Skraparliu fisnik Qemal Bego

December 14, 2017 10:54

Skraparliu fisnik Qemal Bego

Me rastin e 90-vjetorit të lindjes

Nga Bashkim Koçi

Kam lexuar diku, në një libër të një filozofi të lashtësisë, ku gjatësia e jetës nuk matet me vitet që njeriu ndjehet “gjallë”, por  nga çka ai lë mbrapa, nga çka ka kryer si qytetar i këtij vendi, se sa ai “ka jetuar vërtet” në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Mbushi 90 vjeç, dëgjojmë të thuhet për një person, me mendimin që ai i ka shijuar aq sa deshi  të mirat e kësaj Bote, duke bërë  “bilancin”, “inventarin” e  të gjitha punëve të mira që la prapa për brezat pasardhës. E, një ndër këta 90 vjeçarë, i cili është ende në gjendje “të gjykojë” veten për çka ka bërë në këtë rrugë goxha të gjatë, është Qemal Bego nga fshati Çepan i Skraparit për të cilin  ma thotë zemra ta radhis në listën e burrave të shquar, tek ata që meritojnë t’u ngrihesh në këmbë, t’i nderosh e t’i respektosh përderisa të jenë midis nesh.

Ai, ashtu si gjatë gjithë jetës, është plot vitalitet, me shpirt të plotpushtetshëm për ta bërë jetën “që të mbahet mend” e të mos dëgjojë të thuhet nga askush se ai “ka filluar të vdesë prej kohësh”. Qemal Bego është një ndër figurat e spikatura të Skraparit, por edhe  e në shkallë vendi. Ai, edhe pse në moshë të thyer, të pleqërisë së thellë siç thuhet për një 90-vjeçar, përpiqet ta bëjë jetën ashtu si di ai, ashtu sikundër “ia ka bërë nderin” që kur ishte çilimi, atëherë kur ndërgjegjja e tij mori flakë për shkak të përfshirjes të Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore. Ky burrë me cilësi të larta, familjare e shoqërore, nuk meriton kurrë t’i thuhet “nuk ka jetuar, është i vonuar në jetë”. Përkundrazi, Qemal Bego, nëse “haku shkon tek i zoti”, e gjithë kohëzgjatja e jetës së tij mbetet aset i çmuar, “bankë” ku është depozituar mundi i një jete të tërë, ndoshta dhe punë e papaguar për  më shumë se një gjysmë shekulli.

E sotmja është ajo që mund të realizosh gjithçka. Për Qemal Begon nuk ka patur kurrë “dje” dhe “nesër”, ditë që njeriu nuk mund të realizojë asgjë.  Ishte vetëm 16 vjeç, moshë që nga ato anë i thonë “axhami”. Këtij djali, i cili i kish rrënjët nga një familje e Madhe e fshatit Çepan, e Hysenit, e ndiu fati të përfshihej në luftë, sepse ia ndillte zemra të bëhej edhe ai “si partizani i vogël Velo”, dëgjuar s’dihej nga kush, për historinë e tij të pashembullt. Në fillim si korrier i Grupit Partizan të Skraparit. Dhe jo thjesht nga ata korrierë që çojnë diku “një copë kartë”, si “amanet luftarak”, të urdhrave e porosive në front ku të rrezikohej koka. Shumë më shumë. Transportues municioni, fishekë armësh të llojeve të ndryshme të “kohës së Nemces”, të cilat ua dinte zananë, mësuar nga luftëtari i thekur i po atij fshati, emërmadhi Vaip Gogo. Në një rast ai hodhi mbi kurriz një thes të linjtë të mbushur me fishekë dhe, ashtu si një çamarrok i kohës, i duhej ta transportonte, jo pak larg, por deri në fshatin Nishicë, më shumë se katër orë për të mbërritur deri atje ku e prisnin luftëtarët. Ai mban mend të na thotë se e mori këtë rrugë i papërgatitur për rrugë të gjatë. Ishte fëmijë, njomzak, që nuk dinte të llogariste dot se mund të mbetej në rrugë edhe nga mos ngrënia, nga uria. Aty, në të dalë të fshatit, rasti ia solli të merrte një copë bukë të gatuar me urof, bluar në mokra të gurta. Ia dha, si për të mos i rënë zalia për bukë, plaka i vuajtur File, e cila iu lut si ta kishte fëmijën e saj: “mere të keqen nëna, ta kesh me vete se je për udhë të gjatë!”. Qemal Bego nuk i mori asnjëherë dekoratat e luftës. Partizani i Brigadës së X-të Sulmuese mbeti i tillë, pra “partizan”, edhe pse bashkëluftëtarët, ashtu  si ai, u graduan e u madhuan në njësi të ndryshme ushtarake. Ashtu rrodhën ngjarjet, ashtu do të vlerësohej apo “harrohej” sakrifica e djalit të Familjes së Madhe të Çepanit të Skraparit. Diku një letër anonime, diku një pësh-pësh në “organet kompetente”, e hodhën Qemal Begon në fronte të tjerë, ato të punës, aty ku edhe atij ia thoshte zemra: “Këtu po! Këtej nuk dua të më luajnë! Do ta kenë të vështirë të gjejnë shkas për të bërë nga ato  anonimet, të gërmojnë për të më bërë më baltë ca njerëz të zinj nga zemra e nga shpirti”. Çuditërisht, por shpesh në jetë një padrejtësi i hap rrugën një përparimi më të madh. Pra shumë gjëra rrëzohen që të mund të të ngrejnë  më lart. Dhe Qemali, si rrallëkush, e kishte mendjen “për tu ngjitur lart” veçse me punë, veçse duke i qëndruar besnik këshillës të dëgjuar nga të parët e tij: e përpjeta të lodh, të mundon, të duhet të djersitesh, e mbi të gjitha kërkohet ndershmëri. Në të gjitha këto kërkesa ai mbeti në nivelet e njeriut të përsosur, ashtu si përkthehet në shqip nga arabishtja emir i tij Qemal që do të thotë “përsosmëri”.  Më ndihmo të më gjesh një punë të lehtë, i pat thënë një mik i familjes Qemalit, kur ai drejtonte SMT-në në Urën Vajgurore. Nuk mundem, ia kish kthye. E di pse? Sepse për mua, për të gjithë njerëzinë, të zinj e të bardhë, të gjitha punët janë të vështira nëse do t’i kryesh ashtu si duhet, me përpikmëri.

Punët më me përgjegjësi i kreu në fushën e bujqësisë. Dhe të gjitha në rrethin më të vështirë të vendit, në Berat, atje ku hambari mund të mbushej e të derdhej vetëm me djersën e ballit. Kanë qenë  vitet 1960-1974, periudhë goxha e gjatë. Qemalit iu ngarkua detyra e kryetarit të kooperativës bujqësore Drenovicë-Samaticë, të cilën në vitin 1966  e bashkuan me Kutallinë. Këtë detyrë e kreu gati 15 vjet. Kudo, pa përjashtim, në brigadë, sektor, në shkallë kooperative, nuk i doli një i dytë që “ti ngjante” Qemal Begos të zbritur nga Skrapari si “flakërima e punës”. Ishte dhe mbeti i paarritshëm në drejtimin e organizimin e punëve bujqësore. Në Kutalli, një ndër ekonomitë më të mëdha në shkallë vendi, ai arriti të bënte “magjinë” e padëgjuar deri atëherë,  të  katërfishonte të ardhurat në prodhimet bujqësore, por edhe në vlerë leku për familjet kooperativiste. Është vërtet një çudi, apo jo?! Ja, kjo “çudi” do të detyronte organet më të larta të pushtetit të kohës për t’i dhënë këtij novatori të drejtimit dhe të organizimit të punëve dekoratën më të lartë: “Hero i Punës Socialiste”.

Njerëzit e mirë e të drejtë u ngjajnë pemëve të mëdha, që lëshojnë hije për të tjerët, ndërsa vetë përvëlohen nga rrezet e diellit. I tillë është edhe heroi ynë i këtyre radhëve, Qemal Bego. Ai kudo ku punoi e drejtoi, madje edhe gjatë luftës partizane udhëhiqej nga fjala e urtë dhe e artë: Lëviz vetë, përpara se të lëvizësh të tjerët. Kur ishte drejtor i stacionit të makinave dhe traktorëve (SMT-së)  në Urën Vajgurore, ndër më të mëdhatë e ndër më problematiket në të gjithë vendin, arriti të prekte me dorë në sy të dhjetra punëtorëve se ai nuk  përpiqej për t’u bërë njëri i suksesshëm, por të punonte për suksesin. Punët, bëmat, nuhatja për të sjellë të përparuarën, të cilat edhe sot e kësaj dite mbeten e mbahen mend  “si në kohën kur drejtonte Qemal Bego”, lartësojnë figurën e tij si një drejtues e burrë i shquar, si një personalitet që në asnjë kohë nuk i humbet shkëlqimi. Këshilli bashkiak i bashkinë së Urës Vajgurore e ka shpallur “Qytetar Nderi”, nder ky që i ka rrënjët e hedhura tre-katër dekada më parë, por që asnjëherë nuk e bënë “të harruar” portretin dhe punët e mëdha të këtij heroi të gjallë. Nëse do të merrnim mundimin për të numëruar vlerësimet, stimujt moralë që i janë akorduar në afro gjysmë shekulli punë, pa as më të voglin dyshim që sipërfaqja e letrës e çertifikatave që shoqërojnë dekoratat do të mjaftonin  t’i qepnim një kostum.

Lumturia nuk mund të gjejë strehëz, as në prona e as në thasët me para. Ajo banon në shpirt. Nëse dikush, qoftë dhe lexuesi i këtyre radhëve do të pyes në Berat, në të gjithë qarkun apo edhe  më gjerë për Qemal Begon, jam plot siguri se do të dëgjojë ngjarje të rralla, të pa përsëritshme, ashtu si të një Heroi. Të gjitha kanë lidhje me këtë emër, me vitet që janë pjesë e “epokës” kur ai punoi e drejtoi, me shpirtin nga ka buruar e buron ajo çka atë e ka bërë “njeriun e zemrës” për mijëra e mijëra njerëz të thjeshtë, të atyre me të cilët la vitet e një jete të tërë. Të moshuarit, vërsnikët e tij, të thonë se Qemali kishte një veti të veçantë, të tijën dhe që rrallë e shikoje tek të tjerët. Ai shikonte, mendohej, pastaj e fillonte punën. Këtë gjë ai nuk e harroi edhe kur doli në pension. Në qytetin e Betarit, ky njeri i urtë e i virtytshëm, drejtoi organizatën e veteranëve të LANÇ-it për më shumë se 12 vjet, përvojë që e përcolli edhe në Tiranë tek brezi i tij, tek ata  që kishin kontribuar në  luftën çlirimtare.

Ky ishte dhe është heroi ynë Qemal Hysen Bego nga fshati Çepan i Skraparit, i cili feston mes njerëzve të tij të dashur, miq e shokë të panumërt,  90 vjetorin e lindjes.

December 14, 2017 10:54
Komento

3 Komente

  1. Guri Naimit D December 14, 15:58

    Te Evidentosh te MIREN gjen MIRESI!

    Skrapari me keta fisnike krenohet si mbare vendi!

    Faleminderit i ndreuar Bashkim Koci qe,si gjithnje e respektoj Penen tuaj, PENE e cila, di te zgjedhi,se e ka ne dore mendia juaj krijuese.
    Te evidentosh te miren,ben te mira,
    Kjo ju ka udhehequr juve sa ju njoh une,ne punen tuaj si gazetar dhe publicist,qo per ratin konkret,mer nje vlere te dyfishte,se keni evidentuar thuajse,nje raste te harruar,si rasti,vertet si thoni Ju,nje “HERO i Kohes” qe jetoi e jeton,ani sa festuar 90 vjetorin.
    Skraparit nuk i kane munguar te tillet sa rretheve te tjera.Evidentimi si shkruani ju,ka rendesi,se pari per trashegimi brezash.Besoj dhe Qemali si gjithnje modest,ka deponuar para juve ne formulimin e ketij shkrimi.Sa kam degjuar une,nje jete me aresimin dhe kulturen ne rrethin e Tiranes,ate Lapardhane dhe; kete kryetar e kishim ETALON,ne punen propagandistike,ne mesuesit,zedhenes te atyre viteve. Ralle ti gjeje shokun krahasues si rasti juaj.
    Faleminderit Ju dhe e pacim ate vertet ETALON te nje njeriu te thjeshte e perkushtuar PUNES nje jete. Nuk di si ne kete evendiment e 90 vjetorit,a ju bene nderimet e rastit, ketij MODESTI NJERI.
    Shendet ME KEMBE,deri ne castin e fundit,si ligji i jetes njeriut, i ndreruar e respektuar, Qemal Bego Cepani….
    Pasues veterani,81 vjecari Mesues e Drejtor shkollash, krah te tillle herronjve dhe te pashpalur te rrethit Tiranes dhe PERMETIT tim te femijnise.
    Me fali i nderuar Bashkim Koci,une nje model te kesaj figure,qe besoj Ju sa, Qemal Hysen Bego e keni njohur dhe imituar,kam patur mik shembull pune e jete, te ndierin e te mirin, kreu i specialisteve te bujqesise ,dale nga lufte Partizan deri ne Greqi cuar Qermani e i arratisur nga Athina ne Atdhe kthyer mekembe, behet Partizan i oreve te para sa shkelqyer ne profesionin e tij si Agronom dhe drejtues i bujqesise,me se pari;punen me NJERIUN.te pa haruarin Abedin CICI.
    Nje i tlile eshte dhe kolegu i tij,po e quaj pa ngurim,
    Qemalim Tuaj,i nderuar-Miku im- Bashkim Koci.
    Na pasofsh me te tilla shkrime HERONJSH…
    Gezuar festen e vitit te RI .
    E- Qemali nderuar-festofte dhe 100 te tjere.
    Urime te vecanta gjithe Skraparllinjve, miqte e mij dhe te Dajos tim Luftetar i Shekullit,qe per Skraparin dhe skraparllinjte pergjerohej ,qe nga lufta per shpalien e pavaresise Ai me pushke ne krah buzequmesht(1913)krah kapedane Jano Xhoges*im gjysh rene kryecetes qe komandonte ne mbrojtie te Pv sapo shpallur. Vaso,kra Dangellioteve e Skraparlinjve me Te,deri ne castin e herroizmit tij,tek “Ura e Dashit ne Lengaritece mes Dangelli shqerise,ne mbrojtiie te sulmit te shovinisteve greke, rene sot e !04 vjet me pare(10 Dhjetor 1913).I perjetshem kujtimi tyre.

    Toronto14-12-2017 Guri Naimit D( Dh. Xhoga).

    Reply to this comment
  2. Fatmiri December 14, 17:54

    Pershendetje Qemal Bego!Urime dhe kapercefsh qindin , sic ke kapercyer prodhimet bujqesore kur ishe ne Koperative!Gezuar dhe per shume vite te tjera!
    Te pergezoj edhe ty Bashkim per ket shkrim per njerzit e punes ,qe na i sjell afer ne keta pervjetore te rendesishem te jetets se tyre.
    Fatmiri

    Reply to this comment
  3. Fatmiri December 15, 14:10

    Pershendetje Qemal Bego! Ne kete pervjetor te rendesishem per ty , te uroj edhe vite te tjera jete te qete e te fruteshme .Ke qene nje shembull per t’u ndjekur dhe besoj ashtu mbetesh edhe sot per ata qe te njohin . E pergezoj Bashkim Kocin per kete popullaritet qe te dha me kete shkrim te thjeshte te jetes tende te vrullshme e plot suksese.
    Te pershendes e te uroj jete te gjate e plot shendet . Fatmiri
    Po e perseris pershendetjen pasi ajo qe nisa dje nuk e di perse nuk ishte dhene !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*