Skënder Çaçi dhe koha e heronjve si ai

October 16, 2017 19:32

Skënder Çaçi dhe koha e heronjve si ai

Zylyftar Hoxha

Sot, të flasësh për heronjtë shqiptarë të të gjitha periudhave historike, pavarësisht kauzës që ndiqnin, duket sikur flet për një kohë të largët, mitike, madje, ndonjëherë të dyshimtë nëse ka ekzistuar apo jo! Ka humbur fare sensi dhe konteksti historik. Harrojmë se ADN-ja dhe zinxhiri gjenetik i tyre është jo afër, por pjesë organike e jona. Ata janë ne dhe ne, ata. Koha dhe historia ata i vuri në provë, ndërsa ne, si duket, jo. Një njeri normal sot bie në mendime, kur mëson atë që themeluesi i shtetit të parë shqiptar, Ismail Qemali, iu thoshte të huajve se shqiptarët luftën e kishin profesionin e tyre të jetës. Po, tamam, kështu ka qenë. Shikoni fotot e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë në mure, sepete, valixhe apo sirtarë, gjithmonë do t’i gjeni me nga një pushkë në krah apo revole në brez! Ato ishin “veglat e punës” dhe të zejes së kohës së tyre.

Këto m’u kujtuan ndërsa “gërmoja” në jetën e Heroit të Popullit Skënder Çaçi, luftëtarit-dëshmor që me trimërinë, guximin dhe heroizmin e tij i bën nder gjithë historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Njerëz të mëdhenj, nga familje të mëdha

Shkëlqimi atdhetar dhe intelektual i Heroit të Popullit Skënder Çaçi duhet kërkuar, veç të tjerash, edhe në të kaluarën e tij. Ai është degë e një trungu të një dere të madhe fisnike të Shqipërisë së Jugut, të bejlerbenjve të Podës së Leskovikut. Zylyftar Poda, një nga luftëtarët heronj kundër Turqisë, ishte stërgjysh i Skënderit. Si një familje relativisht e pasur, më shumë në tradita se në ekonomi, familja e Skënderit u shpërngul nga Poda në Melesin dhe më pas, nga Melesini në Leskovik. Aty Skënderi, pasi mbaroi shkollën fillore ne vitin 1930, fitoi të drejtën për të vazhduar  shkollën mesme ushtarake në Tiranë, e cila në vitin 1933 u mbyll. Pas mbylljes së saj, Skënderi kaloi në gjimnazin e kryeqytetit, sot gjimnazi “Qemal Stafa”, nga gjiri i të cilit dolën luftëtarë të tillë si Qemal Stafa, Vasil Shanto, Ali Demi, Themo Vasi, Asim Zeneli, Margarita Tutulani, Nazmi Rushiti, Shyqyri Ishmi, Skënderf Çaçi, Shejnaze Juka, Manus Alimani, Myslim Keta, Alqi Kondi etj., të cilët u bënë Heronj të Popullit.

Ballë përballë bishës fashiste

Pas përfundimit të semimaturës në gjimnaz, në vitin 1935 ai shkon në Kolegjin Ushtarak të Napolit dhe më pas në Akademinë Ushtarake të Torinos. Skënderi shkoi në Itali në një kohë aspak të përshtatshme e të qetë për të dhe për shumë studentë shqiptarë. Ndërsa atmosfera e ndezur fashiste emociononte italianët e asaj kohe, të cilëve “u kishin hedhur trutë e gomarit”, për shqiptarët që ishin atje, ishte e kundërta; ata, krejt të qartë për atë çka po ndodhte, jo vetëm në Itali, por edhe rrezikun për vendin e tyre, filluan luftën dhe rezistencën me sa kishin në dorë aty, ballë përballë armikut.

Historia e Shqipërisë ka një faqe të ndritur të rezistencës së studentëve civilë dhe ushtarakë gjatë viteve 1938-1941 në Romë dhe në qytetet e tjerë të rëndësishëm të Italisë, një ndër të cilat, sabotimi publik i betimit ushtarak në Romë. Pas këtij aksioni filloi përndjekja ndaj studentëve ushtarakë. Një pjesë e mirë e tyre u burgosën dhe u internuan në ishuj ku qëndruan për gati dy vjet. Në atë kohë në Romë, në dhomën e tij të gjumit u vra Shahin Toçi nga Burreli. Vrasja e tij u mbulua me mister dhe u quajt ordinere, por u mor vesh më një herë se kush e vrau dhe përse e vrau. Shahin Toçi në shpirtin dhe zemrën e kolegëve të tij dhe të popullit qe një nga dëshmorët e parë të luftës kundër fashizmit, shembulli i të cilit shërbeu për shkallëzimin në ngjitje të rezistencës antifashiste.

Ishulli i Ventotenes ishte fytyra e fashizmit. Dy vjetët që kaloi Skënder Çaçi dhe shokët e tij në këtë ferr dantesk, krahas të tjerash, qenë edhe si një shkollë e vërtetë lufte, gjë që u vërtetua më pas, kur ata erdhën në Shqipëri dhe u vunë në krye të njësive partizane. Skënderi, sa zbriti në tokën mëmë, shkoi menjëherë në Leskovik të takonte prindërit. Pa u çmallur mirë shkon në Tiranë dhe lidhet me shokët e Lëvizjes, duke u bërë një luftëtar aktiv, në fillim në ilegalitet e më pas në terren.

Në krye të luftës guerile në Tiranë

Është një ndër 200 komunistët e parë. Merr pjesë në mbledhjen e parë të krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare si i ftuar pa të drejtë vote. Kreu jo pak detyra me peshë pranë udhëheqjes së Partisë, si anëtar i Komitetit Qarkor të Partisë së Tiranës, më vonë anëtar i Komitetit Qarkor të Korçës; delegat në Konferencën e parë të Partisë në Labinot,  i ngarkuar për të ndihmuar në inaugurimin e Brigadës së Parë Sulmuese, duke qëndruar gjatë ceremonisë në krah të Enver Hoxhës.

Nuk ka asnjë luftëtar tjetër si Skënder Çaçi me atë bilanc aksionesh dhe itinerar lëvizjesh, për një kohë aq të shkurtër, nga dita që hyri në Shqipëri në shtator të vitit 1941 e deri sa u vra. Ai merr pjesë dhe ka dorë pothuajse në të gjitha aksionet e njësitit gueril të Tiranës, pasi ishte anëtar i Shtabit të këtyre aksioneve. Duhet thënë se në Tiranë në atë kohë janë kryer 104 aksione me pjesëmarrjen e më tepër se 2750 guerilasve.

Aksionet ku ai qe ndër protagonistët kryesorë ishin: demonstrata antifashiste e 28 nëntorit 1941, pas së cilës ai burgoset dhe del nga burgu një muaj më vonë; aksioni i çarmatosjes së ushtarëve italianë në malin e Dajtit, ku u rrëmbyen shumë armë; aksioni i 21 korrikut 1942 për rrëmbimin e arkivit të Ministrisë së Brendshme të fashizmit; aksioni i 24 korrikut të vitit 1942 për prerjen e linjave telefonike në Tiranë Kamëz, Ura e Zezë etj.; në aksionin e 13 gushtit 1942 për nxjerrjen jashtë funksioni të centralit telefonik të Tiranës; aksioni i 23 shtatorit 1942 për nxjerrjen jashtë funksioni të projektorit të fushës së aeroplanëve të Tiranës etj.

Në terren

Nga marsi i vitit 1942 në Skrapar vepronte çeta e nacionalistit Mestan Ujaniku, si dhe në çetat e tjera, edhe në këtë çetë Partia Komuniste dërgoi njerëzit e saj, të cilët u vunë si komisarë në drejtimin e tyre. Në Skrapar ai shkoi komisar në vend të Gjin Markut, i  cili shkoi komisar në Komandën e Qarkut të Beratit. Skënderi punoi për zgjerimin e çetës, e cila më pas u nda në tri pjesë, por edhe për ngritjen e këshillave antifashistë nacionalçlirimtarë në fshatra. Në dhjetor të vitit 1942 në Skrapar ishin ngritur këshillat nacionalçlirimtarë në fshatrat Zaloshnje, Malind, Çepan, Leshnje, Gradec, Vërzhezhë, Potom, Ujanik etj.

Fjala e tij e ëmbël, guximi, trimëria dhe shembulli personal, bënë që edhe në këto zona të hapeshin dyert e dashurisë së popullit për komisarin që “merrte gjak në vetull”. Partizanët dhe populli i kësaj krahine ishte mërzitur shumë që kishte ikur Gjin Marku, por kur panë se edhe Skënderi ishte i mirë si ai, u qetësuan dhe thoshin se kështu qenkan të gjithë komisarët.

Në Skrapar Skënderi mori pjesë në shumë beteja, por një nga betejat më të rëndësishme që drejtoi Skënderi ishte ajo e 2 shkurtit e vitit 1943, kur çetat partizane të Gorë-Oparit dhe grupi i partizanëve skraparllinj goditën forcat fashiste italiane në Sinosmë të Gramshit, ku u kapën robër 178 ushtarë fashistë.

Çlirimi i Leskovikut, një “dhuratë” e bukur për vendlindjen

Në prill-maj 1943 Skënderi shkoi me detyrë në “habitatin” e tij natyror, në vendlindjen e tij, në Leskovik. I ra pashë më pashë Krahinës së Leskovikut, Ersekës, Përmetit, Dangëllisë dhe Skraparit duke agjituar dhe propaganduar planin luftarak të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Në këtë luftë reale, por edhe politike dhe ideologjike, ai demaskoi organizatën Ballit Kombëtar me në krye Safet Butkën që vepronte në këto anë. Kurorëzimi i fitores dhe sadisfaksioni moral i një luftëtari të paepur që kishte luftuar në fronte dhe mënyra të ndryshme në të gjithë Shqipërinë, domosdo ishte vendlindja e tij, Leskoviku, qyteti i vjetër, me traditat më të mira të kulturës dhe të këngës shqiptare, Leskoviku i sazeve dhe Hafezasë famëmadhe të këngës leskoviqare, që i dha emër këtij qyteti të vogël aq sa edhe i edhe luftëtari legjendar, Zylyftar Poda. Pas disa orësh luftimesh të grupit partizan, garnizoni i fundit italian u largua i çarmatosur. Leskoviku u ndje i lirë në sajë të luftës partizane, por edhe të  birit të tij, trimit të sprovuar, Skënder Çaçit. Po kështu u ndje edhe Përmeti fqinj, kur ai përgatiti sulmin për dëbimin e italianëve nga ky qytet.

Komisar

Pas inaugurimit të Brigadës së Parë Sulmuese, ku ai mori pjesë si i dërguar i Partisë së Qarkut të Korçës, Skënder Çaçi u emërua komisar i batalionit partizan të Gorë-Oparit, me një efektiv prej 170 partizanësh. Ky formacion partizan u krijua me efektivë të disa çetave të Gorë-Oparit.

Nuk kishin kaluar shumë nga marrja e detyrës së re dhe batalioni u vu përballë forcave armike. Tre batalione bashkë, ai i Skënder Çaçit, batalioni “Resshit Çollaku” dhe batalioni “Tomorri”, në mënyrë të organizuar në tri anët e Gurit të Bletës, të Pogradecit, nisën luftën kundër forcave armike, gjermanë dhe ballistë bashkë. Pas luftimesh të ashpra, batalioni Gorë –Opar i theu keq armiqtë në sektorin e tij.

Në një vijë fronti luftimesh jeta dhe vdekja janë kaq afër me njëra-tjetrën, sa dhe ngjajnë me njëra-tjetrën, ngjajnë aq shumë sa duken e njëjta gjë. Ja ky çast qe kur Skënder Çaçi, e la për një moment detyrën komisarit dhe si një luftëtar i thjeshtë merr vetë mitralozin dhe shkon drejt shkëmbit të Bletës (Qytetit). Në sulëm sipër, si një shqiponjë malesh turret drejt pozicioneve të armikut. Por atë moment kur duhej më shumë se kurrë, i bllokohet mitralozi! Hodhi çfarë pati në brez, bomba, granata dhe kur s’ishte gjë tjetër, si një Mic Sokol, hodhi trupin e vet. Natyrisht që plumbi armik nuk e kurseu, i mori nofullën dhe fytin.

Beteja u mbyll me sukses të pritur nga forcat partizane, natyrisht me disa humbje, midis tyre edhe plagosjen rëndë të komisar Skënderit, që pa tri ditësh dh shpirt në familjen gorare të Dajlan Brahimllarit, që dha maksimumin e saj për ta shpëtuar, por nuk mundi.

S’kishte se si, që ai që kishte shërbyer si forcë e energji luftarake që në gjallje, të mos shërbente kështu edhe në vdekje. Që të nesërmen e varrimit të tij në Grybec të Gorës, batalioni që drejtonte ai, mori emrin “Skënder Çaçi”, emër që e mbajti me nder deri në fund të Luftës, edhe kur batalioni u kthye në brigadë.

 

***

 “Heronjtë e Romës”

Kjo foto është bërë në burgun Ventotenes në Itali pas arrestimit të studentëve ushtarakë, organizatorë të sabotimit të betimit ushtarak fashist për besnikëri ndaj Viktor Emanuelit të Tretë.

Në të paraqiten “Heronjtë e Romës”, duke filluar nga e djathta: Skënder Çaçi, Riza Nazimi, Hamit Keçi, Qazim Kapisyzi, Spiro Shalësi, Hasan Fareçi, Xhavit Topçiu, Mehmet Bushi, Riza Kaça, Xhemal Punavia, Hajrulla Ishmi, Rexhë Zeqiri, Arif Peza, Ali Tafaj, Enver Lufi, Shahin Toçi (vrarë në Romë në mënyrë misterioze).

Nga “Heronjtë e Romës” kanë dhënë jetën duke drejtuar njësi partizane: Reshit Çollaku, Skëndër Çaçi, Mustafa Matohiti, Asim Zeneli, Dino Kalenja

Ngjarje simbol

Pas pushtimit fashist të 7 Prillit dhe vendosjes së kurorës së Skënderbeut Viktor Emanuelit të Tretë më 12 prill 1939, që ishte akti më i madh tradhtar në gjithë historinë shqiptare, Ministria e Luftës Italiane përdori një taktikë dhelparake me studentët ushtarak shqiptarë në Itali. Ajo kërkonte që t’i merrte ata me të mirë, pasi e dinte rrezikun që i vinte prej tyre.

Më 15 maj 1939 ajo grumbulloi në Romë të gjithë studentët e shkollave ushtarake të Romës, Napolit, Milanos, Modenës dhe të Torinos dhe në bazë të një plani të studiuar mirë, për t’u tërhequr vëmendjen nga çështja kryesore, që ishte pushtimi i vendit të tyre, organizonin aktivitete argëtuese, si ekskursione në vende të bukura, vizita në monumente historike muzeume që nga Koloseu e deri në Vatikan, jepnin leksione morale etj.

Por djemtë shqiptarë, të drejtuar nga Skënder Çaçi, Spiro Shalësi, Filip Geci, Qazim Kapisyzi, Hamit Keçi, Xhavit Topçiu, Xhemal Punavia etj., punonin nga ana tjetër për të mos iu nënshtruar urdhrave të pushtuesve të vendit të tyre.

Çasti më kulmor i rezistencës së tyre ishte 22 maji 1939, dita kur do të bëhej betimi ushtarak. Fashistët kishin menduar se ia kishin arritur qëllimit dhe organizuan një ceremoni madhështore me pjesëmarrjen e gjeneralëve dhe oficerëve më të lartë të luftës. Por ndërsa gjenerali fashist lexoi formulën betimit dhe në fund thirri: “A betoheni ju”?, duke pritur që me një zë të merrte përgjigjen “Betohemi”! Për çudi, pllakosi heshtja e plotë. Gjenerali mbeti i habitur me shpatën lartë. Për ta zbutur situatën, ai tha se shqiptarët nuk e kishin kuptuar gjuhën dhe shpjegoi edhe një herë se si duhej vepruar. E përsëriti edhe një herë betimin, dhe përsëri heshtje varri!

Ky ishte “aksioni i parë” i Skënderit dhe i shokëve të tij, që pasoi me të tjerë në Itali, madje edhe në burgun e Ventotenes. Ky akt i madh patriotik ndezi zemrat e të rinjve jo vetëm në Itali, por edhe në Shqipëri.

Mirënjohje

Unë, shkrues i këtyre shënimeve, në përgjithësi kam shfrytëzuar librin më titull “Faqe të heroizmit partizan, Heroi i Popullit Shkënder Çaçi” të dy autorëve, Ilo Manushit dhe Janaq Lilos (ky i fundit, për fat të keq, u nda nga jeta para se libri të dilte në botim; qoftë i paharruar!). Mirënjohje autorëve!

Libri është shkruar me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe me dashuri duke dhënë në detaje jetën e Heroit, por edhe atë që përfaqëson shembulli i tij te të gjithë ata që do ta lexojnë.

“Sa dëshirojmë që edhe ju, të nderuar lexues, ta përjetoni një ndjesi të tillë krenarie, thonë në pasthënien e librit të dy autorët, duke vazhduar: E kush nuk ka ëndërruar të shkruajë për një hero, për një atdhetar ytë flaktë me Shqipërinë të skalitur thellë në zemër, siç ishte për secilin që e ka njohur, Heroi i Popullit Skëndër Çaçi, një trim dhe luftëtar i shquar! Ishte kjo arsyeja që pa na shtyrë kush, ne i hymë kësaj pune me vendosmëri, duke bërë kështu realitet një dëshirë të kahershme. Që kohë më parë kemi dashur të rrëfenim se një bir besnik i këtij populli, një i ri nga më të zakonshmit, në ato kohë aq të trazuara, u shfaq tamam si një titan kur jeta e kërkonte për ta vënë para një prove vendimtare”.

 

October 16, 2017 19:32
Komento

8 Komente

  1. Ing.Sergej Caci. October 16, 22:32

    Jam krenar qe jam nipi i tij.Jam krenar qe jam djali i vellait te vogel te Skenderit Qamil Caci ,partizan i batalionit Hakmarrja qysh ne moshen 14 vjecare .Jau kujtoj me respekt historine e tyre.I perjetshem qofte kujtimi i tyre.

    Reply to this comment
  2. Drini October 16, 23:18

    Po kete ing prepara cfar e ke

    Reply to this comment
  3. Intelektuali October 17, 21:56

    Lavdi Deshmoreve te Atdheut!

    Lavdi Deshmoreve te Luftes Nacional-Clirimtare!

    Lavdi atyre bijve te Shqipes qe e vaditen me gjakun dhe dhane jeten e tyre te re per Atdhe!

    I paharuar jeta dhe vepra e tyre!

    Lavdi e perjeteshme!

    Reply to this comment
  4. Enver Hoxha October 17, 22:00

    Lavdi Deshmoreve te Atdheut!

    Lavdi Deshmoreve te Luftes Nacional-Clirimtare!

    Lavdi atyre bijve te Shqipes qe e vaditen me gjakun dhe dhane jeten e tyre te re per Atdhe!

    I paharuar jeta dhe vepra e tyre!

    Lavdi e perjeteshme!

    Reply to this comment
  5. Bulli October 18, 05:56

    Ushtar i Dushan Mugoshes e Miladin popoviçit paska qene ay?! Atehere ishin çiliminj analfabete dhe nuk kuptonin gje. Po tani keta pensioniste muzhike pioniere njelooj kane mbetur. Sa keq.

    Reply to this comment
  6. Dh. M.Xhoga (Guri Naimit D) October 19, 00:01

    Nje jete borxhlli te Reneve per Atdhe;
    Herroi Popullit- Skender Caci-BALLOR.!

    S’kam kurajo te shkuajse ndihem fajtor,se pari,
    per te ndierin Janaq Lilo qe sa ishte gjalle,me gjithe perpjekiet e bera,nuk arriti te botont kete liber. Faleminderit i nderuar Skender Hoxha per plotesimin e ketij amaneti. Debitor moral dhe une. Dy atoreret e ketij libri i kam miq e shoke,Janaqin percielle mes dhimbieve te mbedha dhe pa pritur, duke patur parasysh planet e shumta qe kishte Ai, per botim te kujtimeve te Luftes N.Cl sa ne jeten e perditeshme si nje nga kuadrot oficer te M.Brendeshme, deri petagog ne shkollene larte te Atij digasteri edhe pse dale ne pension.
    Faleminderit te mirit Ilo Manushi,qe me gjithe veshtiresite, pas ndaries nga jete te te ndierit Janaq Lilo e botoi kete liber, qe e kishin merakun e pare,ku behej fajale per ate Hero si Skender Caci,njeheresh bir i asaj zone me emer Shqeri-Leskovik,ai lindur e ritur…sa mare rruget e jetes,si nje Hero i kohes.
    Faleminderit i nderuar Ilo Manushi sa Ju z.Zylyftar Hoxha,per kete botim shume te kerkuar,nxjere me ne fund ne prag te ketyre festave te Nendorit,festave te Pavaresise e Clirimit ,Gerroit te Popullit Skender Caci, i ndiere kushtuar jeten,i behet ky nderim. (Nje dosie me materiale te te mdierit Janaq Lilo kam ne Tirane,e u kthefsha me shendetn na tej oqeani pare nia e mbesa, e tu jap jete.)
    I perjetshem qofte kutimi te reneve.
    Shendet e miresi,pasardhesve,te te reneve tane.
    Gezuar FESTAT e NENDORIT,vellezer e motra,kudo ndodhi.
    Toronto18-10-2017 Dhimiter M Xhoga.

    Reply to this comment
  7. Guri Naimit D(Dh.Xh.) October 19, 01:33

    Faleminderit e me te lumte Zylyftar Hoxha,qe me lave nje borxh, une mbetur miqve dhe shokeve,sidomos te ndierit Janaq Lilo qe u nda nga jeta, pa pare te realizuar vepren e tij perkushtuar “Herroit te popullit”Skender Caci, lene doreshkrim me te mirit Ilo Manushi qe me ne fund e realizo.Nje dosie te tere kam me shkrime te te ndierit Janaq,qe si ta ndiente se do ndahej nga jeta me la amanet.Mos vdeksha dhe une tashme, kaluar te 80tat,pa ia plotesuar ate amanet.Faktikisht jam tej oqeanit te nxjerr mallin me nip e mbese,lindur e rritur rrugeve te emigracioni,sot “Doktorature”po mer Nipi e Mbesa,mw del-“Dietolloge” me syte per metej,si ka ardhur koha sot
    Paci miresi te gjithe sa ju kam lene aty ne Atdhe.

    Guri Naimit D.(Dh.Xh)

    Reply to this comment
  8. ip October 19, 19:17

    O zoti Bulli apo Bualli, po pse te flet trapi para mendjes o derzi. Ku u be ai ushtar I Mugoshes kur nuk pranoi te beje betimin fashist apo ne Ventotene. Po ku di ti nga keto I mjere, o familjar I trathtareve te atdheut, bashkpuntoreve te fashizmit. LAVDI DESHMOREVE QE RANE PER LIRI. I PERJETSHEM QOFTE KUJTIMI I TYRE. SHERBEFSHIN SI SHEMBULL E FRYMZIM PER BREZAT QE VINE.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*