“Statura juaj sociale post-martesore për një person të performancës që unë disponoj…” (!)

July 1, 2016 09:35

“Statura juaj sociale post-martesore për një person të performancës që unë disponoj…” (!)

Një ditë pas pezullimit nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Beratit, Shyqyri Çobo, zbardhen mesazhe të tjera nga lista e gjatë e SMS-ve që ai i dërgonte një 32-vjeçareje në proces divorci.

Pasi i ka marrë numrin e telefonit me argumentin se do e ndihmonte me një avokat, gjyqtari ka nisur t’i dërgojë mesazhe si kërkesa për favore seksuale.

Shpesh ai kërkonte takime me të me argumentin se duhet të flisnin për çështjen gjyqësore, biseda që sipas tij nuk mund t’i bënin në telefon.

Edhe pse gruaja e kishte kuptuar qëllimin e gjyqtarit, ajo ka tentuar që me anë të një mesazhi t’i shprehë atij mirënjohjen dhe falenderimet për ndihmën që po i jepte, duke u shmangur nga qëllimi kryesor i bisedës që orientohej nga gjyqtari Çobo me SMS dhe telefonata.

Bie në sy përpjekja për ta “magjepsur” me fjalë të mëdha e të kërkuara që me sa duket më shumë e kanë trembur se e kanë joshur gruan për të cilën i kishte rënë në kokë Shyqyriut.

“Ende s’jam investuar në dobinë tuaj… Ndonëse statura juaj sociale post-martesore për një person të performancës që unë disponoj – do të jetë ekzigjencë jetësore, kuptohet që të shijosh triumfe… do të flasim!! Ok”, thuhet në një prej mesazheve.

Duke ditur se gjyqtari ishte një i afërm i babait të saj, 32-vjeçarja e pyet atë nëse e njihte të atin, kjo edhe për të sqaruar me sa duket kërkesat e tij të vazhdueshme për lidhje intime.

Dhe ja përgjigja tjetër brilante e Shyqyriut:

“Në qartësinë time sundon “Ideja” standarde se fshati XXX përbëhet nga “Komunitet “ që në aspektin intelektual demonstrojnë DEFICENCË!!! Shtetasin e quajtur Y.T (babai i kallëzuese), për të qenë i sinqertë – Jo, nuk mendoj se e njoh … Gjithsesi do komunikojmë gjykoj… Si mendon? Ok??”, shkruan gjyqtari.

Pas këtij mesazhi gruaja ka refuzuar çdo formë komunikimin me të, edhe pse gjyqtari vijonte t’i dërgonte mesazhe.

Refuzimi për të komunikuar kuptohet edhe nga përmbajtja e një tjetër mesazhi që gjyqtari i ka dërguar 32-vjeçares.

“Mirëmbrëma… Ju jeni potencialisht e emancipuar… E kupton se miqësia që te njoh progres – kërkohet komunikim dhe jo heshtje.. Ok?”, shkruan Çobo.

Ai ka insistuar që të takohen dhe gruaja ka pranuar të takohet me gjyqtarin në një lokal pranë Gjykatës së Beratit nga frika se gjyqtari mund të jepte ndonjë vendim kundër saj.

Sipas hetimit rezulton se gruaja në proces divorci ka regjistruar të paktën tre biseda me gjyqtarin, përmbajtja e të cilave konsiderohet nga prokuroria si kërkesë për favore seksuale në këmbim të vendimit pro 32-vjeçares.

Pas njërit prej takimeve, gjyqtari i ka dërguar shtetases I. T. këtë mesazh: “Unë konstatova se –“sharmi yt femëror ishte tepër joshës dhe femëror… mos u prezanto me “modesti (thjeshtësi) të tepruar.. do më falësh 100 herë por “modestia “e tepruar është veti e njeriut “Naiv” (budalla)..për atë performancë që ke duhet të ndjehesh krenare! Ok?”

Mos injoro CV-in tënde intelektuale që disponon …Si e komenton shprehine se …”Miqësia shndërrohet në dashuri , ndërsa dashuria kurrrr nuk kthehet në miqësi”…? – thuhet në një tjetër mesazh.

Kurrë s’duhet të pretendojmë idealen, në këtë jetë makabër! Më pëlqen doktrina sociale franceze se në jetë të tjera duam, të tjerë na duan dhe të tjera kemi”! – shkruan “profesor” Shyqyriu në një SMS tjetër për 32 vjeçaren.

Kjo histori ka vijuar për tre muaj me radhë derisa gruaja e ka kallëzuar në polici.

Çështja më pas iu përcoll Prokurorisë së Krimeve të Rënda e cila dy ditë më pas i kërkoi gjykatës pezullimin nga detyra të gjyqtarit Shyqyri Çobo si i dyshuar për veprën penale të korrupsionit pasiv nëpërmjet kërkesave për favore seksuale.

 

July 1, 2016 09:35
Komento

3 Komente

  1. Plaku Xhuxhumaku July 1, 13:54

    Emerojeni direkt profesor te pordhollogjise tek Universiteti Kristal. Tipa gjeniale si puna e ketij shkojne dem neper gjykata. Gjynah!

    Reply to this comment
  2. qiri July 1, 15:04

    Po ky duket qe eshte psikopat, si mund ta beni gjyqtar!!!!!!!!!! Reforme sa me pare.

    Reply to this comment
  3. kujtesa July 1, 20:10

    Keta njerez me emra te njejte(Shykri dhe Shyqyri) duhet ta kene edhe prirjen seksuale te njejte!
    Filozofia sociale franceze thote se:”kur dy njerez,kane emra te njejte,ka shume mundesi te jene edhe seksualisht te njejte”. Hahahahahahahaha,Shyqyri profesori.OK!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*