore e komanduar në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor i tha BIRN se kontrollet ndaj farmacive shpesh dekonspiroheshin nga punonjës të Fondit.

“Kur nxirrej urdhër kontrolli, që farmacitë të mos njoftoheshin nga punonjësit e Fondit paraprakisht, bëja kujdes që urdhrat e kontrollit t’i autorizoja gjatë të njëjtës ditë pune,” kujton Ekonomi, e cila qëndroi në krye të Fondit deri në dhjetor 2015.

“Konflikti i interesit, për aq sa ishin të zhvilluara mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit në atë kohë, nuk ishte e mundur të verifikohej në kohe reale,” shtoi ajo.

Akuzat për konflikt interesi ndaj Sokol Skurës u zbuluan pas bërjes publike të raportit të Njësisë së Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit në Kryeministri. Sipas NJKBA-së, tre farmacitë në atë kohë në emër të familjarëve të tij përfitonin shuma të konsiderueshme rimbursimi. NJKBA nënvizonte gjithashtu se farmacia “Coli’s’ nuk ishte kontrolluar që prej ditës së regjistrimit në QKR.

Raporti i kontrollit evidenton se këto raste janë të rënduara nga rrethanat e konfliktit të interesit, pasi “zv.drejtori ka për detyrë të bashkërendojë punët mes strukturave të fondit dhe të kontrollojë marrëdhëniet me subjektet e kontraktuara”. Njësia e Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit shkruan gjithashtu se drejtuesit e Fondit u përpoqën të fshihnin shkeljet ose ta shkarkonin përgjegjësinë vetëm zyrën rajonale të Tiranës.

Ekonomi tha se pas ardhjes në krye të Fondit, i ka kërkuar Skurës të largohet për shkak të konfliktit të interesit.

“Sokol Skurën e thërrita në zyrë disa ditë pasi u komandova në krye të Fondit dhe i thashë që nuk mund të mbash më pozicionin e punës. Ai zgjodhi të japë dorëheqjen,” tha Ekonomi për BIRN.

I pyetur nga BIRN, Skura e përshkroi raportin e NJKBA-së si jo-objektiv, ndërkohë që mohoi se farmacitë në emër të familjarëve të tij të jenë favorizuar përsa i përket kontrolleve.

“E kontestoj pretendimin e raportit të NJKBA-së që farmacia Coli’s nuk ishte kontrolluar,” tha Skura. “Raporti ka qenë tendencioz ndaj meje,” shtoi ai.

Suplementi ‘NeuroAid” dhe veteranët

Më 14 prill 2016, Prokuroria e Tiranës mori një kallëzim të ri nga Fondi për veprat penale të ‘falsifikimit të dokumenteve shëndetësore’, ‘mashtrimit’ dhe ‘mashtrimit me subvencionet’, i cili rridhte nga një kontroll i ushtruar në drejtorinë e Fondit në Tiranë në nëntor 2015.

Në kallëzimin penal drejtuar Prokurorisë, ish- drejtoresha e përgjithshme e FSDKSH-së, Vjollca Braho kërkoi fillimin e hetimeve dhe procedimin penal të disa farmacive dhe mjekëve për rimbursimin në periudhën qershor-tetor 2015 të një suplementit të quajtur NeuroAid II MLC901, për kategorinë e veteranëve të luftës.

“Nga verifikimi i bërë në regjistrin online të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore rezulton se ky produkt nuk është ‘bar’, nuk është i regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe si i tillë nuk mund të rimbursohet, gjë që i ka shkaktuar një dëm ekonomik për muajt qershor-tetor 2015 me një vlerë totale prej 14.3 milionë lekësh,” shkruante Braho.

Edhe pse depoja farmaceutike “Vinipharma” ka ekskluzivitetin për importin e këtij suplementi, farmacitë që e kanë rimbursuar suplementin kanë dorëzuar në Fond faturat tatimore nga depoja farmaceutike ‘Omega Pharma’ – e kallëzuar më parë për mashtrim me rimbursimet.

BIRN / Vijon numrin e ardhshëm

November 13, 2018 11:00
Komento

8 Komente

  1. Zigur Qarri November 13, 11:33

    Shtet i mbaruar,drejtesi inekzistente,ekonomi e falimentuar,largim masiv,korrupsion ne rrritje,katrahure…
    Burg për 2 nga 7 të pandehurit e skandalit të barnave. Liri me kusht për drejtorin e LSI, Pjerin Xhuvani
    Për ish-drejtorin e drejtoris rajonale të ISKSH-së Pjerin Xhuvani gjykata vendosi që për 2 vite e gjysëm
    të jetë nën vëzhgimin e Shërbimit të Provës edhe pse e gjeti fajtor për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”
    në bashkëpunim. Drejtori(Pjerin Xhuvani) i arrestuar i siguroi alibinë Kostandin Xhuvanit.Drejtori i
    Drejtorisë Rajonale të Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Pjerin Xhuvani, është lakuar edhe
    më parë në një çështje shumë të diskutuar.Bëhet fjalë për lëshimin e një dokumenti për Kostandin
    Xhuvanin një vit më parë, kur djali i ish-deputetes Luiza Xhuvani u përfshi në një ngjarje kriminale në
    Gjirokastër dhe qëlloi me armë një grup studentësh.Pjerin Xhuvani, për disa vite ka qenë drejtor i
    Spitalit Psikiatrik në Elbasan.Ka qenë pikërisht ai që lëshoi një dokument sikur Kostandin Xhuvani
    ishte shtruar në këtë spital, ditën që ishte përplasur me armë në Gjirokastër, duke gjetur alibi për
    vendndodhjen dhe shpëtuar nga procedimi.Kjo gjë e shpëtoi Kostandin Xhuvanin nga burgu, i cili
    disa muaj më vonë kreu vrasjen e katërfishtë në Tiranë.

    Reply to this comment
  2. Perkthyesi November 13, 12:32

    Ka kohe qe mjaft shoke dhe miq te mi, pyetjes se cila eshte mafia me e rrezikshme ne Shqiperi, i pergjigjem: ajo e naftes. Ata menjehere me kundershtojne, dhe me thone se nuk eshte ajo, por Mafia e Ilaceve, por mbahet shume e fshehte, pasi aty kullosin plot dinosaure politikane dhe lloj lloj zullumqaresh dhe nepsqaresh te tjere te ndyre…..

    Reply to this comment
  3. K. M. Tusi November 13, 13:28

    Ne kete institucion NUK duhet te punojne njerez qe kane konflikt interesi me punen qe bejne. Pra te mos kene ne pronesi farmaci as ata e as famijlaret e tyre!
    A nuk eshte kjo ne rregulloren e institucionit?!
    Ky rregull duhet te vihet per cdo institucion.

    Reply to this comment
    • mirel November 13, 14:03

      Po Tuso, ashtu thote Ligji. Po ja qe anetaret e partise as pyesin fare ne ka ligj sepse ligjet i vete..
      Te funksionoje nje skeme e tilla korruptive pa asnje problem per kaq vite do te thote qe shteti e ka institucionalizuar krimin.
      14.5 milione euro te grabitura nga subvencionimet do ti kishte zili dhe Al Kapone.
      Dhe keta miqte e Balles, nuk i ze ligji, por me mga nje keshille te tille ja hedhin te gjithe paq.
      Po jam shume konfuz se si funksionon kjo skeme rimbursimi.
      Kur shteti paska kaq shume para sa tju fali miliona e miliona miqve te Taulant Balles e pallave te tjera, perse nuk ngre farmaci shteterore per ilacet qe rimbursohen.
      Sepse i bejne bete keto lloj skemash per te vjedhur rrogat e popullit. E perdorin buxhetin e shtetit si arke personale.
      Vjedhje me te dyja duart. Koncesione, PPP..skema si keto.
      Te gjitha me parate e shtetit, vetem se shteti nuk i operon dot vete dhe me bujari ju fal.qindra miliona privateve.
      Rrofte Rilindja. Fitore fitore..
      Te pelcasin armiqte e Rilindjes.
      Sa me shume vjedh Rilindja, aq me shume krenohet populli

      Reply to this comment
      • K. M. Tusi November 13, 17:27

        Mirel,

        N.q.s. konflikti i interest në këtë institucion sanksionohet me ligj, atëherë ATA zyrtarë që nuk e deklaruan se janë në konflikt kur u morrën në punë apo kur u hap farmacia thërriten nga prokuroria. Dhe kjo duhet të kërkohet me forcë.

        Ashtu edhe ata që u dhanë liçensë pronarëve për farmaci apo të drejtën të shesin ilaçe të riimbursuara kur kanë konflikt interesi shkojnë e sqarohen në prokurori.

        Politizimet “partia”, “i gjati”, “ripjellja” etj. nuk ndihmojnë të zgjidhin problemin madje dhe mund ta vështirësojnë zgjidhjen se akuza perceptohet se bëhet nga baza politike. Le ta nxjerrë prokuroria e gjykata se cilët janë përgjegjës. Bazuar mbi vendime gjykate formulohen akuzat për përgjegjësi politike.

        Reply to this comment
        • mirel November 13, 18:56

          Tani fole si sekretar i pare
          Cili shtet dhe cila gjykate do vere drejtesi kur vetem 2 nga keta jane denuar dhe liruar me paraburgim.
          Cili eshte morali i skemave te tilla subvencionuese ku duket hapur qe shkojne ne xhepat e farmacive private?
          Perse gjithe ky ngaterrim ligjor kur fare mire shteti te kete filialin e vet farmaci ne spital?
          Per ti dhene mundeso vjedhjes?
          Cila gjykate mund ta shqyrtoje nje konflikt te tille qe nuk eshte konflikt interesi por nje konflikt politik qe angazhon interesat publike. Pra me thelb kerkon zgjidhje politike. Ose qeveria duhet te ndryshoje platformen politike, nga grabitje e parase se popullit ta ktheje ne mbrojtese te interesave publike.
          Prape zgjidhja ngelet politike.

          Reply to this comment
          • mirel diarreja November 13, 19:13

            jo o mirel topja.Ti po flet si komsomolas i zjarrte. Ja fut si kau peles Rilindja, Taulanti, Ramuti dhe karrlleqe te tjera qe vetem ajo cope muti qe ke nen kafke mund ti rriprodhoje.
            Degjo ketu o tutkun meqe te perlqen ti politizosh gjerat. Eshte banda e LSI qe morri drejtimin e ISKSH pas zgjedhjeve te 2013 dhe farefisi i tyre. Kjo ceshtje eshte denoncuar ne Prokurori nga ish Ministri i asaj kohe Beqaj. Kjo eshte e verteta

          • K. M. Tusi November 13, 19:53

            Farmaci shteterore Mirel?!
            Ende mentaliteti i ndermarrjeve shteterore?!
            Greqia e hengri me kete mentalitet, pale Shqiperia ne kohe te Hoxhes. Pra do qe ta besh edhe me keq se c’eshte!!!
            Cila gjykate?! Ajo e OKB-se! Prandaj punet fillojne nga Vetingu i gjykatave se pa to cdo gje ngec.

Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim