Skica dhe sinopse kulturore

July 27, 2018 17:00

Skica dhe sinopse kulturore

Moikom Zeqo

KONSTANDIN VASILI – NJË PERSONALITET SHQIPTAR, MIK I NGUSHTË I GJENIUT RUS TË LETRAVE, NIKOLLAJ GOGOLIT

Në librin “Dictionaire historique et genelogique des grades familles de Grece d’Albanie et de Constandinopole” Paris 1983 (Fjalor historik e gjenealogjik i familjeve të mëdha të Greqisë, Shqipërisë e Konstandinopojës), botuar në Paris 1983 nga studiuesi Mihal Dimitri Sturdza në faqet 174-176 flitet për familjen shqiptare Vasili me origjinë nga Gjirokastra e personalitetet e saj. 82 pjesëtarë të kësaj familje janë regjistruar në “Registre des Conscripcions” të Vjenës në Austri, deri më 1776, vit kur figuron edhe Kiriak Vasili, 32 vjeç lindur në Gjirokastër, jetuar në Leipcig, në Vjenë, tregtar e bankier, bile edhe i perandoreshës Maria Terezia.

Një pjesëtar tjetër, Mihail Vasili, që sipas autorit të librit “fliste vetëm shqip”, qe babai i Konstandin Vasilit. Konstandini lindi në Konstandinopojë në vitin 1809 e vdiq në Sankt Petersburg më 1884.

Ky mbaroi gjimnazin “Rishëlje”në Odesa e qe mik shumë i ngushtë i gjeniut të letrave Nikollaj Gogolit dhe vetë Pushkinit.

Konstandin Vasili më 1830 botoi së bashku me Gogolin librin “Aurora e Veriut”një almanak i zbukuruar me shumë vizatime dhe grafika e vinjeta për të dy miqtë, shqiptarin e rusin.

Më pas Konstandin Vasili qe sekretar i admiralit Ricord, komandant i flotës ruse në ishujt e Jonit, më 1838-1844 u bë konsull, më 1844-1853 konsull gjeneral i Rusisë në Siri e Palestinë.

Si këshilltar i parë i princit Orlov qe në shumë veprimtari diplomatike ndërkombëtare.

Më 1843 u martua me Margarita Honxhery.

Vdiq në Peterburg ku ka dhe varrin monumental.

Dihet se Pushkini ka shkruar faqe të mrekullueshme për trimërinë e shqiptarëve.

Tani mësojmë se Gogoli, autori i “Shpirtrave të vdekur”, një nga kryeveprat më të mëdha të letërsisë botërore, jo vetëm që kish miqësi me një shqiptar, por së bashku janë bashkautorë të një libri unikal.(viti 1996)

EMIL ZOLAJA ME GJAK STËRGJYSHOR SHQIPTAR

Në librin “Dictionaire historique et genelogique des grades familles de Grece d’Albanie et de Constandinopole” Paris 1983, nga Mihal Dimitri Sturdza në faqet 307-308 përmendet familja e vjetër shqiptare Palatiani.

Nga kjo familje në shekullin XV qe patriarku Foti për të cilin Konica ka shkruar një studim për shqiptarësinë e tij.

Më 1786 një Nikolla Palatiano u martua e pati një vajzë, Katerinën, e cila u martua me një Dhimitër Albani, e nga kjo martesë lindi një vajzë e quajtur Margerita, që u bë shkrimtare e përmendur, që u martua me Gjergj Miniatin, një piktor gjithashtu i famshëm.

Antoni Palatino u martua më 1810 me një oficer nga Dalmatia dhe pikërisht nga qyteti shqiptar i Tivarit të quajtur Xhovani Antoni Zolla, dhe nga kjo martesë rrjedh në brezin e katërt romancieri gjenial francez Emil Zola, autor i “Zherminalit”, librit epope “Paraja”si dhe autori i famshëm i “Akuzoj”, që mbron çështjen e pafajësisë së Drajfusit, një nga pikat më inkandeshente të moralitetit të lartë e të paepur në historinë politike të Francës dhe të njerëzimit.

Përveç argjentinasit Ernesto Sabato, ja edhe Emil Zola me gjak stërgjyshi shqiptar.

Më 1826 piktori Delakrua pikturoi me një kostum kombëtar shqiptar Konstandin Palatinon një tjetër njeri i famshëm i familjes shqiptare. (Viti 1996)

 

KUMTET E INFINITËSHME TË NGJYRAVE

 

Ngjyrat shpërthejnë kudo kumte të infinitëshme.

Në simbologji ato kanë kuptim.

Një pikturë nga më irracionalet të krijuara në Botë është ajo e quajtur “Pafundësia e memories”dhe e mbiquajtur shpesh “Orët e lagura”nga Salvador Dalí.

Është e vështirë të shpjegohet përse shumë njerëzve iu duket e mrekullueshme kjo pikturë, për faktin që në pamje të parë ajo të duket shumë absurde.

Është një nga ato që mund të quhen vërtet që i përkasin stilit surrealist.

Ajo nuk pasqyron botën e vërtetë, por një nga ëndrrat apo edhe makthet e natës, ku orët qëndrojnë të varura nëpër degët e pemëve dhe sulmohen nga milingonat.

Psikologët na e kanë bërë të qartë rëndësinë e subkoshiencës tonë dhe mënyrën sesi ajo reflekton në ëndrra. Nuk ka rëndësi sesa imagjinare mund të jenë ëndrrat tona, ato mund të shpjegohen me anë të eksperiencave ose dëshirave tona.

Kjo është një mënyrë shumë personale e të pikturuarit, ku simbolet kanë patur një kuptim shumë të veçantë për Dali-n. Është një pikturë universale ku të gjithë ne njohim botën e ëndrrave tona.

Pothuajse e njëjta fantazi shprehet edhe në pikturën e Joan Miro-s “Karnavali i ngjyrave”.

Një përzierje e mrekullueshme e ngjyrave demonstron …. e tij. Madje edhe macja dhe qeni tregohen së bashku.

Meqë i gjithë ky gëzim duhet të jetë çështje e pamjes, Miro ka përfshirë në pikturën e tij një numër të konsiderueshëm sysh dhe formash të ngjashme.

Në cepin e sipërm të majtë të pikturës ndodhet një vesh i madh; për të dëgjuar më mirë muzikën.

Nëpërmjet një sërë formash simbolesh dhe ngjyrash të çelëta, Miro ka krijuar botën gazmore dhe të pasur të ngjyrave.

As fantazia, as realiteti nuk janë pjesa kryesore e punimeve jo-objektive të piktorit me origjinë hungareze Viktor Vasareli.

 

Në pikturën e tij “Mach-C”ai ka përdorur sipërfaqen e kanavacit për të sugjeruar forcën dhe energjinë e madhe që vjen nga zona qëndrore.

Madje edhe cepat e pikturës duken mjaft të çrregullta, madje kaq të forta janë edhe konvulsionet që jep ajo. Vija të gjera me prerje të forta, gradimi i madhësisë, ndryshimi i drejtimit transmetojnë lëvizje të shpejta dhe të forta.

Kontrasti i ngjyrave midis vijave dhe sfondit (ato janë plotësuese) e vënë më në dukje këtë faktor të rëndësishëm.

Në teknologjinë e hapësirës, numri Mach është një term që përdoret për të specifikuar raportin e shpejtësisë së një objekti në ajër me shpejtësinë e tingullit.

Në Mach 1, një objekt lëviz në ajër me një shpejtësi të njëjtë me atë të tingullit; në Mach 2, objekti lëviz me dyfishin e shpejtësisë së tingullit.

Kur një objekt lëviz në ajër me një shpejtësi më të madhe se ajo e tingullit, ai thyen pendesat e tingullit duke shkaktuar një tronditje sonike që lëshon valë me energji të madhe. Vasareli ka preferuar të përdorë një gërmë në emrin e kësaj pikture sesa një numër, por është e qartë që ai i jep formën vizuale një fenomeni që është i njohur tashmë në fushën e hapësirës.

“Mach-C”është një shembull i artit të optikës, një stil që merret me iluzionet optike.

Shumë piktorë që nga Rilindja kanë përdorur iluzionet për të krijuar thellësi mendimi.

Megjithatë në përgjithësi, shikuesi nuk është koshient për këto iluzione.

Artistët optikë, nëpërmjet të kuptuarit të natyrës së vizionit, kanë krijuar iluzione perceptive që janë të dukshme dhe të shpeshta.

Ngjyrat duken sikur dridhen, ose sipërfaqja e kanavacit të krijon përshtypjen e lëvizjes.

Këto ndjesi në fakt nuk janë fare të rastit; ato janë si rezultat i një aplikimi sistematik të parimeve shkencore. Megjithatë fillimet e këtij arti i takojnë eksperimenteve të hershme me ngjyrat, ndërsa lëvizja e këtij arti filloi vetëm gjatë viteve 50.

 

***

 

 

Që në vitet 70’kam shkruar një poezi për Salvator Dalin. Ja teksti i poezisë:

 

SALVATOR DALISË*

 

Materja e ëndërrave

Kaq e padukshme

Kërkon gishtat e demonëve.

 

Me pëlhurën e tablove

Ka qepur kostumin Koha

Për takimin intim.

 

Kujtesa

U mortua

Me çmendurinë e artistit

 

Për të lindur tok

Fëmijët e çuditshëm

Pa pasaportë të mendimit.

 

viti 1974

 

(shih  librin tim MISCENALLEA 1,faqe 384 )

 

Përherë më ka tërhequr dhe më ka çuditur ky piktor i ndjeshëm dhe skandaloz. Kam parë pikturat e tij në ekspozita të botës, kam lexuar librin e tij të kujtimeve dhe një bibliotekë librash që janë shkruar për to.

Në qytetin katalonas të Figueras, afër Barcelonës është lindur në 11 maj të vitit 1904 Salvador Dalia.

Familja e tij ishte e para që e ka inkurajuar pa rezerva interesin e tij shumë të madh për artin.

Një dhomë modeste në shtëpinë e artistit ka qenë studio e parë e njeriut të shquar të ardhshëm.

Ka ardhur viti 1921 dhe Dalia është regjistruar në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura të San Fernando. Menjëherë këtu, ai i është bashkuar rretheve avangarde të studentëve, ku përfshiheshin regjizori Luis Bunuel dhe dramaturgu dhe poeti i shquar Federiko Garcia Lorka.

Megjithëse, ai shkonte shumë mirë me mësime ai sipas parashikimit të njerëzve të tij është përzënë nga dyert e shkollës për shkakun e thjeshtë dhe të “pakundërshtueshëm”se vishej në mënyrë shumë ekstravagante dhe mbi të gjitha, sjelljes së tij të “çuditshme”.

Pikërisht, në këtë kohë, ai është ndikuar nga dy forca madhore të cilat përgatitën filozofinë e tij dhe artin e tij të mëvonshëm.

E para ishte teoria e Sigmund Frojdit mbi pavetëdijen. Ndërsa, e dyta ishte bashkëpunimi i tij me surrealistët francezë.

Këta ishin një grup artistësh dhe shkrimtarësh që udhëhiqeshin nga poeti francez Andre Breton.

Në vitin 1928, me ndihmën personale të piktorit spanjoll Joan Miro, Dali ka vizituar Parisin për herë të parë në jetën e tij dhe është prezantuar me drejtuesit e vërtetë të surrealistëve. Vitin e ardhshëm, ai pranon edhe vetë të vendoset atje duke u bërë brenda pak kohëve njeriu ndoshta më i njohur i këtij grupi para syve të qytetarëve parisienë.

Gjatë vitit 1930, pikturat e tij përfshinin reagimet e vërteta surrealiste në qytetet më të mëdha europiane dhe sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. ‘

Nën influencën e Dalisë është kristalizuar menjëherë me një shije “shqetësuese”të realizmit të precizuar dhe fantazisë së ëndrrave që përfaqësuan më vonë produktin e vërtetë të talentit të tij.

Kundër peizazheve të vdekura, ai pikturonte vazhdimisht objekte dhe më dendur objekte “të çuditshëm” për njerëzit e thjeshtë.

Këto piktura nga vetë Dalia janë përshkruar si “fotografitë e ëndrrave të vetë krijuara”dhe janë inspiruar kryesisht nga ëndrra e tij e pashtershme, halucinacionet dhe forca të tjera të pandërgjegjshme që edhe vetë artisti në pjesën më të madhe të veprës së tij nuk dinte t’i shpjegonte edhe vetë.

Ato janë prodhuar me një metodë të spikatur kreative që është quajtur “aktiviteti paranojak kritik”.

Sidoqoftë, pjesa më e madhe e veprës së tij tradicionale është krijuar nën ndikimin e mjeshtërave të rilindjes italiane, manjeristëve dhe dy piktorëve metafizikë italianë Karlo Karra dhe Xhorxhio de Çiriko.

Gjatë Luftës së dytë Botërore, Dali dhe gruaja e tij Gala, ngelën refugjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por mbas lufte, ai është rikthyer menjëherë në Spanjë.

Fama e tij vazhdon të rritet shumë mbas luftës dhe kjo në bazë të shumë veprave të tij të mënyrës së tij krejt të veçantë të jetesës si edhe publicitetit të madh, që i është bërë veprës së tij, punëve grafike, ilustrimeve të ndryshme të librave, por mbi të gjitha dizenjimeve të stilive, tekstileve, veshjeve dhe kostumet gjithshka ku ka futur “këmbët, duart dhe kllapinë e tij të pashtershme”.

Dali ka vdekur pikërisht atje edhe ku ka lindur në Figueras në 23 janar të vitit 1989.

Piktori mundi gjatë rinisë së tij të prodhojë edhe dy filma të titulluar: “Një qen andulazian”, që ka dalë në vitin 1928 dhe “Mosha e pjekurisë”, me ndihmën e Bunuel.

Ai është konsideruar si surrealisti më klasik edhe filmat janë mbushur me shumë imazhe groteske.

Ai ka lënë edhe shumë dorëshkrime që përfshijnë poezi, tregime, dhe autobiografinë e tij të titulluar: “Jeta sekrete e Salvador Dalisë”që e ka parë dritën e botimit në vitin 1942.

Piktura e tij e titulluar “Pafundësia e Memories” e pikturuar në vitin 1931 është ndoshta piktura më e njohur surrealiste në botë.(viti 2000)

 

GJON SHLLAKU, PËRCJELLËS I SHEKUJVE

 

Të jetosh një jetë njerëzore dhe të përcjellësh shekujt do të thotë që, të koncentrosh më shumë se sa duhet, më shumë se sa mundet kohë dhe hapësira të tjera.

Si mundet njeriu të përcjellë shekuj?

A mund të realizohet praktikisht diçka e tillë?

Panteistët thonë se shpirti i njeriut mund të jetojë përtej një trupi në trupa të tjerë.

Po ka dhe një mënyrë tjetër të përcjelljes së shekujve, pra, të lëvizjes së shpirtit në histori. Në këtë botë ekzistojnë përkthyesit, të cilët bëjnë të mundur të metamorfizojnë trupat e shekujve dhe riciklojnë lëvizjen e pandërprerë shpirtërore.

Po e filloj me Shkodrën.

Ky qytet është kryeqendër e kulturës shqiptare të të gjitha kohërave.

Shumë kujtime, dashuri, nostalgji e kureshtje të pashuar. Fjala vjen Barleti, Mjeda, Fishta dhe Migjeni duket se shëtisin mbi qiellin e Taraboshit si ca kometa të mëdha shpirtërore. Nën shkëlqimin e këtyre kometave përjeton historitë, ngjarjet, ndryshueshmërinë e jetës.

Sa herë shkoj në Shkodër, takoj miqtë e mi të vjetër dhe një prej tyre është përkthyesi klasik i Homerit, helenisti Gjon Shllaku.

Shtëpia e tij, një kabinet pune plot libra.

Në mur një portret i Gjon Shllakut veshur me kostum popullor. Portreti është ekzotik dhe të kujton epokën pikturike të Kol Idromenos, apo fotografitë e çuditshme dhe me një saktësi tronditëse të Marubëve.

Gjon Shllakun e gjeta në një dhomë të ftohtë me një kapuç në kokë, që s’di pse më kujtoi shkrimtaren franceze Margarit Jursënar.

Si përherë po punonte mbi makinën daktilografike (kompjuteri ishte ende një gjë e panjohur për këtë plak vullnetmadh dhe erudit).

E njoh që nga viti 1991.

Kur për herë të parë kam lexuar shqipërimin madhështor të “Iliadës”, kam mbetur nën përshtypjen e një trysnie metaforash dhe të një vesku të pashlyer e ndriçimtar të lashtësisë, të epikës dhe të ankthit të saj të pamatë.

Kjo kryevepër e letërsisë botërore duke u shqipëruar, u bë në një farë mënyre madje në një peshë semantike tepër të veçantë, një kryevepër e mjeshtërisë së të shprehurit të gjuhës shqipe. “Iliada”e Homerit, por edhe e Gjon Shllakut që më ka pasuruar jetën, më ka hapur horizonte të mëdha kulturore dhe më ka kultivuar ndjesitë, mendimet, idetë, konceptet bazë estetike.

Të rrallë janë librat siç është “Iliada”në shqip, që mund të quhen enciklopedi leksikore, por edhe frazeologjike.

Gjon Shllaku ka ecur në hullinë e hapur nga Naim Frashëri.

Në vitin 1898, Naim Frashëri shqipëroi për herë të parë këngën e parë të “Iliadës”. Shqipërimi i tij është paksa i çuditshëm.

Ai e njihte greqishten e vjetër dhe poezinë homerike të shkruar në hekzametër.

Hekzametri është një varg i gjatë që përmban në vetvete disa stacione theksimi, për të krijuar kështu ritmin më të veçantë e më të pazakontë, duke i dhënë mundësi “këngëtarit”të bëjë një sintezë me tingujt muzikorë të antikitetit. Naim Frashëri e shqipëron këngën I të “Iliadës”, duke thyer në dy vargje, vargun e vetëm hekzametrik.

Kjo ka bërë që kënga I të zgjatet dyfish. Por nëse ne do të bënim ribashkim të dy vargjeve në një, do të kishim kështu një eksperimentim të mrekullueshëm poetik: për herë të parë në gjuhën shqipe vargjet e plotë hekzametrikë sipas modelit të Homerit dhe mjeshtërisë së Naimit.

Deri më sot veç Naimit vetëm i nderuari dhe i përkori Spiro Çomora, ka shqipëruar drejtpërdrejt në hekzametër 12 këngët e para të “Odisesë”.

Të gjitha këto fakte vlejnë për të ardhur te Gjon Shllaku. Ky njeri poliglot ka pasur një jetë të shqetësuar me të papritura dhe privacione të mëdha.

Ai ka qenë student të Seminarin Papnuer të Shkodrës, ku mësoi latinisht, greqishten e vjetër, italisht, dhe frëngjisht. Kishte prirje letrare. madje kishte gati dy dorëshkrime, dy tragjedi origjinale me motive historike.

Më 1945 arrestohet.

Këtu fillon kalvari.

Gjatë viteve të burgut mëson spanjisht, anglisht dhe greqishten e re.

Merret me përkthime të ndryshme, por me prirjen si dramaturg nuk mënon të shkruajë një tragjedi me pesë akte “Skënderi dhe Gjon Leka”, dorëshkrim që e ruan ende të pabotuar.

Lirohet nga burgu në vitin ’49 dhe përsëri e burgosin. Kalon 4 vjet punë rraskapitëse në kampet e Urës Vajgurore, Shtyllas, Radostinë, aeroportin e Rinasit.

Më 1956 lirohet sërish nga burgu.

I hutuar nuk dinte ç’të bënte më parë.

A mund të rifitohej koha e humbur?

Koncepti për kohën e humbur ishte dhe është konvencional për Gjon Shllakun.

Gjithsesi ai bëri përpjekje të jashtëzakonshme duke u futur në thellësi të shekujve me veprat e autorëve të mëdhenj.

Nis të shqipërojë “Iliadën”.

Punon çdo ditë nga 15 orë dhe e mbaron këtë vepër pas 9 vjetësh.

Më 1965 shtëpia botuese “Naim Frashëri”boton “Iliadën”.

E ruaj kopjen e librit të këtij viti me faqet ku përbri kam hedhur fjalët e rralla shqipe, që më dukeshin të çuditshme. Varianti i vitit ’65 ka dy karakteristika të pashlyeshme: modelimin e një eposi kaq të famshëm siç është ai homerik, në formën e “Eposit të Kreshnikëve të Variut”të shqiptarëve. Vargu 11 rrokësh, theksat onikë, mënyra e lirë e kalimit nga një varg në tjetrin, konceptimi i vargut poetik në harmoni me tingujt e lahutës, të gjitha këto sekrete shumë të pleksura dhe shumë të vështira, ishin bërë sintezë me shqipërimin e “Iliadës”.

Karakteristika e dytë kishte të bënte me leksikun e rrallë dhe të mrekullueshëm të gegërishtes.

Kështu në një vërejtje që bën Nobert Jokli, në fjalën shqipe “tarogza”(përkrenare) shihte një ndikim të drejtpërdrejtë nga leksiku homerik.

Pasuria leksikore e shqipërimit të Gjon Shllakut, është gati një enciklopedi e gjuhës me substrate dhe mbishtresa gjuhësore që ka lëvizur nga koha në kohë, por që ka ruajtur diçka nga thelbi i gjuhës së ilirëve dhe shqiptarëve të hershëm.

Ky variant paraqet vështirësi leximi, pasi paraqet trajta buzukiane, sidomos në lokucionet dhe shprehjet e shkurtra me karakter proverbial.

Vepra e shqipëruar e “Iliadës”, u ripunua në bazë të gjuhës letrare, por jo përfundimisht sipas saj.

Por ç’ndodh ndërkohë me Gjon Shllakun?

Më 1957-1958 Gjon Shllaku punon si daktilografist në Arkipeshkvinë e Shkodrës dhe deri më 1982, vit kur del në pension e mbyll me punën si normist, kohëshënues në Uzinën Metalike dhe në ndërmarrjen artistike.

Mbas suksesit të “Iliadës”, përkthen 7 këngët e para të “Odisesë”, por kur dëgjon se Spiro Çomora kishte avancuar në këtë përkthim, e lë punën përgjysëm.

Nis përkthimin e poemës së Virgjilit “Gjeorgjikët”, shtatë tragjedi të Sofokliut dhe katër tragjedi të Euripidit.

Dy përkthimet e para botohen të plota.

Pas kaq kohësh Gjon Shllakun e gjen në kabinetin e tij duke punuar me makinën e vjetër daktilografike.

Ai ka përfunduar fjalorin greqishte e vjetër-shqip me rreth 20 mijë fjalë.

Po kështu ka përfunduar dhe fjalorin diakronik latinisht-shqip, i cili do të ketë 40 mijë fjalë.

Fjalori përfshin disa fusha si letërsi, histori, shkencë dhe do të ketë fjalë të të gjitha periudhave si latinishten klasike, dekadente, patristike, mesjetare deri më 1900.

Këto dy vepra janë thesarë të paçmuar që Shllaku ia dhuron kombit shqiptar.

I vetëm, me probleme shëndetësore, por i paepur, Gjon Shllaku shëmbëllen me ata heronj homerikë të përkthimeve të tij, një shëmbëllim tek i cili kohë të largëta rrinë mirë pranë njëra-tjetrës.(viti 2001)

July 27, 2018 17:00
Komento

1 Koment

  1. BLACK SWAN July 28, 08:16

    “J’ACCUSE”
    … La vérité, je la dirai, car j’ai promis de la dire, si la justice, régulièrement saisie, ne la faisait pas, pleine et entière. Mon devoir est de parler, je ne veux pas être complice. Mes nuits seraient hantées par le spectre de l’innocent qui expie là-bas, dans la plus affreuse des tortures, un crime qu’il n’a pas commis….
    Zola i paaritshem, i pakompromis (i vetmi socialist i ndershem 😛

    GJON SHLLAKU- percjelles i shekujve , e bukur, vertet e gjetur. dhe te mendosh qe ne moshen 22 vjeçare mori 101 vite burg
    ”Nuk e kam mendue se mund të jetoj kaq gjate. Prandaj i kam dhâne gajret vetes me i krye keto pune përpara se me arrite në kete kohe. Sepse në kete kohe, që me duket se jane vitet e mia të teperta, që s’i kisha llogaritë…
    mori 101 vite burg dikush qe “detyroi” Homerin & Shekspirin, te flisnin shqip..;

    Komplimenta Moikom , vertet skice (vaksine) kulturore.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*