Skënderbeu për fitore ndaj Tërbunit

November 22, 2015 12:09

Skënderbeu për fitore ndaj Tërbunit

Skënderbeut i duhet të rikthehet menjëherë te fitorja pas “rrëshqitjes” në Kukës, për të mos lejuar arratisjen e Partizanit. Kampionët impenjohen sot në stadiumin e tyre përballë Tërbunit të fundit të tabelës, por gjithsesi në kampin korçar kanë kryer edhe seancën e fundit stërvitore para ndeshjes me bindjen se kundërshtari i radhës kërkon përqendrimin maksimal, pasi çdo nënvlerësim mund të penalizojë Skënderbeun.

Në këtë takim do të mungojnë për trajnerin Mirel Josa dy lojtarë të rëndësishëm në mesin e fushës, Bakary Nimaga që vazhdon të jetë i dëmtuar dhe Liridon Latifi, ndërkohë që me shumë mundësi trajneri mund t’i lejojë një turn pushim edhe Sabien Lilajt, pasi i duhet të menaxhojë në mënyrën më të mirë energjitë në një kalendar të ngjeshur në sajë të impenjimeve të Europa League, ku këtë të enjte kampionët e Shqipërisë do të përballen në transfertën me Beshiktashin.

Në këtë mënyrë ndaj Tërbunit mund të vijë shansi i ndonjë prej futbollistëve që janë aktivizuar më pak si Shabani ose Demaj. Për sa i përket sulmit, Tërbuni është dhe “viktima” e preferuar këtë sezon e Peter Olyainkës, i cili vendosi fitoren 2-0 të kampionëve në Pukë me dygolëshin e tij në javën e tretë të kampionatit. Natyrisht që transferta përballë kampionëve nuk është vendi ideal që Tërbuni të kërkojë pikët e mbijetesës, por skuadra e drejtuar nga italiani Gargano nuk ka se ç’të humbë në një përballje të tillë. Josës i duhet të evitojë te Skënderbeu një defekt që po shfaqet gjithmonë e më shpesh në skuadrën korçare, që disa herë këtë kampionat i është dashur të rikuperojë pasi ka pësuar gol e para. Kështu ka ndodhur në përmbysjet me Tiranën dhe para dy javësh me Vllazninë, ndërsa nuk mundi të përsërisë të njëjtin skenar në ndeshjen e fundit me Kukësin.

November 22, 2015 12:09
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*