Skenat dhe prapaskenat e historisë: UÇK dhe roli i Tiranës

March 20, 2018 11:49

Skenat dhe prapaskenat e historisë: UÇK dhe roli i Tiranës

 

Ekskluzive Dita – Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë: Si u kthye Tirana në një qytet “pelegrinazhi diplomatik” të zyrtarëve e diplomatëve të nivelit të lartë, ministrave e ushtarakëve të NATO-s. Takimi i Hollbrukut me përfaqësuesit e UÇK-së në Drenicë dhe kthesa e madhe amerikane. Takimi i Millosheviçit me Rugovën dhe një ftesë e shumëpritur për udhëheqësit kosovarë në Shtëpinë e Bardhë…

(Vijon nga numri i kaluar)

Nga Paskal Milo

Ngjarja ishte e jashtëzakonshme jo vetëm nga përmasat e krimit, por edhe për rrjedhojat që solli e jehonën që pati. Qeveria shqiptare dhe të gjitha institucionet e tjera të shtetit shqiptar reaguan fuqishëm duke reflektuar ndjenjat mbarëkombëtare të shqiptarëve në Shqipëri e jashtë saj. Qeveria shqiptare bëri një deklaratë zyrtare ku dënohej me terma shumë të forta ofensiva ushtarake serbe në Drenicë dhe ku i bëhej thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndërhyrje. Iu dërguan letra ministrave të jashtëm të Grupit të Kontaktit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, u kërkua mbledhja e Këshillit të Sigurimit dhe bënë konsultime me NATO-n në Bruksel. Komuniteti ndërkombëtar reagoi menjëherë, por në mënyrë dispropocionale, për të përcaktuar përgjegjësit për ngjarjet dramatike të Drenicës. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania e Franca nënvizuan si shkaktar kryesor regjimin e Millosheviçit pa anashkaluar edhe gjykimin për veprimtarinë e UÇK-së. Rusia ndërkohë në traditën e qëndrimeve të saj mori pozitat në mbrojtje të Serbisë duke akuzuar UÇK-në si forcë terroriste, por edhe duke folur me gjysmë zëri për nevojën e një autonomie më të gjërë për shqiptarët e Kosovës. Italia lëkundej diku në mes dhe sugjeronte si formulë për zgjidhje statusin e provincës së Alto – Adige-s (Tirolit Jugor).

Ngjarjet e Drenicës e rikapituluan më me intensitet temën e natyrës të UÇK-së e të qëndrimit ndaj saj por edhe të statusit që duhej të kishte Kosova. Qeveria shqiptare në rrethanat e reja nuk mund të qëndronte në heshtje, por bëri një ndryshim cilësor duke e konsideruar luftën e UÇK-së si akte vetëmbrojtjeje pasi ishte humbur shpresa për të gjetur një zgjidhje paqësore.

Shqipëria u vendos në një vëmendje prioritare nga komuniteti ndërkombëtar për disa arsye por më kryesorja për të shmangur kthimin e saj në bazë e prapavijë të UÇK që mund të çonte në një konflikt të gjërë shqiptaro-serb me rrjedhoja të paparashikuara për gjithë rajonin. Stabiliteti i brëndshëm i Shqipërisë ishte gjithashtu një arsye ndaj edhe ajo lipsej që të ndihmohej.

Këshillat dhe paralajmërimet ndaj qeverisë shqiptare vërshuan nga të gjitha anët. Në kulmin e ngjarjeve të Drenicës, në 2 mars, Uashingtoni i dërgoi Tiranës mesazhin se “qeveria shqiptare duhet të qëndrojë sa më larg UÇK-së, të mos ketë dhe të refuzojë çfarëdo lloj kontakti me të, duke e injoruar plotësisht”. Mesazhi tjetër që pasoi ishte që qeveria shqiptare të merrte të gjitha masat e duhura për të parandaluar civilët e armatosur nga Shqipëria për të hyrë në Kosovë, për të përdorur të gjitha kanalet e saj për të influencuar ndër shqiptarët e Kosovës që ndodheshin në Zvicër apo gjetkë që të mos ndërmerrnin veprime të tilla e të mos grumbulloheshin mjete financiare për të përkrahur UÇK-në.  

Të tilla mesazhe erdhën në Tiranë edhe nga kryeqytetet e tjera të vëndeve të Grupit të Kontaktit përfshirë edhe Moskën e cila fliste me tone të theksuara proserbe. Madje Rusia në vijim të akuzave serbe shpërndau dyshime se në veri të Shqipërisë ekzistonin kampe të stërvitjes të UÇK-së.Kjo akuzë u përcoll edhe në zyrat e OSBE në Vjenë, e cila kërkoi sqarime në Tiranë.

Ngjarjet e Drenicës i dhanë UÇK peshë dhe dimension tjetër. Ato imponuan në Uashington e në Evropë një qasje më serioze e më konkrete në kërkim të një zgjidhjeje. Deklarata e 9 marsit e Grupit të Kontaktit dënoi aksionin e gjërë policor serb “që nxitën edhe më shumë situatën në shpërthim”. U kërkua vendosja e embargos së armatimit ndaj RFJ duke përfshirë edhe Kosovën, tërheqjen e të gjitha forcave speciale policore serbe dhe ndërprerjen e veprimeve të forcave të sigurimit në Kosovë, fillimin e procesit të dialogut të Beogradit me udhëheqjen e komunitetit shqiptar në Prishtinë, kthimin e misionit afatgjatë të OSBE-së në Kosovë si dhe nisja e një misioni të ri të ish kryeministrit të Portugalisë, Felipe Gonzales si përfaqësues personal i kryetarit të radhës të OSBE, etj. Teksti dhe fryma e masave të propozuara kishte karakterin e ultimatumit dhe Milosheviçit iu la dhjetë ditë kohë për të reflektuar e vepruar. Në rast të kundërt kërcënohej me kalimin në fazën e dytë të sanksioneve kundër RF të Jugosllavisë.

Deklarata e Grupit të Kontaktit ishte dokumenti më i ashpër adresuar Beogradit pas nënshkrimit të marrëveshjeve të Dejtonit në përfundim të luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Por hartuesit e Deklaratës u kujdesën që për shkak të ekuilibrave të brishta brenda Grupit të Kontaktit e sidomos për të mbajtur Rusinë në proces, për shkak të mospajtimeve të tyre me frymën revolucionare të luftës së UÇK, të hartonin një dokument të balancuar. Ndaj edhe në Deklaratë gjetën vend edhe frazat se dënimi i veprimeve të policisë serbe “nuk duhet të merret në asnjë rast si përkrahje ndaj terrorizmit, nga ana tjetër… Ne dënojmë tërësisht veprimet terroriste nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës… Ne këmbëngulim në të njëjtën kohë që të ndërpritet menjëherë çdo mbështetje financiare, me armatim apo përgatitje për aktivitete tërroriste nga jashtë RFJ”.

Deklarata përfundonte me nënvizimin e qëndrimit të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar për thelbin e konfliktit shqiptaro-serb e të ardhmen e Kosovës.Shprehimisht aty thuhej se “ne nuk mbështesim as pavarësinë as gjendjen e status-quo-së… Ne mbështesim një status të avancuar për Kosovën brënda RFJ…”.

Në dritën e zhvillimeve dramatike në Kosovë e të Deklaratës së Grupit të Kontaktit, Tirana u kthye në një qytet “pelegrinazhi diplomatik”. Zyrtarë e diplomatë të nivelit të lartë, ministra e ushtarakë të NATO-s vizituan kryeqytetin shqiptar. Në 12 mars Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Havier Solana i shoqëruar nga komandanti suprem i forcave aleate në Evropë, Wesli Clark erdhi në Tiranë. Një vizitë që qartazi dëshmoi interesimin e NATO-s për krizën në Kosovë e për rreziqet që e shoqëronin atë si dhe mbështetje e siguri të tij për Shqipërinë. Veçse Solana shprehu shqetësim për nivelin e kontrollit të kufijve shtetërorë dhe përshkueshmërinë e tyre.

Diplomacia shëtitëse e SHBA dy herë brënda muajve mars-prill risolli me porosi të Presidentit Klinton e Sekretares së Shtetit Ollbrajt në Tiranë Strobe Talbott e Robert Gelbard.

Kërkesat e tyre ndaj qeverisë shqiptare ishin bashkëpunim për të frenuar radikalizimin e situatës dhe ekstremizmin në Kosovë, mos furnizim të strukturave të UÇK-së me armë e municione nga depot e ushtrisë shqiptare, si dhe paralajmërim të tyre se mbështetja amerikane për pavarësinë e Kosovës ishte zero.

Këmbëngulja amerikane e vuri në pozitë delikate qeverinë shqiptare. Nga njëra anë duhej të respektohej kërkesa e SHBA si vend mik e partner strategjik i Shqipërisë, por nga ana tjetër nuk mund të mos mbështeteshin shqiptarët kryengritës të Kosovës në luftën e tyre kundër zgjedhës serbe. Për të dalë nga kjo pozitë “sandwich”, në Tiranë u bë një ndarje detyrash: qeveria shqiptare dhe diplomacia e saj do të qëndronin në mbështetje të luftës së shqiptarëve si akt vetëmbrojtjeje kundër politikës e dhunës shfarosëse të regjimit të Millosheviçit, por edhe do të sinkronizoheshin me qëndrimet amerikane, britanike e më pak me ato të Grupit të Kontaktit në tërësi. Nëse qeveria shqiptare hezitoi përsëri të takonte në nivel të lartë një grup përfaqësues të LPK-UÇK-së ajo lejoi nga ana tjetër që shërbimi sekret shtetëror shqiptar dhe struktura të posaçme të ushtrisë shqiptare në heshtje të koordinonin ndihmën dhe mbështetjen për UÇK-në.

Ky qëndrim i dyzuar i qeverisë shqiptare nuk mbeti pa u vënë re nga Departamenti i Shtetit. Riçard Hollbrook, “buldozeri” i diplomacisë amerikane, negociatori i Dejtonit, i sapoemëruar si ambasador i SHBA në OKB mori përsipër një projekt që do të synonte të realizonte një Dejton të ri për Kosovën, por në kuadër të Jugosllavisë. Misioni i tij ishte të ulte në tavolinën e negociimit Millosheviçin me Ibrahim Rugovën. Për këtë qëllim në maj 1998 ndërmorri një turne që e çoi në fillim në Tiranë e pastaj në Prishtinë e Beograd.

Qeveria shqiptare kur Hollbrook, në 10-11 maj erdhi në Tiranë i shoqëruar nga Gelbard, Swigert, Kristofer Hill, ambasador i SHBA në Shkup, nuk e dinte se ai do të shkonte në Beograd e në Prishtinë. As edhe Hollbrook nuk njoftoi. Ai nuk donte në ato momente që qeveria shqiptare me deklaratat e qëndrimet e saj t’u ngatërronin amerikanëve letrat e lojës që ishin duke luajtur. Në qëndrimin e Hollbrook-ut u ndjenë shenja të lehta qortimi e presioni ndaj qeverisë shqiptare që në disa raste kishte bërë deklarata e kishte toleruar veprime në mbështetje të UÇK-së.

Vërejtjet e përfaqësisë së lartë diplomatike amerikane se nga Shqipëria vazhdonte trafiku i armëve, i njerëzve dhe i parave u shoqëruan me kritika për qeverinë shqiptare se kjo dobësonte pozitën e Rugovës. Hollbrook-u u tha padrejtësisht bashkëbiseduesve të tij shqiptarë se “ju nuk po bëni asgjë për ta ndihmuar atë”.  Amerikanët donin të dinin burimin e trafikut të armëve, i shqetësonte mundësia e ngritjes së kampeve të rezistencës nga ana e UÇK-së në Shqipëri, ndërhyrja e grupeve islamike dhe ardhja e muxhahedinëve. Nëse vërtetoheshin këto fakte, paralajmëruan ata, do të komplikohej shumë çështja e reagimit ndërkombëtar, do të ndryshonte çdo gjë në marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë si dhe pozicioni evropian.

Qeveria shqiptare nuk i pranoi kritikat e Hollbrook-ut. Madje edhe mbeti disi e zhgënjyer prej tij. Por vetëm katër ditë më vonë ajo e kuptoi thelbin e kritikave të tij kur në 15 maj u njoftua takimi në Beograd i Sllobodan Millosheviçit me Ibrahim Rugovën. Për këtë takim, Ibrahim Rugova në shoqërinë e Bujar Bukoshit, Fehmi Aganit e Veton Surroit u shpërblye në 29 maj me një pritje në Uashington nga Presidenti Klinton e Sekretarja e Shtetit Ollbrajt.

Administrata amerikane u investua shumë për Rugovën dhe pas tyre edhe qeveritë e vendeve anëtare të BE. Ajo shpresoi se me këtë mbështetje të gjërë do të rriteshin kredencialet e tij politike në rënie para shqiptarëve dhe do të pranohej edhe nga UÇK si udhëheqës politik i saj. Madje edhe Rugova e pretendoi këtë rol në mënyrë publike. Uashingtoni gaboi në këto llogari. UÇK-ja e hodhi poshtë këtë pretendim dhe së bashku me faktorët e tjerë politikë në Kosovë e kritikoi ashpër takimin Millosheviç-Rugova në Beograd.

Në këto rrethana SHBA bënë një rishikim të politikës së tyre ndaj Kosovës. Ato e kuptuan mirë se UÇK-ja nuk ishte një grup nacionalistësh radikalë shqiptarë që i kishin hyrë një aventure të dhunshme por një lëvizjeje që po rritej dita – ditës e që po gjente mbështetje të gjerë nga shqiptarët brenda dhe jashtë Kosovës. Ajo po bëhej një realitet politik dhe ushtarak i paneglizhueshëm në të gjitha kombinacionet e mundshme të një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës. Në Uashington u vendos që në sekret të plotë të vendosej kontakti i parë me UÇK-në. Terrenin e përgatiti K. Hill së bashku me strukturat e posaçme amerikane në rajon.

Në 23 qershor, Riçard Hollbrook, në kuadrin e një turneu rajonal e në shoqërinë e Gelbard e Hill mori takim me dy përfaqësues lokal të UÇK në zonën e Drenicës. Të nesërmen, Departamenti i Shtetit deklaroi se nuk e konsideronte UÇK-në si terroriste. Kjo kthesë e beftë amerikane e pakonsultuar me qeveritë e vendeve anëtare të BE-së ngjalli nervozizëm e kundërshtime. Amerikanët u shpjeguan se synimi i tyre ishte që në kushtet e një realiteti të dukshëm, UÇK të vendosej nën kontrollin politik dhe të përfshihej në bisedime. Formula e përfshirjes do të ishte krijimi i një Këshilli ose Autoriteti kordinues nga të gjithë faktorët politikë e ushtarakë shqiptarë të Kosovës. Kjo strategji ishte biseduar me Rugovën në Uashington dhe ishte marrë pëlqimi i tij. Misionin për të udhëhequr punën në terren për krijimin e këtij Këshilli dhe për hartimin e një platforme bisedimesh me regjimin e Millosheviçit e morri përsipër Kristofer Hill.

Qasja e re amerikane ndaj UÇK-së u prit mirë në Tiranë. Ajo i dha frymëmarrje edhe qëndrimit të qeverisë shqiptare ndaj UÇK-së, në një farë mënyre gjysëm zyrtarizoi marrëdhëniet me të. Amerikanët i qartësuan qeverisë shqiptare synimet e tyre për të bërë “përpjekje për vendosjen e UÇK-së nën kontroll politik”, se ajo “duhet marrë në konsideratë si realitet sepse është zgjeruar”. Por duke theksuar se “ne kemi vendosur të mbajmë konfidenciale rezultatet etakimeve tona me UÇK-në”, ata paralajmëruan përsëri “se pika fokale është dr. Rugova”.Madje në gusht 1998 u duk sikur u tërhoqën përsëri kur mesazhet e përcjella nga Departamenti i Shtetit në ministrinë e jashtme shqiptare nënvizonin se “pala amerikane është e prerë në opozitën e saj ndaj veprimtarisë së UÇK-së duke e konsideruar atë të pashpresë”, se “ne nuk e mbështesim UÇK-në. Ne kemi qënë gjithnjë të mendimit se situata në Kosovë nuk mund të zgjidhet ushtarakisht”.Departamenti i Shtetit vazhdonte ti kërkonte qeverisë shqiptare edhe në gusht 1998 “ndalimin e trafikut të armëve nga jugu i Shqipërisë drejt veriut e më tej në Kosovë”, pasi “mund të ndikojë në përpjekjet tona për zgjidhjen diplomatike në Kosovë”.

Në Tiranë ishin në dijeni të përpjekjeve amerikane për të krijuar një këshill kordinues shqiptar me pjesëmarrjen edhe të UÇK por që të ishte nën kryesinë e Rugovës. Por qeveria shqiptare tashmë ishte e bindur për të mos dëgjuar gjithçka që i servirej.Kishte ardhur koha që ajo të shfaqej hapur në vendosjen e kontakteve me UÇK-në. Në fillim të muajit korrik, krerët më të lartë të shtetit shqiptar, presidenti Rexhep Meidani dhe kryeministri Fatos Nano veç e veç pritën në takime disa drejtues të LPK dhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, si Bedri Islami, drejtues i Organizatës dhe anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm dhe të Drejtorisë Politike të UÇK-së, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Jashar Salihu, Bardhyl Mahmuti, etj.

Njohja e pjesshme e realitetit të UÇK-së nga ana amerikane dhe drita gjysëm jeshile që administrata e Uashingtonit i hapi qeverisë shqiptare në marrëdhëniet me UÇK, shënoi një fazë të re bashkëpunimi trekëndor, jo publik, me ulje-ngritje, me elemente mosbesimi të ndërsjelltë në funksion të objektivave të gjithësecilit. Ky bashkëpunim e mirëkuptim minimal do të vijë në rritje me gjithë kthesat nga njëherë edhe prapa për të arritur një trajektore të pakthyeshme pas Konferencës së Rambujesë e ndërhyrjes së NATO-s që çoi në çlirimin historik të Kosovës në qershor 1999.

March 20, 2018 11:49
Komento

18 Komente

  1. alphade March 20, 11:58

    Rugovici…….Ha-ha-ha …..!!! Ky ishte nje takim i felliqur !

    Reply to this comment
  2. Claus March 20, 13:07

    Ajo ishte loja amerikane, asgje tjeter.

    Sa here kam thene qe ne UCK roli i muxhahidineve dhe islami radikal ka qene i madh.
    Dhe kete fakt e thote qarte, por disi kalimthi, Paskal Milo:

    “Amerikanët donin të dinin burimin e trafikut të armëve, i shqetësonte mundësia e ngritjes së kampeve të rezistencës nga ana e UÇK-së në Shqipëri, ndërhyrja e grupeve islamike dhe ardhja e muxhahedinëve”

    Amerikanet zbatuan ne Kosove planet qe ishin zbatuar ne Afganistan kunder sovjeteve. Ishte plan i kurdisur me se miri nga Brezhinski, plan qe u doli me sukses me terheqjen e sovjeteve nga Afganistani, por “suksesi” zgjati deri me 11 shtator 200, kur rane pertoke kullat binjake te tregtise boterore.
    Dhe ne rastin e Kosoves amerikanet duhet te lanin duart me Rugoven kur islamiket i kishin futur me kohe dhe me vakt ne radhet e UCK-se. E mbani mend hapjen e bankes islamike ne Tirane?
    A ekziston me ajo? Ku eshte? A e di njeri?
    E pra ishte banka e Osama bin Laden dhe e segmenteve saudite ne Tirane.

    Njerezit dhe financat buronin nga Bosnja dhe Arabia Saudite me bekimin e USA dhe vendeve perendimore, kjo behej ne mes te dites dhe ne mes te kater rrugeve.

    LPK dhe UCK-ja nga nje organizate me tipare enveriste e “kapi” situaten duke u shnderruar brenda nje nate ne nje organizate ne sherbim te amerikaneve, pikerisht per zbatimin e planit te tyre, kopsitur ne Oval Office ne USA. Prandaj u shpall Brenda nates organizate “joterroriste”. Ja sa po vuajne sot kurdet e Ocalanit sot, vetem dhe vetem se jane oragizate radikale e majte.
    Ishte zbatimi i planit te Brezhinskit per kapjen e zonave euroaziatike per te qene e vetmja fuqi influente ne bote. Kush kap Euroazine sundon boten, ka thene Brezhinski.
    Ky ishte qellimi i vetem i politikes amerikane.

    Por cilet do te jene aktoret per keto plane, ky ishte problemi me i vogel per ta. Me islamiket ishte rruga me e lehte dhe me e sukseshme.

    Por ja qe u plasi bomba ne dore me ta amerikaneve, erdhi nje dite 11 shtatori dhe e pesuan vete. Mbollen ere dhe korren furtune.
    Kohet ndryshuan dhe LPK-ja me figurat e saj kane “dale tashme ne pension”. Nuk u perndoq kot Fatos Klosi nga Fatos Nano, i cili doli per vete ne pension. Po ashtu dhe Rexhep Mejdani, Paskal Milo dhe te tjere dhe te tjere nga radhet e LPK-se duke perfshire ketu dhe Bedri Islamin. Ish-udheheqja e LPK-se sot eshte nje kufome.
    Kjo eshte e verteta.

    Nuk eshte flori cdo gje qe vezullon, thote nje fjale e urte.
    Kosova pagoi nje cmim shume te larte, me ate pavaresi sipas rezolutes 1244 te Kombeve te Bashkuara, pavaresi qe ka mbetur deri me sot akoma gjysmake.

    P.S. Pres me “padurim” kundervenien e Bedriut ndaj Milos.

    Kaq kisha per sot, megjithate Milo paska thene disa te verteta, qofte edhe te hidhura, por qe nuk deshifrohen nga kushdo.

    Reply to this comment
    • Bedri Islami March 20, 13:56

      Për saktësim:

      materiali i botuar nga zoti Milo është i saktë. Kushdo mund ta interpretojë sips dëshirës.

      Amerikanët ishin të shqetesuar nga MUNDËSIA e futjes së grupeve radikale ose islamike në Kosovë. Por, jo nga futja e grupeve.

      Shqetësimi i tyre lidhej me faktin se pak kohë më parë , në Luftën në Bosnje, grupet muxhahidine kishin vërshuar atje.

      Rreziku i përsëritjes ishte i natyrshëm.

      Në takimin e parë të nivelit të lartë të përfaqsuesve të UÇK-së, njëkohsishtz të gjithë nga Trupa Drejtuese e LPK-së në Zvicër, me zotin Hollbruck, fillim qershori 1998, është trajtuar posaçërisht kjo temë, krahas temave të tjera të rëndësishme.

      Pas këtij takimi shteti amerikan ka filluar bashkëpunimin me UÇK-në dhe zoti Hollbruck deklaroi se ” takova njerëz që e dinin se çfarë donin, si do të vepronin dhe ku do të shkonin”.

      Në të vërtetë, në fillim, kishte hyrë një grup , rreth 12 vetë, si muxhahidinë, të pa thirrur nga askush, që u zbuan shumë shpejt. Krahas të tjerave, nuk ishin as trima, gjithë ditën e faleshin. Por, edhe po të ishin trima, do të largoheshin. Për këtë ka pasur një urdhër të veçantë.

      Në atë kohë, qershor 1998, nuk ishte problem të kishe njerëz, hall ishte të gjeje logjistikën e duhur.

      Nga liderët e LPK-së, sot, të gjitha institucionet kryesore të Kosovës, drejtohen prej tyre. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haredinaj, Xhavit Haliti, fatmir Limaj etj kanë qenë pjesë e trupës drejtuese të saj. Si e bëjnë punën e tyre, kjo është tjetër gjë.

      Lideri i opozitës, Albin Kurti, po ashtu, përmes lëvizjes studentore, ka qenë i lidhur me Lëvizjen Popullore të Kosovës.

      Ish antari i kryesisë së LPK-së dhe antar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më pas lideri politik e ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti, është sot lideri kryesor i shqiptarëve në Maqedoni.

      Nga trupa e lartë drejtuese mungojnë : Jashar Salihu, i cili vdiq menjëherë pas luftës nga plagët, politologu Bardhyl Mahmuti, i cili, pasi ishte disa kohë Ministër i Punëve të Jashtme në Kosovë, është i angazhuar në Zvicër dhe Bedri Islami, i cili që në vitin 1999, pas përfundimit të luftës, është tërhequr nga politika aktive, por që, njëra nga detyrat e tij është ajo e këshilltarit politik të presidentit Thaçi, ashtu si shumë vite më parë kishte detyrën anësore si këshilltar politik i Kryeministrit Haradinaj. Megjithatë, duke qenë analist i jashtëm në DITA, ai është në një institucion që ka shumë lidhje edhe me Kosovën.

      Përgjithsisht luftën e bëjnë idealistët, pas luftën e bëjnë prakticienët, që , në disa raste, mund të jenë edhe idealistë.

      Besoj se është një përgjigje e pritur.

      Reply to this comment
      • Gjorku March 20, 17:05

        Nè regull zoti Bedri e prisja njè pèrgjigje nga ana juaj.
        Thjeshtè dèshiroj tè di mè tepèr dhe duke qènè mèrgimtarè nuk kam patur mundèsi ti ndjek nè detaje ato ditèt e lavdishme tè UçK…Mund tè shtjelloni mendimin tuaj se sot kombi ynè èshtè nè duar tè sigurta ?

        Reply to this comment
      • Lili March 20, 19:31

        Jo ,pju ishit profiteret e luftes se asnje nga ju nuk ishte as ne lufte fizikisht, as ne lufte per te kerkuar mjete ´ gati i keni mbledhur paret,te tjeret kane marr kredi per horra si ju qe me djersen e popullit keni ble shtepia neper svicer e germani, neper Tirane e Prishtine.Hazer punet i gjetet,te tjeret kane vendos kontaktet ne Parlamentin evropian, ne kapitol,tek studentete franceze, tek grupet me ndikim e tek politikanet e huaj. Ju vetem keni perfituar e te qenit ish spiunet e Enverit neper ambasada, e keni perfituar nga perkrahja e shefave te juaj te dikurshme ne Tirane e ne ministrite te shtetit shqiptar
        Resultati po shihet psikopat alla bardhyl mahmuti, e njereze qe ne svicer me patente doktori si te semut psishik jeni kur nuk munden me ba shtet.

        Reply to this comment
  3. Bashkimi March 20, 14:03

    Persa i perket betejes se rrafshit diplomatik , meriten me te vecante e merre lobi shqipetare ne SHBA me ne krye Joseph Dioguardin. Ishte po ky qe i pari fliste per nje pamvaresi te kosoves ne token e senatit amerikane qe nga viti i larget 1992. Ishin po keta shqipetare patriote te SHBA se qe bene te mundur ate kthesen e madhe te politikes amerikane ndaj UCK se.
    Persa i perket clirimit te kosoves UCK ja ishte faktori kryesore qe nxiti rreagimin dhe mbeshtetjen e SHBA ve. Dua ti kujtoje zotit Milo se edhe operacioni Kroat “Oluja” kishte kundershtim te plote nga SHBA te , por ai ishte vendimetare per Kroacine dhe ashtu ndodhi.
    Ashtu edhe sic e pershkruan vete zoti Milo politika e Tiranes gjate konfliktit luante rrolin e nje tifozi qe po ndiqte nje ndeshje me te cilen ekipi “favorite” nuk luante. Shqiperia ishte e mire armatosur ne ate kohe
    (Shume me e armatosur se sote), por ajo cfare I mungonte politikaneve frikacake te Tiranes ishte krenaria kombetare dhe kembengujla e vendosur per ceshtjen kombetare. Ndalimi I armatimit ne portet shqipetare te anijeve te ndryshme me armatim,
    refuzimi I kalimit te 6000 vulnetareve Kroate neper territorin shqipetare se bashku me armatim etj etj etj,
    Jane fakte te pamohueshme te historise te cilat qeveria e atehershme smund ti heqe nga memorja e njerezve.

    Reply to this comment
    • Diaspora ta ket deputetin në kuvend të Kosovës March 20, 15:22

      Një segment i veçant i sensibilizimit të përkeqësimit të gjendjes në Kosovë dhe futjes në kngres të USA dhe P.EU.ishin shumica e shqiptarve në ato vende e sidomos e Dioguardit dhe ata që ishin angazhu rreth tij ku edhe u nxurën disa rezluta por me regjistrimin e partive shqiptare në fundet e 90 në vend se të ngritej edhe ma shum në agjendat politike të USA EU ma as edhe një rezolut nuk doli por propaganda demagoxhike dhe grupe dhe të vetquajtun lider historik pa ndal deri në këtë qasti kanë përvetsu angazhimet dhe meritat e sidomos shqiptaro-amerikanëve tu ja faturu veti ky është edhe një prej turprve të disa liderve të pa turpëshëm të partive në Kosovë

      Reply to this comment
  4. Bashkimi March 20, 14:42

    Persa i perket betejes se rrafshit diplomatik , meriten me te vecante e merre lobi shqipetare ne SHBA me ne krye Joseph Dioguardin. Ishte po ky qe i pari fliste per nje pamvaresi te kosoves ne token e senatit amerikane qe nga viti i larget 1992. Ishin po keta shqipetare patriote te SHBA se qe bene te mundur ate kthesen e madhe te politikes amerikane ndaj UCK se.
    Persa i perket clirimit te kosoves UCK ja ishte faktori kryesore qe nxiti rreagimin dhe mbeshtetjen e SHBA ve. Trimat legjendare te UCK se te vetmin qellim kishin clirimin e kosoves shqipetare .Adem Jashari, Hamze Jashari , Bekim Berisha, Xhelal Hajda, Xheve Ladrovci, Agim Ramadani, Anton Cuni, Agim Ceku, Ardjan Haradinaj, Shkelzen Haradinaj , Ramush Haradinaj,Halit Coka, Indrit Caraj, si dhe me mijera heronje te tjere qe i vune pushken fashizmit sllavo-serb jane pjesa me e mire dhe krenaria e kombit shqipetare . Keta heronje u bashkuan dhe u vete organizuan per te luftuar okupatorin fashist. Cfare eshte me ironike eshte fakti qe kete organizim ata e bene plotesisht ne ilegalitet edhe nga vete shteti I shitur shqipetare , nga frika se mos shiteshin tek UDB ja serbe. Ne shtetet e tjera ku shumica e tyre kishte luftuar fashistet serbo-rus ato ishin gjenerale te famshem dhe kishin mbeshtetjen e plote ( Kroaci,Slloveni) te te gjithe spektrit shoqerore. Ndersa quditerishte ne shqiperi ato shiheshin si ” ekstremiste”
    ndersa hasnin nder pengesa nga me te ndryshmet. Dua ti kujtoje zotit Milo se edhe operacioni Kroat “Oluja” kishte kundershtim te plote nga SHBA te , por ai ishte vendimetare per Kroacine dhe ashtu ndodhi.
    Ashtu edhe sic e pershkruan vete zoti Milo politika e Tiranes gjate konfliktit luante rrolin e nje tifozi qe po ndiqte nje ndeshje me te cilen ekipi “favorite” nuk luante. Shqiperia ishte e mire armatosur ne ate kohe
    (Shume me e armatosur se sote), por ajo cfare I mungonte politikaneve frikacake te Tiranes ishte krenaria kombetare dhe kembengujla e vendosur per ceshtjen kombetare. Ndalimi I armatimit ne portet shqipetare te anijeve te ndryshme me armatim,
    refuzimi I kalimit te 6000 vulnetareve Kroate neper territorin shqipetare se bashku me armatim etj etj etj,
    Jane fakte te pamohueshme te historise te cilat qeveria e atehershme smund ti heqe nga memorja e njerezve. Ndersa persa i perket asaj “influences radikale” gjate luftes ne kosove , keto ishin vetem perralla serbo-ruso-greke , ne menyre qe mbeshtetja e vertete perendimore ( vetem SHBA dhe Great Britain) ta linte kosoven ne duart e sllaveve fashiste.

    Reply to this comment
    • Lili March 20, 19:40

      Trimat e vertete te luftes edhe herojt e vertete jane vra nga shkijet ose jane tradhetuar nga lpkistat tone qe marrin lavdatate edhe pse ishin ma shume nga dajti e rogneri se nga fusha e betejes.
      Pyetja per ju bedri eshte sa nga ju ishin udbash,me garanti bile nga Serbia se nuk do ju preke kur…
      ndoshta ketu ma shume duhet kuptuar pse amerika ju ´perkrahu, ju ishit e jeni njerezet e UDBse ne krahin e luftes,e kjo po shihet sot me demarkacionin,me kornizen etj etj..
      Ju nuk ishit nationalista shqiptare, prandaj ishit e jeni te pranueshme per Serbine e ameriken.

      Reply to this comment
  5. Qiriako March 20, 16:11

    Kjo hisotri e Kosoves ne kujton edhe nje here mitin qe ekziston nder shqiptaret rreth fuqise se lobit grek ne Amerike.
    Eutope Perendimore dhe Amerika ne Kosove ka bere perjashtimin e vetem ne historine 60-vjecare te Europes se pasluftes se dyte boterore te ndryshimit te kufijve te njohur ne Europe.
    Bashkimi Europian dhe SHBA kane ne themel te politikes se jashtme ne Europe parimin e pandryshueshmerise se kufijve dhe ja befas Perendimi merr krahun e Kosoves “Muslimane” duke e shkeputur ate me force nga Serbia me synimin e hapet per krijimin e nje shteti te fuqishem pro-perendimor ne Ballkanin me ndikime ruse.
    Ku ishte lobi i fuqishem grek dhe Greqia vete kur u Amertika dhe Europa perendimore po krijonin kete shtet te ri shqiptar te cilein Greqia dhe Serbia ende sot nuk e njohin?

    Reply to this comment
  6. Qiriako March 20, 16:15

    Kjo histori e Kosoves me kujton edhe nje here mitin qe ekziston nder shqiptaret rreth “fuqise se lobit grek ne Amerike”.
    Eutope Perendimore dhe Amerika ne Kosove ka bere perjashtimin e vetem ne historine 60-vjecare te Europes se pasluftes se dyte boterore, te ndryshimit te kufijve te njohur ne Europe.
    Bashkimi Europian dhe SHBA kane ne themel te politikes se jashtme ne Europe parimin e pandryshueshmerise se kufijve dhe ja befas Perendimi dhe SHBA marrin krahun e Kosoves “Muslimane” duke e shkeputur ate me force nga Serbia me synimin e hapet per krijimin e nje shteti te fuqishem shqiptar pro-perendimor ne Ballkanin me ndikime ruse.
    Ku ishte lobi i fuqishem grek dhe Greqia vete kur u Amertika dhe Europa perendimore po krijonin kete shtet te ri shqiptar te cilein Greqia dhe Serbia ende sot nuk e njohin?
    Ne shqiptaret i jemi mirenjohes SHBAdhe Europes Perendimore per ndreqjen e pjeseshme qe i bene padrejtesive historike qe i jane bere ne te kaluaren atdheut tone.

    Reply to this comment
  7. DRENICA E KUQE March 20, 17:51

    Ky vazhdim eshte paksa me i arsyeshem i zotit Paskal Milo. Por z. Milo, duhet ta thote te verteten me qarte e me shkoqur dhe nuk mund te kaloj pa e cituar: “Shqipëria u vendos në një vëmendje prioritare nga komuniteti ndërkombëtar për disa arsye por më kryesorja për të shmangur kthimin e saj në bazë e prapavijë të UÇK që mund të çonte në një konflikt të gjërë shqiptaro-serb me rrjedhoja të paparashikuara për gjithë rajonin.”
    Zoti Milo, konflikti sille kah ta sjellesh eshte shqiptaro-serb, sepse Kosova eshte pjese autoktone e Shqiperise, sikurse Çameria ne Jug, Maqedonia ne Lindje, Pazari i Ri dhe Presheva… deri ne Nish (Naissus) e tej Danubi…
    Kerkesat e “miqve” tane nderkombetar nuk duhet ta habisin me aske, e edhe me pak Tiranen Shqiptare, sepse te gjitha kerkesave nderkombetare anti UÇK u ka paraprire LDK dhe “Presidenti histerik”, paciifisti Ibrahim Rugova, qe e ka instaluar UDB ne Tirane, konkretisht ne PD te Sali-Lulzim Fazlliçit…, e kete e konfirmon thenia ne vazhdim e Paskal Milos: “Kërkesat e tyre ndaj qeverisë shqiptare ishin bashkëpunim për të frenuar radikalizimin e situatës dhe ekstremizmin në Kosovë, mos furnizim të strukturave të UÇK-së me armë e municione nga depot e ushtrisë shqiptare, si dhe paralajmërim të tyre se mbështetja amerikane për pavarësinë e Kosovës ishte zero.” Per mosfurnizim te strukturave te UÇK… interesohej edhe LDK e “Presidentit” Rugova dhe qeveria Bukoshi… me te gjithe krahet e tyre “shqiptare”, ne Prishtine, ne Shkup, ne Podgorice, ne Presheve e Tirane…
    A po e shihni, shqiptare, se ne Beograd moren pjese te gjithe aleatet “shqiptare” te Titos e Millosheviqit dhe ketu i sjell me emra e mbiemra, me plot te drejte Paskal Milo, citojme: “Qeveria shqiptare nuk i pranoi kritikat e Hollbrook-ut. Madje edhe mbeti disi e zhgënjyer prej tij. Por vetëm katër ditë më vonë ajo e kuptoi thelbin e kritikave të tij kur në 15 maj u njoftua takimi në Beograd i Sllobodan Millosheviçit me Ibrahim Rugovën. Për këtë takim, Ibrahim Rugova në shoqërinë e Bujar Bukoshit, Fehmi Aganit e Veton Surroit u shpërblye në 29 maj me një pritje në Uashington nga Presidenti Klinton e Sekretarja e Shtetit Ollbrajt.”
    Po, kush na garanton ketu se vertete Uashingtoni apo BE mban qendrim te drejte ndaj çeshtjes se pazgjidhur shqiptare, ne rajonin autokton iliro-shqiptar…
    Edhe komenti per “saktesim” i Bedri Islamit, nuk del tamam dhe me vone do t’i kuptoje mashtrimet qe po i behen jo vetem atij…

    DRENICA E KUQE

    Reply to this comment
  8. s.g. March 20, 21:18

    Puna dhe rroli i shtetit shqiptarë ka qenë faktori më vendimtarë në përshpejtimin dhe në krijimin e rrethanave që bota të marrin një qëndrim dhe angazhim të fortë për Kosovën kur u pa se shteti shqiptarë do ta mbështete çlirimin e Kosovës atëher edhe diplomacia perendimore me në krye USA u çasen me të madhe Jugosllavia filloj të digjej që nga viti 90 por qeveria e atyre viteve nuk u angazhu për Kosovën dhe krejt normale ishte që edhe bota ta pranoj statuskuon që u kriju .Por merita dhe kontribut të pakrahasuar dhanë shqiptaro-amerikanët si Diogardi Andoni Atanasi Ekrem Bardha Xhim Xhema Sten Dragoti e shumë aktivist të tjerë që Kosova u fut në agjenden amerikane e jo Cana Rugova Surroi Qosaj etj

    Reply to this comment
  9. antonio salvatores March 21, 21:23

    Zoti Paskal, ç’ fare ke dasht me thane me kete fraze: “Por qeveria shqiptare tashmë ishte e bindur për të mos dëgjuar gjithçka që i servirej.Kishte ardhur koha që ajo të shfaqej hapur në vendosjen e kontakteve me UÇK-në. Në fillim të muajit korrik, krerët më të lartë të shtetit shqiptar, presidenti Rexhep Meidani dhe kryeministri Fatos Nano veç e veç pritën në takime disa drejtues të LPK dhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, si Bedri Islami, drejtues i Organizatës dhe anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm dhe të Drejtorisë Politike të UÇK-së, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Jashar Salihu, Bardhyl Mahmuti, etj.”

    Reply to this comment
  10. keshtu ndodh March 21, 23:57

    Me duket se ke genjyer ne nje vend Paskal, ne qoftese nuk mbaj mend une, por kur shkoi tek Millosheviçi Rugova, ne tren eshte vrare Fehmi Agani nga forcat serbe qe ti thua tjeter gje. S’po germoj kujtesen, por po te jete e vertete kjo, bie gjithe tregimi yt. Dhe s’kemi pse te vazhdojme me genjeshtra.

    Reply to this comment
  11. T. Voda March 22, 06:56

    — Zoti Paskal , ka hapur nje teme, me sa kujtoj perkon me muajin Mars , muajin e fillimit te sulmeve te NATO PER CLIRIMIN E KOSOVES
    — Por ne te njejten kohe , me DUKET SI NJE ”TEME E KODUAR” ME ADRESIM PER TJETER KEND , qe i perket zhvillimeve te ardheshme…… [ kerkoj ndjes ,qofsha. i gabuar per kete hamendesi]
    — Duke vleresuar z . Paskal si njeri te kenduar dhe titullin terheqes te shkrimit , kerkova mos gjeja skena dhe prapa skena EDHE per disa ngjarje madhore, qe mendoj se ndodhija e tyre , ka lidhje edhe me luften per clirimin e Kosoves ,[ ose mund te jene perdorur si pretekste duke i lidhur e fshehur prapa saj. ]

    —- P.sh. — Menyra e shkaterrimit te USHTRIS SHQIPTARE a ka lidhje me skenat e prapaskenat e……
    —- Krijimi dhe menyra e mbylljes FAJDEVE a ka lidhje gjithashtu edhe me menyren e shkaterrimitbte ushtris apo lobimet per luften ……
    —– Lulzimi KONTRABANDES dhe KORRUPSIONIT ne ato fillime a lidhej me krijimin e fajdeve dhe pastrimin e parave .qe do levroheshin per qellime te caktuara……..
    —– SHKATERRIMI TOTAL I SHTETIT SHQIPTAR , TEORIJA E ”ZEROS ” dhe e ”TERAPIS SHOK” a eshte pjese e leshimeve, kulisave dhe premtimeve,, skenave dhe prapaskenave duke filluare ne radhe te pare nga FQINJET, NE VECANTI AI JUGOR…. ………ect

    Tomor Voda
    .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*