Sofje, “me një të kollozhekut”

April 22, 2018 12:24

Sofje, “me një të kollozhekut”

Prof. Nasho Jorgaqi

1 – Ndonjëherë ndodh që një gjë fare e vogël, një çast kalimtar, të zgjojë një dëshirë e të bëhet shkas për t’i hapur udhë një pune të dobishme. Kjo ndodhi dhe me mua rastësisht në Sofje, ku kisha shkuar në një kongres të studimeve ballkanike. Kongresi sapo ishte mbyllur, po jehona e gjithë atyre që kisha dëgjuar për lidhjet historike në mes të popujve të gadishullit tonë ishte aq e madhe, sa historinë e përjetoja jo aq si të kaluar, po si një realitet bashkëkohor.

Rrija atë pasdreke në hotel dhe nga dhoma e katit të dhjetë sodisja panoramën e Sofjes, masivin e blertë të malit Vitosha, rrugët e gjera dhe pallatet moderne. Vështrimi më rrëshqiti shpejt nga këto pamje dhe padashur u ndal në një lagje të vogël prapa hotelit, te disa rrugica të kalldrëmta e një varg shtëpish të stileve të vjetra, te ca ngrehina prej qerpiçi, pastaj oborre dhe qoshe, mbushur plot lule e blerim. Ishte kjo si një pjesë e harruar e Sofjes së vjetër, që mua sepse më mbetën menjëherë sytë, pjesa e historisë së këtij qyteti. Këtë mendova dhe ndërkaq, krejt vetiu më tingëlloi në vesh motivi i këngës së njohur të Rilindjes “Që më një të kollozhekut”. Thashë më vete: kjo këngë ka lindur këtu, këtu është kënduar për herë të parë dhe pastaj prej këndej ka marrë rrugën për në Shqipëri. Sakaq, tingujt e këngës m’u trazuan me vizione të ngjarjeve të kohës, me fytyra patriotësh, me tituj gazetash e librash, që kishin dalë në këtë qytet.

Vështroja poshtë lagjen e vjetër, të kërrusur nga vitet, dhe para syve më shpalosej historia jonë kombëtare, kur ajo këtu ngriti nja nga urat e saj. Në këto hapësira jetoi e luftoi për dhjetëvjeçarë të tërë një bashkësi patriotike shqiptare. Kolonia më e vogël e Rilindjes, ndoshta më ë varfra nga të gjitha shoqet, më popullorja me s tyre nga përbërja. Zor se mund të gjeje në këtë koloni shqiptare pasanikë, tregtarë të mëdhenj si në Bukuresht, arkondë të kamur e çifligarë si në Misir, funksionarë të lartë të hierarkisë perandorake si në Stamboll. Bashkësinë e Sofjes e përbënin kryesisht njerëz të punës, në radhë të parë të punës së krahut, muratorë e druvarë, qymyrxhinj e kalldrëmxhinj, hanxhinj e gjellëbërës. Me kohë, shqiptarët e këtushëm do të arrinin të bëheshin zanatçinj e tregtarë të vegjël. Shumica e tyre kishin ardhur nga viset e Shqipërisë së jugut, nga Vakëfet e Dangëllisë, nga Gjirokastra e nga Korça dhe rrallë mund të gjeje dhe nga anët e Dibrës e të Elbasanit.

Për vendasit shqiptarët do të ishin gjithnjë të mirëpritur, pasi qenë njohur  çmuar si njerëz punëtorë e të nderuar, trima e të besës. Këta e kishin rrahur këtë vend ballkanik qysh në mesjetë, duke filluar nga shekulli XVI. Kishin pasur madje dhe ngulime thjesht shqiptare, që do të arrinin në rreth dyzet fshatra, por që me kohë ishin shuar dhe kishte mbetur tek-tuk ndonjë që vazhdonte të fliste shqipen, si Arbanasi e Mandrica. Po shqiptarëve këtu iu dëgjua zëri dhe hynë në historinë tonë kombëtare vetëm gjatë Rilindjes. Kolonia e tyre bëri emër të nderuar gjatë kësaj kohe dhe ky emër u lidh me Sofjen, me këtë qytet ku kisha ardhur dhe unë këto ditë. Dhe ishte një çast fatlum ai që më solli ndër mend, atë pasdite të artë vjeshte, Sofjen e Rilindjes shqiptare dhe më shtyu të mendoj seriozisht për kohën kur ajo u angazhua dhe u vu në shërbim të kauzës së lirisë së atdheut. E dija mirë këtë faqe të historisë sonë, e kisha mësuar nëpër faqet e “Kalendarit kombiar:, të gazetave që kishin dalë këtu, si “Drita”, “Shqypja e Shqypnisë”, nga librat që kishte “Mbrothësia”, e para shtëpi botuese shqiptare. Dija jo vetëm për historinë e kolonisë, po dhe për jetën e saj të brendshme nga kujtimet e udhëheqësve të shoqërisë “Dëshira” të Dhimitër Moles e Loni Granockës. Më kishte bërë për vete figura militante e Josif Bagerit, vjershëtorit luftëtar.

Merret me mend se ç’ndodhte me mua, kur, tek rrija në atë kënd të lartë të hotelit, u zgjua historia e kolonisë së Sofjes. Pata dëshirë të kërkoj gjurmët e asaj kohe të largët. Sigurisht kjo nuk mund të bëhej në mënyrë imagjinare, as duke u endur fillikat në këtë qytet të madh e të panjohur.

Në Sofje jetonte miku im i vjetër, shkrimtari Thoma Kacorri, i vetmi ndoshta intelektual i kolonisë së këtushme që gjurmon e studion traditat e saj patriotike. Me të isha takuar dhe kishim ndenjur e biseduar disa herë gjatë ditëve të kongresit. Gjithnjë i qeshur dhe entuziast, i dashur e i dhënë dhe pas studimeve albanologjike, ai ishte i gatshëm të më ndihmonte për çdo gjë. Prandaj nuk ngurova t’i drejtohem menjëherë. E mora në telefon nga dhomë e hotelit dhe ia tregova dëshirën time.

– Posi, posi, – ma priti me zërin e tij të ngrohtë, – gjë që bëhet. Madje me qejf të madh. Ke shumë të drejtë, të vish në Sofje dhe të mos i shohësh monumentet, në qoftë se mund t’i quajmë kështu, të historisë sonë kombëtare këtu është gjynah! Sa mirë të ka shkuar mendja. Vërtetë është një homazh që i bëhet atdhetarëve të Rilindjes sonë në këtë vend!

2

U takuam të nesërmen në mëngjes. Ai erdhi drejt e në hotel dhe pa e zgjatur dolëm në rrugë.

– Do të lodhemi ca, – më tha Thomai me përzemërsinë e tij karakteristike, – por detyrimi shpirtëror që ndieni ju historinë e kolonisë sonë mund të realizohet vetëm në këmbë.

Megjithatë, fillimisht i hipëm tramvajit që kalon përgjatë rrugës kryesore të Sofjes dhe zbritëm në krye të bulevardit “Gjergj Dimitrov”, para xhamisë së vjetër. Ishte një ditë e zakonshme, me trafik të ngarkuar, plot lëvizje e zhurmë, por një ditë e bukur vjeshte dhe këtë e ndjeva sapo morëm në të djathtë dhe hymë në rrugicat  parkut prapa xhamisë. U ulëm në një stol, ndërsa përqark kishim lulet e drurët dekorativë me ca ngjyra të qeta e të larmishme.

– Nuk po e nis rastësisht prej këtu, – zuri të flasë Thanasi duke më vështruar me sytë e kaltër. – Këtu, ku sot është qendra e Sofjes që quhet “Toplja buner” (Hamami i nxehtë), ngaqë dikur ishin banjat qendrore publike të qytetit, ka pasë qenë hani i famshëm i Dhimitër Moles. Diku këndej atëherë kalonte rruga “Serdika”, emri i lashtë i Sofjes. Aty ishte hani dhe ky han, tok me të zotët, gjendet në krye të kronikës së kolonisë sonë. Se kush ka qenë Dhimitër Molja, ju e dini. Mbi të gjitha, ai ishte dhe mbeti një nga ideatorët dhe organizatorët e lëvizjes kombëtare këtu gjatë Rilindjes. Të hani i tij, që sot nuk ekziston, zbrisnin të gjithë shqiptarët që vinin për herë të parë në Sofje. Ishte nja han si të gjitha hanet, i varfër, me ca kthina të vogla e me ca shtretër sa për t’u prehur hallexhinjtë që vinin nga rrugët e gjata. Ky han historik, se i tillë qe dhe ngeli, u bë djepi i parë i shqiptarizmës për shqiptarët e Sofjes. Dhimitri, që ishte nga Boboshtica dhe kish qenë nxënës i Nikolla Naços, kishte ardhur këtu nga Bukureshti dhe kishte sjellë me vete farën e Rilindjes, farën e organizimit të shqiptarëve. Në fillim, ai hapi një dyqan të vogël me bakallëqe, po shpejt e la atë dhe u bë hanxhi. Si e tek ndodhi kjo, s’di të them. Di të them, siç më kanë treguar pleqtë, se hani i Moles, brenda një kohe të shkurtër, u kthye në qendër të shqiptarëve. Ishte dhe klub, dhe shkollë, vatër ku ziente e buçiste fjala shqipe, aty vinte dhe gazeta “Shqiptari” e Naços. Molja patriot jo vetëm i sillte nga larg, por në fillim dhe ua lexonte me zë të lartë shqiptarëve të Kolonisë. Ua lexonte, them, se hallexhinjtë tanë nuk dinin as shkrim as këndim. Molja, të cilin e kam arritur, ishte një burrë i pashëm, energjik dhe i fuqishëm, kishte një zë shpellë e s’dinte ç’ishte lodhja për punët atdhetare. Me kohë, ai hapi edhe kurse për të nxënë shkronjat e shqipes dhe në sajë të përkushtimit e të këmbënguljes së tij mësuan sa e sa shqiptarë jo vetëm të rinj, por dhe pleq. Mësonin pas punës, natën, nën dritën e kandilave. Njëri prej tyre do të ishte dhe Josif Bageri.

Kur mendoj Dhimitër Molen, punën e tij të madhe, them se ë’është në gjendje të përballojë një atdhetar idealist. Më shumë se sa mësues i shqipes, si do të bëhej një propagandist i mrekullueshëm i idealeve kombëtare. Fjala e tij do të shpallte nëpër koloni qëllimet e mëdha të Rilindjes, do të shpërndante mjegullën e mosbesimit dhe të shpifjeve të turkomanëve e grekomanëve, do të shtronte nevojën e luftës kundër pushtuesve turq, do të ndihte për të përhapur këtu dituritë në mes të shqiptarëve.

Në hanin e Moles, ja këtu në mes të Sofjes, do të dëgjoje të recitoheshin vjersha të poetëve tanë të Rilindjes, të Naimit e të Çajupit, po dhe të zotërisë së tij. E besoni ju se atdhetarizmi i thellë i bëri vjershëtarë disa nga patriotët tanë këtu në ato vite. Veç Moles, do të shkruanin vjersha dhe Adham Shkaba e Spiro Garo e në gjurmët e tyre do të ecte pastaj Josif Bageri, që u bë vjershëtori më i dëgjuar i kolonisë sonë. Përpiqem ta përfytyroj këtë gjë, si i shkruanin vjershat dhe si mblidheshin pastaj mbrëmave dhe ua lexonin bashkatdhetarëve. Kushedi se çfarë emocionesh të forta zgjonin në zemrat e tyre ato vargje të thjeshta, të ndezura nga shqiptarizmi! Kushedi se çfarë tingëllimi, çfarë muzike merrte fjala shqipe atyre kohërave, kur Shqipëria ishte nën robëri!

Të gjitha këto tregonin se kishte ardhur dita që edhe shqiptarët e Sofjes të organizoheshin në një shoqëri, siç kishte ndodhur dhe në kolonitë e tjera. Molja, që kishte përvojën e Bukureshtit dhe e dinte se ç’është bashkimi, qe ai që së bashku me Adham Shkëmbin, Spiro Garon dhe Josif Bagerin nisën të mendojnë  dhe të përgatisin themelimin e kësaj shoqërie. Natyrisht, kjo s’ishte punë e lehtë dhe sado që në Bullgarinë e lirë nuk gjenin pengesa, prapëseprapë, kurbetçinjtë u druheshin persekutimeve turke dhe spiunllëqeve të grekëve, pasi kishin familjet në Shqipëri. Megjithatë, pas një punë përgatitore, me durim e këmbëngulje, u arrit të thirret mbledhja e themelimit të shoqërisë.

Mbledhja u bë ditën e parë të janarit të vitit 1899, “me një të kollozhekut”, siç thotë kënga e famshme e Rilindjes. Kam dëgjuar nga pleqtë për këtë ngjarje dhe të gjithë e kujtojnë pothuajse njësoj. Sofja atë ditë qënkish gdhirë e mbushur me dëborë, bënte shumë ftohtë, por kjo s’i pengoi shqiptarët të mblidhen në hanin e Moles, ja atje përtej, erdhën, siç thonë, të veshur me rrobat karakteristike, të bashkuar toskë e gegë, myslimanë e të krishterë, thonë se qe përfaqësuar pothuajse gjithë Shqipëria aty. U mblodhën në dhomën më të madhe të hanit, megjithatë një pjesë, ngaqë s’kishte vend, qëndronin jashtë. Në krye kishin varur portretin e Skënderbeut. Nën të ndenji Dhimitër Molja që hapi mbledhjen, i cili, me një fjalim të zjarrtë, ndezi zemrat e të gjithëve. Ishte fjala që dhe shqiptarët e Sofjes të ndihnin mëmëdheun dhe kjo s’bëhej pa u organizuar në shoqëri. Këtë ide e mbështetën menjëherë Adham Shkaba e Josif Bgeri dhe pasi rrahën mendimet, rranë të gjithë në një mendje dhe vendosën të formojnë shoqërinë me emrin “Dëshira”. Kjo do të thoshte se ishte dëshira e të gjithë shqiptarëve që të përpiqeshin së bashku për një Shqipëri të lirë, që të përhapnin diturinë dhe mësimin e gjuhës shqipe me shkronjat e Stambollit, të hapnin mësonjëtore. Këto qëllime të shenjta, iluministe, do të pasqyroheshin në programin e shoqërisë. Në vulën dhe në stemën e saj do të gdhendeshin fjalët: “Dashuri, besë dhe shpresë”. Kryetari i shoqërisë u zgjodh muratori Ligor Borova, kurse sekretar Molja. Anëtarët e parë që u regjistruan nuk ishin pak për atë kohë, mbi pesëdhjetë.

Krijimi i shoqërisë u prit me gëzim nga shqiptarët e Bullgarisë dhe për jehonën e saj kontribuoi dhe Kënga e shoqërisë “Dëshira” që lindi asaj kohe. Vjershëtari Spiro Garo shkroi menjëherë tekstin, vargu i parë i të cilit dhe sot e kujton këtë ngjarje të rëndësishme. Ai thotë: “Që në një  kollozhekut u fillua shoqëria”. Sa e sa shqiptarë, të sa e sa brezave i kanë shqiptuar vargjet e kësaj kënge të bukur në Shqipëri. Melodinë e këngës e vuri, thonë, një nga vëllezërit Qiriazi.

Ky ishte fillimi i “Dëshirës” që nisi këtu, sepse më vonë ajo erdhi duke u zgjeruar dhe forcuar, kreu punë me vlera kombëtare, megjithëse të ardhurat i kishte të pakta dhe pjesëtarët e saj qenë njerëz hallexhinj. Kështu u ngrit nj sallë e përhershme, ku bëheshin kurse të gjuhës; luheshin shfaqje teatrore e organizoheshin mbrëmje patriotike dëfrimi me recitime, këngë e valle. Të paharruara kanë mbetur piknikët jashtë Sofjes, në Vitosha, në Knjashevo, Pavllovo e gjetkë, sidomos ato të 16 gushtit, që ishte festa e shoqërisë. Tregojnë se në shfaqjet që jepeshin Josif Bageri vishej si bari, merrte kërrabë e zile dhe recitonte “Bagëtinë e bujqësinë” e Naimit, sa i bënte shqiptarët t’u rrëqethej shtati.

Molja me shokë qenë njerëz të veprimit. Nuk mbeteshin te fjalët dhe gjëja e parë që bënë çuan njerëz të lidheshin me shoqëritë e tjera të mërgimit. Të parin dërguan Spiro Garon drejt e në Stamboll, në Cargrad, siç i thonë bullgarët dhe mori pjekje me patriotët e atjeshëm. U takua domosdo dhe me Naimin e Samiun dhe u kthye i ngarkuar me libra shqip, sidomos të të dy vëllezërve. Ky djalë entuziast, trim e me shpirt poeti, për fat të keq vdiq shpejt, sapo kishte mbushur të tridhjetat. Ka mbetur si ngjarje shumë  dhimbshme vdekja e Spiros në kronikat e kolonisë sonë.

Nuk mund të mos tregohej se veç hanit të Moles, bazë e lëvizjes kombëtare në Sofje do të jetë dhe kafeneja “Albania” e Adham Shkabës dhe Spiro Garos, që gjendej në rrugën “Maria Luiza”. Ja, në këtë rrugë që kemi përpara, ishte një ndërtesë modeste që sot s’është më. Atje mblidheshin patriotët kurbetçinj pasi linin punën. Takoheshin me njëri-tjetrin, bisedonin dhe duke kthyer ndonjë gotë nxirrnin mallin e mëmëdheut. Të zotët e lokalit ishin ata që u tregonin për të rejat e ditës, u flisnin për situatën në Shqipëri dhe gjendjen e punëve, u bënin propagandë kombëtare.

Prapë këndej përqark në këtë zonë të Sofjes, gjendeshin dhe të tjera vende, ku piqeshin shqiptarët këtu. E sheh xhaminë, ja, përballë ishte restoranti “Cargrad” i Eftim Seranit, një rrugë më tutje, në rrugën “Eskarjasi” vinte hotel “Petërburgu” i Marko Kostandinit nga Grabova.

Kështu, siç e sheh, shqiponja jonë këtu në Sofje i hapi krahët mu në qendër të saj, fare pa u ndier e pa i shqetësuar vendasit mikpritës. Madje, opinioni demokratik bullgar, personalitete të kohës, do t’i përkrahnin drejtuesit e kolonisë dhe këta do të mbështeteshin tek ata. Këtu qëndron dhe një arsyet se përse Sofja u bë pastaj një nga vatrat e fuqishme të lëvizjes sonë kombëtare. Vërtetë hyri pak me vomesh në lëvizje dhe qe pa pretendime, por shpejt kolonia jonë fitoi peshë dhe luajti rol të dorës së parë. Pas tre vjetësh që u krijua “Dëshira” erdhi këtu Kristo Luarasi nga Rumania dhe ngriti shtypshkronjën. Pak më vonë arriti Shahin Kolonja,që nisi të nxjerrë “Dritën” e famshme. Kështu, punët vajtën mbroth. Po më mirë lëvizim, vemi i shikojmë ca gjëra në vend.

3

Ngrihemi pa humbur kohë, përshkojmë parkun, ku sapo kanë nisur të bien gjethet e para të vjeshtës, dhe duke ecur në një nga degëzimet e rrugës kryesore dalim në një kënd të vjetër të Sofjes. Duket kjo menjëherë jo vetëm nga qetësia që zotëron këndej, po dhe nga plloçat  e përhimta me të cilat është shtruar udha, nga arkitektura e shtëpive, nga ballimet  dritaret e tyre, nga oborret e portat. Vitet e largëta kanë lënë gjurmët e veta këtu.

– Kjo është rruga “Car Simeon”, – më tregon Thomai, – e famshme njëherë e një kohë. Dikur ishte nga rrugët moderne të Sofjes. Tani, siç e sheh, i takon më shumë historisë.

Eci nëpër këtë rrugë të qetë me plloça dhe dëgjoj hapat e mia. Këndej pari, afro njëqind vjet të shkuara, historia dhe kultura jonë e Rilindjes shkruan një nga faqet e tyre. Mendoj këtë dhe më vijnë sa e sa pyetje, dëshira, hamendje. Miku im më kupton se ç’dua e ç’kërkoj.

– Kristo Luarasi, – vazhdon ai tregimin për Sofjen shqiptare, – në fillim, kur erdhi në kryeqytetin e Bullgarisë, banoi në rrugën “Laveli”. Pastaj u ngrit prej andej dhe u vendos në këtë rrugë, ku gjendemi tani. Atë e pati sjellë nga Bikureshti Kostë Trebicka. Drejtuesit e “Dëshirës” ishin gjithnjë në kërkim të mundësive për të kryer punë sa më serioze dhe këto nuk arriheshin pa shtyp e pa propagandë. Kristoja erdhi me qejf, sepse këtu gjeti fushë të lirë veprimi dhe njerëz të gatshëm për ta ndihmuar. Edhe ai kishte qenë nxënës i shkollës së Naços e ç’është më e rëndësishme kishte mësuar dhe zanatin e tipografit dhe me këtë donte t’i shërbente kauzës kombëtare. Shtypshkronja e vogël që ngriti në Sofje, në fillim kishte vetëm një pedalin dhe ca arka me shkronja të dredhura sipas alfabetit të Stambollit. Po edhe mjetet e varfra bëjnë çudi, kur njeriu vë përpara një qëllim të madh. Kështu veproi dhe Kristoja. Menjëherë ia nisi nga puna, duke botuar librin e parë”Ditërrëfenjësi”, kalendar i vitit 1897, që kishte përgatitur shoqëria “Dëshira”, nën kujdesin e Kostë Trebickës. S’di ku qe vendosur atëherë kjo pedalin, po libri shënon rrugën “Vitosha”. Ishte fillimi i mbarë i “Mbothësisë”, me të cilin nis historia e së parës shtëpi botuese shqiptare. Pra, vepra e vërtetë atdhetare e Kristo Luarasit e ka djepin  këtu, në këtë rrugë tek gjendemi. Ja, shikojeni tani shtëpinë e tij, arritëm.

Ngre kokën. Thomani ia bën me dorë nga krahu i majtë i rrugës. Qëndrojmë dhe shoh një shtëpi të lartë, me tri kate në stilin e Rilindjes evropiane, me ballkone anësore dhe me një shqiponjë në ballin e katit të fundit. Ndërtesa, ndonëse e vjetër, është e mbajtur dhe dallon nga shtëpitë e tjera përqark, një pjesë e të cilave janë ngrehina karakteristike. E tillë është shtëpia përkarshi shtëpisë së Luarasëve, që në të hyrë të oborrit te porta mban një pllakë, në të cilën shkruhet se aty, në vitet 1903-1909, ka qenë selia e Komitetit Qendror të Partisë Socialiste Bullgare.

Shtëpia e Luarasëve të bën përshtypje për pamjen e hijshme dhe përmasat jo të zakonshme të kohës kur u ndërtua, po edhe më shumë të tërheq kur mendon se ç’punë me vlerë të madhe u krye nën atë strehë për të mirën e kulturës shqiptare. Mjafton të kujtosh se në shtypshkronjën e vendosur në katin e parë panë dritën e botimit mbi njëqind e pesëdhjetë libra, vepra të letërsisë së Rilindjes, tekste shkollore, libra diturake, vepra të letërsisë botërore deri dhe kartolina me pamje nga Shqipëria me portrete atdhetarësh. Këtu u botuan gazetat e njohura “Drita”, pastaj “Liria” e “Zëri i Shqipërisë, po dhe organe të kolonive të tjera shqiptare si “Shkopi” i atdhetarëve të Misirit, kalendari “Dija” i Vjenës etj. Vetëm në vitin 1910 “Mbrothësia” botoi me ndihmën e rretheve patriotike për nevojat e shkollave shqipe të Kosovës mbi 10.000 abetare dhe i shpërndau falas.

– Te Kristo Luarasi në këto vite pune e detyrash të ngutshme, – vazhdon të më tregojë Thomai, – Rilindja jonë do të gjente një burrë ku atdhedashuria qe bashkuar me mençurinë dhe shpirti i iniciativës me prakticitetin e një punëtori të palodhur. Pa të “Dëshira” vështirë të arrinte ato përparime që arriti. Brenda një kohe të shkurtër, “Mbrothësia” u bë, pa dyshim, qendra kryesore e botimeve shqiptare nq fund të Rilindjes. Ia kaloi dhe Bukureshtit, pa le Misirit. Mendo që të gjitha shkollat shqipe të Shqipërisë e të kolonive punonin me librat që dilnin, ja këtu. Vepra problem e Rilindjes “Shqipëria… “ e Samiut u shtyp nga “Mbrothësia jo vetëm në shqip, po dhe në turqisht e greqisht.. prej saj u ribotuan dhe kryeveprat e Naimit. Çdo vit ajo, do t’u jepte lexuesve shqiptarë “Kalendarin Kombiar”, që nuk do të ishte vetëm kalendar, por dhe një antologji e kulturës sonë, për të cilin ka meritë të madhe dhe Lumo Skëndo.

Kemi qëndruar në trotuar, nën shtëpinë e Luarasëve. Ajo tani është shtëpi banimi dhe brenda ka pësuar ndryshime. Nuk është e lehtë të hyjmë brenda dhe ta vizitojmë. S’duam t’i shqetësojmë të zotët e rinj të shtëpisë. Baresim para saj dhe unë dëgjoj Thanasin të flasë.

– Besoj e di që Kristoja u ngarkua me detyrë nga kryesia e shoqërisë “Dëshira” dhe shkoi në në Stamboll, ku u takua me Naimin. Poeti i dha këshilla të vyera, si për botimin e librave, ashtu dhe të përhapjes së tyre. Tek ai, Kristoja njohu dhe Shahin Kolonjën me të cilin ranë dakord që të vinte në Sofje, për të botuar një gazetë shqipe.

Dhe vërtetë, Shahini erdhi pastaj në Sofje dhe nisi botimin e “Dritës”. Bile thonë dhe një histori për kohën kur erdhi Shahini këtu. Tregojnë se ai në fillim banoi në shtëpinë e një shqiptari ortodoks dhe ra në dashuri me të bijën e tij. I ati, kur e mori vesh, u zemërua keq dhe nuk u pajtua kurrsesi me këtë gjë. “S’ia jap, jo”, tha dhe nuk ia dha. Shahini më vonë mori të bijën e Naimit dhe u bë dhëndër i Frashërllinjve, po këtë ngjarje do ta dëgjosh dhe sot nga pleqtë nëpër koloninë tonë. Po kjo s’ka shumë rëndësi. Rëndësi të madhe ka që Shahini me Kriston, njëri me “Dritën” e tjetri me “Mbrothësinë”, u bënë shtyllat kryesore të kolonisë në Sofje dhe kryen punë me dobi të madhe kombëtare.

Zbresim nga trotuari dhe dalim në anën tjetër. Në mes kalon rruga me plloça.

– E shiko këtë rugë? – më pyet Thomai. Nëpër të kanë shkelur Bajua dhe Çerçizi me trimin Senun Mashkullora. Këndej ka kaluar sa herë Mihal Gramenoja.

Bile duan të thonë se Mihali, kur ishte këtu, shkonte shpesh te varri i heroit Vasil Levski dhe atje shkroi dhe dramën e vitit 1906-1907. Më pas erdhi në Sofje dhe u sistemua për një kohë edhe Themistokli Gërmenji me shokë. Diku këndej rrotull, në mos gabohem te ai lokali atje përtej, ishte restoranti “Avlona”, ku hante Themistokliu me “Komitetin e fshehtë”. Tërë këta burra shqiptarë, kur erdhën këtu, gjetën mbështetjen e “Dëshirës”, por nga ana tjetër iu bënë krah kolonisë sonë. Bashkësia jonë u forcua dhe s’e kishte më druajtjen e parë, qëndronte serbes, në një radhë me shoqet e tjera.

Ecim ngadalë dhe kthehemi përsëri në qendër. Biseda jonë, ndonëse ndërpritet herë pas here nga trafiku dhe zhurma, vazhdon. Çdo gjë përqark flet për një kohë tjetër. Në këtë rast, s’mund të të mos të pllakosin mendimet. Pa dashur të kap dhe një farë trishtimi.

– E sheh atë karabinanë që po ngrihet atje? – më pyet Thomai si dalim matanë bulevardit. – Në atë vend ka qenë kisha e Sofjes, Sveti Spassi (Shën Spasi), ku ka meshuar shqip Fan Noli, në nëntor të vitit 1911. Aso kohe kjo ka qenë një ngjarje e shënuar që e mbajnë mend dhe sot. Loni Grabocka, që ka shkruar historinë e shoqërisë “Dëshira”, tregon se Noli qe ftuar nga kolonia jonë dhe kisha bullgare e lejoi ta zhvillonte liturgjinë në gjuhën amtare. Ai erdhi dhe meshoi në prani të shqiptarëve ortodoksë dhe myslimanë, si dhe të ftuarve, meshoi dhe për të dytën herë, aq sukses pati. Në meshën e dytë asistuan dhe klerikë të lartë bullgarë. Ishte ky një akt politik që ngjalli dhe forcoi frymën patriotike, propagandoi çështjen tonë në qarqet e huaja dhe i dha një shuplakë shovinizmit grek. Noli mbajti dhe dy konferenca me temë “Kisha shqiptare!” në sallën e hotelit të Eftim Seranit, ku tregoi me një gojëtari të rrallë se kisha jonë s’kishte për qëllim të zhdukte besimet e tjera, por të luftonte për bashkimin kombëtar dhe për krijimin e një shteti të pavarur shqiptar.

Noli ishte vendosur në hotelin “Lege Palas”, po shqiptarët nuk e lanë aty. Secili donte si e si ta merrte mysafir në shtëpinë e tij. U shtruan sa e sa darka e ziafete për nder të priftit të parë kombëtar. Noli, thonë, megjithëse i ri, la përshtypje të thella. Mbajti fjalime, dha këshilla patriotike. Një natë i shtroi darkë Adhami në kafenenë e tij. E mbylli derën, mbylli dhe penxheret që ta gëzonin rastin shqiptarisht, pa asnjë të huaj. Noli, atë natë, pyeti të birin e Adhamit “Si e ke emrin?” “Skënder”, u përgjigj ai. “Vete në shkollë” Përgjigjet axhami: “Jo. Unë të tëra për djalin i kam. Ç’i duhet shkolla!” “Jo, – ia ktheu Noli, – ne djemtë duhet t’i çojmë nëpër shkolla se nesër, kur të bëhet Shqipëria, na lipsen njerëz të ditur.” Adhami uli kokën dhe vitin që erdhi, tok me të tjerë, e dërgoi djalin të mësojë.

Noli vizitoi dhe “Mbrothësinë” dhe i ndritën sytë nga hareja kur pa tek shtypeshin librat shqip.

– Këta janë xhevahire, – i tha Noli Kristos, – xhevahire që përhapin dëshirat e popullit shqiptar.

Ka mbetur dhe një fotografi e bukur nga ato ditë të paharruara, kur ishte Noli në Sofje. Është Noli në mes të drejtuesve të “Dëshirës”, të Moles, Kristos, Salih Hoxhës e të tjerëve. Besoj se e ke parë dhe atë fotografinë tjetër që ka dalë Noli civil, këtu tok me nënë, motrën Sulltanën dhe një shqiptarkë nga Sofja. E kam gjetur ku është bërë kjo pozë: në studion “Foto Sofja” të fotografit J.A. Karastojanov.

Thomani më ftoi të uleshim e të pushonim në tryezat e trotuarit të një ëmbëltoreje tipike bullgare. Binte në një kryqëzim të rrugëve, ku përpara kalonte lumi i njerëzve e i makinave, por ne ishim aq të tërhequr në bisedën tonë sa kjo nuk na shqetësonte.

– Më ka mbetur në mendje, – thotë Thomai duke më parë me sytë e tij aq të kaltër, që qeshnin vetiu, – ajo që rrëfeu Noli për takimin e fundit me prindërit dhe motrën këtu në Sofje. Nga që më ka pëlqyer shumë e kam kthyer n tregim dhe e kam botuar.

– Kam pasur rastin, – i them, – të takoj të nipin e Nolit, djalin e motrës, që pat ardhur këtu me prindërit. Ai më ka treguar se çfarë i kishte thënë e ëma për këtë udhëtim. Noli u kishte çuar fjalë me kohë nga Amerika prindërve se do të vinte në Evropë për të meshuar shqip dhe nuk kishte vonuar e kishte ardhur, më parë në Rusi e Rumani e pastaj ishte hedhur në Bullgari. Ai kishte arritur para tyre. Siç më thosh i nipi, prindit e kishin marrë Sulltanën me vete me pëlqimin e Nolit, jo aq se ishte më e vogla e motrave, po sepse vuante nga fyti. Për këtë sëmundje, ata erdhën të shqetësuar nga që kishin dëgjuar se e bija mund të mos bënte fëmijë. I trembeshin, pra, të ardhmes së vajzës. Takimi në Sofje kishte qenë tepër i mallëngjyer, pasi kishin më se dhjetë vjet pa u parë. Veç kësaj, ata panë se sa lart ishte ngjitur i biri, po në qoftë se nënë Maria s’e përmbante dot gëzimin, i ati, Stiliani, ia kishte shtruar me raki.

– Dhemsuria e nënës për Nolin është shumë prekëse, – thotë Thomai i menduar dhe sytë i marrin një shkëlqim vetëtitës.

– Të gjithë e thonë dhe i nipi ma ka thënë, – shtova unë, – se Noli kishte dobësi të madhe  për nënën. Në shumë anë i ngjante asaj.

Qëndrojmë një kohë pa folur. Të dy jemi pushtuar nga kujtimet e Nolit në Sofje. Kudo ku ai ka shkuar ka lënë gjurmë të pashlyeshme.

4

Kolonia e Sofjes tani, mendoj ndërkaq, nuk është më ajo e para. Jo vetëm se me kalimin e kohës kanë nderuar krejt rrethanat dhe ajo ka ardhur duke u zvogëluar e trazuar, por praktikisht me ikjen e pleqve, themelet e kësaj bashkësie sa vjen roniten e dobësohen.

– Burrat e parë të kolonisë sonë, brezi i Moles e i Bagerit, – merr të tregojë rishtas Thanasi, – në kohën tonë janë kthyer në histori. Po dhe fëmijët e tyre, që tani janë pleq, edhe ata po ikin një nga një. Vetëm prej këtyre mund të dëgjosh diçka të drejtpërdrejtë nga zulma e dikurshme. Nga xha Filipi, bie fjala, Filip Treni, kemi mbledhur plot kujtime, po dhe nga të moshuar të tjerë, nga Raisa Llazari, nga Jordanka Grabova, e bija e Llazar Grabovës, njërit prej kryetarëve të mëvonshëm të “Dëshirës”. Po ajo që mund të ishte me interes e me vlerë sot është fakti se rron një nga djemtë e Josif Bagerit, Aleksandri.

Mend nuk e besova në fillim, kur e dëgjova. Ishte vërtet për t’u habitur. Më dukej aq e largët koha e Josif Bagerit, sa nuk bëja dot asnjë lidhje me të sotmen. Duhej medoemos ta takonim, po të kishte mundësi.

– Është shumë plak, – më shpjegon Thomai duke u ngritur, – shkojmë, posi. Mendjen e ka qiqër.

Shtëpia e të birit të Josif Bagerit sihte në një nga lagjet e afërta dhe me një taksi arritëm shpejt. Doli dhe na e hapi derën vet, sidomos kur pa Thomanë i ndriti fytyra dhe u rrok në qafë me të.

– Mirëseerdhët, mirëseerdhët, – përsëriste duke prirë për në dhomën e pritjes.

Gëzimi i plakut u përtëri kur mori vesh që unë kisha ardhur nga Shqipëria dhe vija në shtëpi të Bagerëve për të nderuar kujtimin e të atit.

– Faleminderit, – tha me zë të dridhur i zoti i shtëpisë. – Më bëhet shumë qejfi që atje në Shqipëri nuk e kini harruar tim atë. Flisni e shkruani për të. E përmendni dhe në histori, kini shtypur dhe një biografi, faleminderit! Nderoni një punëtor të Rilindjes, se im atë punëtor ishte, punëtor mbeti deri sa vdiq.

S’kishte përcaktim më të saktë se kjo që bënte i biri, mendova, jë punëtor i vërtetë i Lëvizjes sonë Kombëtare. Një njeri i thjeshtë, i dalë nga vegjëlia, që nuk arriti të kryejë asnjë shkollë, po që e kaloi fëmijërinë e djalërinë si bari nëpër bjeshkët e Dibrës. Një njeri që u rropat tërë jetën për bukën e gojës, si këpucar e punëtor tramvaji, po duke qenë mbi të gjitha luftëtar i paepur për lirinë e atdheut. Idealet e luftës, nevojat dhe fryma e saj, do ta bënin Bagerin vjershëtor e gazetar, duke lënë si dëshmi për këtë librin me vjersha “Kopshti i malësorit” dhe koleksionin e gazetës “Shqypja e Shqypnisë” (1909-1911). Ndoshta, pak kush si ai, ka qenë njeri i aksionit. Ai do të përfaqësonte koloninë shqiptare të Sofjes, kudo tek thërriste interesi i Shqipërisë, do të merrte pjesë në kryengritje, në aksione të fshehta, në mbledhje historike, në takime me udhëheqës të lëvizjes kombëtare. Me këta të fundit, ai do të ishte në lidhje të vazhdueshme, nga Naimi e Samiu, Sh. Kolonja e L. Gurakuqi, vëllezërit Topulli e Th. Gërmenji, N. Ivanaj e J. Erebara e deri tek drejtuesit e kolonive. Bateri do të ishte ndërlidhësi i “Dëshirës” me të gjitha vatrat patriotike shqiptare e mbi të gjitha me Shqipërinë. Zor se mund të gjendet një i dytë nga brezi i tij që të lëvizte aq shumë, i ngarkuar me detyra të posaçme, duke shkuar sa në viset shqiptare, nëpër kolonitë, në Serbi e Turqi e deri në Rusi. Me shpalljen e Pavarësisë, ai do të vinte në Shqipëri dhe megjithëse me shëndet të rrënuar, po me vullnet të pathyer, do të vazhdonte luftën në shërbim të atdheut. Menjëherë sapo arrin, merr drejtimin e gazetës “Ushtima e Krujës” dhe bëhet interpret i forcave e mendimit patriotik e përparimtar kundër reaksionit dhe Esat Pashës, që donin t’i bënin varrin Shqipërisë. Një qëndrim burrëror, që asgjë s’e largon nga rruga atdhetare. Por vjen një ditë që shëndeti i rëndohet keqani dhe ai, i këshilluar nga miqtë, merr të kthehet pranë familjes. Mirëpo në rrugë e sipër mbetet në Prishtinë dhe vdes aty në moshën 44 vjeçare.

– Babai, – thotë i biri pasi kujtojmë jetën e tij plot vuajtje, por dhe plot trimëri, – nuk e kuptonte jetën pa Shqipërinë. Prandaj sa qe gjallë nuk rreshti së punuari për të dhe u shkri i tëri deri sa u fik në rrugë e sipër. Ata që e njohën, tregojnë se në kishte gjë që s’duronte ishte robëria, padrejtësia. Këtë e thonë edhe vjershat, dhe artikujt, dhe letrat ku gjenden amanetet e mendjes e të zemrës së tij. Pleqtë, – vazhdon Aleksandri, – që jetonin 30-40 vjet përpara rrëfenin gjithë ato histori për të. Por, megjithatë, askush nuk e di të plotë sa ka bërë ai për Shqipërinë. Jo vetëm se kohët atëherë ishin shumë të këqija, por babai, ngaqë ia donte puna, ishte shumë i fshehtë, s’thoshte se ç’bënte. E bënte për shpirtin e shenjtë të mëmëdheut, se dhe jetën e çdo gjë ia kishte taksur Shqipërisë. Punët e tij lypnin kohë, mundime, vuajtje dhe ai nuk zmbrapsej para tyre. Sofja atëherë ishte vendi ku kryqëzoheshin rrugët e mëmëdhetarëve dhe babai i priste e i përcillte. Postën që vinte nga Cargradi, Stambolli, e merrte babai për ta çuar në Bukuresht dhe gjetkë. Ai nuk njihte asnjë besim, ishte shqiptar dhe kjo i mjaftonte. Filip Treni më ka thënë se “Josifi ishte ujë i ftohtë i kulluar i malit”.

– Bageri, – thotë Thomai, – nuk ishte vetëm patriot i atdheut të tij, po dhe luftëtar kundër padrejtësive shoqërore. Mendimet këtu për të bashkohen në një pikë që ai ishte dhe socialist, si të thuash. Ndoshta jo i organizuar, por po të lexosh shkrimet del se ai kishte ide të majta. Të gjithë e dinë se ai shoqërohej me socialistë bullgarë e maqedonas.

– Mbase për këtë e ka ndihmuar dhe një rrethanë, – hidhet plaku. – pranë shtëpisë sonë jetonte njëherë e një kohë familja e Dimitrovit dhe, siç tregonte nëna, të dy familjet tona kishin miqësi. Babai shkonte shpesh te Dimitrovi. Nëna vetë ka qenë shoqe me teto Parashkjevën, të ëmën e Gjergji të madh, kurse babai me të atin kishte miqësi. Në shtëpi të tyre muhabeti i parë e i fundit ishte lufta për liri dhe drejtësi. Sepse për tim atë nuk kishte gjë më të shtrenjtë se sa liria dhe drejtësia, prandaj i donte dhe i nderonte pa masë Dimitrovët. Kjo është, ma merr mendja, një nga arsyet që u afrua dhe me idetë revolucionare të kohës. Babai ishte natyrë që nuk e duronte padrejtësinë dhe mbaj mend, po më shumë nga sa më kanë treguar, se në vitin 1912, kur punonte punëtor tramvaji dhe u bë grevë e disa punëtorë i burgosën, ai shkoi drejt e te Ministri i Brendshëm dhe protestoi. Ky rast dhe të tjera raste e bënë atë të njihet në njëfarë mënyre me rrethet punëtore të Sofjes. Më ka thënë një herë Jordanka Grabova se “disa herë ka dëgjuar të flasë për baabnë Dhimitër Poljanovin. Poljanovi, besoj e dini, ka qenë poet me nam, poet i punëtorëve bullgarë. E paskësh njohur babanë s’di se si. Fjalë për fjalë ka thënë për të: “Shqiptar i madh dhe njeri i së ardhmes”.

Plaku, të cilit i dridhen duart, ngrihet pastaj dhe më tregon një album me fotografi të familjes: Josifi me të shoqen Vasilikën, të jatin Jovanin dhe dy fëmijët. Në një tjetër ka dalë vetëm, me kokore të leshtë, me pamje si revolucionarët e fillimit të shekullit.

Na vë përpara dhe disa numra të gazetës “Shqypja e Shqypnisë”, mbi titullin e së cilës qëndron një shqiponjë me krahë të hapur dhe poshtë saj fjalët: “Organ për politikë dhe dituri”. Si shikojmë gazetën, na nxjerr një tufë letrash të të jatit dërguar rilindësve të njohur si: Asdrenit, Gurakuqit, Vruhos, Ivanajt e të tjerëve. Në fund na tregon dhe librin “Kopsht malësori”, botuar në Sofje më 1910, me shënimin: Vëllim me poezi e mësime të shqiptarëve.

– Ka një vjershë nga më të bukurat këtu, – thotë Thomai duke e shfletuar librin. – Është ajo “Para fytyrës së Naim Frashërit”, ku, ndonëse i tronditur thellë nga vdekja e poetit, thërret me besim: “ty gjithnjë këngë do të këndojmë”.

– Naimin e ka dashur fort e fort, – nis të tregojë rishtas i biri. – Thonë se babai, sapo mori vesh se Naimi ishte shumë i sëmurë, u ngrit  vajti në Stamboll. Ka qenë dimri i fundit i shekullit të kaluar, viti 1899, kur shkoi dhe e poqi poetin tok me një shok prej këndej. E rrëfente vetë pastaj se si kishin trokitur në derë e si u kishte dalë një vajzë, dhe pasi kishin pritur pak, i kishin futur në odën ku lëngonte poeti. Këtë vizitë babai nuk do ta harronte sa qe gjallë. Naimi jo vetëm i kishte pritur me dashamirësi të madhe, po i kishte pyetur shtruar se ç’bënin shqiptarët e Sofjes dhe ç’bënte ai vetë. Kur babai i kishte treguar për kalendarët që qenë botuar, si dhe për vjershat e tij, ai i kishte dhënë plot këshilla për gjuhën. I kishte thënë se duhej ta shkruanin sa më pastër dhe me alfabetin e Stambollit. Me zërin e tij të dobët, poeti i kishte folur pastaj për nevojën e ngutshme të bashkimit të shqiptarëve dhe për vlerën e madhe të librave shqip. Babai aq shumë ishte prekur, sa në çast kishte nxjerrë nga xhepi “Lulet e verës” dhe kishte recituar me zë të lartë vjershën  “Gjuha jonë”. Naimi qe mallëngjyer fort nga kjo gjë dhe pastaj e kishte këshilluar që të mos pushonte së shkruari vjersha, se ato ishin një punë  vyer për të mirën e mëmëdheut. Atëherë babai u prek dhe më fort dhe mori zemër, aq sa, për çdo punë që do të bënte më pas, do të kishte parasysh këshillat, siç thotë vetë, “të shpirtndriturit Naim”. Naimin, babai do ta ndjente të afërt jo vetëm shpirtërisht, po dhe fizikisht, sepse të dy vuanin nga tuberkulozi. Edhe atij do t’i merrte shpirti kjo sëmundje, do t’i zinte frymën dalëngadalë derisa e shojti fare…

Biseda jonë mund të zgjatej akoma, po kohën e kishim të shtrënguar dhe u ngritëm. Plakut i erdhi shumë keq, donte të na mbante për drekë dhe zbriti deri në rrugë të na përcillte.

– Paçi gjithnjë nder! Më ngjallët sot babanë, sepse kur njeriu kujtohet dhe pas afro njëqind vjetësh, ai nuk ka vdekur.

U ndamë gjithë përzemërsi. Tani nuk dija se ku do të shkonim. Këtë e dinte Thomai dhe unë përjetoja padashur ndjenjën e një pritjeje të këndshme dhe befasuese.

I hipëm tramvajit dhe zbritëm në qendër të Sofjes, para Pallatit të madh të kulturës. Kësaj here e shoh se Thomai është emocionuar. Sytë e kaltër i ndrisin nga gazi i papërmbajtur dhe zëri i ka marrë një tingëllim edh më të butë.

– Në ditët tona, – vazhdoi ai, – kolonia jonë, sado e vogël, mban lidhje me atdheun, ruan dhe mburret me traditat e saj. Ajo ka një histori të bukur, ë është padyshim pjesë e historisë sonë kombëtare. Për këtë ne krenohemi dhe kjo na bashkon këtu në dhe të huaj. Dhe sa herë që mblidhemi në raste festash e këndojmë, kënga e parë është “Që me një të kollozhekut”, që flet për krijimin e shoqërisë “Dëshira” këtu në Sofje. Ja ç’është kënga, të sjell historinë kudo që ndodhesh dhe të ndez zemrën!

E kishim vështirë atë ditë të ndaheshim. Të shkëputeshim nga historia e kolonisë, nga gjurmët e saj, nga “Dëshira dhe burrat e saj të përmendur, që kishin jetuar e punuar në këtë qytet mikpritës. Gjurmët e “Dëshirës ishin në “Toplje bunar”, në rrugën “Car Simeon” në Pavllovo, nëpër monopatet e Vitoshës. Ato mund t’i gjeje dhe gjetkë në hapësirat sofjane, mjafton të kërkoje e të hulumtoje. Mendoja këto, po ndërkaq thosha me vete se miku im i vjetër Thomai, i vetmi shkrimtar i kolonisë, e ka pothuaj gati lëndën për një roman historik. “Dëshira” e kërkon dhe e meriton pasqyrën e saj artistike.

 

April 22, 2018 12:24
Komento

4 Komente

  1. Timi April 22, 17:44

    Te lumte mendja dhe penda, i nderuar Profesor Jorgaqi!
    Me fal, por duke shijuar cfare shkruani aq bukur dhe modestisht, padashje hoqa nje paralele me cfare shkruan dy here ne dite ne kete gazete egocentristi Moikom Zeqo.
    Sa mijra “une” dhe “mua” do kishte pergjate ketij shkrimi sikur fatkeqesisht t’a kish shkruar Ai. Aq sa t’a bente te palexueshem!!!
    Sinqerisht te falemnderit,
    Timi

    Reply to this comment
  2. Rrespekt i Nderuari N.Jorgaqi April 22, 19:00

    Jane shkrime qe ngrohin zemrat e shqiptarit ,duke i shkeputur sadopak nga bombardimet qe i ben media politike e epokes absurditetit .

    Reply to this comment
  3. demo April 22, 23:51

    Thjeshtesia eshte cilesi.Sa fat i madh eshte te kesh takuar te birin e Josif Bagerit,jo vetem pse ishte nje punetor i palodhur i ceshtjes kombetare,po pse ishte perfaqesues unik i nje popullsie te krishtere ne Diber te Madhe.qe sot fatkeqesisht eshte shuar,ka nderruar identitetin dhe jane bere Maqedonas.Shume pak e dijne se babai i Kostandin Kristoforidhit,Anastas Nelko,vinte nga shqiptaret e Rekes se Dibres se Madhe.Mbiemri i tij Nelko nuk egziston ne Elbasan dhe u shua me djalin e Kostandinit,Filipin qe jetoi ne Angli.Edhe Migjeni vjen nga shqiptaret e Rekes.Edhe i ati i Milloshit,Gjergj Nikolla vjen nga shqiptaret ortodokse te Rekes.Po nuk eshte gjynah qe nje popullsi qe ka nxjerre tre yjet me cilesore te kultures shqiptare,te zhduket sikur s`qe keto 50 vjet???????

    Reply to this comment
  4. Albani April 24, 10:09

    E kam takuar dhe unë Zotrinë e nderuar Thoma Kaçorrin në Sofie,një burrë i mençur I thinjur nga vitet dhe gjithmonë i veshur elegatn që të bënte të ndjehesh krenar që je Shqiptarë.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*