Skënder Drini, gur themeli në prozën tonë moderne

Skënder Temali August 10, 2015 16:05

Skënder Drini, gur themeli në prozën tonë moderne

Më 9 gusht të vitit 1935, në Voskopojë, do të lindej Skënder Drini, djali i patriotit Riza Drini, i cili dhe dy djemve të tjerë, Gencit dhe Bardhylit, do u ngjiste emra mbretërish shqiptarë. Shkodra e Prishtina këtë patriot e patën njohur edhe si prefekt, me sytë nga populli e jo nga xhepi i tij.

Botimet e para të Drinit, edhe pse për jetën e botën e fëmijëve, zgjuan interes dhe treguan se në skenën e letërsisë shqiptare po vinte një zë i veçantë. Më pas, vëllimet me tregimet e veçanërisht romanet për të rritur, qenë një befasi. Lexuesit e vëmendshëm e kritika panë në këto vepra një stil e ngjyrim emocional të veçantë, se si ndërthureshin harmonikisht tek ai shkrimtari, historiani, filozofi, analisti e politologu, një shkrimtar potent që sillte me art e kulturë realitete të ndryshme historike e bashkëkohëse, të mbështjella me një tis filozofik e frazë ekspresive që të bënte për vete. Pas viteve 90’  ka botuar disa vëllime me tregime e romane, të cilët kanë treguar një shkallë pjekurie të lartë artistike. Romanet e tij “Vraje tradhtinë”, “Midis dy kohëve”, “Korbi” e deri tek vëllimi i fundit me tregime “Testamenti”, që doli në qarkullim pak ditë para se të mbyllte sytë përgjithmonë, një mal i tërë me libra, janë gur themeli në prozën tonë dhe, siç tha edhe në fjalën e përmotëshme Moikom Zeqo para varrit të tij, e rendisin atë përkrah shkrimtarëve modernë më të shquar të letërsisë shqiptare.

Për ne krijuesit më të afërt të shoqatës së shkrimtarëve të Shkodrës, e jo vetëm,  ai qe një shkollë ku ne ndjeheshim nxënës, pasi vit pas viti e dekadë pas dekade u rrezistoi dallgëve të jetës që nuk qenë aq miqësore me të. Nga ai mësuam se si të mos bëheshim robër të mesatares e të mediokritetit dhe si të zbrisnim në botën e brendshme shpirtërore të njeriut. Përse e theksova që në rreshtat e parë të kësaj përkujtimoreje prejardhjen e tij dhe se si ai u rezistoi dallgëve të jetës? Si u njoha me të? Mbase ia vlen ta dijnë edhe të tjerë se si një shkrimtar i “censuruar” në regjimin e kaluar nuk e hoqi vehten kurrë për të tillë, as për desident, duke mos i fshehur sa qe gjallë bindjet e tij të majta, edhe pse vinte nga krahu i kundërt.

Qe viti viti 1967. Asokohe punoja redaktor në Radio-Shkodra. Meqë në radio drejtoja emisionin e fëmijëve, të rinisë e të shkollave, qeshë i interesuar të lexoja librat në qarkullim të kësaj moshe, pasi poezi apo tregime të shkurta prej tyre, i shfrytëzoja për emisionet radiofonike. Kështu kisha lexuar edhe librat për fëmijë të Skender Drinit, të cilin e njihja vetëm për emër.

Një paradreke vjen në redaksinë e radios profesori i nderuar Jup Kastrati, po kësaj here me cilësinë e kryeredaktorit të almanakut “Shkodra”. Pasi më përshëndetë, më pyet nëse i kisha lexuar librat e Skender Drinit. I them se i kisha lexuar dhe se më kishin pëlqyer. “Aq më mirë, – më thotë profesori me atë shqipen e tij të pastërt. – Meqë edhe paske mendim të tillë është një arsye më shumë të sakrifikosh sot e të më bësh një reçensë të shkurtër, qoftë edhe 3 faqe të daktilografuara, pasi nesër do ta dërgoj materialin e plotë në shtëpinë botuese në Tiranë”. Ia premtova dhe ia realizova. Profesor Kastratit recensa i kishte pëlqyer dhe se ajo do të dilte e plotë, por kishte qenë i detyruar që të mos e vinte emrin tim të plotë, por me iniciale S.T., pasi në atë numur emri im dilte: Një herë si anëtar i redaksisë, një herë si autor i një poezie kushtuar Shkurte Pal Vatës dhe një herë tjetër si autor i një poeme.

Pas disa muajsh doli almanaku. Si rregull,  para se të hidhej në qarkullim, lexohej nga udhëheqja e partisë dhe e pushtetit në rreth. Qe një ditë e zakonshme pune, por për mua u shndërrua në ditë të jashtëzakonshme. Redaksia e Radio Shkodrës qe me personel tepër të kufizuar, drejtori, një redaktor (që isha unë), folësja dhe dy teknikë. Atë ditë drejtori ishte në mbledhjen e sekretariatit të komitetit të partisë dhe të gjithë punën do ta përballoja unë. Po çuditërisht ai u kthye diku nga ora 10-të. Hyn me vrull, përplas derën dhe më thotë: “Eja pak në zyrë”, pasi atë moment në zyrën time ishin dy bashkëpunëtorë. “Ç’na ke bërë kështu? Si shkruan për bij prefektësh?”, më drejtohet ai. Njëherë mendova se mos donte të tallej, por shpejt e kuptova se e kishte seriozisht. “Ç’është ai Skender Drini që e paske ngritë në qiell në një shkrim tëndin?”, më pyet. “E ngriti njëri nga sekretarët e partisë, almanaku “Shkodra” u bllokua, nuk do të hidhet në qarkullim dhe ti e unë nuk do të ndahemi pa gjë. Si e bëre këtë?” – e plot pyetje të tjera që ai i kishte dëgjuar në sekretariat.

Gjithsesi e mblodha veten, qeshë i ri e në atë kohë edhe pak impulsiv e kryekcyem, i them se unë as për fytyrë nuk e njoh Skender Drinin, po njoh librat e tij që më kanë pëlqyer e prej çfarë kam thënë nuk i heq asnjë presje. Me ato libra janë ushqyer mijëra fëmijë (pasi librat për fëmijë asokohe botoheshin në mijëra e mijëra kopje) dhe i ke të ekspozuara në vitrinën e librave në qendër të Tiranës e të Shkodrës. Mandej, kaq shpejt e paskan gjetur se ai ST qenkam unë? “E kanë gjetur!” tha prerë, nxitoi e doli. Sigurisht edhe se më besoi, por edhe për të parë nëse ato libra ishin në libraritë e Shkodrës, kur dihej se për të botuar librin e parë, merrej leje e dyfishtë, nga organet e partisë dhe të pushtetit. Pra Drinit ia kishin dhënë lejen e për këtë drejtori donte ta hiqte nga shpina e radios që drejtonte kritikën apolitike që iu bë atij dhe mua.

Pushtetarët ia gjetën zgjidhjen. Në almanak, recensa ime me titullin “Pak fjalë për një shkrimtar të ri”, u gris dhe faqet pasardhëse u ngjitën. Kishin harruar se gjurma kishte mbetur a) Sepse kalohet në libër nga nr. i faqes 251 në 254 dhe b) tek përmbajtja e lëndës, që në atë numër të almanakut qe në faqen 3, ishte harruar të fshiheshin inicialet e mia, S.T. dhe titulli: “Pak fjalë për një shkrimtar të ri”. Gjithsesi vlerat nuk censurohen kurrë. Skender Drini, që më vonë e deri kur mbylli sytë u bë një nga kolegët e miqtë më të ngushtë që kisha, i çau dallgët e atij deti dhe mbeti ai që është: emër i përveçëm i letërsisë shqipe.

Armët dhe çunat, Guy Lawson

Libri i gazetarit të njohur investigativ amerikan Guy Lawson flet për ngjarje të vërteta që kanë lidhje kryesisht me vendin tonë. Libri në SHBA është botuar më 9 qershor 2015. Makinacione të panumërta, ngjarje, personazhe për të cilët kemi dëgjuar andej- këndej, por duke u renditur kronologjikisht, në këtë libër marrin formë të plotë, duke shpalosur kështu një histori të pabesueshme. Në disa kapituj ai tregon se si u lidhën trafikantët hebreo-amerikanë të “zbulonin Shqipërinë”. Ai tregon për takime, persona e vënde konkretë. Emra aq të dëgjuar gjatë çështjes “Gërdeci” parakalojnë përpara lexuesit emra, si Kosta Trebicka,Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, por edhe zyrtarë të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes në kohën kur ndodhi ngjarja.

Libri i Madh i Legjendave Mesjetare

Ky libër përmbledh 11 legjenda mesjetare, në të cilat tregohet për vende magjike ku banojnë dragonj që lëshojnë zjarr, kalorës trima, princesha të burgosura nëpër kulla të larta, ura që ngrihen e ulen dhe për shumë ndodhi e personazhe të tjera. Fantazia dhe imagjinata udhëtojnë në mjegullën e kohës, duke u frymëzuar nga bëmat dhe trimëritë e kalorësve të mbretit Artur si: Lançeloti, Ivani, Persëvali, Gavaini apo të shigjetarit më të zot, mbrojtësit të të varfërve, heroit Robin Hud. Në këtë libër zënë vend gjithashtu, edhe historitë e dashurisë më të bukura dhe më tragjike të të gjitha kohërave, që të bëjnë të prekesh e të lotosh, si historia e dashurisë mes Tristanit e Izoldës dhe ajo e Romeos e Zhuljetës.

Skënder Temali August 10, 2015 16:05
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*