Skandali: Spitali Ushtarak pa municione

March 4, 2016 11:16

Skandali: Spitali Ushtarak pa municione

Edhe pse kriza e spitaleve publike shqiptare dukej sikur e kishte kursyer Spitalin Ushtarak të Tiranës, problemet në institucionin e dikurshem më famëmadh shëndetësor janë të shumta.

Gojët e Liga thonë se mungesat e thella të pajiseve bazë të punës në këtë emër dikur të lavdishëm, kanë bërë që Spitali Ushtarak të mos justifikojë as mbiemrin e vet.

Nëpër depot dhe magazinat e Ushtarakut, siç thonë nën zë mjekët ushtarakë, prej javësh mungojnë municionet, armët, veshjet antiplumb dhe pajisje të tjera logjistike, pa folur për mjetet moderne si dylbitë me rreze infra të kuqe apo bombat e telekomanduara.

“Ky spital është në pikë të hallit dhe ka humbur motivin e ekzistencës së vet”, thotë i dëshpëruar mjeku Çelo Kasapi.

Më e ndjeshme është kriza e furnizimeve në rapartin e famshëm të Traumatologjisë, ku tashmë mjekë e infermierë rrinë duarkryq. Jo rrallë ndodh që ata të kenë kaluar një apo dy ditë të tëra, pa shkaktuar dot asnjë traumë të vetme.

“Hera e fundit ishte dy javë më parë”, thotë dr.Kasapi, “dhe atëherë, vetëm me një plumb kallashnikovi traumatizova tre pacientë njëherësh. Kur s’ke, s’ke”.

Armët janë ndryshkur, shton mjeku, ato pak municione kanë marrë lagështirë dhe pacientët detyrohen të sjellin armë nga shtëpia.

“Ta themi mes nesh”, pëshpërit dr. Kasapi, “shajmë kohën e Xhaxhit, por atëherë s’të linte njeri në këtë gjendje, se shkoje në burg. Mua që më sheh kështu, e kam nisur punën duke shtënë nga dera e spitalit çdo kalimtar të rastësishëm. Mjete e pajisje sa të duash, rroga rrogë, respekti respekt. Po tani?”

Megjithatë, skandalet shqiptare kanë dhe anën tjetër.

Nuk janë të paktë zërat kritikë, që thonë se mjekët e Ushtarakut e shesin rregullisht logjistikën dhe mjetet, ndërsa pacientët i drejtojnë në dyqanet private të armëve dhe municioneve, ose në tregun e zi.

“Pse, rastësi është që gjithë Lapraka është mbushur me pistoleta e automatikë, ndërsa tek Ushtaraku nuk gjen asnjë për be? Mendo, u detyrova t’ja ngul thikën vetes, vetëm që të shtrohesha. Këtu ka plas korrupsioni mor vëlla”, pohon pacienti Rroka Pjekthi.

“Nuk kemi shtet, jooo”, përfundon ai, duke ngulur sytë mendueshëm jashtë dritares…

March 4, 2016 11:16
Komento

5 Komente

  1. Muco March 4, 13:17

    spitali ushtarak ska “municione”, se i ka cuar per “demontim” politika. Dhe tunelet e “ushtarakut” i ka zbraz Zeni, Mediu dhe pasardhesit etyre

    Reply to this comment
  2. Davidi March 4, 13:38

    Mesa kuptoj, dmth qe nese ke spitali civil pacientet vijne me ilace me vete, ke ushtaraku duhet me ardh me pushke me vete?

    Reply to this comment
  3. jonima March 4, 16:23

    Dr Çelo KASAPI, me siguri eshte kirurg

    Reply to this comment
  4. mjeksia falas March 5, 20:54

    mbeti studim per dokturature e beqes, dhe ne fund te permbledhjes jane keto konkluzione…
    spitali ska ilace, blejini vete, paguani dr, infjemerin,sanitaren, radiografet eco, skopi, analizat e gjakut.
    mereni onlain karten eshendetit, ju dhjevsha sigurimet qe ke paguar o pensionist gjithe jeten.
    ne itali ilacet mrren falas….

    Reply to this comment
  5. mjeksia falas March 5, 20:55

    mbeti studim per dokturature e beqes, dhe ne fund te permbledhjes jane keto konkluzione…
    spitali ska ilace, blejini vete, paguani dr, infjemerin,sanitaren, radiografet eco, skopi, analizat e gjakut.
    mereni onlain karten eshendetit, ju dhjevsha sigurimet qe ke paguar o pensionist ushtarak gjithe jeten.
    ne itali ilacet mrren falas….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*