HOMONKULUSI

March 19, 2018 12:38

HOMONKULUSI

 Moikom Zeqo

 – Homonkulusi, tha gjenerali me një zë të fshehtë. – Çfarë? pyeti prifti.

 – Homonkulusi. Kjo është zgjidhja. Shpëtimi. Çdo gjë. Kjo është e vetmja gjetje e enigmës së Sfinksit tebean. E vetmja. S’ka tjetër. Absolutisht e vetmja, e pazëvendësueshme – absolutisht. A më kupton?

 – Nuk të kuptoj – pëshpëriti i ngrysur prifti.

 – Duhet të më kuptosh!

 – Nuk të kuptoj!

– Çudi, vërtet çudi! Zoti tha: “Të bëhet Ushtari”. Njeriu lind Ushtar. Vdes Ushtar.

 – Nuk  te kuptoj.

– As unë nuk të kuptoj.

 – Zoti krijoi Njeriun.

 – Adami është Ushtari.

– Adami është figura prej balte, që Zoti i dha frymën e vet dhe e bëri Njeri.

 – Adami është Ushtari, i cili bëhet sërish baltë nga vdekja, pra, si parabërja e tij. Çdo ushtri e çdo kohe bëhet baltë. Varrezat janë baltë dhe asgjë tjetër.

 – Nuk të kuptoj.

 – E pastaj? Mos më kupto! Nëse nuk kupton, kjo nuk do të thotë, se nuk kupton, por kupton atë, që do ti dhe jo atë, që dua unë. Kuptimi nuk na bashkon, po na ndan. Je i lirë të mos kuptosh, ose të kuptosh moskuptimin mes nesh.

 – Nuk të kuptoj.

 – Ç’dreq prifti je, që nuk kupton?

– Mos blasfemo!

– Të mos kuptosh është më e tmerrshme, se sa blasfemia më e tmerrshme.

– Flet sikur je në delirium tremens.

 – Prift, o prift mos e tepro!

– As ti mos e tepro!

 – Prit të shpjegohem. Homonkulusi është përgjigjja e Edipit për ta zhdukur Sfinksin. Ushtarët vriten në luftë. Kush do t’i zëvendësojë? Ne duhet t’i prodhojmë në mënyrë artificiale. Le t’i hedhim në erë dhe t’i shkatërrojmë tërë maternitetet, djepet! Në Djall akti seksual, mbarsja, spermatozoidet, vezët, mitrat, përkëdhelitë e fëmijëve, ninullat, festimi i ditëlindjeve, tortat me qirinj, dhuratat me kukulla e lule. Homonkulusi është Njeriu Artificial. Në Mesjetën e Bekuar alkimistët u përpoqën të krijonin pikërisht Homonkulusin. Po alkimistët ishin më afër magjisë, se sa shkencës. Njeriu Artificial, i bërë nga një shtypje butoni, Njeriu në inkubator. Kjo ide e Mesjetës është e vetmja ide madhështore e së Ardhmes. Është një ide problematike dhe askush nuk mund të presë të habitemi e të çmendemi, duke zhgarravitur formula të kota. Formula e Homonkulusit – kjo është gjithçka!

 – Zoti është mbi çdo formulë.

– Zoti është vetë një formulë. Po formula e Homonkulusit është më shumë se Zoti.

– Unë po çmendem

– Ke shkalluar fare!

– Jam absolutisht i qetë dhe i kthjellët.

– Nuk të kuptoj.

 – Aq më bën, se nuk më kupton.

 – Qetësohu.

– Mbase ndonjë shkrimtar, diku, këtu në këtë vend të mallkuar, që quhet Shqipëri është gati të shkruajë diçka për misionin tonë zyrtar për mbledhjen e eshtrave të ushtrisë italiane të vdekur gjatë luftës së fundit.

– Nuk ka luftë të fundit. Lufta është përherë fillim. Çdo fund është një fillim.

 – Lufta është si Zoti. As nuk lind dhe as nuk vdes. Zoti quhet luftë! Jo më kot në psalmet biblike Zoti quhet “Zoti i ushtrive“ – apo jo?

 – Nuk di ç‘të them.

– Ti di ç‘të thuash, prandaj thua atë që do ti.

– Unë jam një prift – merrem me e shpirtrat e të vdekurve.

– Unë jam gjeneral dhe u paraprij shpirtrave të të vdekurve. Gjenerali është përpara priftit. Unë të krijoj ty dhe jo ti mua. Zoti është kryegjeneral.

 – E tmerrshme!

 – E di, që nuk e vret veten, ndaj je prift. Vdekja e të tjerëve është profesioni yt. Kurse unë i paraprij vetë vdekjes.

 – Mjaft! Të lutem mjaft!

– O prift! Homonkulusi është e Vërteta. Le të vriten ushtarët. Dhe ata, që nuk kanë lindur akoma le të vriten. Homonkulusi është si Infiniti. Nuk mbaron kurrë. Rezervat e tij janë të pafundme. Të fabrikojmë Njeriun Artificial dhe pastaj të vrarët e humbin kuptimin e humbjes.

 – Mjaft!

– Homonkulusi, prift! Homonkulusi është Shpëtimi – pa Homonkulusin nuk do të ketë kurrë Gjeneral dhe Prift, madje as Zot. Homonkulusi është Gjithçka!

 – The gjë?

– Mos hesht të lutem – folmë për Homonkulusin!

Durrës, qershor 1970

*****

Post scriptum – 7 tetor ’97:  Fragmenti i mësipërm është nxjerrë nga ditarët e mi të viteve ‚70. Përtej motivit të famshëm kadarejan, madje akoma më hershëm dhe më metaforikisht përtej Don Kishotit dhe Sanços, apo llahtarisht më përtej Abelit dhe Kainit, mendoj, se këtu kemi të bëjmë me një shpikje të kobshme dhe të pafajshme: me Dialogun.

Ndoshta me vetë gjenezën e letërsisë, ose artit – gjë, megjithatë e dyshimtë dhe jo e sigurtë, ndonëse filozofët entuziastë dhe apologjistë janë skeptikë dhe guxojnë ta qesëndisin këtë mungesë fantazie, apo hamendje të varfër, sidomos tani në fundmijëvjeçarin kokëkrisur të megavdekjeve të njerëzimit.

 Homonkulusi nuk është roboti ose triumfi i kibernetikës ose ëndrra niçeane të Mbinjeriut. Homonkulusi jemi vetë ne!

Homonkulusi ka shtegtuar midis rrënimeve të Kullës së Babilonisë, afreskeve të Kretës, skulpturave nëndetare të Atlantidës – eshtrat e tij janë mbase ato të Empedoklit brenda llavës në kraterin e Etnas.

 Homonkulusi është paranoja jonë për alienët (jashtëtokësorët).

 Apokalipsi i abortit, hiçit, shpërbërjes, rërës së sondave kozmike të planetit Mars, sëmundjet, homofagia e mediave elektronike.

Homonkulusi është Kartëmonedha.

Njeriu- Letër e Stamposur, ankthi i bursave, paruka atomike e Hiroshimës mbi kafkat tona. Në jetë të jetëve! Amen!!! Ah!!! Oh!!!

March 19, 2018 12:38
Komento

2 Komente

  1. Plaku Xhuxhumaku March 19, 17:38

    Kjo perçartje moikomiane, a ka gje te beje me deshiren subkoshiente per bythe qe ka Moikomi vete? Se ndryshe perse Homonkulusi (culo = bythe) dhe jo psh Homoondomatja, ose Homonprasi?

    Reply to this comment
    • hahaha March 19, 21:34

      Plako ,
      mos ja ve re Moikomit kto gjona .
      Plak eshte dhe ai ,ka edhe ai shenja lodhje .
      Se cfar ka dashur te thot moikomi me kte
      shkrim sdo ket prift e Imam ta kaptoj poshte

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*