Socializmi shtetëror si totalitarizëm

August 12, 2017 13:34

Socializmi shtetëror si totalitarizëm

Një studim i tillë na ka munguar. Duke qenë se problemi i legjitimitetit ka qenë dhe mbetet një problem i diskutueshëm dhe aktual, ai është trajtuar deri më sot në mënyrë empirike, bazuar në përvoja personale, çka na ka bërë të notojmë në thashetheme, pohime të paargumentuara, hamendësime dhe paragjykime subjektive, duke u qëndruar larg analizave teorikisht të argumentuara, siç i gjejmë në këtë studim të Fatos Tarifës. Ky është një studim që nuk mund të shkruhej nga kushdo. Nevojiteshin disa premisa për ta bërë këtë. Nga njëra anë, problemi qendror që ai trajton shtrohet në sferën e një literature shumë të pasur, sidomos të autorëve të huaj, të cilët ka kohë që janë marrë e merren me problemin e legjitimitetit. Nga ana tjetër, trajtimi që Tarifa i bën problemit të legjitimitetit të shtetit socialist nuk do të kishte qenë kaq i qartë dhe bindës nëse autori i këtij libri nuk do të kishte jetuar në një vend si vendi ynë, ku patën bashkëjetuar gjatë edhe dyshimi në legjitimitetin e rendit autoritarist socialist apo mohimi i tij, edhe pranimi entuziast dhe dogmatik i legjitimitetit të atij rendi.

Në këtë studim, Tarifa ka zhvilluar thellë dhe me kompetencë një pikëpamje të vetën origjinale. Ai është e vetdijshëm se shkenca nuk ka limit dhe, prandaj, tolerant ndaj pikëpamjeve të ndryshme, lë shteg për vlerësime nga këndvështrime të tjera, duke i ftuar lexuesit për dialog. Nuk mund të mos ve në dukje se janë të mrekullueshëm stili konciz dhe qartësia shkencore me të cilën Tarifa analizon një problem kaq të komplikuar, që ka të bëjë me një numër vendesh dhe që është zhvilluar për gati një shekull. Tarifa e ka sintetizuar këtë histori bindshëm dhe mjeshtërisht. Analiza që ai i bën problemit të legjitimitetit të socializmit shtetëror më sjell ndërmend tezën e Hegelit se jo çdo gjë që është reale është historikisht e arsyeshme dhe e domosdoshme. Ka realitete në këtë botë shoqërore në të cilën jetojmë, të cilat, pasi e fitojnë domosdoshmërinë historike, me kohë e humbasin atë.

Bagazhi teorik solid që ka Tarifa e ka ndihmuar atë që problemet e legjitimitetit të mos i trajtojë thjesht në një plan formalo-juridik, por në një kontekst të gjerë global dhe në kontekste të veçanta nacionale, që karakterizohen nga kushte politike dhe historike të caktuara. Një metodë e tillë e ka ndihmuar atë që jo vetëm të dallojë e të analizojë bindshëm problemet e legjitimitetit—apo të ilegjitimitetit—në vende të veçantë të bllokut socialist, por edhe të abstragojë prej tyre, duke na dhënë një analizë, e cila, për nga shkalla e abstraksionit të ideve dhe e metodës së studimit, meriton të quhet një analizë e vërtetë shkencore.

Alfred Uçi

Ish anëtar i Akademisë së Shkencave

 

Socializmi shtetëror si totalitarizëm

Nga Prof. Fatos Tarifa

Prof. Fatos Tarifa

Është një pikëpamje gjerësisht e përhapur ajo se sundimi komunist mbështetej në dy faktorë kryesorë: në indoktrinim ideologjik dhe në terror. Kjo është përgjithësisht e vërtetë. Sidoqoftë, një pikëpamje e tillë mendoj se është sempliste dhe reduksioniste, pasi ajo nuk arrin të shpjegojë të paktën dy çështje shumë të rëndësishme: së pari, cilat janë dallimet mes rendit komunist dhe formave të tjera të sundimit autoritarist, ose totalitarist dhe, së dyti, përse sundimi komunist arriti të mbijetojë, si një sistem shoqëror, për më tepër se katër dekada në të gjitha vendet e Europës Qendrore e Lindore dhe për më shumë se shtatë dekada në “atdheun” e tij, në Bashkimin Sovjetik.

Para se të vijoj me analizën time, dëshiroj të shpjegoj se termi “totalitarist”, si një sundim politik “total” prej shtetit, u formulua për herë të parë në vitin 1923, nga gazetari dhe politikani antifashist italian, Giovanni Amendola, për ta dalluar fashizmin italian si një sistem politik esencialisht i ndryshëm nga sisteme të tjerë diktatorialë.[1] Sidoqoftë, ajo që e popullarizoi këtë term në leksikonin e shkencës politike dhe në zhargonin politik në përgjithësi ishte Hannah Arendt, me veprën e saj tashmë klasike Origjina e totalitarizmit.[2] Ndryshe nga format e tjera të regjimit despotik, të cilat thjesht kërkojnë bindjen e subjekteve ndaj pushtetit, sistemi totalitarist kërkon prej qytetarëve nënshtrimin e tyre absolut, përfshirë edhe jetën private dhe personalitetin e tyre si individë, ndaj shtetit, ose ndaj drejtuesit të tij më të lartë.

U kthehem përsëri pyetjeve të mësipërme: nga se dallon regjimi komunist prej formave të tjera të sundimit autoritarist, dhe përse ai mundi të mbijetojë për një periudhë kaq të gjatë? Nëse këtyre pyetjeve nuk u përgjigjemi sociologjikisht, çdo shpjegim tjetër do të çonte në përfundimin jo të plotë, pra edhe jo tërësisht të saktë, se partitë komuniste në Europën Qendrore dhe Lindore arritën të uzurpojnë pushtetin me ndihmën e tankeve sovjetike dhe e ruajtën sundimin e tyre përmes përdorimit tiranik të pushtetit dhe përmes manipulimit thjesht makiavelik të popullsive të tyre, duke mos gëzuar kësisoj kurrfarë mbështetjeje të vërtetë, pra as edhe ndonjë lloj legjitimiteti.

Bindja vullnetare vis-a-vis detyrimit me dhunë

 

Çështja, sidoqoftë, nuk është kaq e thjeshtë. Siç argumenton filozofi i shquar Leszek Kolakowski, i cili pasi u dëbua nga vendi i tij, Polonia, në vitin 1968, punoi thuajse deri në  fund të jetës së tij në  Universitetin e Oksfordit, “Nuk është aspak e vërtetë se sundimi komunist nuk kishte që nga fillimi asgjë tjetër në dispozicion përveçse revolverë, burgje dhe kampe përqëndrimi dhe se ideologjia e tij nuk ishte gjë tjetër veçse një zbukurim i nevojshëm por bosh”.[3]

Vetëm indoktrinimi ideologjik, ose terrori nuk do të kishin mjaftuar për ta mbajtur në këmbë sistemin komunist kaq gjatë. Siç na kujton Rusoi, në Kontratën Sociale të tij, “Edhe njeriu më i fortë nuk është kurrë aq i fortë sa ta ruajë kurdoherë zotësinë e tij, nëse nuk e transformon forcën në të drejtë dhe bindjen në detyrë”. Ky filozof i shquar argumenton më tej se, “Meqenëse askush nuk ka një autoritet të natyrshëm mbi të tjerët dhe meqenëse vetëm forca nuk të jep asnjë të drejtë, atëherë konventat mbeten baza e çdo autoriteti legjitim midis njerëzve”.[4]

Max Weber, i cili në veprën e tij është marrë gjerësisht me rëndësinë që ka legjitimimi i autoritetit, ka argumentuar në mënyrë bindëse se sistemet e pushtetit nuk i bazojnë pretendimet e tyre për kontroll dhe dominim mbi shoqërinë thjesht te forca fizike.[5] Pushteti i zhveshur, ose imponues, pushteti pa legjitimitet, është një tipar i rrallë në shoqërinë njerëzore. Shumë më i zakontë është pushteti konsensual, ose autoriteti, i cili pranohet me dëshirë dhe që, për rrjedhojë, është i legjitimuar. Kjo, sipas Weber-it, është baza e shumicës së rendeve shoqërorë. Sado të fuqishëm që t’i kenë mjetet e imponimit fizik dhe instrumentet e dhunës, të gjithë sunduesit preferojnë dhe kërkojnë pranimin e vullnetshëm të autoritetit të tyre, të së drejtës së tyre për të sunduar dhe komanduar.

Edhe David Hume, megjithëse e pranonte rolin e forcës imponuese, argumentonte se “asgjë tjetër përveç pëlqimit dhe sensit të avantazhit, që rezulton nga qetësia dhe rregulli”, nuk mund ta bëjë shumicën që t’i nënshtrohet një sunduesi.[6] Këtu Hume kishte parasysh “jo vetëm qeveritë më liberale e më popullore, por edhe ato më despotike e më militariste”.[7] Si rregull, frika e sanksioneve ndërthuret me pëlqimin dhe dëshirën e lirë për t’iu bindur autoritetit të pushtetit. Kjo, siç ka vënë në dukje Carl Friedrich, vlen si për sistemet totalitaristë, ashtu dhe për ata demokratikë, sepse “që të dy këta sisteme ushtrojnë një pushtet, i cili, në një shkallë të konsiderueshme është imponues, dhe në një shkallë po aq të konsideueshme është konsensual”.[8]

Në të njëjtën linjë arsyetimi që gjejmë te Barrington Moore, se pushteti mund ta ketë zanafillën e tij si në imponimin e vullnetit tënd mbi të tjerët, ashtu dhe në pëlqimin e tyre,[9] Friedrich mendon se “imponimi dhe pëlqimi nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, por veprojnë secili më vete”. Sipas tij, “një pjesë e madhe e mendimit dhe e analizës politike bazohen në idenë se, ose imponimi mund të përkufizohet si mospëlqim, ose pëlqimi si mosimponim. Mirëpo, imponimi ka forcën e vet, ashtu si edhe pëlqimi dhe, në shumicën e situatave të pushtetit, të dy këta faktorë veprojnë në shkallë dhe kombinime të ndryshme. Prandaj, formula më e përgjithshme e pushtetit është kjo: sasia e pushtetit (p) i korrespondon sasisë së imponimit (i) plus asaj të pëlqimit (pp); rastet në të cilat i ose pp i afrohen zeros duhen konsideruar të skajshme.[10]

Thomas Green ka vënë në dukje, gjithashtu, se “bindja vështirë se do të ishte e natyrshme nëse nuk është e sinqertë dhe e paimponuar”,[11] ndërsa Alexis de Tocqueville, në veprën e tij të famshme Demokracia në Amerikë, theksonte se: “Një qeveri, e cila nuk ka mjete të tjera për të garantuar bindjen [e qytetarëve ndaj saj] përveç luftës së hapur, duhet të jetë shumë pranë falimentimit”.[12]

Nga kjo pikëpamje, mund të thuhet se, edhe kur një sistem politik mbështetet kryesisht te forca, veprimi i forcës duhet të jetë legjitim, për t’i lejuar ushtruesit e saj që ta zbatojë këtë forcë me efektivitet.[13] Me fjalë të tjera, aftësia për të imponuar sanksione dhe efektiviteti ose jo i sanksioneve apo i veprimit me forcë, kur ky është i disponueshëm dhe ushtrohet, varen nga reagimi i subjekteve ndaj të cilëve ato kërcënohen ose zbatohen.

Ideologjia dhe indoktrinimi

 

Përsa i përket bindjes ideologjike, ose indoktrinimit, përgjithësisht mendohet se synimi i tyre është që t’i bëjnë qytetarët të identifikohen me qëllimet e elitës sunduese në shoqëri dhe të legjitimojnë kështu sundimin e saj. Sidoqoftë, ky arsyetim vlen për të gjithë tipet e sistemeve politikë dhe jo vetëm për atë komunist, sepse asnjë regjimi politik nuk i intereson që t’i neglizhojë synime të tilla. Siç ka vërejtur Bertrand de Jouvenel, kyçi për arritjen e bindjes së natyrshme është pushtimi i mendjes së njerëzve.[14] Madje, edhe Hitleri e kuptonte se, “në një vështrimin afatgjatë, sistemet politikë nuk mbahen në këmbë nga presioni i forcës, por nga besimi në cilësinë dhe në besnikërinë me të cilat ata përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e popullit”.[15]

Një ndryshim thelbësor mes sistemit komunist dhe tipeve të tjerë të sundimit autoritar është se i pari kishte një makineri mjaft të centralizuar indoktrinimi dhe një ideologji zyrtare, që mori formën e një katekizmi të rreptë politik. Megjithatë, sado intensive dhe skizofrenike të kenë qenë propaganda dhe indoktrinimi komunist, ato nuk do të mund të kishin bindur miliona njerëz për të ecur në një rrugë, të cilën ata nuk e dëshironin, ose që të ndiqnin udhëheqës dhe elita, të cilat ata i urrenin. Richard Löwenthal ka venë në dukje se totalitarizmi i tipit komunist nuk do të mund të kishte krijuar dhe ruajtur karakterin e tij pa një besim thellësisht utopik.[16] Alfred Meyer, po ashtu, ishte i bindur se, pavarësisht natyrës së rendit politik, “pushteti mund të legjitimohet vetëm nga besimi dhe nga mitet, të cilat pranohen vetëm sepse, në fund të fundit, ato mbështeten nga pushteti. Pra, në analizë të fundit, e vetmja gjë që e legjitimon pushtetin është vetë pushteti”.[17]

Ideali human si premtim

 

Ёshtë e tepërt të thuhet se një nga bazat mbi të cilën shumica e partive komuniste e ruajtën pushtetin e tyre dhe arritën, në shkallë të ndryshme, të gëzojnë një autoritet legjitim, sidomos në dekadën e parë pas Luftës së Dytë Botërore, ishte premtimi sublim dhe idealist për ndërtimin e një shoqërie më egalitare, më të drejtë, më të begatë e më të organizuar, në të cilën thuhej se do të zhdukej shfrytëzimi i njeriut nga njeriu dhe se problemet e njohura sociale të vendeve kapitaliste “në kalbëzim”, ose të shoqërive të tjera me klasa antagoniste, do të zhdukeshin gradualisht dhe një herë e përgjithmonë. Siç është vënë në dukje nga Peter Berger, joshja e socializmit shpjegohej pikërisht në “premtimin e të gjitha të mirave të botës moderne dhe likuidimin e çmimit të saj, sidomos të tjetërsimit, duke krijuar imazhin e një shoqërie shpëtimtare për të ardhmen”.[18]

Doktrina komuniste, me “parimet e saj shpërblyese të humanizmit”,[19] siç shprehej në kohën e tij senatori i shquaj demokrat amerikan, J. William Fulbright, u shndërrua në një besim të gjallë, madje u transformua në një forcë të jashtëzakonshme, që i shtyu miliona njerëz inteligjentë kudo në Europën Lindore që të punonin me pasion, pasi ata besonin sinqerisht se e ardhmja i takonte komunizmit, ndërsa kapitalizmi, sistemi i shtypjes dhe i shfrytëzimit, ndodhej në shtratin e vdekjes. Ishin “dështimet e kapitalizmit” dhe “paaftësia e sistemit kapitalist për të krijuar një rend ndërkombëtar paqësor e të qendrueshëm” ato që, siç argumentojnë Robert Knight dhe Michael Fitzpatrick,[20] shpjegojnë pse komunizmi vazhdoi të ekzistojë për një kohë aq të gjatë, deri në fundin e shekullit të 20-të. Sipas fjalëve të historianit amerikan Walter Laqueur, “Komunistët nuk ishin një parti politike si të tjerat; ata premtonin jo thjesht një qeverisje të mirë dhe një ekonomi të begatë, por një botë të re lirie, drejtësie dhe lumturie për të gjithë….Në këtë parajsë tokësore, të çliruar nga prangat e shtypjes dhe të shfrytëzimit, çdo individ (dhe shoqëria në tërësi) do të mund t’i zhvillonte plotësisht aftësitë e tij. Më në fund, qëniet njerëzore do të bëheshin plotësisht njerëzore”.[21]

Socializmi si frymëzim dhe nostalgji

 

Sot, kur socializmi shtetëror, si sistem shoqëror, nuk ekziston më në asnjë prej vendeve të Europës Qendrore e Lindore dhe në republikat ish-sovjetike, shpeshherë harrohet se “pushteti komunist nuk do të ishte ushtruar dot kurrë, madje as që do të kishte qenë i mundur, në rast se nuk do të kishte ekzistuar një “kontigjent i konsiderueshëm besuesish të devotshëm” (Chirot),[22] si dhe pranimi i tij nga një numër i madh njerëzish, pra pa bashkëpunimin e drejtpërdrejtë, ose të tërthortë të miliona fshatarëve, punëtorëve dhe intelektualëve në të gjitha vendet e Evropës Lindore.

Kjo pikëpamje i kundërvihet shpjegimit gjerësisht të përhapur, që ia atribuon fatin e Europës Lindore të dominuar nga Bashkimi Sovjetik thjesht pranisë imponuese të Ushtrisë së Kuqe në këto territore. Pa një besim të fortë dhe pa një mbështetje masive për partitë komuniste në këta vende, vështirë që vetëm forca e ushtrisë sovjetike do ta kishte mbajtur krejt Europën Lindore nën kontrollin e saj për një kohë kaq të gjatë.[23] Për sa kohë që populli i thjeshtë dhe kuadrot e administratës besonin në angazhimin e drejtuesve të Partisë dhe të shtetit socialist për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe një shoqëri të begatë, ata i mbështetën politikat e tyre—madje, në disa vende, me një entusiazëm të pazakontë dhe me një patos revolucionar, sidomos në fillim—duke i siguruar shtetit socialist një bazë të fuqishme legjitimiteti.

Sado paradoksale që të duket, nga kjo rrjedh se, pavarësisht nga sa arriti ose premtoi të arrijë bota komuniste, pavarësisht nga shtrembërimet e tij në praktikë dhe nga krimet e kryera në emër të tij, komunizmi kishte aftësinë që të frymëzonte dhe, për një numur të madh njerëzish, ai është ende i aftë që të frymëzojë një farë nostalgjie. Sot, vinte në dukje me të drejtë Ismail Kadare në fillimin e viteve 1990, kjo është e vështirë të kuptohet, pasi distanca në kohë që na ndan prej atij rendi është e shkurtër, pasi ndjenjat e njerëzve janë ende në kulmin e shfryrjes dhe pasionet që dënojnë komunizmin mposhtin çdo sentiment tjetër. Ai shkruan: “Ka një mendim se, si çdo sistem, në të cilin jetuan e vdiqën miliona njerëz, edhe kjo botë, e cila, në fund të fundit, është rezultantja e gabimeve dhe e meritave të tyre të përbashkëta, ka patur drejtpeshimin e saj të brendshëm, me fjalë të tjera, ato që në gjuhën e rëndomtë quhen: anët e mira dhe anët e këqia të saj. Gjithmonë sipas këtij mendimi, mjafton të përmendim pasurinë kolosale intelektuale që u krijua nën atë sistem, atë thesar që tani i përket mbarë njerëzimit dhe pa të cilin ky shekull do të kish qenë shumë më i varfër. Mirëpo, sistemi është lavdëruar dhe vetëmburrur aq shumë, sa që duket se e ka humbur të drejtën që t’i njihen anët e tij të mira, ato që Perëndimi me zgjuarësi dhe pa bujë ia ka huajtur për të korrigjuar e fuqizuar vetveten.[24]

Shënime dhe referenca

[1] Richard Pippes, Russia under the Bolshevik Regime (New York: Vintage Books, 1995).

[2] Hannah Arendt, The Origins of Totalitarianism (Cleveland: Meridian Books, 1958).

[3] Leszek Kolakowski, “Mind and Body: Ideology and Economy in the Collapse of Communism”, në K. Poznanski (ed.), Constructing Capitalism (Boulder: Westview Press, 1992), ff. 9-23;

[4] Jean-Jacque Rousseau, On the Social Contract (Indianapolis: Kacket Publishing Company, 1987), ff. 19, 20.

[5] Max Weber, The Theory of Social and Economic Organization (Glencoe, IL: Free Press, 1947); Economy and Society (New York: Bedminster Press, 1968).

[6] Shih: Frederick Watkins, Hume: Theory of Politics (Edinburgh: Thomas Nelson & Sons, 1951), f. 196.

[7] Ibid., f. 148.

[8] Carl Friedrich, “Political Leadership and the Problem of the Charismatic Power”, The Journal of Politics (1961), 23, 1: 7.

[9] Barrington Moore, Jr., Political Power and Social Theory (Cambridge: Harvard University Press, 1958).

[10] Friedrich, “Political Leadership and the Problem of the Charismatic Power, f. 8.

[11] Thomas Green, Lectures on the Principles of Political Obligation (London: Longmans, Green & Co., 1948), f. 121.

[12] Alexis de Tocqueville, Democracy in America (Garden City Anchor Books, 1969), f. 139.

[13] James Schellenberg, The Science of Conflict (New York: Oxford University Press, 1982).

[14] Bertrand de Jouvenel, On Power: Its Nature and the History of its Growth (Boston: Beacon, 1962), f. 355.

[15] Adolf Hitler, Mein Kampf (New York: Reynal and Hitchcock, 1941), f. 388.

[16] Richard Löwenthal, Letter to the Editor. Commentary (January 1986).

[17] Alfred Meyer, “Legitimacy of Power in East Central Europe”, në S. Sinanian, I. Deak & P. Ludz (eds.), Eastern Europe in the 1970s (New York: Praeger, 1972), f. 48.

[18] Peter Berger, “The Socialist Myth”, Public Interest (Summer 1976): 8-9.

[19] J. William Fulbright, The Arrogance of Power (New York: Random House, 1966), f. 81.

[20] Robert Knight, Stalinism in Crisis (London: Pluto 1991); Michael Fitzpatrick, “Why Communism Survived for So Long”, Spiked Review of Books (August 2007).

[21] Walter Laqueur, The Dream that Failed: Reflections on the Soviet Union (New York: Oxford University Press, 1994), f. 3.

[22] Daniel Chirot, “What Happened in Eastern Europe in 1989?” në D. Chirot (ed.), The Crisis of Leninism and the Decline of the Left (Seattle: University of Washington Press, 1991), ff. 3-32).

[23] Ibid.

[24] Ismail Kadare, Albanian Spring: The Anatomy of Tyranny (London: Saqi Books, 1995), ff. 205-206.

August 12, 2017 13:34
Komento

15 Komente

  1. Altin August 12, 14:02

    Na cate trapin, akoma me socializmin????

    Shijoni jeten, mendoni per hallet e perditshme se ka plot, lereni zogollin dhe hoxhen te qete atje ku jane.

    Reply to this comment
    • Che Guevara August 12, 14:43

      Titulli bombastik,por brenda eshte nje skandal i vertetre!
      90 % e shkrimit eshte citate si te Mao Ce Dunit: Jo ka thene filani keshtu,jo ashtu,terrci verrci dhe e verteta nuk del gjekundi!
      Po mendimet e tua,ku i ke o Tarifa?
      Pse kerkon ndihme tek dhjetra te huaj per te na mbushur mendjen se edhe ata jane ne nje mendje me ty?
      Socializmi ka qene dhe do te jete sistemi me njerezor ne bote dhe e ardhmja e tij do te coje njerezimin ne KOMUNIZEM?
      Jo me kot l;arot e kapitalit e perdorin fjalen KO)MUNIZEM gjoja sikur ai qe ishte ne Shqiperi deshtoi,prandaj njerezimi te mos kerkoje me te ndryshohet kapitalizmi!
      Sot bota vuan krimin,papunesine,pa drejtesine,degjenerimin moral,politik,korrupsionin,prostitucionin etj,sepse ky sistem eshte nxitesi i tyre!
      Ke mbetur pa pune,o Tarifa,prandaj kerkon te ndreqesh imazhin tend antikomunist.
      Leri pordhet me citate dhe provoje te besh krahasime me fakte konkrete midis dy sistemeve se nga kush perfitoi shumica e popullit me shume!
      Ne kapitalizem ndarja e njerezve ne nje grusht te pasurish dhge shumica e popullit te varfer,verteton realitetin se kapitalizmi ka vdekur qe ne gen.
      Jo me kot sondazhi i OSBE nxorri se 60% e shqiptareve kane nostalgji per Enver Hoxhen!

      Reply to this comment
      • Mark uk August 12, 17:32

        une ne shqipni nuk e mbushja dot barkun me buk kallamoqi se nuk me lente enveri e ti me ben derr derr me komunizmin .

        Reply to this comment
  2. Roza August 12, 14:25

    Faleminderit gazers Dita qe na jepni mundesine te lexojme artikuj re ketij niveli si ky I Profesor Tarifes.

    Reply to this comment
  3. L.H August 12, 14:37

    Na òate trapin jo me ‘socializmin’ si periudhe tranzitore qindra vjeçare per te arritur ‘sistemin komunist’ por me pseudointelektuale ish djemte bastarde te ish bllokut te udheherqjes dhe kAmentues anaslfabete me univeridstete ‘kristal’ qe nuk dine nga PJERDH GOMARI as èper socializmin e aqe me teper komunizmin si doktrine e persosur si ajo e KRISHJTERIMIT

    Reply to this comment
  4. Dike Mullai August 12, 15:53

    Hajde Baba ( SEVO ) te te tregoj Arat , thote Fatosi, qe u be Pionier ! Ne vitet “58-61” Sevo Tarifa ishte Sekretar i Pare per BRPSh-Tirane. Ne nje ceremoni, organizuar ne Teatrin Popullor, me ka dhene dhurate Stilograf e Stilolaps ne nje kuti te kuqe, prodhuar ne BRSS. Ishja nxenes i shkeqyer ne Shkollen 2 Vjecare prane Politeknikumit “7 Nentori”. Ne Nentor ’59 jam pranuar Kandidat per Antar i PPSh. po nga Sevo Tarifa, Sekretar i Kom. Partise per Tiranen. Shkruaj keto kujtime per ate BURR te Nderuar ! Keq-ardhje per ty Fatos, qe te rriti dhe edkukoi ajo Parti !!!

    Reply to this comment
  5. intelektuali August 12, 16:26

    SHKRIMET “AKADEMIKE” TE TARIFES SE ENVERIT JANE SI DACIBAOT E MAO CE DUNIT GJATE REVOLUCIONIT KULTUROR

    prandaj:

    O profesori i Enverit Alfred Uci sot, 27 vjet pas renies se Murit te Berlinit dhe kur shqypnia ka deklaruar qarte largimin nga komunizmi feudal i Enverit drejt Botes Demokratike nuk ka mbetur kush t’i lexoje keto dacibao kineze te Fatos Tarifes, qe justifikojne ashiqare shfaqjen e komunizmint ne Bote si pasoje e lindjes se fashizmit kur dihet se Hitleri te gjitha Instucionet e tij represive i kopjoi nga Stalini dhe se bolsheviket ishin mesuesit e nacional socialisteve dhe kemishzinjeve te Duces dhe se:

    FASHIZMI DHE KOMUNIZMI JANE BINJAKE TE NJE NENE QE NJIHET SI DIKTATURE

    prandaj:

    Llogjet “akademike” te Fatos Tarifes nuk ka kush t’i lexoje sot dhe mbetet te pyesim:

    PSE FATOS TARIFA NUK PUBLIKOI ASNJE SHKRIM AKADEMIK HISTORIK NE SHBA GJATE KOHES QE ISHTE AMBASADOR?

    He pra pse keshtu kur kthehen ketu te gjithe fanatiket e Enverit fillojne te na bombardojne me llogje historike pa kurfare vlerash reale per historine e popullit tone?

    Reply to this comment
  6. antonio salvatores August 12, 16:27

    Bir Selmani i nenes ke te qaj me pare, babgjysh Alfredin apo Tosin djale. More prof. Alfredi a e ke marre vesh se jemi ne vitin 2017, se Enveri dhe Ramizi nuk jetojne me? Po deshe te marresh vesh legjimitetin e komunismit po te rekomandoj dy autore :pater Zef Pellumbi dhe avokat Spartak Ngjela. Ndersa per prof. Fatosin, meqenese eshte me i ri ne moshe po i tregoj nje kuriozitet politik shkencor: KAPITALIN e Marxit ne variantin e pare e ka shqiperuar Sejfulla Maleshova dhe variantin e dyte Xhavit Qesja, qe te dy armiq te shpallur te partise punes. Edhe nje kuriozitet tjeter per megallomanine e udheheqesit legjendar Enver, i thuaj te ta tregoje prof. Servet Pellumbi; ngjarja ka te beje me paçavyren enveriane Imperializmi dhe Revolucioni. O prof. Fatosi, mos lexo vetem anglisht, mund te kulturohesh edhe me leterature ne gjuhen e tyt’ eti!

    Reply to this comment
  7. Mark uk August 12, 17:34

    une ne shqipni nuk e mbushja dot barkun me buk kallamoqi se nuk me lente enveri e ti me ben derr derr me komunizmin .

    Reply to this comment
  8. Dilaveri August 12, 18:36

    Prandaj ishe fashist ti , se ishte njelloje si komunizmi ?

    Reply to this comment
  9. Qamil Buza August 12, 19:25

    pse ste ha nje mortje ty me mire .
    E po ne nje vrim i nie fyellit o zogist ?

    Reply to this comment
  10. Arben August 12, 20:52

    VDEKJE KOMUNIZMIT

    VDEKJE SIGURIMIT TE SHTETIT.

    Reply to this comment
  11. Arben August 13, 06:50

    VDEKJE KOMUNIZMIT

    VDEKJE SIGURIMIT TE SHTETIT.

    LITARIN ATYRE QE U LEPIHEN.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*