“Socializmi dështoi që në ’82, por Ramizi hezitoi…”

August 29, 2016 13:05

“Socializmi dështoi që në ’82, por Ramizi hezitoi…”

Një nga mjekët e grupit që kujdesej për shëndetin e Enver Hoxhës dëshmon ardhjen e një dokumenti nga Moska, në vitin 1982, ku sipas një studimi prestigjoz i rekomandohej politikës shqiptare të kohës të ndryshonte formën e regjimit pasi sistemi kishte dështuar.

Për gazetën Panorama, kardiologu Sabit Brokaj, thotë se ishin vetë themeluesit e socializmit në Moskë që kishin dalë në këtë përfundim.

Brokaj sjell në kujtesë mesazhin e lexuar në document: “Sistemi socialist në formën e organizimit lidhur me pronën, ekonominë është i bllokuar dhe nuk premton asgjë dhe për këtë kërkohet ndryshim rrënjësor i tij”.

Brokaj thotë se ata e cilësonin socializmin një kapitull të përfunduar dhe një udhëheqësi kaq i duhej që të orientohej drejt hapjeve të reja.

“Vetë themeluesit e socializmit një institute i studimeve politike dhe ekonomike në Moskë kishte dalë në konkluzionin se komunizmi nuk ka më perspektivë, ka dështuar si ideologji dhe praktikë ekonomike. Këtë unë e kam lexuar nga azhanset qëi shkonin Enver Hoxhës.

Ka qenë viti 1982-1983. Sulo Gradeci na kërkonte ne, grupit të mjekëve që të lyenim me formalinë çdo shkresë apo material që do të lexonte Enveri, me qëllim që të mos depërtonte ndonjë infeksion dhe na jepej mundësia që para se t’i lexonte Enveri lajmet kofidenciale, t’i kishim lexuar ne.

Këto studime iu rekomandonin udhëheqësve politikë të vendeve komuniste të Lindjes që të ndërmerrnin reforma të mëdha ekonomike për ndërrimin e kahut, sepse socializmi kishte dështuar”, shprehet Brokaj.

Brokaj vë gishtin mbi Ramiz Alinë si përgjegjës për mbajtjen peng të Shqipërisë në një situatë të vështirë ekonomike pa patur kurajën për të ndërmarrë hapat e duhur për ndërrimin e sistemit që në atë kohë.

“Prandaj me vjen keq me Ramiz Alinë që nuk pati kurajën dhe guximin që pasi i kishin dhënë prognozën, institute prestigjoze studimi, por edhe realiteti i ekonomisë shqiptare ia kërkonte, që të ndërmerrte ato hapa që duheshin që të mos e linte vendin në katastrofë ekonomike.

Flasim për vitin 1982, një material që më ra mua në dorë, por si ai mund të ketë patur me dhjetëra që informonin qeveritë e Lindjes. Nuk ishte pengesë kasta e vjetër që nuk e linte Ramizin që të bënte ndryshimet e duhura. Unë këto justifikime nuk i besoj”.

Brokaj thotë se hezitimi i Ramiz Alisë nuk ka patur të bënte me presione të kastës së vjetër. “Hezitimi i Ramizit jam i bindur se ka qenë sui generis dhe nuk ka qenë asnjë presion nga konservatorët.

Ndryshimi kërkohej edhe nga brenda partisë varfëria ishte kokëfortë dhe vetëm një i verbër nuk e shikonte dhe nuk tentonte ta nxirrte vendin nga ajo situatë”, thotë kardiologu Sabit Brokaj një nga mjekët e grupit që kujdesej për shëndetin e diktatorit Hoxha.

August 29, 2016 13:05