Sokrati, peshk elektrik

May 1, 2018 08:29

Sokrati, peshk elektrik

Nga Moikom Zeqo

Kam lexuar  disa libra të filozofit amerikan James Hillman (foto).

Ky filozof është përfaqësuesi më në zë i psikanalizës dhe i filozofisë bashkëkohore. Ai përdor si moto këtë frazë: “Ti, o Sokrat, i ngjan atij peshkut elektrik të detit, kur fillon të flasësh, ne ndjejmë dridhje në trup”.

Hillman nuk ka profesion, por është mendimtar i mirëfilltë. Ai është quajtur njëri prej shëruesve shpirtërorë më të vërtetë dhe më të thellë të epokës sonë. Të tjerë e kanë quajtur një perëndimor skeptik, thjesht një ikonoklast.

Hillman e hedh poshtë tezën e një materializimi të psikikës. Ai i rikthehet miteve të lashta, është i bindur se mekanizmi mitologjizues vepron fuqishëm. Sipas Hillmanit duart tona nuk na lidhin më drejtpërdrejt me botën materiale, ne shtypim taste me gishta, nuk e përdorim krejt trupin tonë kur punojmë, as kur bëhet fjalë për një punë mekanike.

Për më tepër puna është gishtëruar – është bërë punë gishtore. Në Amerikë, edhe kur nisim një makinë, ndërrimi i marsheve në të shumtën e herëve është automatik. Në këtë mënyrë po largohemi përherë e më tepër prej materies, prej substancës.

Familja, raporti me trupin, lidhjen e gjakut, raportet dhe detyrimet e ndryshme shoqërore janë copëzuar. Tashmë janë krijuar lloje të ndryshme lidhjesh virtuale me emrin “net working”. Por këto rrjete na lidhin veçse me qenie pa trup. Kjo është dhe arsyeja pse shkojmë për pushime në vendet e egra me natyrë të virgjër, sepse kemi nevojë të rigjejmë trupin tonë.

Fëmijët ndërmjet filmave vizatimorë njohin Tomin dhe Xherin, Batmanin, por nuk njohin Adamin dhe Evën, Aleksandrin e Madh, apo Khajamin, as Aristotelin dhe Napoleonin. Ekziston rreziku tek një injorancë e re, jo aq e lidhur me analfabetizmin, por e humbjes së pikave referuese serioze, që po i mëson masat me banalitetin duke ia dorëzuar kështu të gatshme demagogjisë dhe populizmit.

Përherë e më tepër po flitet për një kulturë të vdekjes të përforcuar në formën e katastrofës ekologjike, SIDA-s, virusit të Ebolës. Për më tepër figura e Antikrishtit sot është identifikuar me Terroristin. Terrorizmi tashmë është një Apokalips krejt i ndryshëm nga Apokalipsi biblik, por idetë e progresit nuk mund të shfajësohen prej ankthit terrorist. Duhet menduar për botën, sipas parabolës së Krishtit, duke veçuar Cezarin nga Zoti.

Sendet po e sundojnë jetën tonë, kurse sendi i sendeve, Paraja, ka shkretëtirëzuar shpirtrat. Dikur filozofi i vjetër grek Taleti ka thënë se të gjitha gjërat janë të mbushura me hyjni. Ne mund të shtojmë, apo të saktësojmë: të mbushura me shpirt.

Tendenca për një higjienë mendore, thjesht teknologjike na ka larguar nga nostalgjia dhe nga shpirtëzimi i sendeve. Shumë hyjni pagane sot kanë marrë një pamje tjetër. Hyu Mars, thotë Hillman, udhëheq operacionet ushtarake, pornografia përbën pushtetin e Afërditës. Hermesin mund ta gjejmë kudo: fluturon nëpër eter, udhëton, telefonon, kalon çdo kufi. Veçanërisht Hermesin e has në tregun monetar, meqenëse në botën kapitaliste të gjithë investojnë në bursë, të gjithë shkëmbejnë, shkojnë në bankë, tregtojnë, shesin, blejnë.

Natyrisht të mos harrojmë ekzistencën e World Wide Web – Rrjetin Botëror të Internetit. Kjo sëmundje hermesike, kjo mbidozë, ky monoteizëm i Hermesit është një tepri e tij. Pra, sot më shumë se kurrë është e nevojshme një terapi psikike.

Vetëm shpresa mund të na ringjallë, të na ribëjë, mbase dhe të na rishpikë. Është e nevojshme një Umwertung, rivlerësim i vlerave. Hillmani ka shpallur me pikëllim “rënien e perandorisë romake të Unit”. Hillman i përbuz mistikët, por beson tek kuptimi i vërtetë i botës. Zhvillimi i qytetërimeve nuk duhet të jetë një proces patologjik. Mendimi kërcënohet nga paranojat, idealizmi fuqidhënës dhe morali duket sikur kanë shterruar, ndjejmë të gjithë një meditatio mortis kur duhet të ndjenim një meditatio vitae.

Për Hillmanin lumturia njerëzore e kapërcen teknologjinë. Është interesante që një filozof amerikan kaq i njohur në botë si Hillman mendon kështu. Kjo do të thotë që shpresa asnjëherë nuk do të zhbëhet.

 

May 1, 2018 08:29
Komento

2 Komente

  1. gjermani i fundit May 1, 11:01

    kam lexuar “Shpirti i botes” te Xhejms Hillman, eshte vertet shume i drejteperdrejte. Studjues i thelle dhe ndjekes i filozofise se majte, perveç te tjerave Xhejms Hillman ka shpejguar bukur ndikimin negativ te rrjetit informatik ne jeten e njeriut, duke e pagezuar me togfjaleshin “Intoksikimi hermetik”. Hermesi, hyu i lajmit, mesazheri fluturon me ritme frenetike, sjell shifra ne burse qe lezivin miliarda, lajme te plota e te kota, e verteta dhe te rreme duke na bombsrduar papushim e duke na droguar dhe mbajtur perpara ekranit ne kompjuterit. Keshtu i largohemi jetes konkrete, prodhimit, shoqerise humane dhe botes shpirterore, edhe duke qene te ndergjegjshem se nuk eshte kjo rruga qe duhet te ndjekim. flm per kete prurje z. Moikom, ju uroj shendet te plote dhe suksese!

    Reply to this comment
  2. SN May 1, 11:19

    Falenderoj enciklopedistin Moikom Zeqo, i cila na ofron her♪7pashere informacione te tilla që janë me shume interes per të mësuar, sepse janë orientues, kane standarde te specifikuara ne fusha te ndryshme dhe vlejnë per ti studiuar. I tille besoje shume se eshte edhe mendimtari Hillman. Nuk dyshoj aspak. E kea jone si shoqeri shqiptare eshte se na e ka zene kohen politika e ndryshkur, e cila i ka trazuar shpirtrat e shqiptareve si mos me keq. falenderoj politologun Moikom Zeqo te na jap shpesh informacione nga ato qe mendon se u sherbejne njerezve, sepse do e gjejma sado pak kohe per te mesuar. Jetes njerezore i duhet fuqia intelektuale, i duhen filozofet, mendimtaret, shkencetaret, njerezit qe sakrifikojne shume nga vetja per ecurine e mbare te shoqerise shqiptare dhe me gjere.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*