Skicë: Rikthimi i plakut Mere

June 20, 2019 02:39

Skicë: Rikthimi i plakut Mere

Plaku  Mere i Fizëve, siç tregohet në filmin artistik shqiptar “Njeriu me top”, në tentativë për të zhdukur fisin e Grudëve, e spërkati shtëpinë e tyre me vajguri dhe i vuri zjarrin. Por qëllimit të asgjesimit nuk ia arriti. Shpëtoi Mato i vogël, që atë natë u gjend tek dajat. Kohët rrodhën, Mato u rrit dhe ripërtriti  fisin e tij mu përpara hundës së plakut Mere, i cili kërcëllonte dhëmbët, tashmë të rralluar prej pleqërisë. Ai vdiq pa e realizuar ëndrrën e shfarosjes së hasmit personal.

Pikërisht për këtë arsye, plaku i Fizëve nuk gjeti qetësi në botën e përtejme, ndaj një natë të errët e me mjegull, ai lëvizi pllakën e varrit, doli sipër dhe u çapit drejt fisit të Grudëve. Gjatë rrugës mbushi xhepat me gurë, me të cilët në mungesë të armëve, do të godiste Mato Grudën dhe meshkujt e tjerë të tij. Bri portës së hasmit u ndal dhe thirri me zë të egër. Zëri i tij ushtoi nëpër mazgallat e shtëpisë së Mato Grudës pa marrë përgjigje. Plaku Mere endi në fytyrë një buzëqeshje, por nuk mund të largohej pa mësuar historinë e shfarosjes së fisit kundërshtar. . .

-Nuk ka në fshat asnjë nga fisi i Mato Grudës, – i tha një fshatar çalaman që kaloi rastësisht atypari. – Ca u vranë, ca u leqendisën e ca  u bitisën, – shpjegoi çalamani.

-Si ndodhi kjo gjëmë, – pyeti plaku Mere, ndërsa në grykë po i përzihej njëherësh, edhe gazi, edhe marazi.

-Për faj të Mato Grudës, si i pari i fisit, të cilit i mori koka erë dhe shpërfilli adetet e fshatit, – ia ktheu çalamani. – Ndryshe nga paardhësit e tij, ai zuri ca miqësira e ca krushqira të dyshimta me disa njerëz të largët, që vetëm bazretin kishin me racën tonë. Miqtë e rinj, krahas adeteve të tyre të çuditshme, i rrasën Matos edhe do nuse bukuroshe për djemtë e tij. Ishin këto bukuroshe, që pas disa viteve, me pjellën e tyre të nakatosur, i sollën fisit të Matos teposhten. Nipërit dhe mbesat e lindura nga këto martesa allasoj, na dolën ca hibridë me vese e cene të padëgjuara. Falë kësaj, tek Grudët plasi shamata, grindja, degjenerimi. Për pasojë, një pjesë u sakatuan me njëri-tjetrin, ndërsa ata që mbetën gjallë, u leqendisën aq keq sa e braktisën fshatin e u shpërndanë si zogjtë e korbit ndër dhena të huaja . . .

Plaku Mere, shtangu!  “Çudi qenka kjo botë, – pëshpëriti me vete, – një jetë të tërë u përpoqa ta zhduk gjer në bina fisin e Grudajve, por nuk munda. Gjithnjë do të mbetej një filiz për të ripërtrirë fisin e tij. Ndërsa, ja, erdhi koha që me disa martesa e shartesa të pamenduara mirë, hasmi im të shuhet me gjithsej . . .”.

Nuk ndjeu gëzim. Përkundrazi.

Dhe ashtu i përkulur si hark, bëri një lëvizje spektakulare, tundi fort tespijet dhe u nis drejt banesës së tij të përjetshme, duke mërmëritur me zë:

-Hi, hi, hi, . . . mua tani s’më mbetet tjetër, vetëm të qesh . . . po, po, të qesh . . . hi, hi, hi, . . .!

*****

Gjon Bruçaj

June 20, 2019 02:39
Komento

7 Komente

  1. ganiu June 20, 09:28

    Shumë bukur.

    Reply to this comment
  2. ... June 20, 17:57

    Po masnej?

    Reply to this comment
  3. T.Voda June 29, 02:35

    I Nderuar, GJON ..!!
    — Ne se ne dukje , ..Ju apo gazeta DITA e kini emertuar SKICE, mendoj se DUHET NENKUPTUAR [konsideruar] THIRRJE ..!!. Eshte nje thirrje qe INDIREKT i drejtohet cdo shqiptari kudo qe ndodhet. I Drejtohet, cdo politikani e drejtusi te piramides shqiptare. Te cilet, me politikat e ndjekura e kane kthyer deri tani me shume se gjysmen e fiseve e te familjeve shqiptare si fisi ”MATO ….”.
    —- Ne rrast se nuk meren masa qe njerzi te nderpresin rruget e emigrimit e te migrimit, — ne rast se nuk krijohen kushte qe te mos boshatiset brezi zonave kufitare, ,,—- ne rast se femijeve, brezave pasues te emigranteve nuk u krijohen kushte e mundesi te mesojne e flasin gjuhen shqipe, historine , herojnt, kulturen, zakonet traditat familjare e te perbashketa, — ne rast se nuk punohet ne vazhdimesi per te kultivuar gjithjne dashurine e respektin per vendlindjen , krahinen , atdheun e te pareve , me KEQ ARDHME , .. POR JO SHUME LARG, SHQIPERIJA DHE MBARE TREVAT SHQIPTARE DO TE SHKOJNE DREJT SHPERBERJES KOMBETARE DHE TJTERSIMIT TE TROJEVE .SHQIPTARE.. — ”PLAKU MERE …”.. ka kohe qe qe po punon me ”KUAJT E TROJES” te realozoje endrren e vjeter. Kambana bie per ate qe ka vesh…!!!
    — Pershendetje — Tomor Voda

    Reply to this comment
    • gjon bruci June 29, 18:40

      I nderuar Tomor Voda, faleminderit qe ke lexuar shenimin tim, dhe mbi te gjitha ke kuptuar ate qe kam dashur te them, kuptohet me nje gjuhe disi letrare, per mos me thene me ate te Ezopit, sepse atij nuk i afrohem dot. Une (dhe jo Dita) e titullova “skice”, sepse ashtu eshte nga pikepamja letrare. Ju e quani nje “Thirrje”, çka eshte e vertete, sepse situata ne vendin tone eshte ne zgrip. Para disa viteve, me sakte me 14 shtator 2010, pata botuar ne gazeten “SOT” nje shkrim me titull: “SI MUND TE ZHBEHET NJE KOMB”, shkrim i cili ka kaluar pa ndonje vemendje te madhe, thjeshte per emrin e papeshe te autorit. Nga 2010 e gjer me sot, situata sipas meje ka avancuar ne drejtim te shqetesimit qe pata paraqitur. Mbase e kam gabim, por kershtu gjykoj. Por une nuk e kam te lehte te shkruaj “me goje te plote”, e cila shpesh here bie ndesh me politiken redaksionale te botuesit te gazetes. Gjithsesi, edhe njehere ju falenderoj e ju pershendes per vleresimin e shkrimit te mesiperm. Gjithe te mirat pe ju, familjarisht!

      Reply to this comment
  4. MH June 29, 15:11

    Sa i ngjet Stalinit aktori qe ia ka ngulur syt plakut te Fizeve.

    Reply to this comment
  5. gjermani i fundit June 30, 16:50

    tamam si per dite zgjedhjesh. ku gjysma e shqiptareve s’jane me ne Shqiperi, çereku nuk shkon te votoje dhe gjysma e çerekut tjeter eshte vaposur me kohe nga llogjet e Edi pardesybardhit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*