SOCIALE / “Do jem nënë model”, thotë duarthara që ka thyer 4 iPhone

March 19, 2018 15:58

SOCIALE / “Do jem nënë model”, thotë duarthara që ka thyer 4 iPhone

Siç bëjnë me dije burime të merakosura, Xhuljeta Lëmshi, menaxherja bankare 31 vjeçe e cila ka shkatërruar tre aparate iPhone njërin pas tjetrit këto muajt e fundit, pritet të nxjerrë në dritë një djalë bebuç bukuluç gushtin e ardhshëm.

Kandidatja për nënë, e cila aksidentalisht sakatoi tre ekranet e celularëve të shtrenjtë në mënyra nga më të ndryshmet, deklaroi se është “e entuziazmuar” për ditën e madhe, dhe së shpejti merr leje lindjeje.

“E gjithë familja po përjeton një përzierje ankthi dhe kënaqësie”, tha Lëmshi, që iPhone-in e parë e theu në çantë, ku ekrani ishte krisur në 7 vende pasi u përplas me çelësat.

“Megjithatë barra po shkon mirë”, shtoi gruaja e re, që celularin e dytë e çoi për lesh pasi e kishte lënë në cep të tavolinës, prej nga u plas drejt e mbi dysheme.

Ekspertja financiare tha për Gojët e Liga se ajo dhe bashkëshorti Çesk janë të lumtur që do të bëhen më në fund prindër.

“Do ta duam dhe do jemi të kujdesshëm sa më s’ka me bebin e vogël”, shtoi gjithë gëzim Xhuli, e njëjta femër duartharë që e lëshoi celularin e tretë iPhone mu në vaskën plot me ujë, teksa përgatitej për banjë dhe fliste njëkohësisht.

31 vjeçarja, e cila rëndom nuk ka marrëdhënie aspak të ngrohta me pajisjen teknologjike të brishtë që përmban të gjithë kontaktet e rëndësishme personale e profesionale, thotë se dhoma e bebit është gati tashmë.

“Mezi pres që ai kënd i lezetshëm të mbushet me zërin gurgullues të Çuçit të vockël”, tha ajo, duke zbuluar emrin e bebit pa dashje, po aq pa dashje sa edhe kur nxorri jashtë përdorimi katër laptopë dhe dy aparate fotografike gjatë dy viteve të fundit.

Ajo e ka të qartë se mëmësia është një mision që kërkon vullnet, kujdes, këmbëngulje, mendjekthjelltësi dhe delikatesë, paçka se e njëjta femër ka qenë e përfshirë në pesë aksidente automobilistike kohët e fundit, të gjitha për faj të saj.

“Është një përgjegjësi e madhe, por unë jam gati”, shton Lëmshi, e pandërgjegjshme se në çastet që është duke folur, dyshemeja e dhomës së ndenjies është e mbushur me disa lapsa, stilolapsa, fletë A4 dhe monedha, si dhe një pirun i ngelur përtokë nga darka e kaluar, ndërkohë që dy pajisje elektrike janë ende në punë pa dijeninë e saj, gati për aksidente nga më të larmishmet.

“Gjithsesi, do kem edhe ndihmën e nënës sime, që banon këtu afër”.

“Ptu, të mori e mira”, shtoi Xhuljeta Lëmshi, së cilës sapo i ra në dysheme iPhone-i i katërt, duke u ndarë në nëntë pjesë.

Shënim: Gojët e Liga është një rubrikë satirike me të njëjtin celular këto tre vitet e fundit

March 19, 2018 15:58
Komento

1 Koment

  1. gjermani i fundit March 20, 00:25

    pse Xhuljeta? Nuk do shkonte me mire Lamashe Lemshi, me profesion menazhere-magazinjere e kompanise shtepiake qe merret me testimin e ekraneve te celulareve.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*