“Skënderbeu amerikan” i shqiptarëve dhe letrat e Çekrezit

September 6, 2017 11:15

“Skënderbeu amerikan” i shqiptarëve dhe letrat e Çekrezit

 

Presidenti amerikan dhe letrat e Çekrezit

Nga Ilir Ikonomi

Njeriu në këmbë është presidenti amerikan Woodrow Wilson, për të cilin historianët bien dakord se e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi në vitet 1919-20. Është, si të thuash, Skënderbeu amerikan i shqiptarëve.

Presidenti Woodrow Wilson, dhëndrri Francis B. Sayre Sr. dhe nipi Francis B. Sayre Jr. në Uashington, në vitin 1915. (Biblioteka e Kongresit)

Presidenti ka dalë në Uashington në vitin 1915 me dhëndrin, Francis B. Sayre Sr. dhe nipin e porsalindur.

Në kohën kur u bë kjo foto, as presidenti Wilson dhe as dhëndrri i tij nuk e kishin menduar se do të kishin të bënin ndonjëherë me vendin e largët të quajtur Shqipëri.

Kur Sayre studioi më vonë në Universitetin e Harvardit, qëlloi të kishte shok klase Kostë Çekrezin (1892-1959) nga Ziçishti i Korçës.

Kostë Çekrezi, ish-student i Harvardit, Profesor i Universitetit Kombëtar në Uashington, foto e vitit 1922.

Çekrezi kishte qenë editor i gazetës Dielli në Boston, para se të shkonte në Harvard. Më vonë u emërua profesor në Uashington, u kthye në Shqipëri për të punuar si gazetar dhe u bë kundërshtar i Mbretit Zog. Në vitin 1935 u arratis nga Shqipëria si pjesëmarrës i një rebelimi kundër mbretit dhe përfundoi në Francë.

Për t’u kthyer përsëri në Amerikë i duhej vizë, prandaj në janar 1936 i shkroi letër ish-mikut të Harvardit, Francis B. Sayre, i cili tani punonte si Ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit. Në atë kohë, Presidentit Wilson nuk jetonte më.

Letrën e Çekrezit e hasa në arkivin amerikan dhe më tërhoqi vemendjen kjo pjesë ku ai i kujton ish shokut të klasës se si ishin njohur në Harvard në vitin 1918:

Në atë kohë, ju patët mirësinë të shfaqnit interesim për çështjet shqiptare në një shkallë të tillë, saqë me vullnetin tuaj morët përsipër të flisnit me Presidentin e ndjerë Ëilson dhe, më besoni, ndërhyrja juaj ishte mjaft e dobishme.

Letra e Çekrezit për Ndihmës Sekretarin e Shtetit Francis B. Sayre Sr., gjetur në arkivin amerikan.

Nuk dihet se sa mund të ketë ndikuar miqësia e Çekrezit me shokun e tij të Harvardit që Wilsoni të njihej me çështjen shqiptare në vitin 1918, kur Lufta e Parë Botërore ishte në mbarim e sipër.

Por, në atë kohë, shqiptarët e Amerikës bënin përpjekje që fjala e tyre të binte në vesh të presidentit amerikan, me shpresën se ai do ta ndihmonte Shqipërinë të ruante kufijtë e saj në negociatat e paqes, të cilat pritej të fillonin në Paris në vitin 1919.

September 6, 2017 11:15
Komento

1 Koment

  1. demo September 6, 18:21

    Sa te mira i ka bere Shqiperise ky njeri! Cuditem si Zicishti ka lindur Moisi si Koste Cekrezi dhe Kaine si Mihallaq e Llambi Zicishti.Cekrezi,Noli,Konica e mergimtaret patriote te Korces ne Amerike,shpetuan Shqiperine nga thonjte e greko-sllaveve,duke ndikuar veton e presidentit Willson ne Versaje.Koste Cekrezi shkroje radhe te pashlyera per kolonelin Thomson(ishte atehere sekretar i Wilhelm Wied).Koste Cekrezi eshte autor i texteve shkollore ,qe ishtypi ne shtypshkronjen e Vatres dhe i solli ne Shqiperi nga Amerika.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*