Skënderbeu, sulmi 15 gola në pesë ndeshjet e fundit

November 26, 2014 23:36

Skënderbeu, sulmi 15 gola në pesë ndeshjet e fundit

Pas një nisjeje të ngadaltë të kampionatit, Skënderbeu tashmë ka nisur udhëtimin me një ritëm të lartë dhe dëshmitar i kësaj ecurie janë golat e shënuar. Kampionët u kritikuan shumë në 8 javët e para të kampionatit ku kishin shënuar vetëm 6 gola, teksa në 4 takime sulmi kishte agjëruar pa mundur të shënonte.

Në Korçë pas 8 javëve të para nisën të “qanin” largimin e Pero Pejic, kroati që një sezon më parë fitoi dhe Këpucën e Artë të kampionatit.

Afrimet e Sefës, Martins dhe Peter nisën të kritikoheshin teksa Ribaj nuk po shfaqej ai i sezonit të kaluar. Por ndaj Vllaznisë sulmi i kampionëve dha sinjalin e parë për të mos u ndalur më teksa në 5 javët në vijim do të shënonte 15 gola me një mesatare të frikshme 3 gola për ndeshje. Ndaj shkodranëve në javën e 9-të shënonte Peter në fitoren 3-0, teksa rezultatin e plotësonin Dimo dhe një supergol i Vangjelit.

Në sfidën pasardhëse në Laç tek goli do të shkonin dy sulmues, pikërisht nigeriani Peter dhe Sefa që rikthehej tek goli pas më shumë se një muaj e gjysmë agjërimi. Ndaj kurbinasve lushnjari hynte në fushë në vend të brazilianit Martins, që pas 11 javëve kampionati ende nuk kishte bërë takimin me golin.

Megjithatë 26-vjeçari i ardhur me bujë do të zhbllokohej një javë më pas në kryendeshjen ndaj Partizanit dhe do të shënonte jo një por dy gola.

Momenti i mirë do të vijonte edhe në sfidën pasardhëse ndaj Apolonisë ku Martins do të shënonte plot tre herë, duke e çuar në 5 numrin e golave të shënuar në vetëm dy takime.

Nga momenti që në Korçë “qanin” Pejic vijmë tek Pejic dhe tashmë takimi me Kukësin që ka në përbërje pikërisht kroatin, e gjen sulmin e Skënderbeut në momentin më të mirë, që i mbështetur nga mbrojtja më e mirë e kampionatit ka një test të vërtetë përpara, për të treguar rritjen e javëve të fundit.

November 26, 2014 23:36
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*