Sondazhi evropian, shqiptarët optimistë por ….

August 2, 2016 20:05

Sondazhi evropian, shqiptarët optimistë por ….

Opinioni publik shqiptar, i monitoruar nga sondazhi i përvitshëm i Komisionit Evropian, Eurobarometër* ka shfaqur një sërë të dhënash interesante. Të dhëna, që evidentojnë gjykimin dhe vlerësimin e tij ndaj situatave ekonomike dhe politike të brendshme kombëtare, por edhe evropiane. Besimin, që ato kanë në institucionet kombëtare dhe evropiane si edhe pritshmërinë e tyre në lidhje me situatën ekonomike. Por, kush janë të dhënat që tërheqin më shumë vëmendjen, sidomos në krahasim me të dhënat, që shfaqin vendet kandidate të rajonit, por edhe të BE-28 ?

Ekonomia

Në një shumicë prej 66%, qytetarët shqiptarë të pyetur janë shprehur se, e gjykojnë të keqe situatën ekonomike në vend. Një rritje e lehtë nga viti i kaluar (64%). E tillë, vlerësohet edhe situata  personale në lidhje me punën, ku 47% e të pyeturve e vlerësojnë të keqe, dhe vetëm 45% si të mirë. Ndërsa vlerësimi mbi situatën financiare familjare është pozitiv, teksa 54% e tyre janë shprehur se, kjo situatë është e mirë.

Papunësia (37%) dhe ekonomia (32%) renditen gjithashtu si dy problemet kryesore më të cilët po përballet vendi aktualisht. Por, duhet theksuar se përqindjet njohin ulje në krahasim me vitin e kaluar, ku papunësia shikohej si një prej problemeve kryesore nga 55% e të pyeturve.

Ndërsa, rritja e çmimeve, e inflacionit dhe kostos së jetesës (30%) dhe shëndeti dhe siguria sociale (26%) renditen si dy problemet kryesore me të cilët të pyeturit, po përballeshin personalisht.

Në krahasim me vendet kandidate të rajonit, qytetarët serbë e kanë vlerësuar situatën ekonomike në vendin e tyre, si negative, në një shumicë absolute prej 80%. Qytetarët e Malit të Zi e kanë vlerësuar në nivelin 69% si negative, ndërsa qytetarët e Maqedonisë e kanë gjykuar si negative në një nivel prej 62%.

Por, kemi një element, që tërheq vëmendje në këtë kuadër, pritshmëria me nuanca shumë pozitive në lidhje me të ardhmen ekonomike kombëtare, që shprehin qytetarët shqiptarë. Kjo e krahasuar jo vetëm me vendet kandidate të rajonit, por edhe në krahasim me BE-28.

Të pyetur në lidhje me pritshmërinë për 12 muaj në vijim, mbi situatën ekonomike në vend, 38% e të pyeturve janë shprehur se, ajo do të jetë më e mirë. Një përqindje, që është më e larta në tabelën e vendeve të rajonit, por edhe tek renditja e BE-28, duke na e tejkaluar në këtë pritshmëri vetëm Irlanda me 42%. Ndërkohë në vende me ekonomi të fuqishme si Gjermania, qytetarët janë shprehur vetëm në 11% se ekonomia e tyre do të jetë më e mirë.

E njëjta tendencë, mbi pritshmërinë pozitive, apo optimiste vërehet edhe ndaj situatës së punësimit në vend, ku 37% e të pyeturve, janë shprehur se ajo do të jetë e mirë. Sërish edhe në këtë pikë, kryesojmë në renditje si ndaj vendeve të rajonit, por edhe ndaj BE-28, ku na e tejkalon sërish vetëm Irlanda me një pritshmëri pozitive prej 45%.

Edhe pritshmëria në lidhje me situatën profesionale, e vlerësuar se do të jetë më e mirë, është më e larta, jo vetëm në rajon (42%), por edhe më e larta nga të gjithë vendet e BE-28.

Sërish vërehet e njëjta tendencë, kur qytetarët shqiptarë vlerësojnë pritshmërinë në lidhje me situatën ekonomike në BE. 49% e tyre gjykojnë se do të jetë më e mirë, përqindja më e lartë në vlerësim nga të gjithë vendet e BE-28, sigurisht edhe nga vlerësimi i vendeve të rajonit.

Këto tone optimiste konstatohen edhe ndaj vlerësimit që i bëhet pyetjeve në lidhje me arritjen e pikut të krizës, apo se më e keqja ende nuk ka ardhur. Ndryshe nga të gjithë vendet e rajonit, qytetarët e pyetur shqiptarë janë shprehur në shumicë (69%) se piku i krizës tashmë ka kaluar.

Besimi ndaj institucioneve kombëtare

Besimi i qytetarëve shqiptarë ndaj parlamentit kombëtar, është relativisht i lartë (46%) i krahasuar me BE-28, ku 65% e qytetarëve të pyetur janë shprehur se tentojnë të mos i besojnë parlamenteve kombëtare. Edhe në krahasim me vendet kandidate të rajonit, qytetarët shqiptarë kryesojnë me besimin që kanë ndaj parlamentit të tyre, pasi qytetarët serbë janë shprehur në një nivel prej 60% se tentojnë të mos i besojnë parlamentit kombëtar, 49% është niveli i shprehur nga qytetarët malazezë dhe 64% për qytetarët maqedonas.

Besimi i qytetarëve shqiptarë ndaj qeverisë, është në një nivel prej 45%, pasi 46% e tyre tentojnë të mos i besojnë. Një besim që gjithsesi ngelet relativisht i lartë, krahasuar me vendet e rajonit, ku në Serbi 53% e qytetarëve, në Mal të Zi 50% dhe në Maqedoni 62% janë shprehur se tentojnë të mos i besojnë qeverisë. Ndërsa në total qytetarët e BE-28, shfaqin një nivel shumë të lartë mosbesimi (68%) ndaj qeverive kombëtare, si p.sh. rasti i qytetarëve gjermanë ku 55% e tyre janë në nuanca mosbesimi ndaj qeverisë.

Edhe ndaj vetë BE, qytetarët shqiptarë shfaqin besimin e tyre më të lartë (61%) në krahasim me të gjithë vendet e rajonit (Maqedonia 58%, Mali i Zi 54%, Serbia 36% ) duke kryesuar edhe vetë tabelën e BE-28.

Besimi ndaj policisë vlerësohet me 47% si i mirë, ndaj ushtrisë 53% pozitiv, si edhe ndaj administratës publike me 46%.

Por,e vetmja fushë ku mosbesimi i qytetarëve shqiptarë shfaqet shumë i lartë është Drejtësia, ku 60% e tyre janë shprehur se tentojnë të mos i besojnë. Një shifër më e larta ndër të gjithë vendet e rajonit, me një tejkalim të lehtë nga Maqedonia (64%).

Njohuritë mbi Evropën

Si në çdo hartim sondazhi, ku kemi pyetje të kombinuara mbi një fushë të caktuar dhe pyetje “kurth” më pas, që vërtetojnë nëse çka thuhet qëndron, vërehet se teksa qytetarët shqiptarë pyeten nëse e kuptojnë si funksion BE, ato përgjigjen në shumicë pozitivisht (56%) se e kuptojnë, dhe tek pyeten konkretisht, përgjigjet e tyre janë të gabuara.

Nga tre pyetje, qytetarët shqiptarë kanë dhënë përgjigje të saktë (60%) vetëm për numrin e vendeve anëtarëve në BE.

Por, janë përgjigjur në mënyrë të gabuar (50%) në lidhje me mënyrën se, si zgjidhen deputetët e Parlamentit Evropian dhe 20% e tyre janë shprehur se, nuk e dinë. Vetëm 30% e tyre kanë dhënë përgjigje të saktë se, eurodeputetët zgjidhen direkt nga qytetarët evropianë.

Të pasakta janë edhe pyetjet nëse Zvicra bën pjesë në BE, ku 41% e tyre janë shprehur se ajo bën pjesë në Union dhe 21% se nuk e dinë. Vetëm 38% e të pyeturve kanë dhënë përgjigje të saktë.

Mungesa e njohurive në lidhje me këto dy pyetje, e rendit Shqipërinë në tabelën e përgjithshme, si vendi i vetëm në rajon dhe në BE-28, që qytetarët e saj nuk e dinë që Zvicra nuk bën pjesë në BE.

Ky është viti i tretë, që opinioni publik shqiptar monitorohet në kuadër të politikave të BE. Në të katër sondazhet, vërehet tendenca për këndvështrime optimiste dhe pozitive, sidomos në lidhje me të ardhmen e afërt. Në mungesë të studimeve të mirëfillta mbi analizimin e këtij fenomeni, që e veçon qytetarin shqiptar si nga fqinjët, por edhe nga evropianët e tjerë, tek të cilët i gjejmë të përziera nuancat pesimiste me ato realiste, reflektimet shkojnë drejt rrymave filozofike të trajtimit të optimizmit ku konsiderimi i realitetit si më i miri i mundshmi, pavarësisht rrethanave, përplaset me një këndvështrim tjetër mbi optimizmin, si një mungesë e gjykimit kritik, mosnjohje faktesh dhe dozë naiviteti. Pa përjashtuar këtu edhe këndvështrimin e dozave të forta të optimizmit, si formë superiore e egos. Gjithsesi, është e mundur që në këtë gjykim të qytetarit shqiptar, me tone të veçanta optimizmi mbi të ardhmen, të gjejmë të reflektuar shprehjen e dëshirës për një të ardhme më të mirë, të ndërthurur me shmangien e një gjykimi kritik të realitetit dhe fakteve. Dëshirë, që mund të nxitet për arsye të një mekanizmi të fortë psikologjik mbrojtës, që bën të mundur rezistencën ndaj problematikave apo sfidave të ndryshme, që shfaqen në përballjen jetësore. Por, është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se pesimizmi që shkaktohet nga njohja e fakteve dhe e realitetit, nuk mund të pengojë optimizmin e nevojshëm si forcë shtytëse dhe motivuese në jetën e njeriut./im.ta/DITA

*Eurobarometri Standard 85, EB85, është zhvilluar në 34 vende të Evropës, në BE-28 si edhe në 5 vendet kandidate (Shqipëri, Serbi, Mali i Zi, Maqedoni dhe Turqi). Metodologjia e anketimit bazohet në intervista të drejtpërdrejta, ku janë pyetur 1041 qytetarë shqiptarë, përgjatë periudhës 21- 30 maj të këtij viti.

August 2, 2016 20:05