Skema e mashtrimit për azil në Gjermani, arrestohen 5 trafikantët në Vlorë

December 19, 2014 20:04

Skema e mashtrimit për azil në Gjermani, arrestohen 5 trafikantët në Vlorë

Nga strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarkut Vlorë, u bë i mundur arrestimi në flagrancë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Fallsifikimi i dokumentave”, në ngarkim të shtetasve:

Agim Mucaj, 55 vjec, banues në lagjen “1 Maji” të Fierit, administrator i një agjensie udhëtimesh ndërkombëtare;
Shezai Aliaj, 45 vjec, banues në fshatin Fitore, pronar i një pike për transferimin e parave në Novoselë;
Kastriot Hoxhaj, 43 vjec, banues në fshatin Fitore, Komuna Novoselë.
Gjithashtu, u arrestuan për veprën penale të “Moskallzimit të krimit” shtetaset,

Denisa Mitro, 26 vjece, banues në Fier, agjente e shitjes së biletave pranë kësaj agjensie udhëtimesh;
Matilda Mazreku, 26 vjece, banuese në Fier, agjente e shitjes së biletave pranë kësaj agjensie udhëtimesh.
si dhe ka filluar procedimi penal në ngarkim edhe të 4 personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Arrestimi i këtyre shtetasve u krye pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë bërë të mundur kalimin e paligjshëm të kufirit të një numri të konsiderueshëm qytetarësh nga Shqipëria për në Gjermani me qëllim përfitimin financiar duke dizinformuar qytetarët.

Konkretisht, ditën e sotme nisur nga informacionet e marra në rrugë operative se një grup personash i organizuar do të udhëtonin drejt Gjermanisë nëpërmjet pikës së kalimit Kufitar të Portit Vlorë, me qëllim kërkimin e azilit ekonomik në këtë shtet, nga strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarkut Vlorë, në bashkëpunim me Shërbimet e Drejtorisë Rajonale për Kufirin & Migracionin Vlorë, është organizuar puna me qëllim kontrollin dhe monitorimin e të gjitha procedurave standarde për kalimin e kufirit.

Nga verifikimet e kryra në lidhje me dokumentacionin që dispononin personat që do të kalonin pikën e kalimit kufitar të Portit Vlorë, ditën e sotme ka rezultuar se një numër i konsiderueshëm i tyre, konkretisht 245 persona, kanë pasur mangësi të dokumentacionit të paraqitur dhe për këtë arsye janë prapësuar nga Shërbimet e Policisë.

Ndërkohë nga strukturat e Policisë Vlorë, janë shoqëruar në ambientet e policisë dhe janë kryer hetime duke u pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për veprën penale 50 shtetas, kryesisht banorë të fshatrave të Komunës Novoselë-Vlorë, të cilët kishin siguruar bileta për të udhëtuar për në Gjermnani me autobusët e agjensisë së udhëtimit.

Në lidhje me këtë fakt, nga Policia janë sekuestruar të gjitha biletat e udhëtimit dhe dokumentat justifikuese për kalimin e kufirit si dhe i gjithë dokumentacioni i kësaj agjensie dhe pikës së transferimit të parave në Novoselë në pronësi të shtetasit Shezai Aliaj.

Nga tërësia e veprimeve hetimore, dyshohet se nëpërmjet dizinformimit të përhapur në komunitetin e fshatrave të Komunës Novosele, “se në shtetin e Gjermanisë ofrohet azil ekonomik”, është nxitur interesi i komunitetit të kësaj zone për të udhëtuar drejt Gjermanisë me autobusët e kësaj agjensie udhëtimesh.

Gjithashtu, për të bërë të mundur kalimin e kufirit të udhëtarëve, nga shtetasit Shezai dhe Kastriot Aliaj, krahas shitjes së biletës nga Shqipëria për në Gjermani në pikën e transferimit të parave në Novoselë, siguroheshin edhe ftesa të parregullta të cilat dyshohet se janë të fallsifikuara.

Sqarojmë, se nga deklarimet e marra shtetasve të shoqëruar në polici, ka rezultuar se kanë ndërrmarë udhëtimin për në Gjermani, në disa raste familjarisht me qëllim për të kërkuar azil ekonomik në këtë shtet.

Itinerari i udhëtimit ka qënë nisja me autobuzët e Agjensise së Udhëtimit nga Fshati Novosele i Vlorës si dhe nga vendi i quajtur Autogrilli ne qytetin e Fierit, fillimisht duke kaluar ne Pikën e Kalimit Kufitar të Portit Vlorë, drejt Brindizit të Italisë dhe më tej për në Mynih të Gjermanisë, ku dhe do të kërkonin azilin ekonomik. Shuma e parave të cilët këta shetas dyshohet të kenë paguar për një biletë vetëm vajteje, mendohet të ketë qënë 140 euro për person.

Gjithashtu në deklarimet e tyre, personat e mësipërm janë shprehur se janë ndier të mashtruar pasi për të siguruar mjetet financiare për këtë udhëtim, janë detyruar të shpenzojnë kursimet e tyre, të marrin para borxh dhe të shesin sende të ndryshme me vlerë.

Bëjmë me dije edhe faktin se nga dokumentacioni i sekuestruar pranë kësaj agjensie udhëtimesh, ka rezultuar se ishin prenotuar edhe 320 bileta të tjera nga shtetas të ndryshëm të qyteteve të Elbasanit, Beratit dhe Durrësit, ku kjo agjensi ka pika shitje të biletave, me destinacion Mynihun e Gjermanisë. Mendohet se pasi të mbërrinin në Gjermani këta shtetas do të aplikonin për azil ekonomik të nxitur nga dizinformimi i përhapur.

Nisur nga ky fenomen, nga strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarkut Vlorë, në bashkëpunim edhe me agjensi të tjera ligjzbatuese, janë duke u hetuar edhe disa agjensi të tjera udhëtimi ndërkombëtare, të cilat mund të jenë të përfshira në këtë veprimtari.

December 19, 2014 20:04
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*