SOCIALE / Raporti bombë: I vetmi shpëtim për të varfrit, vizita e beftë e sadrazemit

September 10, 2018 09:37

SOCIALE / Raporti bombë: I vetmi shpëtim për të varfrit, vizita e beftë e sadrazemit

Qendra Ekonomike e Studimeve Intensive Maksimale, QESIM, ka përfunduar ditët e fundit një studim, si pjesë e një projekti prej 800 mijë eurosh për varfërinë në Shqipëri. Rezultatet e kësaj pune njëvjeçare, që u bënë publike për mediat nga kreu i QESIM-it, prof. Shuaip Papakristo, nuk lënë vend për dyshime: “Të varfrit e kanë keq punën, vëlla”.

Sipas Papakristos, “megjithëse nuk mbahet mend ndonjë periudhë historike që të varfrit të kenë kaluar ditë të mira, pasi vazhdimisht kanë qenë të ngecur në qerthullin e leckamanllëkut, Shqipëria është konsideruar si vend i shanseve dhe mundësive për ata që mendojnë se e kanë një shans. Studimi ynë vërteton se këto janë dëngla: Fukarenjtë e kanë ngrënë, ja… kaq”, dhe eksperti i njohur ngriti njërin krah lart, ndërsa menjëherë më pas dora tjetër shtrëngoi fort bërrylin e të parës.

Papakristo sqaroi se mundësia e kufizuar për arsimim dhe shanset e pakta për punë, janë arsyet kryesore që shpjegojnë përse “nëse e ke ngrënë një herë, e ha gjithë kohës”.

“Shkurt, edhe pse të pasurit ankohen rëndom, në fakt janë fukarenjtë ata që s’kanë gjë në vijë”, sqaroi eksperti.

Në një kohë kur mbi 20% e popullsisë së vendit jetojnë në kufirin e minimumit jetik të varfërisë, ndërsa 25% të tjerë e kanë ëndërr ta arrijnë këtë kufi, studimi i QESIM hedh dritë edhe mbi bazën shoqërore të atyre që e kanë ngrënë.

“Kushtet e vështira të jetesës kanë tendencë të trashëgohen nga prindërit tek fëmijët e familjeve të varfra”, tha Papakristo, “të cilët e kanë shumë të zorshme të dalin jashtë ciklit ciklik të fukarallëkut, që ka një forcë qendërthithëse. Prandaj ndryshe nga shumë specialistë, unë besoj se varfëria është gjenetike. Statistikat tregojnë se ata që e kanë ngrënë sot, e kanë dyfish më vështirë nga ata që e kanë ngrënë dhjetë vjet më parë”.

Eksperti informoi se ndër mënyrat e rralla për të thyer qerthullin e vobektësisë, është vizita e beftë në barraken që, për marrëveshje fjale, të zotët e quajnë shtëpi, të ndonjë ofiqari të lartë, kajmekami, veziri, apo akoma më mirë, të sadrazemit të madh.

“Nëse ndodh që gjatë vizitës sadrazemi të shqiptojë fjalinë magjike, “çoç do bëjmë edhe për këta, se gjinah mo”, atëherë vëlla, i ke thënë fukarallëkut tutje”, sqaroi prof. Papakristo.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Fukarallëku jo. Se çfarë është sadrazemi, gjejeni vetë se tani jeni rritur.

September 10, 2018 09:37
Komento

1 Koment

  1. Rrena September 13, 22:34

    Edhe une sipas llafit tuaj i drejtova nje lutje sadrazemit te madh,nipit te shoferit te zogut te thiut me lutjen qe te na paksonte varferine dhe ai m’u pergjigj menjehere!
    Ti,me tha sadrazemi per derisa paske mesuar abetaren dhe librin e kendimit qe me shkruan mua leter,kurre nuk je i varfer!
    Ti ke pasurine me te madhe ne bote,gjuhen shqipe,qe si asnje gjuhe tjeter ka jo vetem 36 shkronja,me shume se te gjithe,por ka edhe shkronja dyshe qe nuk i ka asnje gjuhe ne bote!
    Prandaj ke humbur shanset qe te ndihmoje qeveria !
    Thuaj shokeve te tu se ne ndihmojme vetem te varferit vertete te varfer qe nuk kane me shume jete se 30 dite!
    Po i kaluan 30 ditet,do te duhet te kthejne cdo dite jete leket mbrapsht se na duhen per te tjeret!
    Pse cfare u be ketu,Amerike?
    Shenim:
    -Kush ka aplikuar per green card as te mos kerkoje ndihme nga qeveria jone!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*