Sllovenia mobilizon ushtrinë për të përballuar krizën e refugjatëve

October 21, 2015 09:07

Sllovenia mobilizon ushtrinë për të përballuar krizën e refugjatëve

Sllovenia mund të vendosë barriera fizike përgjatë kufirit juglindor të vendit me Kroacinë nëse numri i emigrantëve dhe refugjatëve që shkojnë në vend rritet.

Ministri i Brendshëm, Bostjan Sefic, pohoi se nuk mund të përjashtojë mundësinë e “ruajtjes së kufirit me pengesa fizike” kur u pyet nga Reuters nëse Sllovenia do të ndiqte hapat e Hungarisë duke ndërtuar gardhe në kufijtë e saj me Serbinë dhe Kroacinë.

Sllovenia njoftoi dje se do të vendosë ushtrinë për të ruajtur kufirin e saj dhe ka kërkuar ndihmë nga BE, përballë ardhjes së mijëra refugjatëve gjatë ditëve të fundi, madje do të prezantojë një ligj në Parlament për të shtuar në mënyrë të jashtëzakonshme, aftësitë e ndërhyrjes së Ushtrisë që aktualisht kufizohet me asistencën logjistike.

Përpjekja e Sllovenisë për të racionuar fluksin që nga Hungaria mbylli kufirin e saj me Kroacinë mesnatën e të premtes solli një efekt “stoku” në Ballkan me mijëra persona të mbetur në kufi.

Të paktën 12.100 emigrantë ndodhen aktualisht në Serbi, sipas kryeministrit, Aleksandër Vuçiç, ndërkohë që Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) foli për të paktën 2500 emigrantë të ngecur në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.

Paraditen e djeshme 5000 emigrantë kaluan Slloveninë pas 8000 të tjerëve të Hënën sipas Ministrisë së Brendshme Sllovene.

Pjesa më e madhe e tyre kaluan nga pylli duke shmangur me kontrollet kufitare. Sllovenia vendi më i vogël në rrugën që përshkojnë emigrantët nga Ballkani “ka mundësi të limituara për kontrollin kufitar dhe për të akomoduar emigrantët” mbështeti në një komunikatë paraprake ekzekutivi.

“Sllovenia u kërkon publikisht shteteve anëtare të BE dhe institucioneve evropiane që të përfshihen në mënyrë aktive për të marrë këtë detyrë”, kërkoi qeveria e Miro Cerar.

Autoritetet sllovene kritikuan më herët kroatët, sepse lejuan grupe të mëdha refugjatësh të kalonin kufirin, duke shkelur kështu marrëveshjen për kufizimin e transferimeve të tilla në jo më shumë se 2500 persona në ditë.

Sllovenia me 2 milionë banorë ndan kufirin me Kroacinë Hungarinë, Austrinë dhe Italinë./DITA

October 21, 2015 09:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*