Skënderbeu, rekorde pozitive dhe negative

May 24, 2015 08:36

Skënderbeu, rekorde pozitive dhe negative

Tashmë që Kategoria Superiore uli siparin, është koha për të hedhur sytë drejt shifrave dhe analizave statistikore. Skënderbeu që fitoi titullin e 5-të radhazi duke vendosur rekordin në futbollin shqiptar, ka dhe disa shifra rekord të edicionit. Kështu korçarët në 36-të javë kanë regjistruar mbrojtjen më të mirë të kampionatit me 18 gola të pësuar teksa kanë dorëzuar trofeun simbolik të sulmit më të mirë tek rivalët e Kukësit vetëm për një gol. Nënkampionët janë ata që kanë shënuar 59 gola, një më shumë se kampionët, por duke lënë shumë larg ndjekësit e tjerë në këtë aspekt.

Mbrojtja më e dobët e kampionatit shkon për Elbasanin që në 36-të javë ka pësuar 79 gola, teksa mban vendin e fundit së bashku me Apoloninë për golat e shënuar, 19 të tillë. Megjithatë rekordet e Skënderbeut vijojnë si në aspektin pozitiv edhe në atë negativ. Pavarësisht se nuk kanë asnjë emër në 7 golashënuesit më të mirë të kampionatit, formacioni i Mirel Josës mban rekordin përsa i përket numrit të lojtarëve që kanë shkuar tek rruga e rrjetës. Janë plot 16 futbollistë të Skënderbeut që kanë shënuar këtë edicion, teksa ndjek në këtë statistikë kampionët Tirana me 14 golashënues.

Skuadra që ka shkuar me më pak futbollistë tek goli është Apolonia me 6 të tillë, edhe pse shumica e golave kanë ardhur në pjesën e dytë të sezonit. Një rekord negativ që shkon për kampionët është ai i kartonëve të verdhë të marrë gjatë një ndeshjeje, plot 8 të tillë, më shumë se kushdo skuadër tjetër. Rekordin për kartonët e verdhë e mban skuadra e Laçit me 87 gjatë të gjithë sezonit.

Ndërkohë bie në sy se futbollistët më të ndëshkuar me kartonë të verdhë nuk janë mbrojtësit, por mesfushorët. Rekordin e mban Bruno Telushi i Flamurtarit me 15 kartonë të verdhë i ndjekur nga Kushtrim Lushtaku i Kukësit me 13 të tillë. Elbasani mban rekordin përsa i përket numrit të futbollistëve të aktivizuar këtë sezon, që shkon në 35, i ndjekur nga Flamurtari me 33 lojtar të aktivizuar.

 

May 24, 2015 08:36
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*