Skënderbeu, dhëndër në Ardenicë

January 19, 2018 11:19

Skënderbeu, dhëndër në Ardenicë

Nga  Naun Kule

1-Ardenica- e gjallë  dhe  e  vdekur…

E  vdekur; vetëm në dukje. Kjo që shikojmë sot, përbën vetëm majën e “ajsbergut” të dikurshëm, të kompleksit arkitekturor, Ardenicë…

Por “ajsbergu” u mbyt në detin e kohës dhe vrapi i pamëshirshëm i historisë, tek hedh mbi njeri tjetrin etërit dhe bijtë, ngjarjet dhe heronjtë, ia kthen ato nëntokës duke përcjellë  gjer tek ne vetëm kujtesën e  paçmuar të brezave…

  E gjallë; sepse nga do që të kthehemi dhe kurdo që të vijmë në udhëkryqet e jetës tonë të shkurtër, Ardenica vazhdon të na  flasë me gjurmët e shekujve mbetur aty nga duarartë dhe mendjendritur të zellshëm, ardhës  dhe vendas, të cilët, gram pas grami dhe vit pas viti, i shtuan asaj aq shumë vlera dhe banorëve përqark, aq shumë  virtyte. Natyra dhe njerëzit që e ngritën, bashkë me detin e trazuar të historisë tonë, i lagu dhe i lau në miliarda dallgë. Kësisoj, lodhej t’i mbyste, por i pastroi  e i zbardhi; i shndriti më shumë…!

***

2.Midis detit dhe Beratit…

Ardenica…? Në Myzeqe; midis Lushnjes dhe Fierit, Semanit dhe Shkumbinit, mes Durrësit dhe Vlorës…! Gjithë kjo fushë e gjerë dhe  e begatë, ndahet nga një varg kodrash që ngrenë shpinën në krahun e djathtë të lumit Seman, pranë kodrës së Shqipes dhe ecin drejt veriut,   për tu ngritur dhe ulur disa herë, deri tej Kalasë së Bashtovës, gjithnjë drejt Durrësit…Mes këtyre kodrave dhe kësaj fushe, si një dhuratë e Gjithësisë  për  banorët përqark, ngihet si me dorë kjo qendër kulti e dëgjuar deri larg, për lashtësinë dhe shenjtërinë  e saj. Tek e sheh nga deti, fusha të duket sikur i Gjithëfuqishmi e mban, e ngre lart për tua rrëfyer të gjithëve; të gjithëve sa na zë syri nga ajo majë kodre, duke i ftuar e thirrur me buçimën e fortë të kambanave, se toka dhe qielli janë djepi dhe çatia e përkohshme e të gjithëve sa baresin mbi tokë dhe se një ditë, të gjithë do t’i kthehemi përjetësisë përmes një ndërtese si kjo, përcjellë nga buçima mortore e kambanave…

“..Atje ku ngrihet ky manastir, natyra ka punuar me pekul të madh…E ndehur përanash kodrave fusha e Myzeqesë ka në kërthizë të saj një mal të unjtë në formën e anijes, veshur me pyje dhe stolisur përqark me kopshte e kullota. Në majën më të lartë të këtij mali, ngrihet manastiri i Ardenicës prej të cilit, nga çdo anë që t’i kthesh sytë, pamja del kaq e bukur sa njeriu vërtetë shastiset. Për të pikasur dhe rrëfyer gjithë bukuritë e këtij vendi dhe madhështinë e natyrës këtu, duhet një pendë pendari hollëshkrues, siç thotë profet Davidi..”

                                                                      ***

  1. “Gun’e zezë mbahet për zi/ Që  kur vdiq Skëndërbeu…”

    Janë vargjet e një kënge të lashtë myzeqare. E lashtë sa vet heroi i këngës, prijësit të kombit arbëror. Sa  edhe gjëma që solli vdekja dhe pasvdekja e tij, 550 vjet si sot…

Kënga, doemos, është një këngë-vaj, këngë-kuje me ooh, shpërthyer nga zemra,   dhimbja  dhe dashuria e një populli luftëtar për Atin e vet, për prijësin e dhjetëra betejave dhe po aq fitoreve , kundër armikut më  të  fuqishëm të kohës. Kënga rrëfen  se dhimbja për humbjen e komandantit është gjithëpopullore,  gjithëkohshme dhe si e tillë,  përcillet ndër breza  si gjëmë kombëtare  ndër shekujt që  pasuan dhe e sollën  për ne.

Myzeqarët, historikisht, në folklorin e tyre aq të pasur, nuk kanë rendur pas miteve  të glorifikuara, qofshin edhe burrështetas të shquar, ardhur e shkuar në një hop të historisë shqiptare, vendas a të huaj, të  afërt a të largët…

Nuk është e rastit që në folkun myzeqar nuk gjen këngë lavdithurëse për  të  shenjuar  emrat që e kanë bërë apo zhbërë historinë e këtij kombi siç:

“Shqipërisë i ndriti fati/ I erdhi mbreti nga Mati/ Varfëria kaq e pati…”.

Apo “O Stalin të jeshe gjallë…Korba u.. o Stalin/ Jeshët shokë me djalën tim…”

Asgjë e tillë nuk zë vend në memorien historike dhe kulturën popullore të myzeqarëve.

Por kjo nuk mund të ndodhte kështu për një hero kombëtar të përmasave të Skënderbeut, trimëria e atdhetaria e të cilit, mban gjallë  ndër shekuj kombëtarizmën e çdo shqiptari.

Madje, edhe kur u kanë ngritur këngë burrështetasve të tjerë që kanë bërë Shqipërinë, siç   janë këngët për Ismail Qemalin, tek shtroheshin në një sofër,  në udhëtimin drejt Vlorës (24 nëntor, 1912), gjithë figuracioni poetik i tyre, ze fill dhe heq paralele historike sërish me heroin kombëtar-Skënderbeun.“Shqipëri e ngrite ball’n/Ta ngritën trimat e rrallë/ Shqipot me Ismail Qemal’n/Nipat e Gjergjit me pallë…!”

Pra, përsëri e përsëri Gjergji, Skënderbeu edhe pas 500  e ca vjetësh..! Kjo sepse Skënderbeu ka qenë dhe mbetet  referenca historike, shëmbëlltyra  për secilin shqiptar apo burrështetas  që synon  ose merr përsipër ta selitë e udhëheq këtë popull drejt progresit.

  1. Skënderbeu dhe Ardenica; nderojnë njeri tjetrin…

Pavarësisht nga motivet, domosdo kombëtare, që e shtynë Skënderbeun ta kryejë këtë akt mbretëror tepër të rëndësishëm për jetën e tij dhe fatet e Shqipërisë, pikërisht në këtë manastir ortodoks, le të qëndrojmë tek  momenti    që zgjedh  Skënderbeu  në realizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme.

Pra jemi në pranverën e vitit 1451(26 prill) Në Ardenicë, ngjitet Gj.K. Skënderbeu  dhe kurorëzon këtu martesën e vet me Donikën.  Por, ndërkohë, kush është Skënderbeu për Shqipërinë, shqiptarët dhe Europën?

Pa e zgjatur mund të themi se më 1451 Gjergj Kastrioti Skënderbeu është plotësisht…Skënderbe! Pas kthimit triumfal në Shqipëri, pas Kuvendit të Lezhës dhe fitoreve të para kundër osmanëve, sidomos në betejat e viteve 1444-47,  të cilat, rritën shumë  “… autoritetin e Skënderbeut në rrafsh ndërkombëtar dhe e bënë Shqipërinë një fuqi antiosmane të dorës së parë…”

Data që shqyrtojmë nuk është  veçse pak muaj larg nga zulma famëmadhe e fitoreve të Skënderbeut në rrethimin e parë të  Krujës,(korrik-tetor, 1450), të  cilat, bënë të vdesë nga hidhërimi Sulltan Murati i II, ndërsa Skënderbeu përgëzohet nga burrat më të fuqishëm të Europës. Ja pra, ky burrë kaq i shquar dhe i lëvduar nga Europa, njërin nga evenimentet kryesore të jetës së vet (kurorëzimin e martesës që bëri në Kaninë),  vjen dhe e kryen në manastirin e Ardenicës. Të ishte kjo rastësi? Nuk duam ta besojmë. Nuk e besojmë as si voli e udhëtimit të tij nga Kanina e Arianitëve, për në Krujë. Vërtetë rruga Kaninë-Krujë asokohe shkonte pranë  Ardenicës (si edhe sot), por mendojmë se nga Kanina në Krujë, Ardenica nuk mund të ishte i vetmi manastir në  popullsinë tërësisht të krishtere të Arbërisë së atëhershme.  Prandaj kemi arsye të mendojmë se ndërmjet këtyre manastireve që i nxirrte përpara dhëndrrit të ri rruga Kaninë-Krujë, themi se në Ardenicë është gjetur pikërisht manastiri që e meritonte Skënderbeun…!

Pra, ky akt i Skënderbeut, pohon faktin se manastiri i Ardenicës edhe ndër këto vite është në lartësinë e institucioneve klerikale ortodokse të njohura deri larg enorisë së tij. Kjo sepse nuk duam të mendojmë që, një ngjarje kaq të rëndësishme të jetës dhe të bëmave të tij  luftarake, Skënderbeu mund ta lidhte ose ta kryente në një institucion kulti me emër të  rëndomtë apo në një vend lavdihumbur.

Sigurisht që janë gjithnjë motivet kombëtare ato që e shtyjnë Skënderbeun  të kryejë kurorëzimin  pikërisht në këtë manastir.

Kjo edhe sepse dihet mirëfilli synimi i tij për bashkimin e gjithë popullit në luftën kundër pushtuesit osman. Rivaliteti princëror ndërmjet krushqisë së re të Arianitëve me komandantin e tërë Arbërisë, nuk  mund të mos ngjallte ambicie dhe dyshime ndër fqinjët e tij, princërit Topiaj  dhe Muzakajt.

(Edhe vëllezërit e Donikës u grindën me të atin, princin Arianiti dhe nuk  morën pjesë në dasmën e të motrës…) Vlerësimi që i bënë Skëndërbeu  manastirit të Ardenicës si qëndër  kulti ortodoks e cila aktualishisht ishte pronë e Muzakajve dhe njëherësh, mjaft e vlerësuar nga Topiajt (portreti i Karl Topisë  brenda  këtij manastiri, flet shumë për këtë…), është mesazhi më domethënës që u jep Skënderbeu këtyre princërve për garanci dhe mbështetje të njëllojtë  edhe paskëtaj. Në këtë rrafsh vlerësojmë edhe faktin  domethënës të Skënderbeut i cili, në çastin ceremonial, e nderon manastirin dhe klerikët që e kurorëzojnë të prirë nga Igumeni Feliks, personalitet i shquar i kohës, duke i dhuruar një shpatë tepër të çmuar. Kjo dhuratë simbolike, ishte edhe një thirrje e luftëtarit dhe komandantit të ushtrisë krishtere që luftonte pushtuesit  osmanë, të cilët, siç dëshmoi historia e mëpasme, dhunuan dhe  zhbënë jo vetëm vendin por edhe fenë, krishterimin e popullit shqiptar.  Gjithsesi, pas kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme për  të dy palët-  mund të themi se ata e meritonin plotësisht njeri tjetrin, ndaj edhe pritja e nderimi ishin në shkallën më të lartë.

5.Ardenica; hapur portat, pret dasmorë…!

Kohët sjellin e përcjellin breza njerëzorë. Dhe, bashkë me to, edhe historinë e kohës me heronjtë dhe bëmat e tyre. Po ndërsa brezat vijnë, plaken dhe shkojnë, heronjtë mbeten përjetësisht  të rinj.  Ata, ende rinojnë ndër ne siç ishin  sot e qindra vjet, a disa shekuj…Kështu, heroi ynë Gjergji i madh, në pranverën e çdo viti vjen e dhëndërron këtu, në Ardenicën tonë me Donikën në krah…Ashtu si dikur; më (26 prill, 1451),   tek kthehej nga Kanina e Vlorës bashkë me Donikën, princeshën e Arbërisë…

Shoqata A.K.”Myzeqeja” për më se një dekadë, e përkujton këtë ngjarje  me një festim të posaçëm çdo të shtunë të fundit të muajit prill, me veprimtarinë e saj “Sofra e Ardenicës”

Është ky një tubim festiv i mirëpritur nga gjithë  myzeqarët dhe jo vetëm, nga  qindra nxënës të shkollave dhe veprimtarët e Shoqatës tonë, domosdo edhe për të shijuar ditët e bukura të fundprillit, qëndisur me lulet, gjallesat dhe gjethnajat që të ofron ky ballkon i mrekullueshëm i Myzeqesë, kjo  “qershi mbi tortë” siç e  thotë një këngë e re për manastirin e Ardenicës dhe kodrën dominante mbi të cilën ai  ngrihet.

Këtë vit jubilar kushtuar Skënderbeut, Shoqata A.K.”Myzeqeja”  po  bashkëpunon  me Ministrinë e Kulturës dhe Komisionin e posaçëm qeveritar  për ta festuar  kombëtarisht dhe meritueshëm këtë festë mbarë shqiptare  e cila, na risjellë mes nesh një nga evenimentet shumë të rëndësishme të jetës dhe të veprës së Skënderbeut.

Ndaj edhe, grupet  folklorike dhe artistët  popullorë të Myzeqesë,  pasurojnë çdo ditë programet e tyre të këngëve dhe valleve. Madje, njëra prej  këngëve, kushtuar pikërisht këtij  eventi historik me titullin “Margaritari i Myzeqesë”, interpretohet  bukur nga këngëtarët pasionant Kashari-Pamela,  dhe na  thotë se Ardenica:

“Hapur portat, pret dasmorë  / Skënderbeun  me kalë të bardhë,

 Me Donikën  luleborë / Mes dasmorëve  myzeqarë…”                                                                                                                     

 

January 19, 2018 11:19
Komento

11 Komente

  1. +++ January 19, 12:03

    Nji shkrim Historik i nje rendesie te vecant lidhur me Heroin tone kombetare Legjendarin Gjergj Kastrioti Skenderbeu .
    Ardenica eshte ai Manastiri Mrekullive ,qe fsheh jopak mistere ne Historine e saj te Mesjetes .
    Dikur kam lexuar mbo Historine e Kambanave te Kishes se Ardenices ,te cilat saher i largoheshin ,nji patriot i atyre aneve shetiste Boten ,ne mos gaboj shkonte ne Itali e porosiste Kambana te cilesise me te larte dhe i sillte ne Shqiperi ne Ardenice .Pra nji dicka e tille mitike kjo historia e kambanave qe kam lexuar dikur .

    Reply to this comment
  2. Mollosi January 19, 15:24

    Nje version thot qe Skenderbeu u kurorezua ne Ardenicë kurse tjetri thot qe Skenderbeu u kurorezua ne kishen e Vaut te Dejes.

    Reply to this comment
  3. edi January 19, 20:26

    NJI SHKRIM I SHKELQYER JO VETEM NGA ANA ARTISTIKE
    BRRAVO VERTETE NAUN

    Reply to this comment
  4. demo January 20, 04:12

    Po sikur Skenderbeu te mos jete martuar,kurorezuar,dasmuar ne Ardenice,ku do ta cosh kete hartim gjimnazistesh adoleshente?Se vetem histori nuk ka ketu.

    Reply to this comment
    • Ervini August 23, 04:10

      Faktet I gjen ne pllaken e gurit e gdhendur qe prej asaj kohe I dashur qe deshmon per martesen e Gjergj Kastriotit, prove e trasheguar historike, nese nuk e dije shko dhe vizitoje. Gjithe myzeqeja e ka pas tradite dhe te gjithe ata qe kishin mundesite shkonin e kurorezoheshin ne manastirin e Ardenices. Kjo per respekt ndaj princit te tyre, por dhe si nje privilegj qe u jepej nderi te kurorezoheshin ne te njejtin vend so princit i tyre. Fillo kerko e hulumto dhe do ti zbulosh vete faktet Apo ngjarjet. Kjo kerkon gjithsesi nje mendje te hapur, fatkeqesisht kete luks nuk e kane ata qe nisen qe ne fillim me paragjykime dhe qe mendojne se te verteten e dine vetem ata. Gjithsesi se ku eshte martuar kjo as ja ul dhe as ja rrit vlerat nje krahineje. Skenderbeu luftoi per arberine (shqiperine) dhe gjithe popullin arberor, dhe I perket popullit te tij qe nga Kosova e deri ne More.

      Reply to this comment
  5. Illo January 21, 14:49

    Pershkrimi , qe i ben Nauni masivit te kodrave te Ardenices , Manastirit dhe fushes se Myzeqese , perben nje krijim publistiko- letrar nga me realistet , te mbeshtetur ne shkencen e sotme mjedisore . Kodrat jane fenomen , sa dhe vete fusha . Keto te dya , ne unitet, i kane dhene kuptim ekonomiko – turistik specifik Myzeqese . Nuk ka arsye , qe kesaj mbrekullie te mos i ishte perkushtuar Skenderbeu . Po ben nje pune te lavderushme Shoqata “Myzeqeja ” . Pashe edhe opinionet e disa lexusve . Mendoj se cilido shqiptar krenohet me kete mbrekulli natyrore , qe quhet Myzeqe dhe qe eshte e vetmja ne rajon dhe erralle ne Mesdhe . I. Foto

    Reply to this comment
  6. Lumi January 21, 18:51

    Shkrim pasionant. Kur s’ke nje dokumentin, hajde gjeje pse shkoi Skenderbeu ne nje koder ne mes te kenetes.

    Reply to this comment
  7. Onkezmi January 22, 19:04

    Shkrimi eshte mese historik,se vete fakti qe xhelozia brenda familjes se Donikes eshte fakt historik,por me kryesorja del se Gjergji perdori nje Diplomaci fine per rrugen dhe besimin ndaj tij princerit rreth tij,pra nje Diplomaci e brendeshme e jo me keneta dhe hartime qe zvarriten neper kenete Bloguesit e mesiperm…

    Reply to this comment
  8. Arben January 22, 20:45

    Normalisht qe atehere, por edhe ne ditet e sotme ciftet shqiptare kurorezohen festojne edhe ne krahinen e vajzes edhe ne krahinen e djalit. Si Gjergj Kastrioti ashtu edhe vjehrri i tij Gjergj Arianiti nga Kanina ishin njerez te medhenj. Me lidhjen e tyre na trasheguan Shqiperine . Ne nje shkrim kam lexuar se martesa ndermjet gjergj kastriotit dhe donika arianitit nuk ishte nje lidhje dashurie por politike. Koha ka treguar se dashurite politike (ndermjet familjeve me baza) jane me te forta se dashurite e castit . E tille me baza te shendosha ishte dashuria midis kastriotit dhe arianitit.

    Reply to this comment
  9. Nikollaqis Laskas February 3, 03:45

    te kam thene edhe me pare Naun kujdes kur shkruan per historin se nuk eshte art por eshte shkence …shume hipoteza kane dale per martesen e Donika Arianitit me Gjegj Kastriotin… disa thone ne Kanine disa ne Ardenice, perkthyesi i Dhimiter Frankut Lek Previzi mendon ne kishen e Shen Merise se Spolates pra Gradishtes… ndonje ne zonen e Beratit… Te gjitha keto hamendje dhe deshira nuk kane asnje baze dekumentare…. Ky shkrim Naun Kules eshte nje hartim i kendshem eshte nje krijim artistik per nje ngjarje te deshiruar. Ne radhe te pare ne ato kohra Kanina nuk ishte ne dore te arberorve dhe as te latineve por nee duart e forcave turke dhe nuk ka asnje te dhene qe Arianiti ka qendruar me familjen ne fortesen e Kanines… edhe dekumenti i Aragones per marveshjen midis Alfoncit te V te Napolit dhe princit Gjergj Arianiti tregon qarte se kjo fortese nuk ishte dhe nuk e pretendonte Gjergj Araniti dhe kufijte ai i kishte
    deri ne vijen veriore te lumit te Devollit. Teritori i Ardenices nuk bente pjese ne zoterimet e Arianitit. Dhe familja Muzaka nuk ka fare lidhje me Myzeqene fushe … lexojeni mire dhe me vemendje edhe Memorjen e Gjon Muzakes … ai thot Myzeqe e vogel.. Tominishta qe do te thote rrafshina pran Beratit pra fusha e Perondis sot Kucova. Feudalet Muzaka as ja dhane dhe as ja muaren emrin kesaj fushe te madhe se emri i saj eshte me i hershem dhe e gjejme edhe ne te gjitha gjuhet e pushtuesve. Genjeshter eshte edhe mbetja e qejfit te vellezerve te Donikes per marjen e pajes se madhe te saj nga pronat e fgamiljes… kjo sepse kur u martua Dinika ne vitin 1451 nuk kishin lindur tre vellezerit e vegjel nga martesa e dyte e Arianitit me zonjen Despine qe ishte Puliane. Nuk e kuptoj nga do te ishte kjo xhelozi me princerit e tjere Muzakaj dhe Topiaj per martesen e Donikes me Skenderbeun kur dihet se ajo ishte mbes Muzake por edhe gjyshen e kishte Topiase…. ky shkrim eshte nje hipoteze e brishte qe nuk qendron ne dekumenta…. Me e mundeshme eshte qe dasme te jete bere ne kishen e madhe te Shen Ilise pran Cukasit dhe jo sic mendon Eqrem Vlora per nje dasme te madhe ne ShenDelline e Kalenjes ne Mallakaster ku vertet jane gjetur mjaft relike qe nuk i takojne atij Metoqi pran fshatit Arianitas por qe kuptohen jane grumbulluar nga kisha e vende te tjera per ti shpetuar nga shkaterimi i forcaqve turke ashtu sic eshte gjetur edhe Epitafi i Gllavenices qe ska lidhje fare me kishen e Ballshit..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*