Smajli: Ky do jetë një sezon vendimtar për Kukësin

August 27, 2014 09:42

Smajli: Ky do jetë një sezon vendimtar për Kukësin

Kukësi e nisi me fitore kampionatin, duke i dhënë nënkampionëve të vendit qetësinë e nevojshme për të vijuar arritjen e objektivit. Në derbin e veriut ndaj Vllaznisë, skuadra vuajti jo pak duke kompromentuar fitoren. Mbrojtësi Smajli analizon suksesin e parë të Kukësit, ku thekson se ekipi ka ende potencial për të treguar.

“Na gëzon shumë 3-pikëshi. Ndaj Vllaznisë bëmë një lojë të mirë, por jo shumë të mirë. Rëndësi kanë që u morën 3 pikët”, tha lezhjani në një prononcim për “Supersport”.

Në fundjavë Kukësi do të presë në shtëpi Elbasanin, që në javën e parë u paraqit mirë ndaj Skënderbeut. 29-vjeçari thur elozhe për kundërshtarin e të dielës, që vuri në vështirësi serioze kampionët.

“E pamë ndeshjen Elbasani–Skënderbeu, dhe për hir të vërtetës Elbasani nuk e meritonte humbjen. Kanë një grup të mirë dhe nuk mbështeten tek individët. Por ne luajmë në shtëpi dhe do të hyjmë në fushë për fitore”, vijoi mbrojtësi i kuksianëve.

Sfida ndaj Elbasanit është e para për Kukësin në shtëpi, debutimi sezonal përpara tifozëve vendas. Smajli shpreson që ky vit të jetë ndryshe edhe për tifozët të cilët i fton të jenë sa më të kulturuar në mbështetje të skuadrës.

“Ky vit është vendimtar edhe për tifozët, pasi nuk duhet të kryejnë akte të shëmtuara. Megjithatë besoj se do jenë në lartësinë e duhur”, theksoi Smajli.

Këtë sezon janë disa ekipe që kanë pretendime për titull, dhe me statusin e veteranit në kampionatin shqiptar, Smajli veçon grupin e skuadrave që do të udhëheqë klasifikimin.

“Ekipet pretendente kanë fituar në javën e parë. Mendoj që Kukësi, Skënderbeu, Flamurtari dhe Tirana do të udhëheqin deri në fund kampionatin”, përfundoi mbrojtësi i Kukësit, Dritan Smajli.

August 27, 2014 09:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*