Skandali me pronat në Lezhë, Gjek Çelaj: Po luhet “Komedi Penale”

June 19, 2019 12:32

Skandali me pronat në Lezhë, Gjek Çelaj: Po luhet “Komedi Penale”

Rreth një vit e gjysëm më parë ku shpërtheu skandali i pronave në Lezhë dhe Shëngjin u vura në kontakt me Gjek Çelajn, i cili ishte denoncuesi i parë i këtij megaskandali. Ai rrëfeu se çfarë kishte ndodhur me pronën e tij dhe veprimet e shpejta të zyrtarëve për t’i marrë tokat e gjyshit të tij. Si e kishte ndjekur çështjen që në fillesat e saj dhe si u “zhdukën” dokumentet e pronës. Sot ai vjen me një tjetër rrëfim të gjatë për atë që ka ndodhur në Lezhë, por dhe për atë që prêt nga kryetari i ri i Bashkisë. Si po ecën procesi, dhe a do të ketë drejtësi për një tjetërsim të pashembullt që i është bërë tokës, ku të përfshirë janë zyrtarë të lartë të administratës dhe persona të tjerë.

Erion Habilaj

Pyetje: Z. Celaj, pas rreth një viti nga intervista juaj me gazetën tonë, po i rikthehemi edhe një herë çështjes delikate dhe të rëndësishme të pronave tuaja të tjetërsuara në bashkinë e Lezhës.

Gjek Celaj: Faleminderit për interesimin tuaj lidhur me këtë problem, sa personal aq edhe shoqëror.

Pyetje: Vjet çështja penale ku ju ishit kallëzues dhe palë e dëmtuar ndodhej ende nën hetim nga Prokuroria e Lezhës. Si kanë evoluar punët qysh atëherë dhe në çfarë shkalle ndodhet procesi penal?

Gjek Celaj: Pas një hetimi mbi një vjeçar, çështja iu kalua për gjykim gjykatës së Shkallës së Parë në Lezhë dhe prej rreth tetë muajsh vazhdon gjykimi i çështjes aty.

Pyetje: Sa persona të akuzuar ka dhe për çfarë akuzohen ata?

Gjek Celaj: Organi i akuzës e ka dërguar çështjen për gjykim me njëzet të pandehur, nga të cilët shumica akuzohen për “falsifikim të dokumenteve zyrtare”, ndërsa disa zyrtarë të pushtetit vendor akuzohen për shpërdorim detyre. E njoh mirë përmbajtjen e asaj dosjeje penale ashtu siç jam në dijeni edhe të veprimeve të kryer nga shumë prej personave nën akuzë. Siç e kam thënë edhe në intervistën tjetër, organi i Prokurorisë ka bërë një punë voluminoze në hetimin e çështjes, por, sipas mendimit tim, mund dhe duhej të kishte bërë një punë më cilësore. Falsifikimet e dokumenteve zyrtare dhe shpërdorimet e detyrës shtetërore nuk janë bërë as rastësisht, as pa qëllim dhe, madje, as pa marrëveshje midis disa prej të pandehurve. Atje janë tjetërsuar rreth 300 mijë metër katror tokë, pyll dhe kullota. Gjithë kjo sipërfaqe është futur në dorë nga disa të pandehur dhe është shitur tek disa të tjerë. Pra është një proces i tërë i përvetësimit të pronave të shtetit dhe të personave privatë që është kryer me dokumente false dhe ku kanë dhënë ndihmesën e tyre (kuptohet, jo për bamirësi) shumë individë dhe punonjës të zyrave shtetërore në pushtetin vendor. Kush e njeh dosjen penale e ka të qartë se numri i personave të implikuar në krim është shumë më i madh se ai nën gjykim.

Pyetje: Si kanë arritur gjithë këta individë të kryejnë veprimet kriminale të tjetërsimit të pronave tuaja?

Gjek Celaj: Për hir të së vërtetës, duhet thënë se pronat e mia dhe bashkëpronarëve të tjerë përbëjnë vetëm një pjesë të sipërfaqeve së tjetërsuara. Për ata që nuk e njohin çështjen por, thjesht do të ndiqnin komedinë penale që zhvillohet, fillimisht në periudhën e hetimit dhe tani në atë të gjykimit, iu krijohet ideja e rreme se njëzet të pandehur në sallën e gjyqit i ka mbledhur rastësia dhe se ata, krejt “gabimisht”, nga “padija” dhe “pakujdesia” kanë bërë, veç e veç, pa njohje e marrëveshje midis tyre, disa “gabime të vogla” që rastësisht iu kanë sjellë fitime të mëdha, ndërsa pronarëve të vërtetë një “gërvishje” që nuk kërkon mjekim. Pra, duket sikur njëzet gjahtarë, në të njëjtin çast dhe në të njëjtin vend, krejt rastësisht kanë qëlluar mbi të njëjtin lepur.

Pyetje: Pse e quani “komedi penale” dhe cilët janë aktorët e saj?

Gjek Celaj: Aktorët janë të pandehurit të cilët, edhe gjatë hetimit, edhe gjatë gjykimit luajnë rolin e sherr-budallait, rol që ua kanë mësuar regjisorët e këtij krimi. Kur thashë se Prokuroria mund të kishte bërë një punë më cilësore e kisha fjalën pikërisht tek bashkëpunimi i saj (i munguar) me Policinë e Shtetit gjatë hetimit. Nga studimi i materialeve hetimore vërej se po të ishte bashkëpunuar ngushtë dhe seriozisht nuk do të kishim sot disa individë që, megjithëse të akuzuar me të drejtë, duket sikur ndodhen rastësisht së bashku në një proces penal që lidhet me të njëjtin objekt. Merreni me mend çfarë ndodh: njerëz të ardhur nga njësi të tjera administrative kanë marrë Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), gjoja para 10-15 vitesh, pretendojnë se nuk e dinë ku ndodhet “toka” e marrë sipas Ligjit 7501/1991, as sa është sipërfaqja e tokës së marrë, as çfarë lloj toke është (gjendja fizike e tokës), as cilët janë kufitarët e pronës së tyre dhe, megjithëse e kanë shitur nuk mbajnë mend as kur dhe as kujt ia kanë shitur. Madje pretendojnë se nuk mbajnë mend as zyrën noteriale ku kanë kryer veprimet përkatëse. Topografi që ka bërë plan-rilevimet është “për t’u dhimbsur”. Ai pretendon se i ka bërë plan-rilevimet thjesht nëpër zyra, pa shkuar në terren, pa e ditur ku është prona dhe as çfarë lloj prone është dhe, megjithë këtë “naivitet”, një të tretën e këtyre pronave i kanë marrë njerëzit e tij. Edhe blerësit e pronave (të përjashtuar nga përgjegjësia penale) na dalin se kanë paguar shuma të mëdha parashë për “tokë arë”, ndërsa ajo ishte ranishte dhe “pemëtore”, ndërsa në të vërtetë ishte mal dhe pyllnajë. Për “t’u mëshiruar” janë edhe zyrtarët vendor të cilët, me firmat e tyre, i kanë kthyer malet dhe sipërfaqet ranore, brenda ditës, në pemëtore dhe tokë arë në mënyrë që të mundësohej marrja e tyre sipas Ligjit 7501. Ata, të gjithë pretendojnë se kanë qenë naivë, iu kanë besuar vartësve dhe kanë firmosur “kuturu”. Krejt “rastësisht”, të gjithë “aktorët e rreshtit të parë”, i kanë mbajtur AMTP-të për vite e dekada në shtëpi, pa u paraqitur në ZRPP Lezhë për të marrë Certifikatat e Pronësisë dhe pastaj, si me magji, janë paraqitur të gjithë njëherësh, brenda pak ditëve, të ndihmuar nga zyrtarët e bashkisë që i kanë shoqëruar në zyrat e regjistrimit, i kanë marrë Certifikatat e Pronësisë brenda 3-5 ditëve, kur qytetarët e tjerë prisnin me javë e muaj dhe, brenda 3-10 ditëve kanë realizuar shitjen e pronave individëve të tjerë.

Pyetje: A nuk duken të çuditshme të gjitha këto veprime, “koincidenca” dhe pretendime?

Gjek Celaj: Po të besosh ato që ata thonë, të shfaqet përpara një skenë surealiste, madje “hyjnore”. Ndërsa pronarët e vërtetë të atyre pronave janë sorollatur nëpër institucione dhe gjykata për 10-15 vjet për të marrë pronat e tyre të trashëguara, disa “fatlumë” e kanë pasur Zotin në anën e tyre dhe, pa kërkuar marrjen e tokave, një ditë të bukur Zoti kujtohet për ta, fut nëpër zarfa disa AMTP, ua vë në sqep pëllumbave dhe i bekon të fluturojnë e t’ua lënë zarfat mbas derës sipas emrit dhe adresës së secilit. Pastaj, Zoti ua kujton të gjithëve njëheresh të paraqiten në ZRPP Lezhë dhe të aplikojnë për regjistrimin e pasurive hyjnore, pa e ditur çfarë janë, sa janë e ku janë këto pasuri dhe, po kështu, njëherësh ua sjell ndërmend t’ua shesin pasuritë e fituara “me djersë” disa individëve të panjohur. Me sa duket, ka qenë “Dora e Zotit” që ua ka marrë mendt edhe zyrtarëve dhe drejtuesve të pushtetit vendor të Lezhës që të firmosin në dhjetëra dokumente që paraqesin gjendje fizike të rreme të pronave dhe kështu, brenda pak ditëve apo javëve “fukarenjtë” u bënë pronarë tokash në bregdet. Mirëpo, pas kallëzimit tonë dhe hetimeve të bërë, rezulton se të gjithë dokumentet me të cilët janë realizuar tjetërsimet dhe marrjet e këtyre pronave kanë qenë të falsifikuar, si përmbajtje dhe, shumica, edhe si nënshkrime. Pra rezulton se falsifikimet i paska bërë ” sekretari i Zotit ” dhe dhuratat kanë qenë të rreme. Të kuptohemi, është fjala për dorën e zotit të tyre, se ai i Librave të Shenjtë e dënon vjedhjen dhe vjedhësit.

Pyetje: Ju thatë se pronarët e vërtetë nuk kanë mundur t’i marrin pronat e tyre për shumë vite ndërsa të pandehurit i morën brenda disa javëve. Si qëndron problemi i pronësisë së sipërfaqeve të tjetërsuara?

Gjek Celaj: Pavarësisht shakave të ndonjë qeveritari hokatar apo përpjekjeve të ndonjë avokati sharlatan, pronat objekt tjetërsimi kanë qenë pronë private e banorëve të asaj zone prej dy shekujsh. Në momentin e tjetërsimit këto sipërfaqe kanë qenë të regjistruara në titullin “pronë shtet”. Unë dhe bashkëtrashëgimtarët e tjerë jemi pronarë historikisht dhe juridikisht me vendim të formës së prerë të organeve të drejtësisë.

Pyetje: Meqë përmendët avokatët, si qëndron problemi i përfaqësimit të palëve të dëmtuara në procesin gjyqësor?

Gjek Celaj: Normalisht ne nuk kemi nevojë fare për avokat sepse ato prona nuk mund të bëhen të tjetërkujt por, megjithatë, ne kemi një përfaqësues ligjor në gjyq sa për të paraqitur 2-3 kërkesa tonat dhe për të ndjekur normalitetin juridik të procesit. Të pandehurit kanë avokatët e tyre mbrojtës dhe kjo është normale. Mbrojtja që këta avokatë iu bëjnë klientëve të tyre është e drejtë e tyre. Megjithatë, më kanë bërë përshtypje të keqe qëndrimet e ndonjë avokati pa dinjitet. Ndërsa janë mbrojtës të tjetërsuesve të pronave, të hajdutëve me dhe pa pushtet, përpiqen të ironizojnë në sallë avokatët e palëve të dëmtuara, pra të atyre që iu janë vjedhur pronat. Një avokat i një pushtetari vendor, i quajturi Neshat Fana, dikur persekutuesi im pasi, si prokuror në shërbim të partisë, kërkonte në gjyq dënimin tim dhe kolegëve të mi të pafajshëm, tani pretendon në gjyq se “pronarë të sipërfaqeve të tjetërsuara është shteti dhe jo këta kallëzuesit”. Me një fjalë, ky sharlatan i pacipë, që thotë se e ka për nder të jetë avokati i Sali Berishës, ndërkohë që është përdorur prej tij si prokuror dhe për këto “merita” bashkëshortja e tij u bë anëtare e Gjykatës së Lartë, por meqë nuk justifikonte dot pasurit marramendëse iku nga ai post i lartë siç ikin të gjithë të vetëfëlliqurit, pasi më ka marrë dikur disa vite të jetës time, tani kërkon të më marrë edhe pronat. Ky arrin deri atje sa të pohojë në gjyq se shkelja e vendimeve të Këshillit të Ministrave nuk përbën shkelje të ligjit, gjë që i bën të qeshin edhe juristët me diploma të blera nëpër universitetet private të Shqipërisë, të cilët e kanë të qartë referencën e “dispozitave të bardha”, siç është “shpërdorimi i detyrës” tek aktet ligjore dhe nënligjore përkatëse që rregullojnë veprimtari të veçanta shtetërore.

Pyetje: Po ju, si kallëzues a i keni dhënë dëshmitë tuaja në gjyq dhe çfarë kërkoni?

Gjek Celaj: Sigurisht që i kemi dhënë dëshmitë tona, me gojë dhe me shkrim. Pavarësisht bindjes që ne kemi për rolin e shumicës së të pandehurve në krim, ne as kemi pasur dhe as kemi shfaqur ndonjë interes për dënimin e autorëve. Interesi dhe kërkesa jonë kryesore ka të bëjë me marrjen e një vendimi të drejtë e të ligjshëm, me urdhërimin nga gjykata të fshirjes së të gjitha regjistrimeve të paligjshme, të konsideruara si të tilla edhe nga Gjykata e Apelit Shkodër me Vendimin Nr. 701 datë 31 tetor 2018, si dhe me heqjen e sekuestros preventive mbi sipërfaqet objekt gjykimi. Si palë e dëmtuar, ne kishim menduar që, në rast se autorët kryesorë të krimit të kryer ndaj nesh do të shfaqnin sadopak pendesë gjatë gjykimit, t’i kërkonim trupit gjykues dhënien e dënimeve minimale për fajtorët. Mirëpo, qendrimet e tyre dhe, sidomos, përpjekjet e disa të pandehurve për të vonuar procesin e gjykimit nëpërmjet mosparaqitjes së tyre apo avokatëve të vet, apo çdo përpjekje e mëvonshme për ta vonuar procesin nëpërmjet ankimimeve, do të na detyrojnë që, përveç kallëzimit penal të bërë në shtator 2017, t’i padisim edhe civilisht dhe të kërkojmë prej tyre zhdëmtimet për të gjitha dëmet, jo të vogla, që na kanë shkaktuar deri tani. Është paradoksale, por ja që një nga të afërmit e një të pandehuri tund kokën i mllefosur kundër nesh se, sipas tij, ne jemi fajtorë ngaqë denoncuam vjedhjen e pronave tona.

Pyetje: Duket sikur shtypi nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur zhvillimit të një procesi të tillë të rëndësishëm. Si e shpjegoni ju këtë?

Gjek Celaj: E vërteta është se shtypi ka qenë gati indiferent dhe shkaku është se shtypi dhe media në përgjithësi më shumë janë shërbyese politike dhe komerciale se sa në shërbim të shoqërisë shqiptare. Shtypi i pavarur, informues vazhdon të jetë aspiratë për shqiptarët. Unë kam pritur më shumë nga të vetëquajturit “gazetarë investigativë” pasi kemi disa prej tyre që shfaqen aty-këtu si specialistë të mirëfilltë gati për çdo gjë dhe për çdo krim. Me ndonjë prej tyre pata pasur korrespondencë dhe më pati shfaqur besimin e vet se: “Jam e sigurt se drejtuesit e pushtetit vendor kanë marrë para kundrejt përpilimit dhe firmosjes së dokumenteve të rreme” që ndryshonin artificialisht dhe paligjshmërisht gjendjet fizike të pronave. Mirëpo, duket se këta gazetarë janë të angazhuar prej dy vjetësh me ato se çfarë kanë thënë në telefon Niçja dhe Tiçja, Tiçja dhe Giçja. Pra, duket se janë më shumë shërbëtorë politikë sesa në shërbim të interesave të qytetarëve, të së drejtës dhe moralit.

Pyetje: Meqë po flisni për moral, cili mendoni se është opinioni mbizotërues i popullsisë së Lezhës rreth këtyre problemeve?

Gjek Celaj: Në çdo kohë dhe në çdo vend, shkeljet e ligjeve janë së pari shkelje të Kodit Moral dhe pastaj vepra penale. Në një shoqëri të shëndoshë moralisht autorët e këtyre veprave duhej të përballeshin fillimisht me përbuzjen morale të shumicës së popullsisë dhe pastaj me ndëshkimin ligjor. Shoqëria jonë, për fat të keq, ka degraduar tmerrësisht shumë nga pikëpamja morale, sigurisht me kontributin e polikës dhe të politikanëve hajdutë, dhe ka bërë që e keqja në mos gjettë miratim, gjen indiferencë. Se sa shumë janë dëmtuar parimet morale tek ne nuk flet rasti i torollakut që bën të “fortin e lagjes” që përmenda më sipër, por kujtoni individët që protestuan para komisariatit të policisë pas arrestimit të drejtuesve të pushtetit vendor. Ata përpiqeshin t’i justifikonin aktet banditeske dhe kriminale të kryera ndaj pronave në bregdet. Deri aty ka arritur kalbëzimi ynë moral sa që një i afërm i drejtuesve të pushtetit vendor, ish-mësues dhe që ndodhet sot në moshën e tretë, shprehet nëpër kafene: “Gjeka na ka prerë në besë…”. Sipas këtij farë burri, unë paskam pas lidhur besë me drejtuesit e pushtetit të Lezhës që, edhe nëse ata më marrin pronat, unë duhet të hesht dhe t’iu them “faleminderit!”. Po të isha në vendin e tij dhe ai në vendin tim do të ndihesha i turpëruar kur ta takoja në rrugë dhe jo ta fajësoja. Ndërsa një mjek i Lezhës, i të njëjtës moshë me ish-mësuesin, por që duket se ka blerë nga pronat tona, nën emrin e dikujt tjetër, shprehet poshtë e lart se: “Gjeka është ngatërruar me një problem që ka bërë shumë dëm sepse njerëzit kanë dhënë qindra mijëra euro për të marrë ato prona”. Meqënëse e njoh nga afër, i them mjekut në fjalë dhe të gjithë atyre që kanë blerë mallin e vjedhur që të shpejtojnë t’i padisin shitësit e inkriminuar për t’iu marrë mbrapsht paratë e dhëna sepse aq sa kanë shanse të shkojnë në hënë me tren aq mund t’i gëzojnë tokat e marra dhe blera me marifete kriminale. Megjithë këto, jam i sigurt se shumica e popullsisë së Lezhës është e bindur në implikimin kriminal të autorëve të akuzuar dhe i neverit ata.

Pyetje: A ka të ngjarë që procesi penal të përfundojë shpejt?

Gjek Celaj: Ne po e ndjekim me vëmendje zhvillimin e procesit, rolin e secilës palë në gjyq si dhe përfundimin e tij. Reagimi ynë do të jetë në përputhje me drejtësinë e vendimit të gjykatës.

***

Pyetje: Siç dihet, në tjetërsimet e pronave në bashkinë Lezhë janë të implikuar edhe zyrtarë dhe drejtues të pushtetit vendor. Tani po afrohet data e zgjedhjeve vendore. A mendoni se këto zgjedhje do të bëhen dhe a do të sjellin ndonjë ndryshim për mirë në pushtetin vendor të Lezhës?

Gjek Celaj: Unë besoj se zgjedhjet vendore do të zhvillohen në datën 30 qershor kur, me të drejtë, Presidenti i Republikës i pati dekretuar para shumë muajve. Unë ndiej habi dhe keqardhje që, nën ndikimin e këshilltarëve të këqij, Presidenti nxori një dekret tjetër antikushtetues për anulimin e tyre. Besoj se procesi zgjedhor, ndonëse jo në nivelin e duhur demokratik të konkurrimit të subjekteve politike, do të zhvillohet dhe në datën një korrik Lezha do të ketë një Kryetar të ri në Bashki.

Pyetje: Kandidat për kryetar bashkie në Lezhë është  z. Pjerin Ndreu. Çfarë mendoni për zgjedhjen e tij si drejtues i pushtetit vendor?

Gjek Celaj: E njoh prej shumë kohësh z. Ndreu dhe mendoj se është një nga njerëzit më të përshtatshëm për t’u zgjedhur në atë post. Si lezhjan, ndiej keqardhje që në garë nuk ndodhen edhe përfaqsues të opozitës kryesore politike, pasi njoh individë, banorë të Lezhës dhe figura vendore të opozitës të cilët janë njerëz të nderuar dhe që do të mund të konkurronin me dinjitet me z. Pjerin Ndreu.

Pyetje: Pse mendoni se z. Ndreu është njeriu i përshtatshëm për drejtimin e asaj bashkije?

Gjek Celaj: Së pari, z. Ndreu është pinjoll i një familjeje të nderuar, biri i dy prindërve (njëri prej të cilëve nuk jeton sot) shumë dinjitozë që kanë punuar e jetuar gjithë jetën me ndershmëri dhe kanë jetuar me mundin e tyre. Vetë z. Pjerin është një ish-oficer i aftë policie dhe një jurist i mirë. Ai ka mbajtur poste të rëndësishëm në Policinë e Shtetit dhe ka qenë edhe Drejtor i Policisë së Qarkut Lezhë. Kohët e fundit ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Mua nuk më intereson përkatësia politike e askujt, por e gjykoj individin nga personaliteti dhe vlerat e tij. Është në nderin e tij që, megjithëse ka mbajtur poste të tillë të rëndësishëm, nuk është përlyer askund në veprime korruptive që mund t’i sillnin përfitime vetjake apo familjare. Në një kohë kur persona ordinerë dhe pa kurrfarë pushteti kanë spekuluar gjatë këtyre 30 viteve dhe kanë futur në dorë paligjshmërisht toka dhe prona të tjera të patundshme. Nuk është vetëm mendimi im, por edhe opinion zotërues në Lezhë se z. Ndreu ka qendruar larg këtyre ngasjeve.

Pyetje: E, megjithatë, ka pasur edhe përgojime të tij si oficer policie për prirje dhe njëanshmëri krahinore apo të ndonjë lloji tjetër.

Gjek Celaj: Unë nuk e njoh z. Pjerin nëpërmjet “biografive” të bëra nëpër kafene dhe nën avujt e alkolit apo të qejfmbetjeve provinciale. Unë e njoh atë prej dekadash dhe e njoh nga afër. Nuk kam pasur nevojë për të dhe as më ka bërë mirë dhe as keq. Por, unë e njoh si një qytetar të civilizuar dhe të zhdërvjelltë në kryerjen e punëve që i ngarkohen. Sa iu përket përgojimeve, nuk duhet të harrojmë se ne kemi parë e dëgjuar të marrin nëpër gojë dhe të përpiqen të zhvlerësojnë edhe Nënë Terezën e cila ia kushtoi gjithë jetën e saj bamirësisë. Kur është përgojuar e fyer një personalitet si Nënë Tereza, nuk përbën kurrfarë çudie që të ketë njerëz të pakënaqur e qejfmbetur me një njeri që ka drejtuar Policinë e Shtetit apo që është marrë edhe me politikë. Po të kishte mendësi dhe paragjykime krahinore, fisnore dhe fetare zoti Ndreu do të ishte martuar me një vajzë katolike mirditore dhe jo me një labe të fesë muslimane. Me aq sa e njoh unë, dhe besoj se e njoh mirë, ai nuk ka paragjykime të tilla dhe, për fat të lezhjanëve, nuk është fanatik partiak. Kjo e fundit është kushtëzuese për t’i trajtuar njëlloj të gjithë bashkëqytetarët e tij, pavarësisht bindjeve apo prirjeve të tyre politike. Dhe, në fakt kjo duhet të jetë një karakteristikë e domosdoshme e çdo pushtetari që ulet në zyrat drejtuese shtetërore ku ka të bëjë me fatet, nevojat dhe të drejtat e qytetarëve. Kur vjen puna tek të drejtat e qytetarëve, “kapitulli politik” duhet hequr nga koka e cilitdo punonjësi shtetëror, qendror apo vendor qoftë. Besoj fort se z. Ndreu do të jetë kryeqytetari i të gjithë banorëve të Lezhës.

Pyetje: Ka pasur pretendime, jozyrtarisht, se gjatë kohës që drejtonte policinë e Lezhës ka përkrahur disa kushurinj të tij në fshatin Tale të cilët qenë implikuar në akte kriminale. A keni dëgjuar për këtë?

Gjek Celaj: Ajo që unë di me siguri është fakti se personat në fjalë nuk kanë qenë “djemtë e tezes” të z. Ndreu, siç janë përpjekur t’ia atribuojnë. Siç e dinë banorët e asaj zone, disa nga këta individë përfunduan në burg, ose u vranë nga konfliktet me banorët e tjerë dhe të tjerët përfundimisht u kthyen në fshatin e tyre në Mirditë nga kishin ardhur. Tani, a mund të besohet se po të ishin djemtë e tezes së z. Pjerin Ndreu dhe të gëzonin përkrahjen e tij nuk do të kishin pasur favore dhe, madje, do të ishin edhe sot në fshatin Tale ku kryen zullumet?

Pyetje: Pra, ju po thoni se z. Ndreu do të ishte kryetari i duhur i bashkisë së Lezhës?

Gjek Celaj: Unë nuk besoj dhe as them se z. Pjerin Ndreu është shpëtimtari i Lezhës dhe i banorëve të saj. Nuk ka shpëtimtarë, por vetëm njerëz korrektë e punëtorë dhe, nga ana tjetër, batakçinj të pandreqshëm që shfrytëzojnë çfarëdo pushteti për interesat e veta dhe në dëm të qytetarëve. Lidhur me z. Ndreu besoj shumë në tri gjëra të dobishme për popullsinë e zonës që përfshin ajo bashki: Ai mund dhe do të jetë më i aftë se shumica e drejtuesve të mëparshëm të pushtetit vendor dhe do të bëjë disa punë shumë të vlefshme për të sotmen dhe të ardhmen e asaj popullsie. Nuk do të vërë dorë në pronat e askujt, siç kanë bërë të tjerët, dhe nuk do i gënjejë bashkëqytetarët duke iu bërë lajka e premtime boshe. Ai e ka aq burrëri sa t’iu thotë se, “kjo nuk bëhet dhe mos ma kërkoni!”.

Pyetje: Po, ju besoni se zgjedhjet duhet të bëhen dhe do të bëhen, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës politike?

Gjek Celaj: Sipas bindjes time të palëkundur, çështja e të votuarit është njëlloj si ajo e martesës. Është një e drejtë dhe jo detyrim. Këtë të drejtë nuk mund t’ia ndalojë askush askujt. Unë nuk mund të besoj se disa parti politike që shprehen se janë proevropiane, properëndimore dhe prodemokratike do të pengojnë me dhunë qytetarët shqiptarë për të ushtruar të drejtat e tyre kushtetuese të votimit dhe të zgjedhjes. Çështja e lejimit apo pengimit për të votuar ka disa aspekte. Përveç aspektit kushtetues dhe ligjor i cili bën që personat e aktivizuar, me gojë ose vepra, në pengimin e qytetarëve për të votuar do të përballen me shtetin dhe mund të përfundojnë në burg, këto veprime mbartin edhe aspektin moral dhe qytetar. Me çfarë të drejte morale dhe qytetare mundet dikush t’iu dalë përpara bashkëqytetarëve të tij për t’i penguar të shkojnë në qendrën e votimit? Individë të tillë, nëse ka mbetur ndonjë i marrë, duhet të dinë, se përpara ballafaqimit me shtetin do t’iu duhet të ballafaqohen me bashkëqytetarët e tyre. Cili është ai shqiptar i cili niset drejt qendrës së votimit vetëm ose me pjesëtarët e familjes së tij dhe i lejon disa maskarenj pa mend t’i zënë rrugën dhe ta detyrojnë fizikisht të kthehet mbrapa? Po t’u zësh rrugën, t’i fyesh dhe pengosh fizikisht ata që shkojnë në punën e vet mos prit tolerancë prej tyre. Nëse ka ndonjë budalla që ka vendosur të lërë kokën për partinë ai s’do i dhimbset askujt. Qytetarët e Lezhës dhe të të gjithë Shqipërisë duhet ta dinë se politika dhe partitë shkojnë e vijnë, ndërsa vetja, familja dhe shoqëria shqiptare mbeten. Ne kemi dhe do të kemi larmi pikëpamjesh dhe përkatësishë politike edhe në familje, fis apo rrethin shoqëror, por kjo nuk do të thotë t’i sakrifikojmë familjen, fisin apo miqësitë për partitë politike. Unë besoj shumë se populli i Lezhës do t’i neverisë të gjithë ata individë dhe marrokë, ndër ta edhe të shkolluar, por të palatuar, që bëjnë thirrje për dhunë, konflikt e gjak çdo javë nëpër gazeta pa moral dhe televizione pa ideale kombëtare dhe as humanitare. Nuk e kuptoj a kanë menduar ndonjëherë luftëshpallësit dhe luftënxitësit se si do të ndiheshin ata në datën një korrik nëse qoftë edhe një qytetar i Lezhës apo i Shqipërisë bije viktimë e marrëzisë kriminale të predikimeve të tyre.

Pyetje: Nëse do të ishit në Shqipëri, do të shkonit të votonit në 30 qershor?

Gjek Celaj: Unë do të jem në Shqipëri në 30 qershor për punët e mia dhe do të shkoj të votoj. Për zotin Pjerin Ndreu do të votoja edhe po të ishte kandidaturë e partive opozitare. Jam i bindur se të gjithë ata që besojnë se meritojnë një pushtet vendor më dinjitoz dhe të vlefshëm do të shkojnë në qendrat e votimit dhe do të votojnë për z. Ndreu, pavarësisht përkatësisë partiake.

 

June 19, 2019 12:32

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin