Skënderbeu, Tirana dhe Apolonia, të “përkëdhelurat” e javës

April 28, 2015 08:26

Skënderbeu, Tirana dhe Apolonia, të “përkëdhelurat” e javës

Java 32 e Kategorisë Superiore ka folur për Skënderbeun, Tiranën dhe Apoloninë, tre skuadra që shohin afër përmbushjen e misionit të tyre. Kampionët me triumfin në shtëpinë e Kukësit vendosin praktikisht një dorë tek titulli kampion, që do të ishte i 5 radhazi për ta, një rekord absolut në futbollin shqiptar. Në një ndeshje ku edhe barazimi do të ishte i mjaftueshëm Skënderbeu bën bingo duke dalë me pikë të plota dhe duke larguar nga gara një rival direkt.

Diferenca mes kampionëve të vendit dhe kampionëve të dimrit është 6 pikë me 4 javë të mbetura deri në fund, dhe tashmë korçarët duket se llogaritë i bëjnë vetëm më Tiranën. Pikërisht bardheblutë përveçse mbajtën gjallë shpresat për titullin e 25 thyen edhe një tabu pasi mposhtën Laçin në sfidën e 6 sezonale, ku madje nuk kishin mundur të shënonin asnjë gol.

Realizimi i Kahatës ishte një çlirim në ambientin bardheblu që tashmë sheh tek derbi jo vetëm ndeshjen më të rëndësishme për tifozët por edhe për ecurinë e sezonit, pasi për të arritur titullin nuk lejohet asnjë ndalesë. Nëse Skënderbeu dhe Tirana i afrohen objektivit për titullin, Apolonia me fitoren ndaj Vllaznisë sheh më pranë mbijetesën, një mision që dukej i pamundur në mesin e fazës së tretë.

Fierakët për herë të parë në këtë sezon arrijnë një fitore të pastër në shifrat 2-0, një rekord për bardhejeshilët deri më tani, teksa të mendosh që në 31 javë kishin shënuar gjithsej 11 gola. Diferenca me Teutën që u ndal nga Partizani shkon në 4 pikë dhe me kalendarin e favorshëm ku përfshin ndeshjen direkte lufta për mbijetesë është po aq e ethshme sa dhe gara për titull.

Një tjetër tabu e thyer këtë javë është rikthimi i Flamurtarit tek fitorja që me të rinj premtues mposhti Elbasanin që matematikisht tashmë është në Kategorinë e Parë. Pas dy ndeshjeve pa fitore Partizani i rikthehet suksesit duke synuar në sprintin final për të përmbushur objektivat që është sigurimi i një vendi në Europë. Për më tepër humbja e Kukësit shihet si një asist për 15 herë kampionët, të cilët rimorën vendin e tretë në tabelën e klasifikimit.

April 28, 2015 08:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*