SONDAZHI / Më në fund, shqiptarëve u bëhet vonë

August 18, 2018 16:37

SONDAZHI / Më në fund, shqiptarëve u bëhet vonë

 

TIRANË- Një ndjesi mbizotëruese padurimi dhe ankthi e pushtoi Shqipërinë javën e kaluar, kur në masë dërrmuese qytetarët konstatuan se gjithçka – përfshirë urbanët, bisedat telefonike, ardhja e porosive në lokale, radha e pafund e makinave në dalje të Fierit, në Radhimë, Llogara, Dhërmi, rrugës për Ksamil, ngrohja e gjellës në mikrovalë – po vononte jashtëzakonisht shumë.

“Kjo është qesharake”, tha Shemsiu nga Durrësi që po priste trenin për në Tiranë, “treni zakonisht ka qenë preçiz, tani po vonon shumë. Nuk kam kohë të pres më, po iki”.

Ashtu si ai, shqiptarët në qytete dhe fshatra, në porte dhe aeroporte psherëtinin, shihnin orët e dorës dhe të murit, qostekët dhe celularët, ankoheshin dhe të gjithë ishin dakord se kështu nuk ecet përpara.

Në rastet ekstreme, të vonuarit u kërkonin shkaktarëve të vonesave të luanin sumën, por sipas vlerësimeve më të fundit, nëse gjithçka vijon të vonohet kështu, shqiptarëve nuk u mbetet veçse t’ja fusin ulërimës.

ryeministri Rama duke iu bere vone

ryeministri Rama duke iu bere vone

Sipas sondazhit të kompanisë “Gani Zogbi& bijtë”, popullsia që ka mbetur në Shqipëri është e ndarë në tre kampe lidhur me këtë acarim kombëtar:

Ata që mendojnë se gjërat po vonohen, ata që janë të bindur se këto dreq vonesash janë të gjata, dhe grupi i tretë që mendon se nëse shkaktarët e vonesave nuk marrin masa, ata kanë për t’ua … mu në të…ës, dhe jo vetëm kaq por në përgjithësi, ku ta kenë.

Nga ana tjetër, as ky sondazh nuk është i plotë, për shkak se 7 mijë të anketuar nuk patën durimin të dëgjonin deri në fund pyetjet, dhe me të drejtë: Ishte shumë vonë.

Qytetarët janë të mendimit se vetëm për pak gjëra ja vlen të vonohesh disi, si për shembull dreka, darka dhe gjumi. Të gjitha të tjerat duhet të jenë gati në sekondë. Boll më.

I këtij mendimi është edhe Sotiraq Karathanasi teksa pret të dëgjojë zilen e mikrovalës, ndërkohë që i plagosuri Beqir Beqiri, sapo u fut në sallën e urgjencës në spitalin e Traumës në Tiranë dhe e pa plot me të traumatizuar të tjerë, deklaroi: “Unë të pres këtu? Hiqe mendsh, po iki”.

Kryeministri Rama, në përpjekje për të qetësuar shpirtrat e popullatës deklaroi në Facebook se qeveria e tij premton që numri i vonesave do të ulet katërvjeçarin tjetër. Megjithatë Rama vuri re se konferenca virtuale po zgjaste ca si shumë:

“Shpejt, kush ka ndonjë pyetje se nuk do rri këtu. Ti goce atje me nofkën EdiRamaSiRrush, ke gjë? Hajt mirupafshim”.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë e ngeshme satirike së cilës përgjithësisht nuk i bëhet vonë

August 18, 2018 16:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*