Skema e ndarjes së 2900 bursave të miratuara për nxënësit

December 23, 2017 11:22

Skema e ndarjes së 2900 bursave të miratuara për nxënësit

Pranvera Kola – DITA

Nxënësit nga familjet me të ardhura të kufizuara, ata që ndjekin studimet e shkollës së mesme larg vendbanimit të tyre, nxënësit me aftësi ndryshe, si dhe nxënësit që vijojnë mësimin në degët e cilësuara si prioritet nga qeveria, edhe për këtë vit do të trajtohen me bursë nga shteti.

Në varësi të kushteve që plotësohen nxënësit do të trajtohen me bursa të plota, si dhe të pjesshme Pjesa dërrmuese e bursave shkojnë për nxënësit që janë regjistruar në muajin shtator për të vijuar studimet e vitit të parë kryesisht në shkollat e arsimit profesional.

Konkretisht, për hyrjet e reja në vitin e parë në sistemin arsimor publik që ndjekin shkollat profesionale për vitin shkollor 2017-2018 do të jepen në total 2100 bursa. Ndërsa për të gjitha kategoritë e tjera të nxënësve që ndjekin arsimin parauniversitar do të jepen edhe 800 bursa studimi.

Në vendimin e zbardhur gjatë ditës së djeshme në Fletoren Zyrtare të Qeverisë, përcaktohet se afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave nga njësitë bazë të qeverisjes vendore për të gjitha kategoritë e shkollave do të jetë data 31 mars 2018. Vendimet e këshillave të njësive të vetëqeverisjes vendore të miratuara jashtë këtij afati janë të pavlefshme.

Përfitojnë bursë sipas kriterit ekonomik

Sa i takon kriterit ekonomik, do të trajtohen me bursë nxënësit e arsimit që vazhdojnë studimet në largësinë mbi 5 km nga vendbanimi i përhershëm i tyre dhe që plotësojnë kriterin mbi nivelin e të ardhurave. Po ashtu do të përfitojnë edhe nxënësit e arsimit parauniversitar që banojnë në zonat rurale, që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km dhe që plotësojnë kriterin ekonomik dhe akomodohen në konvikte publike.

Përfitojnë bursë për rezultatet

Po ashtu gjatë këtij viti do të trajtohen me bursë edhe nxënësit që janë me rezultate të shkëlqyera. Kështu, nxënësit e arsimit profesional që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10.

Përfituesit e bursës jashtë kriterit ekonomik

Jashtë kriterit ekonomik do të trajtohen me bursë nxënësit që kanë përfituar statusin e jetimit, ata që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë, nxënësit që gëzojnë statusin ligjor të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, nxënësit që gëzojnë statusin ligjor që nuk shikojnë apo nuk dëgjojnë, fëmijët e personave që gëzojnë statusin e invalidit e që përfitojnë pension invaliditeti dhe nuk kanë të ardhura të tjera, nxënësit e komunitetit rom dhe egjiptian që regjistrohen dhe ndjekin arsimin e mesëm profesional, ata që janë identifikuar dhe trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror, si dhe nxënësit që janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.

Për këtë kategori, deri në mbyllje të datës 31 dhjetor të këtij viti, Ministria e Brendshme, ajo e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ Shtetëror, si dhe institucionet e përkujdesit social rezidencial publik duhet të dërgojnë, në njësitë bazë të qeverisjes vendore përkatëse ku nxënësit ndjekin studimet, listën e nxënësve përfitues.

Përfitojnë bursë për ndjekjen e degëve prioritet

Vendimi përcakton më tej se, sipas degëve parësore të zhvillimit ekonomik të vendit dhe vendbanimit të përhershëm kanë të drejtë që të trajtohen me bursë edhe nxënësit që ndjekin me kohë të plotë arsimin profesional në drejtimet mësimore: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit.

Po ashtu brenda këtij kriteri, kanë të drejtë që të përfitojnë edhe nxënësit që janë me vendbanim të përhershëm në zonat verilindore dhe juglindore të vendit: Dibër, Bulqizë, Mat, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Skrapar dhe Tepelenë.

Nxënësit e shkollave profesionale që ndjekin vitin e dytë në drejtimet mësimore: bujqësi,veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, që kanë përfituar bursë në vitin e parë 2016-2017 dhe që nuk rezultojnë mbetës, përfitojnë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit.

Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore bazuar në planin e përcaktuar për to me vendim të këshillit bashkiak, miratojnë dhënien e bursave, sipas kritereve të përcaktuara, duke u dhënë përparësi nxënësve nga shtresat, kategoritë sociale në nevojë, për trajtimin me bursë të plotë.

Për kushte ekonomike të barabarta në trajtimin me bursë, prioritet kanë nxënëset vajza. Në pamundësi trajtimi me bursë të plotë, brenda planit të miratuar, këto njësi mund të trajtojnë nxënës të caktuar edhe me gjysmë burse.

Bursa edhe për praktikën mësimore

Gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës mësimore nxënësit që kanë përfituar bursë nga njësia bazë e qeverisjes vendore, do ta përfitojnë atë edhe gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës profesionale. Bursa jepet në formën e kuotës ushqimore ose kuotës financiare drejtpërdrejt në llogarinë bankare të nxënësit apo prindit, të çelur pranë bankave të nivelit të dytë.

 Mbështetja financiare për kategoritë me aftësi ndryshe

Nxënësit që kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë, përfitojnë çdo vit falas, veshmbathje, libra dhe fletore, sipas tabelës së detajuar në vijim të shkrimit. Gjithashtu bëhet me dije se nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përjashtohen edhe nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme që ofrojnë institucionet shtetërore.

Ndërsa nxënësve që kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, të invalidit paraplegjik, tetraplegjik, statusin ligjor të personave që nuk shikojnë, të personave që nuk dëgjojnë, u sigurohen falas akomodimi, fjetja, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet, pas paraqitjes së librezës, të kartës shëndetësore, si dhe të epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit.

Nxënësit e komunitetit rom dhe egjiptian që vazhdojnë studimet në shkollat e mesme profesionale, përfitojnë, falas, veshmbathje, libra dhe fletore. Po ashtu bëhet e ditur se nxënësit dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special me nevoja të veçanta psikosociale pa konvikt, trajtohen me fonde të buxhetit të shtetit me një kuotë ushqimore (drekë), me vlerë deri në 150 lekë në ditë, si dhe libra e fletore.

Pagesat suplementare

Nxënësit jetimë që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit parauniversitar, trajtohen me pagesë suplementare edhe për periudhën e pushimeve verore nga njësitë e qeverisjes vendore sipas vendndodhjes territoriale.

Rishqyrtimi i bursave

Bursat e nxënësve për vitin e parë shqyrtohen dhe miratohen nga Këshilli Bashkiak sipas vendbanimit të përhershëm të prindit nxënësit, përfitues të bursës kuotës ushqimore. Bursat e nxënësve për vitin e dytë e lart rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit nga Këshilli Bashkiak sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale apo konvikteve ku janë vendosur nxënësit, përfitues të bursës apo kuotës ushqimore.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të raportojnë zyrtarisht pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë çdo tre muaj, për fondet buxhetore të shpenzuara dhe numrin e nxënësve që trajtohen me kuota financiare të ushqimit në konvikte e bursa.

“Të gjithë nxënësit, prindërit dhe drejtoritë e shkollave profesionale duhet të paraqesin në njësitë e qeverisjes vendore kërkesat për miratimin e bursës, për nxënësit që përfitojnë bursë sipas kritereve të përcaktuara më lart. Nxënësit që kanë përfituar bursë vitin e parë me vendim të këshillit bashkiak, ku ata kanë vendbanimin e përhershëm dhe nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës e përfitojnë bursën deri në përfundim të viteve të shkollimit.

Nuk kanë të drejtë të përfitojnë bursë nxënësit:

  • Kur janë ndarë nga trungu familjar.
  • Kur familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private.
  • Kur shpallen ngelës, apo përsëritës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese.
  • Nxënësve që nuk frekuentojnë mësimin, apo nuk ndjekin praktikën profesionale pa arsye ligjore apo shëndetësore u ndërpritet menjëherë bursa.

Kalimi i bursës

Masa e miratuar e bursës mujore u paguhet nga njësia e vetëqeverisjes vendore çdo muaj pranë bankave të nivelit të dytë, në llogarinë bankare të nxënësve, ose të prindërve të tyre. Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore realizojnë pagesën e bursës për nxënësit përfitues, vetëm pasi drejtorët e shkollave profesionale konfirmojnë zyrtarisht brenda datës 5 të çdo muaji, pranë njësive të qeverisjes vendore, informacionin për ndjekjen dhe frekuentimin e shkollës për nxënësit që përfitojnë bursë.

December 23, 2017 11:22
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*